Masa e Influencës dhe Ndikimi i Seminareve dhe Instituteve
Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut, Qershor 2024
Jam i lumtur që po ju tregoj sot një përditësim në përpjekjet e Seminareve dhe Instituteve për ta rritur masën e influencës dhe ndikimin tonë ndaj rinisë dhe të rinjve në moshë madhore në botë dhe atë që po ndodh me ta. Disa prej jush mund të kenë dëgjuar tanimë pjesë të ndryshme të kësaj paraqitjeje në raste të ndryshme. Besoj se ia vlen të shohim se si të gjitha këto pjesë lidhen me njëra‑tjetrën dhe të mendojmë për atë që vjen më pas.
Për ju që nuk punoni për SeI‑në, shpresoj se ky informacion është me interes dhe i dobishëm edhe për ju.
Të gjithë ne që punojmë në Arsimimin në Kishë, mendojmë vazhdimisht se si mund të ndërtojmë besimin te Shpëtimtari e t’i përkrahim më mirë studentët tanë në përpjekjet e tyre për ta jetuar ungjillin. Rreth pesë ose gjashtë vjet më parë, kur vumë re se regjistrimet në institut kishin qenë në rënie për disa vite me radhë, ky qe shkak i madh shqetësimi për ne. Po ashtu, duke e ditur se shumë të rinj në moshë madhore përballen me sfida shumë të vështira për besimin e tyre, donim të ndihmonim sepse e dimë që instituti mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer që ata të marrin përkrahjen që iu nevojitet. Donim të dinim se ç’mund të bënim më shumë, jo vetëm t’i inkurajonim që të merrnin pjesë, por edhe të dinim se si mund të kishim një ndikim më të madh në jetën e tyre. Menduam se do të ishte e rëndësishme të gjenim një mënyrë për t’i dëgjuar vërtet ata, për t’i kuptuar sfidat e tyre e për të zbuluar se ç’mund të bënte instituti për të ndihmuar. Kështu, krijuam një skuadër brenda Seminareve dhe Instituteve, të cilën fillimisht e quajtëm Komiteti për Risitë në Institut.
Ky komitet së pari punoi me Nënsektorin Kërkimor për Marrëdhëniet e Ndërsjella për t’u marrë me studime rreth të rinjve në moshë madhore në Kishë. Më pas, ata punuan me agjencinë “BYU AdLab” për të parë se çfarë ndryshimesh mund të bënim në institut për të ndihmuar të rinjtë në moshë madhore në nevojat e tyre.
Këto përvoja ishin shumë të dobishme, por na bënë të dëshironim të bënim edhe më shumë që të përcaktonim mundësi për ta zgjeruar më tej masën e influencës së institutit dhe ndikimin e tij. Ndaj, lidhëm kontratë me kompaninë “Bonneville Communications” për të bërë një analizë më rigoroze.
Ata bënë grupe për objekt studimi dhe anketa me mbi 5 000 të rinj në moshë madhore, përfshirë shumë që nuk po merrnin pjesë aktualisht në institut apo Kishë. Studimi u krye në pesë kontinente dhe siguroi informacion tejet të vlefshëm.
Thelbi i asaj që të rinjtë në moshë madhore na thanë, ishte se ata donin dhe kishin nevojë për katër gjëra:
Ata donin që instituti të kishte më shumë lidhje me plotësimin e nevojave të tyre dhe dhënien e përgjigjeve për pyetjet e tyre.
Ata dëshironin të ndienin një ndjesi përkatësie – përkatësi në një grup njerëzish që i ndihmojnë ta jetojnë ungjillin, dhe përkatësi ndaj një kauze – të ndienin se ishin pjesë e diçkaje të rëndësishme.
Ata kërkuan edhe që ta bënim institutin më të arritshëm që të mund të merrnin pjesë pavarësisht orareve të ngjeshura dhe kërkesave që marrin nga koha dhe vëmendja e tyre.
Përgjigjja më e zakonshme ishte se donin ta ndienin dashurinë e Atit Qiellor dhe të ndiheshin më afër Shpëtimtarit. Këtë ne e emërtuam si “kthimi në besim te Jezu Krishti”. Plaku Gilbert na ndihmoi të kuptonim se kjo ishte në thelb ndryshe nga të tjerat.
