Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8: Priftëria e Përjetshme


Kapitulli 8

Priftëria e Përjetshme

“Priftëria Melkizedeke … është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Pasi morën Priftërinë Aarone dhe ordinancën e pagëzimit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudri provuan bekime që nuk i kishin njohur kurrë më parë. Profeti shënoi: “Me mendjet tona të ndriçuara tashmë, ne filluam t’i kishim shkrimet e shenjta të qarta për të kuptuarin tonë dhe kuptimi e qëllimi i vërtetë i shumë prej pjesëve të tyre më të mistershme na u zbulua në një mënyrë që ne kurrë nuk mund ta arrinim më parë, as kurrë më parë nuk e kishim menduar” (Joseph Smith—Historia 1:74). Me këtë ndriçim të shtuar të mendjes, ata vazhduan përpara në punën e tyre të përkthimit të Librit të Mormonit. Por Profeti nuk kishte marrë ende një bekim të rëndësishëm – një bekim që ishte i domosdoshëm përpara se ai të mund të organizonte Kishën, të themelonte kuorumet dhe detyrat e priftërisë, si dhe të jepte dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ai duhej të merrte Priftërinë Melkizedeke.

Siç ishte premtuar nga Gjon Pagëzori, ky bekim iu dha Jozefit dhe Oliverit pak pasi kishin marrë Priftërinë Aarone. Apostujt e lashtësisë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu shfaqën atyre në një vend të veçuar pranë lumit Suskuehana dhe u dhanë Priftërinë Melkizedeke. Jozefi deklaroi më vonë se ai dëgjoi “zërin e Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në shkretëtirë midis Harmony-së, konteja Susquehanna-s, dhe Colesville-t, konteja Broome-t, në lumin Susquehanna, duke e shpallur vetveten se zotëronin çelësat e mbretërisë dhe të periudhës së plotësisë së kohëve!” (DeB 128:20).

Në vitet që vijuan, Jozef Smithin e vizituan shumë mbajtës të tjerë të priftërisë nga kohët e lashta. Këta lajmëtarë nga Perëndia erdhën që të rivendosnin çelësat e priftërisë të domosdoshëm për të bërë të disponueshme për fëmijët e Perëndisë bekimet e plota të ungjillit. Ata erdhën gjithashtu që të ndihmonin profetin i cili do të qëndronte në krye të periudhës së plotësisë së kohëve.

Presidenti Xhon Tejlor, Presidenti i tretë i Kishës, shpjegoi: “Moisiu, Elija, Eliasi dhe shumë nga personazhet kryesues të përmendur në Shkrimet e Shenjta, që kishin vepruar në periudhat e ndryshme ungjillore, erdhën dhe i dhanë Jozefit çelësat, fuqitë, të drejtat, privilegjet dhe [lejet] e ndryshme që ata kishin gëzuar në kohën e tyre. … Çfarëdo dijenie, inteligjence, Priftërie, fuqie, zbulese që iu dha atyre burrave në epokat e ndryshme, u rivendos përsëri në tokë me anë të shërbesës dhe duke përdorur si mjet ata që mbajtën Priftërinë e shenjtë të Perëndisë në periudhat e ndryshme ungjillore kur kishin jetuar.”1

Presidenti Tejlor deklaroi gjithashtu: “Nëse do ta pyesje Jozefin se ç’pamje kishte Adami, do të ta thoshte menjëherë; ai do të të thoshte përmasat dhe pamjen e tij të jashtme dhe gjithçka për të. Ju mund ta kishit pyetur se ç’pamje kishin Pjetri, Jakobi dhe Gjoni dhe ai do të mund t’ua thoshte. Pse? Sepse ai i kishte parë ata.”2

