Kapitulli 20
Një Zemër Plot Dashuri e Besim: Letrat e Profetit Drejtuar Familjes së Tij
“Të mbash mend se unë jam një mik i vërtetë dhe besnik për ty dhe për fëmijët, përgjithmonë. Zemra ime është e ndërthurur me tuajën përherë e përgjithmonë. Oh, Perëndia ju bekoftë të gjithëve.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Në thirrjen e tij profetike, Jozef Smithit iu desh të udhëtonte gjerësisht për të plotësuar nevojat e një organizate që po përhapej shpejt. Pasi ai e identifikoi Indipendensën në Misuri, si vendin për ndërtimin e Sionit në verën e 1831-it, Kisha u rrit shpejt aty, ashtu si vazhdoi të bënte në Kirtland të Ohajos. Nga viti 1831 deri në 1838, Kisha pati dy qendra popullimi, një në Misuri dhe tjetrën në Kirtland, ku jetoi Profeti. Gjatë kësaj periudhe, Profeti e bëri pesë herë udhëtimin e vështirë prej 1448 kilometrash për në Misuri, për të mbikëqyrur zhvillimin e Kishës atje.
Në vitin 1833 dhe përsëri në 1837-n, Jozef Smithi vizitoi Kanadanë e Sipërme [sot kryesisht territori i Ontarios së Jugut], duke u mësuar ungjillin dhe duke forcuar degët. Në vitin 1834 dhe në 1835-n, ai udhëtoi për në Miçigan për të vizituar anëtarët e Kishës. Gjatë disa viteve, ai predikoi ungjillin dhe drejtoi punët e Kishës në Springfild të Ilinoisit, Boston dhe Salem të Masaçusetsit, kontenë Monmauth të Nju-Xhërsit, Nju-Jork-Siti dhe Albani të Nju-Jorkut, Sinsinati të Ohajos, Filadelfia të Pensilvanisë, Uashington, D. C. dhe vende të tjera të ndryshme.
Udhëtimet e Profetit e larguan atë shpesh nga shtëpia dhe familja e tij, po ashtu si dhe përndjekjet me të cilat u përball vazhdimisht. Atë e arrestuan dhe e burgosën padrejtësisht shumë herë dhe qe viktima e dhjetëra çështjeve gjyqësore të pabazuara. Për shembull, më 27 korrik 1837, Profeti dhe disa udhëheqës të tjerë të Kishës u larguan nga Kirtlandi për të vizituar shenjtorët në Kanada. Kur mbërritën në Peinsvil të Ohajos, ata “i ndaluan gjithë ditën me çështje gjyqësore keqdashëse dhe bezdisëse”. Meqenëse nuk ishin larg nga Kirtlandi, ata u nisën për në shtëpi që të pushonin dhe pastaj ta fillonin përsëri udhëtimin e tyre ditën tjetër. “Gati në perëndim unë hipa në karrocën time që të kthehesha në shtëpi, në Kirtland”, shkroi Profeti. “Në atë çast sherifi kërceu në karrocë, më kapi frerët dhe më dha një tjetër urdhër gjyqësor paraqitjeje për mua.”1
Mungesat e shumta të Profetit në shtëpi qenë një sprovë e rëndë për të dhe familjen e tij. Letrat e tij drejtuar Emës zbulojnë vetminë që provoi dhe mallin që ndjeu për të dhe për fëmijët e tyre. Ai shkroi vazhdimisht për dashurinë e madhe për familjen e tij dhe besimin e tij tek Perëndia. Ai gjithashtu i dha premtime nxitëse familjes së tij, duke shprehur optimizëm për të ardhmen me gjithë mundimet që hasën.
