Lëndët Ushqyese Jetike të Ungjillit
Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut, Qershor 2024
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës për mundësinë që t’ju drejtohem arsimtarëve të fesë në këtë transmetim mbarëbotëror. Faleminderit që e gjetët kohën dhe faleminderit për gjithçka që bëni për të ndihmuar në çuarjen përpara të veprës së Zotit. Ju lutem, dijeni se suksesi juaj “matet kryesisht nga zotimi juaj për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit”. Suksesi juaj nuk përcaktohet nga sa prej studentëve tuaj bëhen dishepuj besnikë të Shpëtimtarit; nuk varet nga mënyra se si ata zgjedhin t’u përgjigjen mësimdhënies, ftesave apo veprimeve të çiltra të mirësisë nga ana juaj. Përgjegjësia juaj është të jepni mësim me qartësi e fuqi, me qëllim që ata të mund të bëjnë një zgjedhje të vetëdijshme, e cila do t’i bekojë. Çdo individ ka lirinë e zgjedhjes. Prandaj, unë do t’ju them atë që u tha Profeti Jozef Smith misionarëve të parë në Kishë në këtë periudhë ungjillore: “Nëse e bëni detyrën tuaj, do të jetë po aq mirë me ju, njësoj sikur të gjithë njerëzit ta kishin përqafuar ungjillin”.
Në vitin 1916, Plaku Dejvid O. Mek‑Kei tha: “S’ka përgjegjësi më të madhe që mund të qëndrojë mbi cilindo burrë [ose grua] sesa të qenit një mësues i fëmijëve të Perëndisë”. E njëjta gjë është e vërtetë sot. Një mësues që ka besim dhe jep mësim për besimin, është vendimtar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, veçanërisht për brezin e ri.
Pas pak do të lexoj një citim nga Presidenti Xhefri R. Holland dhe ju do ta shihni lidhjen. Por kam ftuar disa vullnetarë për të ndihmuar. Ne do t’i ftojmë çiftet Ris dhe Ashton që të dalin përpara dhe secili prej tyre do të marrë nga një ëmbëlsirë Twinkie. Siç e dini, një Twinkie është një kek me vanilje, i mbushur me krem. Dua që ata ta hapin ëmbëlsirën Twinkie dhe të fillojnë ta hanë. Secili do të marrë një pecetë. Dhe do të përpiqem ta bëj këtë lidhje këtu.
Presidenti Xhefri R. Holland theksoi rëndësinë e përqendrimit te mësimdhënia e elementeve jetike të ungjillit në vitin 1998. Në fjalimin e tij, ai dha mësim: “Ne duhet të rigjallërojmë dhe të vendosim sërish në fuqi mësimdhënien më të lartë në Kishë, në shtëpi, nga foltorja … dhe sigurisht në klasë. …
Kur krizat vijnë në jetën tonë … filozofitë e njerëzve të ndërthurura me disa shkrime të shenjta e poema thjesht nuk do të mjaftojnë. A po i ushqejmë me të vërtetë [studentët] tanë në një mënyrë që do t’i mbështetë ata kur të shfaqen streset e jetës? Apo po u japim njëfarë ëmbëlsire [Twinkie] teologjike, pa kalori shpirtërore?”
Pra, tani që e hëngrët atë, pjesërisht, Presidenti Ris, sa gramë fibra dietetike mendoni se kishte në Twinkie‑n tuaj? Aktualisht, kishte zero.
Motra Ris, sa miligram kalcium mendoni se janë në atë Twinkie? Aktualisht, kishte zero.
Motrat Ashton, sa mikrogramë vitaminë A mendoni se ka ajo? Aktualisht, kishte zero.
Vëllai Ashton, sa miligramë vitaminë C ka ajo? Po, ka një model. Kishte zero vitaminë C.
Kur isha i ri, më pëlqenin shumë Twinkie‑t. Nëse prindërit do të më kishin lejuar, nuk do të kisha ngrënë asgjë tjetër për mëngjes, drekë dhe darkë përveçse Twinkie. Tani, nëse ata do të më kishin lejuar që ta bëja atë, a e dini se çfarë do të ishit duke parë tani? Me të vërtetë, do të isha një burrë i verbër, kaps, me osteoporozë dhe skorbut. Nuk është një pamje e bukur.