Në shtator 1842 Profeti i shkroi një letër Kishës duke shprehur gëzimin e tij ndërsa sodiste njohurinë dhe çelësat e priftërisë që tani ishin rivendosur në tokë: “Dhe përsëri, çfarë dëgjojmë? Lajme të gëzuara nga Cumorah-u! Moronin, një engjëll nga qielli, duke shpallur plotësimin e profetëve—librin që do të zbulohet. … Dhe zërin e Mikaelit, kryeengjëllit; zërin e Gabrielit dhe të Rafaelit dhe të engjëjve të ndryshëm, nga Mikaeli ose Adami deri në kohën e pranishme, të gjithë duke deklaruar periudhën e kujdestarisë së tyre, të drejtat e tyre, çelësat e tyre, nderet e tyre, madhështinë dhe lavdinë e tyre dhe fuqinë e priftërisë së tyre; duke dhënë rresht pas rreshti, ide pas ideje; pak këtu e pak atje; duke na dhënë ngushëllim, duke shpallur atë që do të vijë, duke pohuar shpresën tonë!” (DeB 128:20–21).

Mësime të Jozef Smithit

Priftëria është e përjetshme dhe është mbajtur nga profetët në çdo periudhë ungjillore.

“Ka pasur një zinxhir autoriteti dhe fuqie që nga Adami deri në kohën e tanishme.”3

“Priftëria iu dha së pari Adamit; ai mori detyrën e Presidencës së Parë dhe mbajti çelësat e saj nga brezi në brez. Ai e mori atë në Krijim, përpara se bota të formohej, si tek Zanafilla 1:26, 27, 28. Atij i ishte dhënë autoritet mbi çdo krijesë të gjallë. Ai është Mikaeli, Kryeengjëlli, për të cilin flitet në Shkrimet e Shenjta. Pastaj priftëria iu dha Noeut, që ishte Gabrieli; ai qëndron pas Adamit në autoritetin në Priftëri; ai u thirr nga Perëndia në këtë detyrë dhe ishte ati i të gjithëve që jetonin në kohën e tij, dhe atij iu dha autoriteti. Këta burra mbajtën çelësat së pari në tokë dhe pastaj në qiell.

Priftëria është një parim i përjetshëm dhe ekzistonte me Perëndinë që nga përjetësia, dhe do të ekzistojë në përjetësi, pa fillim të ditëve ose fund të viteve [shih Përkthimi prej Joseph Smithit, Hebrenjve 7:3]. Çelësat duhet të sillen nga qielli kurdoherë që dërgohet Ungjilli. Kur ata zbulohen nga qielli, kjo bëhet nëpërmjet autoritetit të Adamit.

Danieli, në kapitullin e shtatë të librit të tij, flet për të Lashtin e Ditëve; ai nënkupton njeriun më të lashtë, Atin tonë Adam, Mikaelin; ai do t’i mbledhë së bashku fëmijët e tij dhe do të mbajë një këshill me ta për t’i përgatitur për ardhjen e Birit të Njeriut [shih Danieli 7:9–14]. Ai (Adami) është babai i familjes njerëzore dhe kryeson mbi shpirtrat e të gjithë njerëzve, dhe të gjithë që kanë pasur çelësat duhet të qëndrojnë para tij në këtë këshill të madh. … Biri i Njeriut qëndron para tij dhe atij i jepet lavdi dhe autoritet. Adami ia dorëzon kujdestarinë e tij Krishtit, atë që i ishte dorëzuar atij duke mbajtur çelësat e universit, por e mban pozitën e tij si kreu i familjes njerëzore.

… Ati i thirri të gjithë shpirtrat para Tij në krijimin e njeriut dhe i organizoi ata. Ai (Adami) është kreu dhe iu tha që të shumohej. Çelësat së pari iu dhanë atij dhe nëpërmjet tij, të tjerëve. Atij do t’i duhet të japë llogari për kujdestarinë e tij dhe ata atij.

Priftëria është e përjetshme. Shpëtimtari, Moisiu dhe Eliasi [Elija] ia dhanë çelësat Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit në mal, kur ata u shpërfytëruan para tij. Priftëria është e përjetshme – pa fillim ditësh ose mbarim vitesh; pa atë, nënë etj. Nëse nuk ka ndryshim të ordinancave, nuk ka ndryshim të Priftërisë. Kudo që administrohen ordinancat e Ungjillit, aty ka Priftëri.