Qëllimi i institutit është që ta thellojë kthimin në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Të tjerat janë mjete për atë qëllim. Ato duhet të jenë të lidhura me synimin e kthimit në besim, përndryshe nuk do të kenë kurrë vërtet përfitimin afatgjatë që u nevojitet të rinjve në moshë madhore beqarë. Mund të krijojmë lidhje praktike që nuk çon te kthimi në besim, apo atë përkatësi sikurse në një klub apo skuadër sportive. Mirëpo, nuk është kjo ajo që ne kërkojmë. Nevojitet t’i ndihmojmë ata të shohin se si ungjilli u përgjigjet pyetjeve të shpirtit të tyre dhe se si i ndihmon në sfidat e përditshme. Nevojitet të krijojmë një përkatësi në besëlidhje. Gjithçka që bëjmë, duhet të çojë te kthimi në besim.
Kështu që ndoqëm ecurinë me të rinjtë në moshë madhore duke i pyetur: “Si do të ishte instituti po të ishte më praktik, po të krijonte përkatësi dhe po të ishte më i arritshëm në mënyra që do ta thellonin kthimin në besim?”
Rezultati ishte krijimi i një numri nismash që janë vënë në zbatim në programet e përzgjedhura gjatë katër viteve të fundit. Ja ku janë disa shembuj.
Për ta bërë institutin më praktik, kemi krijuar seminare praktike. Seminaret praktike janë seminare dy‑ deri pesëjavore të bazuara në mënyrë specifike te nevojat e përcaktuara nga të rinjtë në moshë madhore. Pra, përveç orëve mësimore sipas modelit semestral, ata mund të vijnë dhe në një hark të shkurtër kohor t’i trajtojnë drejtpërsëdrejti ato që kanë në mendje. Këto seminare praktike janë ende të bazuara te shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve bashkëkohorë dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës.
Gjithashtu shtuam kurse të reja. Për shembull, krijuam një kurs bazuar te libri i Plakut Andersen “The Divine Gift of Forgiveness” [“Dhurata Hyjnore e Faljes”], i cili është pritur jashtëzakonisht mirë.
I jemi gjithashtu mirënjohës Plakut Uhtdorf, i cili ia paraqiti materialin “Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit” të gjithë mësuesve tanë. Ky ka qenë themeli i të gjithë trajnimit tonë, përfshirë se si t’i bëjmë më praktike orët tona mësimore.
Në përpjekje për ta rritur ndjenjën e përkatësisë, kemi theksuar idenë e Presidentit Nelson se në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje për ta ndihmuar cilindo të vijë te Jezu Krishti dhe të bëjë e të mbajë besëlidhje, ju po mblidhni Izraelin. Faleminderit që keni punuar fort për të bërë ftesa dhe inkurajuar çdo student të mundshëm.
Thjesht si shembull, vetëm vitin e kaluar, në Amerikën Qendrore, mësuesit tanë ftuan personalisht mbi 25 000 të rinj e të reja dhe nga ata/o në moshë madhore për të frekuentuar orët mësimore. U kërkuam gjithashtu studentëve tanë që të ftonin miqtë e tyre. Si rrjedhojë, pati më shumë se 30 000 miq të besimeve të tjera që frekuentuan, çka rezultoi në mbi 9 000 pagëzime. Për të gjitha ndryshimet që kemi bërë, mendoj se arsyeja më e madhe pse janë rritur regjistrimet në seminar dhe institut, është për shkak se shumica prej jush e ka rrokur vizionin që na u mësua nga Presidenti Nelson që të mbledhim një brez të të rinjve e të rejave dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore. Faleminderit që e keni zemrën e një mbledhësi dhe që i sillni kaq shumë të rinj e të reja te Jezu Krishti. Sa më shumë të jemi në harmoni me vizionin profetik, aq më shumë fuqi do të kemi në këtë punë.