Faleminderit vullnetarëve tanë. Në të vërtetë nuk erdha këtu për të diskutuar mbi ndikimin e mungesave të përbërësve me vlera ushqyese në shëndetin tonë fizik. Ëmbëlsirat Twinkie mund të jenë të shijshme, por nuk kanë asnjë vlerë ushqyese. Por në të vërtetë erdha këtu për të diskutuar mbi ushqimin shpirtëror që po u ofroni studentëve tuaj.
Kur kemi studentë të etur para nesh, nevojitet t’i ushqejmë ata me fjalën e mirë të Perëndisë dhe jo me Twinkie shpirtërorë që nuk kanë asnjë ushqim shpirtëror. Ata që ushqehen me Twinkie‑t shpirtërorë, nuk ka të ngjarë që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit për gjithë jetën: individë që janë rritur në Zotin dhe kanë marrë “plotësi të Frymës së Shenjtë”. Përkundrazi, të ushqyer me Twinkie‑t shpirtërorë, ata kanë më shumë gjasa të rriten duke u bërë shpirtërisht kokëfortë, pa besim dhe të pështjelluar.
Për të luftuar kequshqyerjen shpirtërore, studentëve tanë u nevojiten të paktën katër ushqime bazë metaforike, të pasuruara me lëndë ushqyese. E para është një dëshmi për Atin Qiellor dhe planin e Tij, për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, si dhe për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme. Për ta bërë këtë, ne duhet të japim mësim të vërtetën e rivendosur dhe të japim dëshmi për ato të vërteta.
Më lejoni të jap një shembull të kësaj. Disa vite më parë, një mjeke kineze, e quajtur Grejsi, kaloi 18 muaj duke vizituar institucionet mjekësore në Solt‑Lejk‑Siti. Ajo erdhi për të mësuar aspektet mjekësore të transplantimit të zemrës. Familja ime u miqësua me të dhe ne e përfshimë në shumë aktivitete. Në një ditë Krishtlindjeje që binte të dielën, e ftuam në Kishë për mbledhjen e sakramentit. Shpresonim se mesazhet do të jepnin mësim për Jezu Krishtin dhe do të nxirrnin në pah arsyet për kremtimet e Krishtlindjes. Unë po shërbeja si president kunji dhe u ula në podium gjatë mbledhjes. Bashkëshortja dhe vajza ime u ulën me Grejsin në bashkësi.
Pas sakramentit, folësi i parë tregoi një histori të njohur, por imagjinare për një dijetar të katërt. U tregua bukur dhe ngjalli sentimentalizëm. Folësi tjetër e bazoi bisedën e tij në një histori të tre pemëve të antropomorfizuara [me karakteristika si të njeriut]. Njëra donte të ishte një sënduk i bukur, por në vend të kësaj u bë një koritë ushqimi për kafshët, një grazhd në të cilin ishte shtrirë një foshnjë në Bethlehem. E dyta donte të bëhej një anije e admiruar lundrimi. Në vend të kësaj, ajo u bë një varkë që nuk binte në sy, e përdorur nga peshkatarë të zakonshëm në detin e Galilesë. Gjatë një stuhie të furishme, një burrë të cilit të tjerët iu referuan si “Mësues”, tha: “Pusho”, dhe stuhia u fashit. Pema e tretë donte të kthehej në diçka që mund të admirohej nga larg. Në vend të kësaj, ajo u bë trarë mbi të cilët u kryqëzua një burrë në një kodër të quajtur Kalvari. Përsëri, një tjetër histori imagjinare, por sentimentale e Krishtlindjes.
U zhgënjeva nga përmbajtja e mbledhjes dhe ndjeva se nuk mund ta lija të përfundonte kështu për Grejsin. Edhe pse koha po mbaronte, u anova drejt peshkopit dhe e pyeta: “A do ta rregullosh ti këtë mbledhje apo do që ta bëj unë?” Ai tha se do të merrej vetë me këtë. Shkoi te foltorja, mori pesë minuta kohë dhe shpjegoi se kush ishte Foshnja në Bethlehem dhe çfarë do të përmbushte Ai. Peshkopi dha një dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e gjithë njerëzimit. Ai njoftoi himnin dhe lutjen e mbylljes dhe u ul.
Ndërsa po këndohej himni i mbylljes, Grejsi u anua drejt bashkëshortes sime dhe i tha: “Ruth, kur foli ai peshkop, diçka ndryshoi në mbledhje!” Vërtet që ndryshoi. Folësit kishin pasur qëllime të mira, por u kishin dhënë njerëzve ëmbëlsira Twinkie teologjike, pa kalori shpirtërore, shprehje anemike të besimit dhe dëshmi që ishin pa fuqinë e fjalës së Perëndisë dhe rrjedhimisht të Shpirtit.