Si kemi arritur tek Priftëria në ditët e fundit? Ajo ka zbritur brez pas brezi, në varg të rregullt. Ajo iu dha Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit dhe ata ua dhanë të tjerëve. Krishti është Prifti i Lartë i Madh; Adami është vijuesi. Pali flet për Kishën që i bashkohet morisë së engjëjve – Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve – shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur; Jezusit, Ndërmjetësit të besëlidhjes së re [shih Hebrenjve 12:22–24].”4

Profetët që mbanin çelësat e priftërisë në kohët e lashta u bashkuan për të sjellë veprën e periudhës së fundit ungjillore.

“Unë pashë Adamin në luginën e Adam-ondi-Ahmanit. Ai i mblodhi së bashku fëmijët e tij dhe i bekoi ata me një bekim patriarkal. Zoti u shfaq mes tyre dhe ai (Adami) i bekoi të gjithë dhe paratha çfarë do t’u ndodhte atyre në brezin e fundit.

Kjo është përse Adami bekoi pasardhësit e tij; ai donte t’i sillte ata në prani të Perëndisë. Ata kërkuan një qytet etj., [‘mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia’ – Heb. 11:10]. Moisiu u përpoq të sillte fëmijët e Izraelit në prani të Perëndisë, nëpërmjet fuqisë së Priftërisë, por nuk mundi. Në epokat e para të botës ata u përpoqën të vendosnin të njëjtën gjë; dhe pati Elias-ë që u ngritën dhe që u përpoqën të rivendosin po këto lavdi, por nuk i morën dot ato; por ata profetizuan për një ditë kur kjo lavdi do të zbulohej. Pali foli për periudhën e plotësisë së kohëve, kur Perëndia do të mblidhte së bashku gjithë gjërat në një etj. [shih Efesianëve 1:10]; dhe ata burra të cilëve u janë dhënë këta çelësa, duhet të jenë atje; dhe ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur.

Këta burra janë në qiell, por fëmijët e tyre janë në tokë. Zemra e tyre ka mall për ne. Perëndia dërgon burra për këtë arsye. ‘Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi.’ [Mateu 13:41.] Të gjithë këta personazhe me autoritet do të vijnë poshtë dhe do të bashkohen me ne për të bërë që të ndodhë kjo punë.

Mbretëria e Qiellit është si kokrra e farës së sinapit. Fara e sinapit është e vogël, por që sjell një barishte të madhe dhe zogjtë e qiellit gjejnë strehim në degë. [Shih Marku 4:30–32.] Zogjtë e qiellit janë engjëjt. Kështu engjëjt zbresin poshtë, ndërthuren së bashku për të mbledhur fëmijët e tyre dhe i mbledhin ata. Ne pa ta nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur; kur të bëhen këto gjëra, Biri i Njeriut do të zbresë, i Lashti i ditëve do të ulet; ne mund të afrohemi tek një mori engjëjsh, të lidhemi me ta dhe të marrim udhëzime nga ata.”5

Ordinancat e priftërisë janë vendosur që nga fillimi dhe duhet të mbahen në mënyrën si i ka caktuar Perëndia.

“Adami … ishte njeriu i parë, për të cilin flitet tek Danieli si ‘i Lashti i Ditëve’ [Danieli 7:9], ose me fjalë të tjera, i pari dhe më i moshuari i të gjithëve, stër, stër, stërgjyshi për të cilin thuhet në një vend tjetër që ai është Mikaeli, sepse ai ishte i pari dhe ati i të gjithëve, jo vetëm për nga prejardhja, por i pari që mbajti bekimet shpirtërore, të cilit iu bë i njohur plani i ordinancave për shpëtimin e pasardhësve të tij deri në fund dhe të cilit iu shfaq së pari Krishti, dhe nëpërmjet të cilit Krishti u zbulua nga qielli, dhe do të vazhdojë të zbulohet këtej e tutje. Adami mban çelësat e periudhës së plotësisë së kohëve; domethënë, periudha e të gjitha kohëve ka qenë dhe do të zbulohet nëpërmjet tij që nga fillimi deri tek Krishti dhe nga Krishti tek fundi i të gjitha periudhave që do të zbulohen. …