Më 1 prill 1832, Profeti e la shtëpinë për udhëtimin e tij të dytë për në Misuri, vetëm një javë pasi një turmë e kishte lyer me zift e pupla dhe vetëm dy ditë pasi biri i tij i birësuar kishte vdekur. Sigurisht, zemra e tij duhet të ketë qenë e rënduar me trishtim e shqetësim për bashkëshorten e tij, Emën, dhe për fëmijën e tyre të vetëm të gjallë, Xhulian. Ndërsa po kthehej në shtëpi muajin tjetër, i dëshiruar për t’u bashkuar me familjen, atë e ndaluan për disa javë në Grinvill të Indianës. Peshkopi Njuël K. Uitni, një nga shokët e udhëtimit të Profetit, kishte dëmtuar keq këmbën në një aksident me një karrocë udhëtarësh dhe duhej të merrte veten përpara se të mund të udhëtonte. Gjatë kësaj kohe, Profeti u helmua në njëfarë mënyre, gjë që i shkaktoi të vjella kaq të forta saqë nxori nofullën nga vendi. Ai shkoi deri tek Peshkopi Uitni, që, ndonëse ende në shtrat, i dha Jozefit një bekim priftërie. Profeti u shërua menjëherë.
Pak pas kësaj përvoje, Profeti i shkroi këto rreshta gruas së tij: “Vëllai Martin [Herris] erdhi këtu dhe solli lajmin e kënaqshëm që familjet tona ishin mirë kur ai u nis prej atje, gjë që na i gëzoi shumë zemrat dhe na rigjallëroi shpirtrat. Ne e falënderojmë Atin tonë Qiellor për mirësinë e tij ndaj nesh dhe ndaj ju të gjithëve. … Gjendja ime është shumë e pakëndshme, ndonëse unë do të përpiqem të jem i kënaqur, me ndihmën e Zotit. … Do të doja të shihja Xhulian e vogël e që edhe një herë ta merrja në gjunjët e mi e të bisedoja me ju. … Po e nënshkruaj këtë letër, bashkëshorti yt. Zoti ju bekoftë, paqja qoftë me ju, pra lamtumirë derisa të kthehem.”2
Mësime të Jozef Smithit
Pjesëtarët e familjes luten për njëri-tjetrin, e ngushëllojnë dhe e forcojnë njëri-tjetrin.
Drejtuar Ema Smithit më 13 tetor 1832, nga Nju-Jork-Siti i Nju-Jorkut: “Këtë ditë kam ecur nëpër pjesën më të shkëlqyer të qytetit të Nju-Jorkut. Ndërtesat janë vërtet të shkëlqyera e të mrekullueshme, sa e habisin këdo që i sheh. … Pasi pashë gjithçka që kisha ndonjë dëshirë të shihja, u ktheva tek dhoma ime që të meditoja dhe të qetësoja mendjen; dhe pa shih, mendimet për shtëpinë, për Emën dhe Xhulian, u derdhën në mendjen time si një përmbytje dhe unë dëshirova për një çast të isha me to. Kraharori im është i mbushur me të gjitha ndjenjat dhe dhembshurinë e një prindi dhe bashkëshorti dhe, po të isha me ju, do t’ju tregoja shumë gjëra. …
E ndiej që dua të të them diçka që të të ngushëlloj në sfidën tënde të veçantë dhe mundimin e tanishëm [Ema në atë kohë qe shtatzënë]. Unë shpresoj se Perëndia do të të japë forcë që të mos ligështohesh. Unë i lutem Perëndisë që të zbusë zemrat e njerëzve përreth teje që të jenë të sjellshëm me ty dhe të të heqin barrën nga supet sa më shumë që të jetë e mundur dhe të mos të të brengosin. Unë shqetësohem për ty, sepse e di gjendjen tënde dhe të tjerët nuk e dinë, por ti duhet të ngushëllohesh duke e ditur që Perëndia është miku yt në qiell dhe që ti ke një mik të vërtetë e të gjallë në tokë, bashkëshortin tënd.”3