Kemi bërë gjëra të tjera, si rinovimi i klasave dhe vënia e theksit te plotësimi i nevojave të studentëve, në vend që thjesht të trajtojmë materialin mësimor. Madje, u kemi dhënë më shumë zë studentëve për të shprehur se për cilat pjesë të programit tonë mësimor duan të shpenzojnë më shumë ose më pak kohë.
Për sa i përket mundësisë për të frekuentuar, ndryshimi më i madh është instituti në internet. Regjistrimet vjetore në internet janë rritur në mbi 25 000, nga 9 000 regjistrime dy vjet më parë. Kjo vjen kryesisht në saje të bashkëpunimit tonë me programin “UBJ‑Pathway Worldwide” dhe do të jetë një arsye madhore për rritjen tonë të vazhdueshme në të ardhmen.
Kemi siguruar gjithashtu më shumë mundësi për sa u përket orareve të orëve mësimore dhe vendndodhjeve të klasave për ta bërë më të lehtë për studentët që t’i frekuentojnë.
Kemi përfshirë veprimtari dhe burime të tjera në ndërtesat e institutit, që kanë sjellë më shumë energji, entuziazëm, më shumë të rinj e të reja që marrin pjesë në institut. Po bashkëveprojmë edhe me njësitë e Kishës për të siguruar institut në vende mbledhjesh të miratuara rishtas.
Për të inkurajuar më shumë studentë që të marrin pjesë, Presidenti Nelson krijoi një ftesë me material filmik. Ne gjithashtu regjistruam komente nga studentët rreth përvojës së tyre në institut. E kemi quajtur këtë material filmik “Më Pëlqen Shumë Instituti”. Këtu është një segment që i ndërthur të dyja.
[material filmik]
Kofi: Mendoj se instituti më ka ndihmuar ta njoh vërtet Shpëtimtarin dhe jo veç ta njoh, por edhe të mësoj për Të dhe të di se me cilat aspekte të jetës sime mund të punoj për t’u bërë si Ai.
Lili: Më pëlqen shumë instituti sepse e dua Jezu Krishtin dhe … instituti ka qenë një vend ku mund të flas për Të. Ka një fuqi kur flet për Jezu Krishtin. E ndiej atë fuqi në jetën time.
Presidenti Rasëll M. Nelson: Vëllezër e motra të mia të dashura, ju dua. Mendoj për ju dhe lutem shpesh për ju. Po jetoni në një epokë ndryshe nga çdo tjetër. Keni moshën kur merren vendime thelbësore, vendime që do të ndikojnë në pjesën tjetër të jetës suaj në vdekshmëri dhe përjetësi. Marrja e këtyre vendimeve mund të duket dërrmuese, ose me raste frikësuese, por është edhe entuziazmuese, pasi po jetojmë në një kohë të rëndësishme.
A mund t’ju ftoj të bëni diçka që do t’ju ndihmojë ashtu si pak gjëra të tjera munden? Frekuentojeni institutin! Tanimë kam parë fëmijët, nipër e mbesa dhe shumë stërnipër e stërmbesa të miat ta frekuentojnë institutin. Frekuentimi i institutit ka qenë jetëndryshues për ta. Instituti i ka ndihmuar ata dhe do t’ju ndihmojë edhe ju, për ta thelluar kthimin tuaj në besimin te Jezu Krishti. Frekuentimi i tij do t’ju ndihmojë ta ndieni më shumë dashurinë e madhe të Atit Qiellor për ju.
Instituti do t’ju ofrojë instruktorë frymëzues, miq besnikë e një ndjenjë përkatësie. Do t’ju ndihmojë të kuptoni pse të jetuarit e ungjillit çon në lumturi të pafundme. Frekuentimi i tij do t’ju ndihmojë ta jetoni ungjillin e të ndieni më shumë gëzim – tani.
Nëse doni të dini se kush jeni në të vërtetë, frekuentojeni institutin. Nëse doni të dini qëllimin e jetës, frekuentojeni institutin. Nëse doni të qëndroni në shtegun e besëlidhjeve, frekuentojeni institutin. Nëse doni të mësoni si ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, frekuentojeni institutin. Nëse doni të jeni paqebërës, frekuentojeni institutin.
Jua premtoj këto bekime dhe shpreh dashurinë time për ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.
