Shkrimet e Shenjta
Deklarata Zyrtare 1


Deklarata Zyrtare—1

Kujt Mund t’i Interesojë:

Ngaqë artikuj shtypi janë dërguar për qëllime politike, nga Salt Lake City, të cilat janë botuar gjerësisht, me kuptimin që Komisioni i Utah-s në raportin e tij të kohës së fundit drejtuar Sekretarit të Punëve të Brendshme, shpall se martesat me shumë gra akoma kryhen në mënyrë të shenjtë dhe se dyzet ose më shumë martesa të tilla janë kontraktuar në Utah, që nga qershori i fundit ose gjatë vitit të kaluar, gjithashtu që në diskutimet publike udhëheqësit e Kishës kanë mësuar, nxitur dhe inkurajuar vazhdimësinë e praktikës së poligamisë—

Unë, si rrjedhim, si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me anë të kësaj deklarate, në mënyrën më solemne, shpall se këto akuza janë të rreme. Ne nuk jemi duke u mësuar poligami ose martesë me shumë gra, as nuk jemi duke lejuar njeri të fillojë praktikimin e saj, dhe unë e mohoj që dyzet apo ndonjë numër tjetër martesash me shumë gra gjatë asaj periudhe janë kryer në mënyrë të shenjtë në tempujt tanë ose në ndonjë vend tjetër në territor.

Një rast është raportuar, në të cilin grupet e përfshira shpallën se martesa u krye në Shtëpinë e Dhurimit, në Salt Lake City, në pranverë të 1889-s, por unë nuk kam qenë në gjendje të mësoj kush e kreu ceremoninë; çfarëdo që u krye në këtë çështje, u bë pa dijeninë time. Si pasojë e kësaj ngjarjeje të shpallur, Shtëpia e Dhurimit, nëpërmjet udhëzimeve të mia, u shkatërrua pa vonesë.

Për aq sa kanë hyrë në fuqi nga Kongresi ligje që i ndalojnë martesat me shumë gra, ligje të cilat janë shpallur kushtetuese nga gjykata më e lartë, unë me anë të kësaj deklaroj qëllimin tim për t’iu nënshtruar atyre ligjeve dhe për ta përdorur ndikimin tim tek anëtarët e Kishës mbi të cilën unë kryesoj, që ata të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Nuk ka asgjë në mësimet e mia për Kishën ose në ato të bashkëpunëtorëve të mi, gjatë kohës së përmendur, që mund të interpretohet në mënyrë të arsyeshme se ka ngulitur apo nxitur poligaminë; dhe kur ndonjë plak i Kishës ka përdorur gjuhë që dukej se përcillte ndonjë mësim të tillë, ai menjëherë është qortuar. Dhe unë tani publikisht shpall se këshilla ime për Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme është të përmbahen nga bërja e kontratës së ndonjë martese që është e ndaluar nga ligji i tokës.

WILFORD WOODRUFF

President i Kishës së Jezu Krishtit
të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Presidenti Lorenzo Snow paraqiti sa vijon:

“Unë propozoj që, duke e njohur Wilford Woodruff-in si Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të vetmin njeri mbi tokë në kohën e tanishme që mban çelësat e ordinancave të vulosjes, ne e konsiderojmë atë tërësisht të autorizuar, duke u mbështetur në pozicionin e tij lidhur me çështjen e Manifestit, që është lexuar që ne ta dëgjonim, dhe mban datën 24 shtator 1890, dhe se si një Kishë e mbledhur në Konferencë të Përgjithshme, ne e pranojmë deklaratën e tij lidhur me martesat me shumë gra si autoritative dhe detyruese”.

Vota për ta mbështetur mocionin e propozuar ishte unanime.

Salt Lake City, Utah, 6 tetor 1890.

Pjesë të Shkëputura nga Tre Fjalime të
Presidentit Wilford Woodruff
Lidhur me Manifestin

Zoti nuk do të më lejojë kurrë mua apo ndonjë burrë tjetër që qëndron si President i kësaj Kishe për t’ju udhëhequr në udhë të gabuar. Nuk është në program. Nuk është në mendjen e Perëndisë. Në qoftë se unë do të përpiqesha për atë, Zoti do të më hiqte nga vendi im dhe kështu Ai do të bënte me këdo tjetër që do të përpiqet t’i drejtojë fëmijët e njerëzve në udhë të gabuar nga orakujt e Perëndisë dhe nga detyra e tyre. (Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e gjashtëdhjetenjëtë e Kishës, e hënë, 6 tetor 1890, Salt Lake City, Utah. E raportuar në Deseret Evening News, 11 tetor 1890, f. 2.)

Nuk ka rëndësi se kush jeton e kush vdes apo kush thirret për ta udhëhequr këtë Kishë, ata duhet ta udhëheqin atë me anë të frymëzimit të Perëndisë së Plotfuqishëm. Nëse nuk e bëjnë në atë mënyrë, ata nuk mund ta bëjnë atë aspak.…

Unë kam patur kohët e fundit disa zbulesa shumë të rëndësishme për mua dhe do t’jua them se çfarë më ka thënë Zoti. Lejomëni t’i sjell mendjet tuaja tek ajo që përcaktohet në manifest.…

Zoti më ka thënë t’u bëj Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme një pyetje dhe Ai gjithashtu më tha se, në qoftë se ata do të dëgjojnë se çfarë unë u thashë dhe i përgjigjen pyetjes që iu bë atyre, me anë të Shpirtit dhe fuqisë së Perëndisë, ata do të përgjigjen që të gjithë njësoj dhe do të besojnë që të gjithë njësoj lidhur me këtë çështje.