Dëshmia e sinqertë e peshkopit ishte e ngritur mbi të vërtetat e dhëna mësim në shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të Zotit; kjo është ajo që e ftoi Shpirtin në mbledhje. Arrita në përfundimin se është e vështirë për Shpirtin të dëshmojë për vërtetësinë e një historie imagjinare. Pavarësisht gjërave që kemi bërë në mësimdhënien tonë, ne kemi nevojë që gjithmonë ta kthejmë mësimdhënien tonë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, tek Ati Qiellor dhe plani i Tij, si dhe te Rivendosja e ungjillit. Sigurisht, është në rregull të përdorim histori, qoftë edhe imagjinare, për të tërhequr vëmendjen e studentëve. Dua të them, unë përdora Twinkie‑t për të tërhequr vëmendjen tuaj. Por pasi ta kemi vëmendjen e studentëve tanë, atëherë nevojitet të japim ushqimin që ndryshon jetën. Me sa duket, pasi dhashë Twinkie‑t, më pas, duhej të shërbeja karota, brokoli, humus, por nuk e bëra.
Apostulli Pal shpalli: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet”. Pali më pas bëri një seri pyetjesh që na ndihmojnë të kuptojmë rëndësinë e një mësuesi të autorizuar që jep mësim këtë ushqim bazë thelbësor. Ai pyeti: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon? Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar?” Pali më pas ofroi këtë përfundim: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë”. Me qëllim që studentët tuaj të zhvillojnë besim te Jezu Krishti dhe roli i Tij qendror në planin e Atit, është thelbësore t’u japim mësim atyre rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Tema për këtë konferencë e thotë të gjithën: “Kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt”.
Reformatori dhe predikuesi i famshëm fetar skocez Tomas Çalmers shkroi për përvojat e tij kur e mësoi këtë parim. Çalmersi jetoi nga viti 1780 deri në vitin 1847. Nga fundi i jetës së tij, Çalmersi kuptoi se kishte kryer një eksperiment të paplanifikuar gjatë predikimit të tij. Për vite me radhë, ai kishte predikuar kundër të gjitha formave të pamoralshmërisë dhe defekteve në karakter. Ai u përqendrua në sjelljen e jashtme të anëtarëve të famullisë së tij, duke dhënë mësim kryesisht Dhjetë Urdhërimet. Rezultati ishte zhgënjyes. Ai zbuloi se fjalët e tij “peshonin [gjithë‑gjithë] sa një pupël në zakonet morale” të anëtarëve të famullisë. Ai kuptoi që edhe nëse e bindte dikë që të mos vidhte, shpirti i njeriut mbetej i pandryshuar; njeriu nuk ishte ndryshe nga brenda, edhe pse ai përmbahej dhe nuk sillej keq. E thënë ndryshe, ju mund të ndryshoni sjelljen pa e shndërruar zemrën e një studenti.
Pastaj Çalmersi filloi të predikonte pajtimin me Perëndinë dhe faljen e mëkateve nëpërmjet gjakut të Krishtit. Vetëm kur ai u dha mësim anëtarëve të famullisë së tij në këtë mënyrë, ata vërtet e reformuan jetën e tyre. Mësimi i madh që ai mësoi, është se “të predikosh Krishtin është e vetmja mënyrë e efektshme për të predikuar moralin”. Ai e kuptoi gabimin e tij të mëparshëm, se kishte punuar për të ndryshuar sjelljen, jo zemrat. Tani ai punoi për të ndryshuar zemrat dhe sjellja ndryshoi natyrshëm dhe në shoqërim me të.
Njohuria se Jezusi është Krishti, se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi im, e ka ndryshuar jetën time dhe zemrën time. Kjo njohuri e ka ndryshuar sjelljen time si asgjë tjetër. E di se kam qenë përfituesi i flijimit të Tij të pafundmë shlyes. Kjo njohuri është ajo që e ndryshon vërtet jetën.