[mbaron materiali filmik]
Këto materiale filmike janë në faqen e internetit të Kishës. Ato janë përdorur në mediat shoqërore, në klasa, me udhëheqësit e priftërisë dhe shumë prej jush i kanë përdorur në takimet shpirtërore për TRMMB‑të. Faleminderit që i përdorni këto materiale për të shprehur ftesën dhe premtimet e profetit.
Më pëlqejnë shumë materialet filmike të studentëve. Ato janë pa skenar paraprak dhe kaq shumë prej tyre folën për ndikimin që kanë orët e tyre mësimore për t’i ndihmuar që ta njohin Shpëtimtarin dhe ta ndjekin Atë. Ndaj faleminderit për çka po bëni; më pëlqen shumë t’i dëgjoj dëshmitë e tyre. Sigurisht, i jemi shumë mirënjohës Presidentit Nelson për mesazhin e tij, që ka prekur vërtet një numër të rinjsh në moshë madhore.
Kur isha në San‑Diego me Plakun Stivenson, një e re erdhi tek unë pas takimit shpirtëror dhe tha se kishte menduar se nuk kishte pse t’i frekuentonte më kurset e institutit pas diplomimit të saj. Por, pasi dëgjoi profetin të bënte premtimet e tij, ajo menjëherë u regjistrua përsëri për një kurs dhe ka qenë një bekim shumë i madh për të.
Rezultati i të gjitha këtyre përpjekjeve dhe më shumë, është se instituti po rritet.
Pas pesë vjet rënieje në numër, kemi shtuar 57 000 studentë të tjerë gjatë dy viteve të fundit. Kjo është një rritje prej 20 përqindësh – dhe dimë që ka edhe një numër të madh studentësh frekuentues që nuk regjistrohen zyrtarisht. Është numri më i lartë në tetë vjet dhe jemi të ngazëllyer të shohim vite të njëpasnjëshme rritjeje.
Rritja e regjistrimeve është thjesht një pjesë e historisë. Kudo që shkoj, dëgjoj histori që jeta e njerëzve ka ndryshuar. Kur të rinjtë e të rejat fillojnë një studim serioz të shkrimeve të shenjta, ata bekohen dhe marrin frymëzim e shpresë. Dhe kjo gjë po ndodh në orët tona mësimore çdo ditë.
Përveç këtyre regjistrimeve vjetore, ne e dimë se rreth 95 përqind e të rinjve në moshë madhore beqarë aktivë e frekuentojnë institutin në një pikë të caktuar kur janë të rinj në moshë madhore, pjesa më e madhe në moshat nga 18 deri në 24 vjeç. Por ne nuk jemi të kënaqur me këtë; po bëjmë çmos ta shtrijmë masën e influencës tek të gjithë të rinjtë në moshë madhore aktivë e më pak aktivë. Ndaj, shpresa është që ajo përqindje do të jetë më e lartë se 100 përqind e aktivëve, teksa instituti mundet që të shtrihet tek të gjithë TRMMB‑të që marrin pjesë në Kishë dhe shumë prej atyre që nuk po marrin pjesë, që t’i ndihmojmë të kthehen në aktivitet.
Këtë vit jemi në rrugë të mbarë për të shtuar edhe 20 000 studentë më shumë në institut. Kjo do të thotë që janë shtuar mbi 77 000 studentë të institutit gjatë tre viteve të fundit, një numër mbi 100 000 në seminar dhe institut të marra së bashku. A mund ta them sërish? Mbi 100 000 studentë më tepër brenda tre vjetësh, për shkak të përpjekjeve tuaja!
Do të thotë 100 000 njerëz më shumë që kanë mundësinë ta shohin lidhjen e ungjillit me jetën e tyre, të ndiejnë një ndjesi përkatësie dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Faleminderit!
Pra, çfarë vijon më tej për institutin?
Ne duhet të përqendrohemi gjithmonë te synimi i Seminareve dhe Instituteve e të jemi në përputhje me të. Nuk po sjellim risi thjesht se duhen sjellë risi. Po sjellim risi për ta zgjeruar masën e influencës dhe rritur ndikimin tonë.