… [Perëndia] i vendosi ordinancat që të jenë të njëjta përhe-rë e përgjithmonë dhe vendosi Adamin që t’i ruante ato, t’ua zbulonte ato njerëzve që nga qielli, ose të dërgonte engjëj për t’i zbuluar ato. ‘A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?’ [Hebrenjve 1:14.]

Këta engjëj janë nën drejtimin e Mikaelit ose Adamit, që vepron nën drejtimin e Zotit. Nga citimi i mësipërm ne mësojmë se Pali i kuptoi përsosurisht qëllimet e Perëndisë në lidhje me marrëdhënien e Tij me njeriun dhe gjithashtu atë rend të lavdishëm e të përsosur që Ai e vendosi në Vete, me anë të të cilit Ai sjell fuqi, zbulesa dhe lavdi.

Perëndia nuk do të njohë ata që Ai nuk ka thirrur, shuguruar dhe zgjedhur. Në fillim Perëndia e thirri Adamin me vetë zërin e Tij. ‘Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?”. Ai u përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha”.’ [Zanafilla 3:9–10.] Adami mori urdhërime dhe udhëzime nga Perëndia: ky ishte rendi që nga fillimi.

Që ai mori zbulesa, urdhërime dhe ordinanca në fillim është e padiskutueshme; përndryshe si filluan ata t’i ofronin sakrifica Perëndisë në një mënyrë të pranueshme? Dhe nëse ata ofruan sakrifica, ata duhet të ishin autorizuar nëpërmjet shugurimit. Ne lexojmë tek Zanafilla [4:4] se Abeli ofroi të parëlindurit e kopesë së tij e yndyrën e tyre dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij. …

Kjo atëherë, është natyra e Priftërisë: çdo burrë mban detyrën kryesuese të periudhës së tij ungjillore dhe një burrë mban detyrën kryesuese të të gjithave, madje Adami; dhe Adami e merr detyrën kryesuese dhe autoritetin e tij nga Zoti, por nuk mund të marrë një plotësi derisa Krishti t’i paraqesë Mbretërinë Atit, që do të jetë në përfundim të periudhës së fundit ungjillore.

Fuqia, lavdia dhe bekimet e Priftërisë nuk mund të vazhdojnë me ata që morën shugurimin nëse nuk vazhdon drejtësia e tyre; sepse Kaini gjithashtu u autorizua të ofronte sakrificë, por nga mosdhurimi i saj në drejtësi, u mallkua. Kjo atëherë do të thotë se ordinancat duhet të mbahen në vetë mënyrën që ka caktuar Perëndia, përndryshe Priftëria e tyre do t’u sjellë mallkim në vend të bekimit.”6

Priftëria Melkizedeke është kanali nëpërmjet të cilit Perëndia zbulon Veten dhe qëllimet e Tij.

“Ka dy Priftëri për të cilat flitet në Shkrimet e Shenjta, pikërisht Melkizedekja dhe Aaronia ose Levitikja. Megjithëse janë dy Priftëri, përsëri Priftëria Melkizedeke e përfshin Priftërinë Aarone ose Levitike dhe është kreu i madh, dhe mban autoritetin më të lartë që i përket Priftërisë dhe çelësat e Mbretërisë së Perëndisë në të gjitha epokat e botës deri në brezat më të fundit në tokë, dhe është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme.