Ushqimi bazë shpirtëror i dytë, i pasuruar me lëndë ushqyese për studentët, është një marrëdhënie vetjake me ju. Kjo ndodh ngaqë një marrëdhënie vetjake me ju mund t’i mundësojë studentët që të tërhiqen drejt Shpëtimtarit. Ai do të jetë gjithmonë burimi i vërtetë i ushqimit shpirtëror. Por marrëdhënia midis mësuesit dhe nxënësit e ndihmon nxënësin që të jetë i hapur ndaj fjalëve të Shpëtimtarit. Edhe vite pasi përfundon mësimdhënia juaj formale ndaj studentëve, marrëdhënia juaj mund të vazhdojë të ushtrojë ndikim pozitiv në jetën e tyre. Ndikimi juaj i përhershëm do të jetë ngaqë ju, nga dashuria dhe shqetësimi i thellë për mirëqenien e tyre, i keni drejtuar ata te Zoti dhe doktrina e Tij, jo drejt vetes suaj.
E kam përjetuar atë. Një nga mësueset e mia të Fillores, Beki, pati atë lloj ndikimi tek unë. Kur isha fëmijë, në vend që të më fliste për gabimet e mia të dukshme, Beki më kapte duke bërë diçka të mirë, më ndukte faqen, më përkëdhelte kokën dhe më thoshte: “Dejll, ti je djalë kaq i mirë”. Nuk e pashë këtë si diçka poshtëruese; përkundrazi, mezi i prisja ato raste kur ndodhte. Më vonë, kur isha i ri, jo më në Fillore, familja ime u kthye në atë lagje pasi jetoi me vite në Finlandë dhe Suedi. Beki erdhi tek unë pasi e shpërndava sakramentin, më nduku faqen, më përkëdheli kokën dhe më tha: “Dejll, ti je djalë kaq i mirë”. Kur u ktheva nga misioni, pasi raportova për përvojat e mia misionare në një mbledhje sakramenti, Beki erdhi tek unë, më nduku faqen, më përkëdheli kokën dhe më tha: “Dejll, ti je djalë kaq i mirë”. Gjatë dekadave që pasuan, bëra zgjedhje më të mira nga ato që do të kisha bërë, pjesërisht ngaqë Beki më kishte udhëhequr drejt Shpëtimtarit dhe unë nuk doja ta zhgënjeja atë.
Një të diel pasi u thirra tek Të Dymbëdhjetët, u ktheva në lagjen ku u rrita. Beki ende jeton në atë lagje. U ula në fund të podiumit, fola shkurt në mbledhjen e sakramentit dhe u ula. Pas lutjes së mbylljes, Beki, në atë kohë në mesin e të 80‑ve, kreu një mësymje tinëzare. Kaloi përqark ndenjëseve të korit pas meje, më nduku faqen, më përkëdheli kokën dhe më tha: “Dejll, ti je djalë kaq i mirë”.
Secili student ka nevojë për një ose më shumë njerëz si Beki në jetën e vet, mësues e mësuese që kanë një marrëdhënie afatgjatë me ta, dikë që i ka drejtuar te Shpëtimtari, dikë që ua ndikon mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes, dikë që nuk duan ta zhgënjejnë. Kur studentët plagosen nga krizat që padyshim do t’i përjetojnë, ju mund t’u ofroni atyre një vend të sigurt ku mund të drejtohen për dashuri e siguri. Pa dyshim, mund të ketë disa që iu bëjnë rezistencë përpjekjeve tuaja për t’i njohur ata, por kjo nuk ju pengon që t’i doni ata. Ju mund të keni një ndikim më të madh nga sa e mendoni te studentët rezistues.
Një ushqim bazë metaforik i tretë, i pasuruar me lëndë ushqyese, për të cilin ka nevojë çdo student, është aftësia për të trajtuar pyetjet dhe shqetësimet që ata mund të kenë rreth Kishës. Tetë vjet më parë, Plaku M. Rasëll Ballard i këshilloi arsimtarët e fesë:
“Kanë ikur kohët kur një student bënte një pyetje të sinqertë dhe një mësues përgjigjej: ‘Mos u shqetëso për atë!’ Kanë ikur kohët kur një student ngrinte një shqetësim të sinqertë dhe një mësues/e jepte dëshminë e tij apo të saj si një përgjigje që synonte ta shmangte çështjen. Kanë ikur kohët kur studentët ishin të mbrojtur nga njerëzit që e sulmonin Kishën. …
Përpara se t’i dërgoni [studentët tuaj] në botë, vaksinojini [ata] duke u siguruar interpretim besnik, të matur dhe të saktë të doktrinës së ungjillit, shkrimeve të shenjta, historisë sonë dhe atyre temave që ndonjëherë keqkuptohen.”