Si ndihmë për ta bërë këtë, ne po sigurojmë udhërrëfim shtesë dhe një proces për risi në të ardhmen. Ky proces fillon me të dëgjuarit për t’i ndihmuar të rinjtë në moshë madhore që të ndiejnë se i duam dhe i dëgjojmë. Përpiquni të kuptoni nevojat e tyre. Ftojini ata të jenë pjesë e procesit.
Më pas, këshillohuni së bashku dhe hulumtoni zgjidhje të mundshme ndërsa shqyrtoni rregulloret dhe burimet në dispozicion.
Pastaj kërkoni miratim për t’i vënë në zbatim ato zgjidhje dhe matini rezultatet, gjykojini rezultatet për nga efektshmëria dhe dëgjojeni sërish audiencën.
Gjatë këtij procesi të vazhdueshëm dhe të përsëritur, punoni ngushtësisht me drejtorin tuaj rajonal apo zonal. Ata do të sigurojnë udhërrëfim dhe drejtim domethënës.
Siç tha Plaku Nil L. Andersen, kohët e fundit:
“Të gjithë ne jemi novatorë. Është thjesht çështje që ta mbajmë atë shpirt në mendjen tonë dhe ta kuptojmë se kjo Kishë është një Kishë risish. Ne jemi Kisha e Jezu Krishtit, ndaj ato parime janë po aq të vjetra sa vetë përjetësia. Por ne jemi novatorë ngaqë jemi gjithnjë duke u përshtatur, gjithnjë në rritje, gjithnjë duke bërë diçka pak më mirë. Por, njëkohësisht, pres që të jemi ndjekës të mirë. … Çdokush është novator.”
Më pëlqen shumë logjika e asaj që na mësoi Plaku Andersen. Disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë, të tilla si parimet e përjetshme të ungjillit. Por ne i përshtatim programet e Kishës për të plotësuar më mirë nevojat e anëtarëve të saj.
Thelbi i asaj që do të bëjmë gjithmonë, është ta japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit siç gjendet në fjalën e Perëndisë me shpirtin e Frymës së Shenjtë.
Në përpjekjet tona për ta bërë këtë sipas mënyrës së përqendruar te nxënësit, ne ju nxitim të përfshiheni në këtë proces të të dëgjuarit dhe t’u përgjigjeni studentëve.
Ju lutemi, kujtoni, gjithçka që bëjmë për të sjellë risi në institut, duhet të përputhet me synimin dhe t’i ndihmojë të rinjtë në moshë madhore ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti.
Tani, çfarë kemi lidhur me seminarin? Siç e përmenda, edhe seminari ka përjetuar rritje të numrit. Nuk është aq dramatike sa me institutin, por ne jemi rritur me 5 përqind dy vitet e fundit në seminar. Është një përparim i konsiderueshëm, sepse, pavarësisht se potenciali i seminarit është ulur me 50 000 nxënës që nga viti 2018, prapëseprapë jemi në rritje. Vitin e kaluar arritëm 54,4 përqind të regjistrimit të mundshëm në seminar. Është përqindja më e lartë që kemi raportuar deri më sot, dhe është në rritje nga 49 përqind pesë vjet më parë. Këtë vit, po përpiqemi ta rrisim sërish atë përqindje në 56 përqind dhe të shtojmë edhe 3 000 studentë të tjerë.
Jemi të ngazëllyer për këtë. Dikur kishim një drejtor nënsektori në Ndërtesën e Zyrave të Kishës, i cili, kur ekipi i tij e arrinte diçka, ai thjesht bërtiste: “Akullore për të gjithë! Dua t’ia them gjithë botës këtë, apo jo?” E gjithë kjo punë mbresëlënëse që keni bërë për të rritur regjistrimet, dhe ndikimi që keni, më bën të them: “Që të gjithë, shkoni e merrni akullore ju lutem. Dhe kremtoni!” Kjo që po ndodh, është diçka e mrekullueshme. Faleminderit, faleminderit. Megjithatë, në këtë frymë të të qenit të lumtur, por jo të kënaqur, ne vijojmë ta pyesim veten: “Çfarë mund të bëjmë më shumë për të bekuar të rinjtë e të rejat në seminar?”