Krijimi i saj ishte që para ‘themelimit të tokës, apo yjeve të mëngjesit që këndonin të gjithë së bashku, apo tërë bijtë e Perëndisë të lëshonin britma gëzimi’ [shih Jobi 38:4–7] dhe është Priftëria më e lartë e më e shenjtë, dhe është sipas urdhrit të Birit të Perëndisë, dhe gjithë Priftëritë e tjera janë vetëm pjesë, degëzime, fuqira dhe bekime që i përkasin po asaj, dhe që mbahen, kontrollohen dhe drejtohen prej saj. Ajo është kanali përmes së cilës i Plotfuqishmi filloi të zbulojë lavdinë e Tij në fillim të krijimit të kësaj toke dhe përmes së cilës ai ka vazhduar t’ia zbulojë Veten fëmijëve të njerëzve deri në kohën e tanishme, dhe përmes së cilës Ai do të bëjë të njohura qëllimet e Tij deri në fund të kohës.”7

“Fuqia e Priftërisë Melkizedeke është të ketë fuqinë për ‘jetë të jetës’; sepse besëlidhja e përjetshme nuk mund të thyhet. … Cila ishte fuqia e Melkizedekes? Nuk ishte Priftëria e Aaronit që administron në ordinancat e jashtme dhe ofrimin e sakrificave. Ata që mbajnë plotësinë e Priftërisë Melkizedeke janë mbretër dhe priftërinj të Perëndisë më të Lartë, që mbajnë çelësat e fuqisë dhe të bekimeve. Në fakt, ajo priftëri është një ligj i përkryer teokracie dhe qëndron si Perëndi për t’u dhënë ligje njerëzve, duke u administruar për jetë të jetës bijëve dhe bijave të Adamit. …

‘Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.’ [Hebrenjve 7:3.] Priftëria Melkizedeke mban të drejtën nga Perëndia i përjetshëm dhe jo si prejardhje nga ati dhe nëna; dhe ajo priftëri është po aq e përjetshme sa Vetë Perëndia, dhe që nuk ka as fillim ditësh as fund jete. …

… Priftëria Levitike [Aarone], që përbëhet nga priftërinj që shërbejnë në ordinanca të jashtme, bëhet pa betim; por Priftëria e Melkizedekut bëhet me betim dhe besëlidhje.”8

“Priftëria e Lartë Melkizedeke nuk [është] tjetër veç Priftëria e Birit të Perëndisë; … ka disa ordinanca që i përkasin Priftërisë, nga e cila rrjedhin disa rezultate. … Një privilegj i madh i Priftërisë është të marrë zbulesa nga mendja dhe vullneti i Perëndisë. Gjithashtu është privilegji i Priftërisë Melkizedeke të kritikojë, qortojë dhe këshillojë, si dhe të marrë zbulesë.”9

“Gjithë priftëria është Melkizedeke; por ka pjesë ose shkallë të ndryshme të saj. … Të gjithë profetët e patën Priftërinë Melkizedeke.”10

“Unë i këshilloj të gjithë të përparojnë drejt përsosjes dhe të kërkojnë thellë e më thellë në misteret e Perëndishmërisë. Një njeri nuk mund të bëjë asgjë për vetveten derisa Perëndia ta drejtojë atë në udhën e saktë; dhe priftëria është për atë qëllim.”11

Një njeri duhet të autorizohet nga Perëndia dhe të shugurohet në priftëri për të administruar në ordinancat e shpëtimit.

Nenet e Besimit 1:5: “Ne besojmë se një njeri duhet të thirret nga Perëndia, me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij.”12

“Ne besojmë se asnjë njeri nuk mund të administrojë shpëtim nëpërmjet ungjillit, për shpirtrat e njerëzve, në emrin e Jezu Krishtit, përveç nëse ai autorizohet nga Perëndia, me anë të zbulesës, ose duke u shuguruar nga dikush të cilin Perëndia e ka dërguar me anë të zbulesës, siç është shkruar nga Pali, tek Romakëve 10:14–15: ‘Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar?’ Dhe unë do të pyes, si mund të dërgohen pa një zbulesë, ose çfarëdo lloj paraqitjeje tjetër të dukshme të shfaqjes së Perëndisë? Dhe përsëri tek Hebrenjve 5:4: ‘Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.’ – Dhe unë do të pyesja, si u thirr Aaroni, përveçse me anë të zbulesës?”13