Mësues, ju mund t’i ndihmoni studentët duke u mësuar atyre se çfarë do të thotë të ndërthurin studimin dhe besimin ndërsa mësojnë. Ju mund t’u jepni mësim atyre duke e dhënë si model në klasë këtë aftësi dhe qasje.
Ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur në kohën tonë nëpërmjet zbulesës. Prandaj ne e dimë se si të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore, por mund të kemi ende pyetje dhe shqetësime për të cilat do të dëshironim sinqerisht të kishim përgjigje. Studentët tuaj do të vëzhgojnë se si u përgjigjeni pyetjeve të vështira; shmangia ose mospërfillja e pyetjeve të sinqerta do të ngrejë më shumë pyetje. Ju nevojitet të jeni të përgatitur për t’i udhëhequr të tjerët në kërkimin e tyre për përgjigje dhe t’i ndihmoni ata që të ndërtojnë besim te Zoti dhe burimet e Tij hyjnore të së vërtetës. Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes”. Për këtë qëllim, Kisha ka përpiluar një burim të mrekullueshëm e të besueshëm për individët që kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre dhe për të tjerët që po përpiqen t’i ndihmojnë ata. Qëllimi ynë është të ndihmojmë në forcimin e besimit te Jezu Krishti, madje teksa japim disa sugjerime për mënyrën se si t’u qasemi temave të ndërlikuara dhe ndonjëherë të vështira.
Ky burim mund të gjendet si në këndin e internetit ChurchofJesusChrist.org, ashtu edhe në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Në rast se nuk i njihni këto burime, më lejoni t’jua tregoj vendndodhjen te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Hapeni programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Nga faqja kryesore, shkoni te biblioteka. Prekni me gisht kuadratin “Tema dhe Pyetje”. Këtu do të shihni një pjesë të quajtur “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja”, një pjesë tjetër të quajtur “Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre” dhe një listë alfabetike të temave të shumta me interes të mundshëm.
Pjesa “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja” jep mësim parime që mund ta udhëheqin studimin tonë ndërsa kërkojmë me zell përgjigje për pyetjet tona, qoftë për besimin, doktrinën apo historinë e Kishës. Hyrja e kësaj pjese shpjegon se pyetjet janë një pjesë e rëndësishme e rritjes shpirtërore dhe se kërkimi i përgjigjeve mund të jetë një kërkim afatgjatë. Parimet që gjenden në këtë pjesë, na nxitin ta qendërzojmë jetën tonë te Jezu Krishti, sepse është mbi Të që ne duhet ta ndërtojmë themelin tona të besimit. Na sillet në kujtesë se plani i Perëndisë për shpëtimin ofron këndvështrim për pyetjet tona. Ky këndvështrim na ndihmon të dallojmë të vërtetat thelbësore të ungjillit nga gjërat që nuk janë aq themelore. Që besimi të rritet, na nevojitet të zgjedhim që të kemi besim. Më pas, ne duhet të veprojmë me besim dhe të mbahemi fort tek ajo që dimë. Ndërsa e bëjmë këtë, ne e thellojmë të kuptuarit tonë për Jezu Krishtin dhe besimin tonë tek Ai.
Parimet shtesë të diskutuara në këtë pjesë na nxitin të jemi të duruar me veten, me të tjerët dhe me kohën e Zotit. Duhet të kujtojmë se zbulesa është një proces që shpesh fillon me pyetje, herë pas here vjen rresht pas rreshti dhe ndonjëherë mund të jetë e mundimshme. Ndërsa kërkojmë përgjigje, ne duhet të kërkojmë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë dhe të punojmë për të kuptuar të kaluarën duke i vendosur gjërat në kontekst.
Pjesa “Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre” sugjeron parime që mund të na udhëheqin teksa ndërveprojmë me të tjerët që kanë pyetje. Pavarësisht nga kjo, ne duhet të flasim me respekt, të dëgjojmë me ndjeshmëri dhe të tregojmë dashuri si të Krishtit. Prandaj dëgjoni dhe përgjigjuni me dashuri. Përpiquni të kuptoni, pranoni përvojën që e kanë të tjerët, dhe shmangni të qenit mospërfillës ose gjykues. Ndërsa e bëjmë këtë, ne mund t’i pranojmë kufizimet tona. Ju lutem, kujtoni se, edhe pse e kemi plotësinë e ungjillit, nuk i kemi përgjigjet për të gjitha pyetjet. Disa përgjigje do të duhet të presin për zbulesë të mëtejshme. Me disa pyetje dhe disa studentë që bëjnë pyetje, ne thjesht nuk dimë mjaftueshëm rreth vullnetit të Zotit dhe plotësisë së doktrinës së Kishës për t’i kënaqur plotësisht studentët. Në këto situata, një orvatje për t’i bindur me logjikë ose arsye shtesë studentët që kanë pyetje, mund të mos ndihmojë.