Disa vjet më parë, thashë se gjëja më e mirë që mund të bëjmë për të sjellë risi në seminar, është të vazhdojmë të vëmë në zbatim zotërimin doktrinor. Sa më shumë të mund ta përfshijmë zotërimin doktrinor sipas mënyrës që u synua, aq më shumë do ta bekojë rininë e Kishës. Zotërimi doktrinor do të ftojë përvoja të thelluara kthimi në besim, lidhje praktike dhe përkatësi për nxënësit tanë të seminarit.
Që atëherë, ne kemi përfshirë një nismë tjetër të rëndësishme. Duke filluar që nga viti 2025, ne do të paraqitim mësime të përgatitjes për jetën si përgjigje ndaj nevojave aktuale që të rinjtë e të rejat dhe udhëheqësit tanë i kanë identifikuar.
Këto mësime të frymëzuara trajtojnë tema si përgatitja për mision dhe për tempullin, arsimimi, shëndeti fizik dhe emocional, mësime të profetëve bashkëkohorë e më tepër. Mësimet do të plotësojnë përpjekjet tona të vazhdueshme për mësimdhënien sipas radhës të shkrimeve të shenjta dhe zotërimit doktrinor.
Duke iu drejtuar rinisë, komisioneri ynë, Plaku Klark G. Gilbert, ka thënë: “Këto mësime të përgatitjes për jetën janë hartuar që t’ju ndihmojnë ta forconi marrëdhënien tuaj me Perëndinë e të merrni ndihmën e Tij!”
Ai vijon të thotë: “Presidenti Nelson ka premtuar se duke e frekuentuar seminarin ‘[të rinjtë e të rejat] do të [marrin] përgjigje për disa nga pyetjet [e tyre] më të vështira. Do të gje[jnë] miq që mund t’u mirëbeso[jnë]. Do të bëhen … dishepu[j] [të] vërtetë [të] Zotit Jezu Krisht.’”
Pra, nëse po mendoni se si të sillni risi në seminar, hëpërhë, le të përqendrohemi te mësimdhënia me fuqi e shkrimeve të shenjta sipas radhës, duke përvetësuar plotësisht zotërimin doktrinor dhe duke i vënë në zbatim me efektshmëri mësimet e përgatitjes për jetën. Kështu, besoj unë, do t’i plotësojmë më së miri nevojat e rinisë në Kishë pikërisht tani.
Faleminderit për gjithçka bëni për të përkrahur rininë dhe të rinjtë në moshë madhore kudo. Përpjekjet tuaja po e zgjerojnë masën e influencës dhe po e thellojnë ndikimin e Seminareve dhe Instituteve në mënyra domethënëse.
Nuk ka si të mos jem i emocionuar kur mendoj 100 000 studentë shtesë në orët tona mësimore në pak vitet e fundit dhe shtimin e lidhjes praktike, përkatësisë dhe mundësive për të frekuentuar që po i çojnë drejt kthimit të tyre në besimin te Jezu Krishti.
Le ta mbajmë këtë hov të mrekullueshëm në vitet e ardhshme për bekimin e shumë më tepër fëmijëve të Atit tonë Qiellor.
Dëshmoj se Zoti po e përshpejton veprën e Tij. Çfarë privilegji është të jemi pjesë e saj. Dëshmoj se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari i botës; se Ati Qiellor ka një plan të përsosur për fëmijët e Tij; se Jezu Krishti është figura qendrore në atë plan të përsosur për t’i shpëtuar dhe ekzaltuar fëmijët e Atit Qiellor. Kjo është mbretëria e Tij mbi tokë dhe është një privilegj të jesh pjesë e saj në çfarëdo mënyre. Dhënia e dëshmive për Jezu Krishtin pa reshtur gjatë gjithë jetës sonë, është një privilegj. Jam mirënjohës që jam pjesë e kësaj dhe jap dëshminë për Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij të vërtetë në tokë, për profetët e gjallë, për Librin e Mormonit, për të gjitha bekimet që na janë dhënë prej ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit në tokë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.