Drejtuar Ema Smithit më 12 nëntor 1838, nga Riçmondi i Misurit, ku po e mbanin të burgosur: “E mora letrën tënde, që e lexova pa pushim; ajo ishte diçka e çmuar për mua. O Perëndi, ma plotëso dëshirën që të mund të kem privilegjin që ta shoh edhe një herë familjen time të dashur, duke gëzuar unë ëmbëlsinë e lirisë e të jetës shoqërore. T’i shtrëngoja në gjirin tim dhe të puthja faqet e tyre të dashura, do ta mbushte zemrën time me mirënjohje sa nuk mund ta shpreh. Thuaju fëmijëve se jam gjallë dhe beso se do të vij e do t’i shoh ata shumë shpejt. Ngushëlloji zemrat e tyre sa të mundësh dhe përpiqu të ngushëllohesh ti vetë sa të mundesh. …
P.S. Shkruaj sa më shpesh që të mundesh dhe, po të jetë e mundur, eja e më shih, si dhe sill fëmijët po të jetë e mundur. Vepro sipas ndjenjave të tua dhe gjykimit më të mirë dhe përpiqu të ngushëllohesh, po të jetë e mundur, dhe unë besoj se gjithçka do të dalë për mirë.”4
Drejtuar Ema Smithit më 4 prill 1839, nga burgu në Liberti të Misurit: “Ema ime e dashur, unë mendoj vazhdimisht për ty dhe fëmijët. … Unë dëshiroj të shoh Frederikun e vogël, Jozefin, Xhulian dhe Aleksandrin, Johanën [një jetime që po jetonte me Smithët] dhe Meixhërin plak [qeni i familjes]. Dhe sa për ty, nëse do të dish se sa shumë dëshiroj të të shoh, shqyrto ndjenjat e tua, sa shumë dëshiron ti të më shohësh dhe gjykoje vetë. Me gëzim do të vija që këtu deri tek ty, i zbathur, e kokëzbuluar, e gjysmë i zhveshur që të të shihja dhe do ta mendoja si kënaqësi të madhe, dhe kurrë nuk do ta quaja si mundim. … Po e duroj me guxim gjithë zgjedhën time; po kështu bëjnë dhe ata që janë me mua. As dhe një prej nesh nuk është zmbrapsur ende.”5
Drejtuar Ema Smithit më 20 janar 1840, nga konteja Çester e Pensilvanisë: “Jam shumë i dëshiruar t’ju shoh ju të gjithëve edhe një herë në këtë botë. Duket një kohë e gjatë që kur jam larg pranisë tënde, por Zoti më ndihmoftë, nuk do të jem larg edhe për shumë kohë. … Jam i mbushur me shqetësim të vazhdueshëm dhe kështu do të jem derisa të vij në shtëpi. I lutem Perëndisë t’ju kursejë të gjithëve ju derisa unë të vij në shtëpi. Ema ime e dashur, zemra ime është plot për ty dhe ata të vegjlit. Unë dëshiroj të më kujtosh. Thuaju gjithë fëmijëve se i dua dhe do të kthehem në shtëpi sa më shpejt që të mundem. I yti në lidhjet e dashurisë, bashkëshorti yt.”6
Përgjegjësia për t’u mësuar fëmijëve tanë është gjithmonë e jona.
Drejtuar Ema Smithit më 12 nëntor 1838, nga Riçmondi i Misurit, ku po e mbanin të burgosur: “Thuaji Jozefit të vogël se duhet të bëhet djalë i mbarë; Babai e do atë me një dashuri të përsosur. Ai është më i madhi dhe nuk duhet t’i lëndojë ata që janë më të vegjël se ai, por t’i ngushëllojë ata. Thuaji Frederikut të vogël se Babai e do atë me gjithë zemër; ai është një djalë i dashur. Xhulia është një vogëlushe e dashur. Unë e dua edhe atë. Ajo është një fëmijë premtues. Thuaji asaj se Babai dëshiron që ajo ta kujtojë dhe të jetë vajzë e mbarë. Thuaju gjithë të tjerëve se unë mendoj për ta dhe lutem për të gjithë ata…. Aleksandrin e vogël e kam vazhdimisht në mendje. O Ema ime e dhembshur, unë dëshiroj që të mbash mend se unë jam një mik i vërtetë dhe besnik për ty dhe për fëmijët, përgjithmonë. Zemra ime është e ndërthurur me tuajën përherë e përgjithmonë. Oh, Perëndia ju bekoftë të gjithëve, amen. Unë jam bashkëshorti yt dhe jam në pranga dhe në vuajtje.”7