Një kurth në të cilin mund të bien pa dashje shumë mësues, është të japin arsye ose shpjegime që Zoti nuk i ka dhënë. Kur kjo ndodh, arsyeja ose përgjigjja e dhënë mund të dështojë përfundimisht dhe më pas studenti mund të ketë më pak besim. Është më mirë të themi që nuk e dimë sesa të trillojmë një arsye apo shpjegim. Në fund të fundit, besimi është një zgjedhje dhe ndonjëherë e vetmja përgjigje është të mbështetemi te besimi në Zotin Jezu Krisht dhe te besimi në Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe të jemi të duruar në pritjen e përgjigjeve nga Zoti kur Ai zgjedh t’i zbulojë ato. Ne mirëbesojmë te Zoti dhe përpiqemi të jemi një burim i sigurt dhe i besueshëm ku të tjerët të drejtohen për ndihmë.
Ne mund t’i nxitim studentët që të zhvillojnë dëshminë e tyre shpirtërore për dashurinë e Atit të tyre Qiellor dhe se Jezu Krishti shleu për ta. Kujtoni që edhe kur studentët nuk e përqafojnë tërësinë e ungjillit, ata ende mund të besojnë dhe të jenë besnikë ndaj fjalëve të Jezu Krishtit. Kur ata kanë vështirësi me një aspekt të Kishës, ata ende mund të kenë një dëshmi të fortë se Ati Qiellor i do dhe dëshiron atë që është më e mira për ta dhe se Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre.
Ju do të vini re se shumë nga sugjerimet për t’i ndihmuar të tjerët për pyetjet e tyre, janë më të efektshme kur jeni tek për tek me ta. Besoj se kjo është mënyra më e mirë. Mund të mos jetë e udhës që një mësues të lejojë që e gjithë klasa t’i përkushtohet përgjigjes së pyetjes së rëndësishme të një personi. Pyetjet e studentëve nuk duhet të devijojnë programin e planifikuar mësimor, i cili është krijuar për të ndërtuar besim. Gjithmonë kujtoni se qëllimi juaj është të ndërtoni besim në të gjithë klasën, jo që t’ju tërhiqet vëmendja nga disa që flasin më shumë. Si çdo mësimdhënie, trajtimi i pyetjeve kërkon udhërrëfimin e Shpirtit.
Përmbajtja në këtë pjesë gjithashtu na kujton që të ushqejmë besimin tonë vetjak madje teksa i ndihmojmë të tjerët. Motra Tamara W. Runia na këshilloi që të mos i “ndjek[im] nga pas njerëzit [tanë] të dashur që ndihen të humbur”. Në vend të kësaj, ashtu si Lehi në vegimin e pemës së jetës, “ti qëndron atje ku je dhe i thërret ata. Ti shkon te pema, qëndron te pema, vazhdon ta hash frutën dhe, me buzëqeshje në fytyrë, vazhdon t’ua bësh me shenjë atyre që i do, dhe t’ua tregosh nëpërmjet shembullit se të hash frutën, të sjell lumturi!”
Parimet e përfshira te “Tema dhe Pyetje”, veçanërisht ato të dhëna në pjesët “Të Kërkuarit e Përgjigjeve për Pyetjet Tuaja” dhe “Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre”, më kanë ndihmuar të kërkoj përgjigje për pyetjet e mia në një mënyrë që e ka forcuar besimin tim te Zoti dhe e ka thelluar të kuptuarit tim për Të dhe veprën e Tij. Parimet më kanë ndihmuar gjithashtu të ndihmoj të tjerët në trajtimin e shqetësimeve dhe pyetjeve të tyre. Përmbajtje shtesë do të shtohen në të ardhmen për të ndihmuar për pyetje dhe tema specifike, prandaj ju lutem kthehuni shpesh te ky burim dhe mos mendoni kurrë: “E kam lexuar atë”. Kam besim se do t’i gjeni këto pjesë dhe këto tema po aq të dobishme. Lutem që përdorimi i këtyre materialeve nga ana juaj do t’ju ndihmojë ju dhe të tjerët që ta thelloni besimin te Shpëtimtari.