“Engjëlli i tha Kornelit të mirë se ai duhet të dërgonte të thërriste Pjetrin që të mësonte se si të shpëtohej [shih Veprat e Apostujve 10:21–22]: Pjetri mund të pagëzonte ndërsa engjëjt nuk mundeshin, për sa kohë kishte shërbestarë të ligjshëm në mish që mbanin çelësat e mbretërisë, ose autoritetin e priftërisë. Ka dhe një provë të mëtejshme për këtë pikë dhe ajo është që vetë Jezusi, kur iu shfaq Palit rrugës për në Damask, nuk e informoi se si mund të shpëtohej. Ai kishte organizuar në kishë së pari Apostuj dhe së dyti profetë, për veprën e shërbimit, përsosjen e shenjtorëve etj. [shih Efesianëve 4:11–12]; dhe përderisa rregulli i madh i qiellit ishte se asnjëherë nuk do të bëhej asgjë në tokë pa ua treguar sekretin shërbëtorëve të tij, profetëve, në përputhje me Amosin 3:7, po kështu Pali nuk mund të mësonte kaq shumë nga Zoti në përputhje me detyrën e tij në shpëtimin e zakonshëm të njeriut, sa mund të mësonte nga një prej ambasadorëve të Krishtit të thirrur me të njëjtën thirrje hyjnore prej Zotit dhe që i ishte dhuruar e njëjta fuqi nga lart – kështu që gjithçka që ata të kishin zgjidhur mbi tokë, do të ishte zgjidhur në qiej dhe gjithçka që të kishin lidhur mbi tokë, do të ishte lidhur në qiej [shih Mateu 16:19].”14

Është privilegj i madh të lartësosh çfarëdo detyre në priftëri.

“Priftëria … mund të ilustrohet me figurën e një trupi njerëzor, që ka elementë të ndryshëm, që kanë detyra të ndryshme për të përmbushur; të gjithë janë të nevojshëm në vendin e tyre dhe trupi nuk është i plotë pa të gjithë elementët…. Nëse një prift e kupton detyrën e tij, thirrjen e tij, dhe shërbesën dhe predikon me anë të Frymës së Shenjtë, kënaqësia e tij është po aq e madhe sikur të ishte një nga Presidenca e parë; dhe shërbimet e tij janë të domosdoshme për trupin, ashtu si janë edhe ato të mësuesve dhe të dhjakëve.”15

Eliza R. Snou raportoi: “[Jozef Smithi dha] udhëzime në lidhje me detyrat e ndryshme dhe domosdoshmërinë që çdo individ të veprojë në atë sferë ku ai ose ajo është vendosur, dhe që të përmbushë detyrat e ndryshme që i janë caktuar. Ai foli për prirjen e shumë njerëzve për të konsideruar çnderuese detyrat më të ulta në Kishë dhe për ta parë me xhelozi pozitën e të tjerëve që janë thirrur të kryesojnë mbi ta; tha se ishte marrëzia dhe budallallëku i zemrës njerëzore që një person të ketë ambicie për pozita të tjera nga ato në të cilat ata caktohen nga Perëndia për t’i marrë; që ishte më mirë për individët që të lartësonin thirrjet e tyre përkatëse. … Gjithkush duhet të ketë ambicie të lartësojë vetëm detyrën dhe thirrjen e vet.”16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishikoni rrëfimin për Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin që u konfirmojnë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit (faqe 105). Çfarë bekimesh keni marrë ju dhe familja juaj për shkak se është rivendosur Priftëria Melkizedeke?

  • Gjatë gjithë këtij kapitulli, Jozef Smithi dëshmon për një zinxhir të autoritetit të priftërisë nëpërmjet një vargu profetësh. Si mendoni ju, përse ishte e rëndësishme që ai t’ua mësonte këtë doktrinë në kohën e tij? Përse ne duhet ta kuptojmë këtë doktrinë sot? Si lidhet zinxhiri i autoritetit që përshkruan Jozef Smithi me linjën e autoritetit të priftërisë të një burri?