Pyetja është kjo: Cila është udha më e mençur që Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme të ndjekin—të vazhdojnë të përpiqen për të praktikuar martesën me shumë gra, me ligjet e kombit kundër saj dhe kundërshtimin e gjashtëdhjetë milionë njerëzve, dhe me çmimin e konfiskimit dhe të humbjes së të gjithë tempujve, dhe me ndalimin e të gjitha ordinancave në ta, si për të gjallët, edhe për të vdekurit, dhe me burgosjen e Presidencisë së Parë e të të Dymbëdhjetëve dhe të krerëve të familjeve në Kishë, dhe konfiskimin e të gjitha pronave personale të njerëzve (këto të gjitha do ta ndalojnë vetë praktikën); apo, pasi bëmë dhe vuajtëm ato që kemi bërë e vuajtur nëpërmjet besnikërisë sonë ndaj këtij parimi, ta ndalojmë praktikën e t’i nënshtrohemi ligjit dhe duke bërë kështu t’i lëmë Profetët, Apostujt dhe etërit në shtëpi, kështu që ata të mund t’i udhëzojnë njerëzit dhe të ndjekin detyrat e Kishës, dhe gjithashtu t’i lëmë tempujt në duart e Shenjtorëve, kështu që ata të mund të ndjekin ordinancat e Ungjillit, si për të gjallët, edhe të vdekurit?

Zoti më tregoi me anë të vegimit dhe zbulesës saktësisht se çfarë do të ndodhë, nëse nuk e ndalojmë këtë praktikë. Nëse nuk do ta kishim ndaluar atë, juve nuk do t’ju nevojiteshin … ndonjë nga burrat në këtë tempull në Logan; sepse të gjitha ordinancat do të ndaleshin në të gjithë tokën e Sionit. Rrëmuja do të mbretëronte në të gjithë Izraelin dhe shumë burra do të burgoseshin. Ky shqetësim do të kishte ardhur mbi të gjithë Kishën dhe ne do të ishim detyruar ta ndalonim këtë praktikë. Tani, pyetja është, nëse ajo do të ndalohet në këtë mënyrë apo në mënyrën që Zoti na ka manifestuar, dhe t’i lëmë profetët e apostujt tanë dhe etërit njerëz të lirë, dhe tempujt në duart e njerëzve, kështu që të vdekurit të mund të shëlbehen. Një numër i madh prej këtij populli tashmë është liruar nga burgu dhe puna do të vazhdojë apo do të ndalojë? Kjo është pyetja që shtroj përpara Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ju duhet të gjykoni vetë. Unë dua që t’i jepni përgjigje vetë. Unë nuk do t’i jap përgjigje asaj; por ju them se ajo është pikërisht gjendja ku ne si popull do të kishim qenë, nëse nuk do të ndërmerrnim kursin që kemi ndërmarrë.

… Kam parë saktësisht çfarë do të ndodhte, nëse asgjë nuk do të ishte bërë. E kam patur këtë shpirt mbi mua për një kohë të gjatë. Por dëshiroj t’ju them këtë: Unë do t’i kisha lënë të gjithë tempujt të na dilnin nga duart tona; unë do të kisha shkuar vetë në burg dhe do të kisha lejuar cilindo burrë të shkonte atje, nëse Perëndia i qiellit nuk do të më kishte urdhëruar të bëja atë që bëra; dhe kur ora erdhi që u urdhërova ta bëja atë, ishte e gjitha e qartë për mua. Shkova përpara Zotit dhe shkrova çfarë Zoti më tha të shkruaja.…

E lë këtë me ju, për ta menduar dhe për ta marrë parasysh. Zoti është duke punuar me ne. (Konferenca e kunjit Cache, Logan, Utah, e dielë 1 nëntor 1891. E raportuar në Deseret Weekly, 14 nëntor 1891.)

Tani unë do t’ju them se çfarë m’u manifestua dhe çfarë Biri i Perëndisë kreu në këtë gjë.… Të gjitha këto gjëra do të kishin ndodhur, sikurse Perëndia i Plotfuqishëm jeton, nëse Manifesti nuk do të ishte dhënë. Si rrjedhim, Biri i Perëndisë u ndie i detyruar t’ia paraqiste atë gjë Kishës dhe botës për qëllime në mendjen e tij. Zoti kishte dekretuar ngritjen e Sionit. Ai kishte dekretuar përfundimin e këtij tempulli. Ai kishte dekretuar se shpëtimi i të gjallëve dhe të vdekurve do të jepej në këto lugina të maleve. Dhe Perëndia i Plotfuqishëm dekretoi se Djalli nuk do ta pengonte atë. Në qoftë se ju nuk mund ta kuptoni atë, ky është një çelës për të. (Nga një diskutim në sesionin e gjashtë të dedikimit të tempullit të Salt Lake-ut, prill 1893. Shtypshkrimet e Shërbimeve Dedikuese, Arkivat, Departamenti Historik i Kishës, Salt Lake City, Utah.)