Ushqimi bazë shpirtëror, metaforik, i katërt dhe i fundit, i pasuruar me lëndë ushqyese, që do të doja ta kishin të gjithë studentët, është ai përbërës jetik që krijon dhe ruan një zemër të butë. Me një zemër të butë kam parasysh një zemër të ndjeshme ndaj Shpirtit. Një zemër e ngurtë, e kundërta e një zemre të butë, është shpirtërisht vdekjeprurëse. Shkrimet e shenjta shpesh përshkruajnë rreziqet që i presin ata që kanë një zemër të ngurtë. Nefi mësoi se “mjegullat e errësirës [të para në vegimin e pemës së jetës] janë tundimet e djallit, të cilat verbojnë sytë dhe ngurtësojnë zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe i çojnë ata nëpër udhë të gjëra, që ata të humbasin dhe të mbarojnë”.
Një zemër fizike e tendosur ose e ngurtë e ka të vështirë të mbushet me gjak. Pra, ndërsa zemra mbushet, në përgatitje për t’u kontraktuar, një zemër e ngurtësuar e ka të vështirë të zgjerohet për ta lejuar gjakun të hyjë. Kjo mund të shkaktojë një lloj pamjaftueshmërie të zemrës që është po aq e rëndë sa pamjaftueshmëria e zemrës që vjen si rrjedhojë e një mosfunksionimi kur kontraktohet. Ashtu si një zemër e ngurtë e ka të vështirë të mbushet me gjak, një zemër e ngurtë shpirtërisht e ka të vështirë të mbushet me Shpirtin.
Te 2 Nefi 33, Nefi specifikon se njerëzit që e ngurtësojnë zemrën e tyre, nuk e lënë Shpirtin e Shenjtë që t’i mbartë fjalët e Perëndisë brenda në zemrat e tyre. Ai tha: “Pasi kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve”. Nefi vazhdoi: “Por vini re, ka shumë që ngurtësojnë zemrat e tyre kundër Frymës së Shenjtë, që ai nuk ka vend në ta; prandaj, ata hedhin tej shumë gjëra që janë shkruar dhe i konsiderojnë si gjëra pa vlerë”.
Plaku Dejvid A. Bednar vuri në dukje: “Ju lutem vini re se si fuqia e Shpirtit e çon mesazhin për në zemër, por jo domosdoshmërisht brenda në zemër. … Përfundimisht, përmbajtja e një mesazhi dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë depërton brenda në zemër vetëm nëse marrësi i lejon ato të hyjnë.”
Nëse studentët tanë nuk kanë një zemër të butë, ata mund të bëhen si ata që do të thoshin: “Ne kemi marrë dhe ne nuk kemi nevojë për më tepër … pasi ne kemi mjaft!” Atyre “kështu [u] thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë; dhe nga ata që do të thonë: Ne kemi mjaft, nga ata do të merret madje edhe ajo që kanë.”
Me zemra të ngurtësuara, studentët tanë mund ta bllokojnë rrugën përmes së cilës ata mund të marrin më shumë nga fjala e Perëndisë ose përgjigje për lutjet e tyre. Ata, ashtu si ne, duhet të jenë të hapur ndaj Shpirtit në mënyrë që të mund t’u mësohen të gjitha gjërat që duhet të bëjnë. Siç dha mësim Alma: “Dhe ata që do të ngurtësojnë zemrat e tyre, atyre do t’u jepet pjesa më e vogël e fjalës, derisa ata të mos dinë asgjë në lidhje me misteret e tij; dhe atëherë do të bëhen robër të djallit dhe do të udhëhiqen nga vullneti i tij deri në shkatërrim”. Zemrat e buta e nxitin rezultatin që premtoi Shpëtimtari. “Ai që i mban urdhërimet e [Perëndisë], merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.” Mirëpo, zemrat e ngurta, bëjnë të mundur që “ai i lig [të] v[ijë] dhe [të] largo[jë] dritën dhe të vërtetën”.