Drejtuar Ema Smithit më 4 prill 1839, nga burgu në Liberti të Misurit: “Unë nuk dua të lësh që këta të vegjlit të më harrojnë. Thuaju atyre se Babai i do me një dashuri të përkryer dhe se po bën gjithçka që mundet që t’i shpëtojë turmës dhe të vijë tek ata. Mësoju [fëmijëve] gjithçka që mundesh, që ata të mund të kenë aftësi të mira mendore. Të jesh e butë dhe e sjellshme; mos të jesh gjaknxehtë me ta, por dëgjo kërkesat e tyre. Thuaju atyre që Babai thotë se ata duhet të jenë fëmijë të mirë dhe t’i binden nënës së tyre. Ema ime e dashur, mbi ty qëndron përgjegjësi e madhe që ta mbash veten me nder dhe gjakftohtësi para tyre dhe t’u mësosh atyre gjëra të drejta, që t’u japësh formë mendjeve të tyre të reja dhe të ndjeshme që ata të fillojnë në shtigjet e drejta dhe kur të jenë të rinj të mos ndyhen nga vështrimi i shembujve të pafe.”8
Drejtuar Ema Smithit më 9 nëntor 1839, nga Springfild i Ilinoisit: “Do të jem i mbushur me shqetësim të vazhdueshëm për ty dhe fëmijët derisa të marr lajm prej jush dhe, në mënyrë të veçantë, për Frederikun e vogël. Ishte aq e dhimbshme ta lija të sëmurë. Shpresoj se do t’i ruash këta filiza të ëmbël në një mënyrë të përshtatshme për një nënë dhe shenjtore dhe se do të përpiqesh t’u lëvrosh mendjen dhe [t’u mësosh] atyre të lexojnë dhe të jenë gjakftohtë. Mos i lër të pambrojtur ndaj motit që të ftohen dhe përpiqu të pushosh sa të mundesh. Do të jetë një kohë e gjatë dhe e vetmuar gjatë mungesës sime tek ju…. Ki durim derisa të vij dhe bëj gjithçka që mundesh. Nuk mund ta shkruaj atë që dëshiroj, por më beso, ndjenjat e mia janë nga më të mirat ndaj ju të gjithëve.”9
Perëndia është miku ynë dhe ne mund t’i mirëbesojmë Atij në kohën tonë të mjerimit.
Drejtuar Ema Smithit më 6 qershor 1832, nga Grinvill i Indianës: “Kam shkuar thuajse çdo ditë tek një korije që është tamam pas qytetit, ku unë mund të jem i veçuar nga sytë e cilitdo të vdekshmi dhe atje kam shprehur gjithë ndjenjat e zemrës sime me meditim dhe lutje. Kam thirrur në mendje gjithë çastet e kaluara të jetës sime dhe kam lejuar të vajtoj e të derdh lot hidhërimi për marrëzinë time, që e kam lejuar kundërshtarin e shpirtit tim që të ketë kaq shumë fuqi mbi mua, siç ka pasur në kohët e kaluara. Por Perëndia është i mëshirshëm, dhe i ka falur mëkatet e mia, dhe unë gëzohem që ai ua dërgon Ngushëlluesin të gjithëve që besojnë dhe e përulin veten para tij. …
Do të përpiqem të jem i kënaqur me fatin tim, duke e ditur që Perëndia është miku im. Tek ai do të gjej ngushëllim. E kam lënë jetën time në duart e tij. Jam i përgatitur të shkoj kur të më thërrasë. Unë dëshiroj të jem me Krishtin. Nuk e çmoj jetën time [përveçse] për të bërë vullnetin e tij.”10