  • Ndërsa lexoni këtë kapitull, vini re përdorimin nga Profeti Jozef Smith të fjalëve i përjetshëm dhe përjetësi. Çfarë ju thonë këto terma për natyrën dhe rëndësinë e priftërisë?

  • Jozef Smithi na mësoi se Perëndia “i vendosi ordinancat që të jenë të njëjta përherë e përgjithmonë” dhe se “ordinancat duhet të mbahen në vetë mënyrën që ka caktuar Perëndia” (faqet 110–112). Si e rrisin këto mësime kuptimin tuaj të ordinancave të ungjillit?

  • Rishihni mësimet e Profetit Jozef Smith për Priftërinë Melkizedeke (faqet 112–113). Mendoni se si Priftëria Melkizedeke është e domosdoshme në të gjitha aspektet e ungjillit. Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa meditoni për Priftërinë Melkizedeke në këtë mënyrë?

  • Rishikoni dy paragrafët e fundit në kapitull (faqet 115–116). Si e keni parë që çdo anëtar i Kishës luan një rol të rëndësishëm në punën e Zotit? Cili mund të jetë rezultati nëse ne “[shohim] me xhelozi” ata që janë thirrur të shërbejnë si udhëheqës në Kishë? Mendoni se çfarë mund të bëni për të lartësuar vetë thirrjen tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Alma 13:1–12; DeB 27:5–14; 84:33–44, 109–110; 107:6–20; 121:34–46

Shënime

  1. John Taylor, Deseret News: Semi-Weekly, 18 prill 1882, f. 1; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  2. John Taylor, Deseret News: Semi-Weekly, 20 mars 1877, f. 1.

  3. History of the Church, 4:425; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 3 tetor 1841, në Nauvoo, Illinois; botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1841, f. 577.

  4. History of the Church, 3:385–388; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  5. History of the Church, 3:388–389; kompleti i parë i fjalëve në kllapa në paragrafin e dytë në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  6. History of the Church, 4:207–209; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i përgatitur nga Joseph Smith dhe i lexuar në një konferencë të Kishës mbajtur më 5 tetor 1840, në Nauvoo, Illinois.

  7. History of the Church, 4:207; është modernizuar drejtshkrimi dhe përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i përgatitur nga Joseph Smith dhe i lexuar në një konferencë të Kishës mbajtur më 5 tetor 1840, në Nauvoo, Illinois.

  8. History of the Church, 5:554–555; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; është ndryshuar ndarja në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 27 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  9. History of the Church, 2:477; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  10. Cituar nga William Clayton, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith më 5 janar 1841, në Nauvoo, Illinois; në L. John Nuttall, “Extracts from William Clayton’s Private Book”, f. 5, Journals of L. John Nuttall, 1857–1904, L. Tom Perry Special Collections, Brigham Young University, Provo, Utah; kopje në Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  11. History of the Church, 6:363; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  12. Nenet e Besimit 1:5.

  13. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 54; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  14. “Baptism”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons,1 shtator 1842, f. 905; është modernizuar gramatika; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  15. History of the Church, 2:478; është ndryshuar ndarja në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  16. History of the Church, 4:603, 606; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

Melchizedek Priesthood being conferred

Apostujt e lashtë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni u konfirmojnë Priftërinë Melkizedeke Jozef Smithit dhe Oliver Kaudrit. “Çelësat [e priftërisë]”, deklaroi Profeti, “duhet të sillen nga qielli kurdoherë që dërgohet Ungjilli.”

Adam-ondi-Ahman

“Unë pashë Adamin në luginën e Adam-ondi-Ahmanit. Ai i mblodhi së bashku fëmijët e tij dhe i bekoi ata me një bekim patriarkal. Zoti u shfaq mes tyre.”

setting apart

“Ne besojmë se një njeri duhet të thirret nga Perëndia, me anë të profecisë dhe me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij.”