Mbreti Beniamin përmblodhi përbërësit e këtij elementi metaforik shpirtëror, të pasuruar me lëndë ushqyese, të cilët krijojnë dhe e ruajnë një zemër të butë. Ai shpalli: “Unë do të doja që ju të kujtoni dhe gjithmonë të mbani në kujtesë, madhështinë e Perëndisë dhe asgjësinë tuaj, mirësinë dhe keqardhjen e tij ndaj jush … dhe të përulni veten tuaj madje në thellësitë e përulësisë, duke thirrur emrin e Zotit çdo ditë dhe duke qëndruar me vendosmëri në besimin e asaj që do të vijë”. Përbërësit janë këta: që ne gjithmonë e kujtojmë se shëlbimi vjen vetëm për shkak të Jezu Krishtit, se pa Të gjendja jonë është e pashpresë. Kjo na nxit që ta përulim veten në thellësitë e përulësisë dhe na shtyn që të lutemi çdo ditë dhe më pas të qëndrojmë të patundur në besimin tonë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Pasoja e natyrshme është që ne do të “gëzohe[m]i gjithmonë dhe do të mbushe[m]i me dashurinë e Perëndisë dhe gjithmonë do të mba[jmë] një heqje të mëkateve t[ona]; dhe … do të rrite[m]i në njohurinë e lavdisë së atij që [na] krijoi”.
Ju i ndihmoni studentët të kujtojnë dhe gjithmonë të mbajnë në kujtesë madhështinë e Perëndisë teksa punoni me zell për t’i bindur ata të besojnë në Krisht “dhe të pajtohen me Perëndinë [që të] di[në] se [ata] shpëtohe[n] nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që [ata] mund të bëj[n]ë”. Pra, ju dhe unë “flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, … që [studentët] tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”. Kjo njohuri i ndihmon ata të qëndrojnë të përulur, duke i nxitur ta thërrasin emrin e Perëndisë çdo ditë dhe të qëndrojnë të palëkundur në besim. Ajo i ndihmon ata të mbajnë zemra të buta, të prirura për t’u mbushur nga Fryma e Shenjtë.
Të katër ushqimet bazë të pasuruara me lëndë ushqyese për të cilat kam folur, mbivendosen dhe përforcohen reciprokisht. Sot është një ditë e mirë për të bërë vetë një inventar të mësimdhënies sonë. Ju lutem, pyeteni veten tuaj:
-
A është mësimdhënia ime e përqendruar te Jezu Krishti?
-
A jap mësim me dëshmi e dashuri?
-
A kërkoj të zhvilloj marrëdhënie afatgjata me studentët e mi?
-
A i ndihmoj studentët që t’u përgjigjen vetë pyetjeve të tyre dhe të mos i lë me më shumë pyetje?
-
A tregoj një shembull të një zemre të butë, duke shprehur mirënjohje ndaj Perëndisë dhe duke qëndruar i/e vendosur në besim?
-
Çfarë po mësojnë studentët e mi nga shembulli im si dhe nga mësimdhënia ime?
Vëllezër dhe motra, faleminderit për atë që bëni për t’i ndihmuar fëmijët e Atit Qiellor që të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit, për t’i ndihmuar që të ruajnë zemra të buta, për t’i ndihmuar që ta lejojnë Shpirtin të hyjë në zemrat e tyre dhe për t’i drejtuar qartësisht drejt Jezu Krishtit, Shëlbuesit të botës. Siç e dëgjuam në këngë, të gjithë kemi prirjen për t’u endur, kemi prirjen për t’u larguar nga Perëndia që e duam. Kemi nevojë të kujtohemi për mirësinë e Tij, për mënyrë se si ajo mirësi, si një vargua, i lidh zemrat tona endacake me Perëndinë. Dhe kjo është arsyeja pse Robert Robinsoni, kur e shkroi atë, tha: “Ja zemra ime, merre, vulose. Për oborret e Tua lart vulose.” Ai donte që të kujtohej për arsyen pse e pati ndjenjën ta këndonte atë këngë të dashurisë shëlbuese kur ndonjëherë ai nuk e ndiente që ta këndonte. Dhe po kjo është detyra jonë: t’i ndihmojmë studentët tanë në atë shteg.
Perëndia ju bekoftë për atë që bëni. Perëndia ju bekoftë për mirësinë tuaj, Perëndia ju bekoftë për besimin tuaj, besnikërinë tuaj, dëshminë tuaj. Faleminderit që i shërbeni Mësuesit. Faleminderit që jeni miku/mikja i/e Tij, sepse Ai është miku ynë i dashur, i urtë, qiellor. E di në mënyrë absolute që kjo është e vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.