Drejtuar Ema Smithit më 4 qershor 1834, nga brigjet e lumit Misisipi në Ilinoisin perëndimor; Profeti Jozef po udhëtonte me Kampin e Sionit: “Herë pas here mendimet tona shkojnë me ankth të pashprehshëm tek bashkëshortet tona dhe fëmijët tanë – gjinia jonë sipas mishit që janë ndërthurur me zemrat tona – dhe gjithashtu vëllezërit dhe miqtë tanë…. Thuaji Babait Smith dhe gjithë familjes, dhe vëllait Oliver [Kaudri] që të ngushëllohen dhe të presin me gëzim ditën kur sprovat dhe vuajtjet e kësaj jete do të arrijnë në fund dhe ne të gjithë [do të] gëzojmë frytet e punës sonë nëse do të mbetemi besnik deri në fund, gjë që lutem qoftë fati i lumtur i ne të gjithëve.”11
Drejtuar Ema Smithit më 4 nëntor 1838, nga Indipendensa e Misurit, ku po e mbanin të burgosur: “Shoqja ime e shtrenjtë dhe e dashur e gjirit tim në vuajtje dhe mundim, dëshiroj të të njoftoj se unë jam mirë dhe se ne jemi të gjithë në gjendje shpirtërore të mirë në lidhje me vetë fatin tonë. … Kam shumë merak për ty dhe fëmijët e mi të dashur. Zemra ime vajton dhe pikon gjak për vëllezërit dhe motrat si dhe për vrasjen e njerëzve të Perëndisë. … Unë nuk e di atë që Perëndia mund të bëjë për ne, por unë shpresoj më të mirën gjithmonë, në të gjitha rrethanat. Ndonëse po shkoj drejt vdekjes, unë do të besoj tek Perëndia. Se çfarë mizorish mund të kryhen nga turma unë nuk e di, por pres që të ketë pak ose aspak kufizim. Oh, Perëndia pastë mëshirë për ne. … Perëndia i ka ruajtur disa prej nesh deri tani; ndoshta ai do të ketë ende mëshirë në njëfarë mase kundrejt nesh. …
Nuk mund të mësoj shumë me siguri në gjendjen ku jam dhe vetëm mund të lutem për çlirim derisa të jepet dhe e marr gjithçka si të vijë me durim dhe guxim. Unë shpresoj se ju do të jeni besnikë dhe të vërtetë ndaj çdo gjëje që ju besohet. Nuk mund të shkruaj shumë në gjendjen time. Drejtojini gjithë çështjet si të kërkojnë rrethanat dhe nevojat tuaja. Perëndia ju dhëntë urtësi dhe maturi, dhe vetëpërmbajtje, që kam çdo arsye të besoj se ju do t’i [keni].
Ata fëmijë të vegjël janë objekt i meditimit tim vazhdimisht. Thuaju atyre se Babai është ende gjallë. E dhëntë Perëndia që ai të mund t’i shohë ata përsëri. O Ema, … mos më braktis as mua, as të vërtetën, por më kujto; nëse nuk të takoj përsëri në këtë jetë, dhëntë Perëndia që ne të mund të takohemi në qiell. Nuk mundem t’i shpreh ndjenjat e mia; e kam zemrën plot. Lamtumirë, o Ema ime e mirë dhe e dashur. Jam yti përgjithmonë, bashkëshorti yt dhe miku i vërtetë.”12
Drejtuar Ema Smithit më 21 mars 1839, nga burgu në Liberti të Misurit: “Ema ime e dashur, i di shumë mirë mundimet e tua dhe kam dhembshuri për ty. Nëse Perëndia do të ma kursejë jetën edhe një herë që të kem privilegjin që të kujdesem për ju, do ta lehtësoj shqetësimin tënd dhe do të mundohem të ngushëlloj zemrën tënde. Dëshiroj që të përkujdesesh sa më mirë të mundesh për familjen. Besoj se ti do të bësh gjithçka që mundesh. Më erdhi keq kur mësova se Frederiku ishte sëmurë, por besoj se ai është mirë përsëri dhe se ju të gjithë jeni mirë. Dëshiroj që ti të përpiqesh të gjesh kohë dhe të më shkruash një letër të gjatë dhe të më thuash gjithçka që mundesh madje edhe nëse Meixhëri plak është ende gjallë, dhe se çfarë thonë ata vogëlushë të vegjël që të varen në qafë. … Thuaju atyre se jam në burg që jeta e tyre të mund të shpëtohet. …
Perëndia i drejton të gjitha gjërat sipas këshillës së vullnetit të vet. Besimi im është tek ai. Shpëtimi i shpirtit tim ka rëndësinë më të madhe për mua meqë unë di për një siguri të gjërave të përjetshme. Nëse qielli vonon të ndërhyjë, nuk ka rëndësi për mua. Unë duhet ta manovroj drejt sigurisë [shpirtin] tim, gjë që kam qëllim të bëj. Unë dua që dhe ju të veproni kështu. I yti përgjithmonë.”13
Drejtuar Ema Smithit më 16 gusht 1842, nga pranë Navusë të Ilinoisit; Profeti Jozef po fshihej nga armiqtë e tij: “Po marr guximin të të jap falënderimet e mia të sinqerta për dy vizitat tërheqëse dhe ngushëlluese që më bëre gjatë gjendjes time thuajse si i mërguar. Gjuha nuk mund ta shprehë mirënjohjen e zemrës sime, për miqësinë e ngrohtë dhe të sinqertë që më shfaqe në këto gjëra kundrejt meje. Koha ka kaluar, që kur më le, shumë pëlqyeshëm deri tani; mendja ime është e pajtuar përsosurisht me fatin tim, le të ndodhë ç’të ndodhë. …
Thuaju fëmijëve se deri tani babai i tyre është mirë; dhe se ai mbetet në lutje të zjarrtë ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm për sigurinë e vetes, dhe për ty, dhe për ata. Thuaji Nënës Smith se gjërat do të shkojnë mirë me birin e saj, qoftë në jetë apo në vdekje; sepse kështu thotë Zoti Perëndi. Thuaji asaj se unë e kujtoj atë gjithë kohën, po ashtu si dhe Lusin [motra e Jozefit] dhe gjithë të tjerët. Të gjithë duhet të marrin zemër. … Yti me nxitim, bashkëshorti yt i dashur deri në vdekje, nëpër gjithë përjetësinë; për gjithmonë.”14
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni shkurt këtë kapitull, duke vënë re ndjenjat e Jozef Smithit kundrejt Emës dhe fëmijëve të tyre. Çfarë na mëson shembulli i tij për mënyrën si duhet të flasim e të veprojmë në familjet tona? Çfarë mund të mësojmë ne nga përpjekjet e Jozef dhe Ema Smithit për t’i shkruar njëri-tjetrit dhe për ta takuar njëri-tjetrin? Cilat janë disa gjëra që keni bërë për t’u treguar pjesëtarëve të familjes se ju i doni ata?
Profeti Jozef i tha Emës se ai ishte “një mik i vërtetë dhe besnik për [atë] dhe për fëmijët, përgjithmonë” dhe ai e falënderoi atë për “miqësinë e ngrohtë dhe të sinqertë” të saj (faqet 256, 260). Çfarë mund të bëjnë bashkëshortët e bashkëshortet që të ushqejnë miqësinë e tyre?
Në letrat e tij, Jozef Smithi tregoi mirëbesim ndaj Emës, duke i shprehur sigurinë se ajo do të merrte vendime të mira dhe se do të bënte gjithçka që mundte për t’u kujdesur për familjen (faqe 259). Si munden shprehje të tilla mirëbesimi të ndikojnë marrëdhënien midis një bashkëshorti e një bashkëshorteje?
Lexoni mesazhin e Profetit Jozef drejtuar fëmijëve të tij në paragrafin e dytë në faqen 260. Si mund t’i ketë ndihmuar fëmijët e tij marrja e këtyre lajmeve? Gjatë momenteve të sprovave, çfarë mund të bëjnë prindërit për t’u treguar fëmijëve të tyre se kanë besim tek Perëndia?
Rishihni shprehjet e mirëbesimit të Jozef Smithit tek Perëndia që gjenden në faqet 257–260. Dalloni disa nga këto shprehje që janë veçanërisht prekëse për ju. Si mund t’i zbatoni këto të vërteta në jetën tuaj?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Zanafilla 2:24; 1 Korintasve 11:11; Efesianëve 5:25; Mosia 4:14–15; DeB 25:5, 9, 14; 68:25–28