Ndihma ndaj Studentëve që të Marrin mbi Vete Përgjegjësinë për Vetë Dëshmitë e Tyre
Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut, Qershor 2024
Mirë se erdhët në këtë mbledhje historike të arsimtarëve të fesë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Për vite të tëra ne i kemi mbledhur të gjithë arsimtarët e fesë të SAK‑ut një herë në vit për një takim të përqendruar shpirtëror, të cilit i referoheshim më parë si “Një Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm”. Sonte, ne do ta vazhdojmë atë traditë teksa mblidhemi për të dëgjuar Plakun Dejll G. Renland në ngjarjen tonë përmbyllëse. Gjithashtu, historikisht e kemi zhvilluar konferencën e SAK‑ut me prani fizike në Universitetin “Brigam Jang”, por ngjarja e këtij viti përfaqëson herën e parë që jemi mbledhur nga i gjithë Sistemi Arsimor i Kishës për të mësuar nga njëri‑tjetri, për të shprehur pikëpamje, për të diskutuar mbi përpjekjet për të dhënë mësim në mënyrë më të efektshme, duke lidhur arsimtarë të fesë nga Seminaret dhe Institutet e Fesë, UBJ‑ja, UBJ–Ajdaho, UBJ–Havai, UBJ–Pathway dhe kolegji “Ensign”. Në total, këta arsimtarë të fesë u japin mësim gati gjysmë milioni të rinjve e të rejave në moshë madhore anembanë Kishës, përveç tërë atyre nxënësve të regjistruar në seminar.
Arsyeja pse po e bëjmë një përpjekje të tillë, është e lidhur me vetë qëllimin e arsimimit fetar në SAK. Kam folur shpesh për rolet e veçanta që secila shkollë e SAK‑ut luan në sistem. Për shembull, i jam referuar UBJ‑së si “Ambasadori” për shkak të përgjegjësisë së tij për të përfaqësuar sistemin dhe Kishën si një mbledhës, mikpritës e studiues. Më pas, merreni parasysh UBJ–Ajdahon, të cilit i referohem si “Arsimtari” për shkak të përqendrimit të tij të veçantë në mësimdhënie; UBJ–Havai si guri ynë kulmor i Azisë e Paqësorit, me theksin e vet të përkushtuar e të vendosur në zonën e tij të synuar të Kishës; dhe kolegji “Ensign” është “Ofruesi i Programit Mësimor të Aplikuar”, me përqendrimin e tij në aftësitë e punës në nivel fillestar. Dhe UBJ–Pathway është “Ofruesi i të Drejtës së Hyrjes”, duke ndihmuar më shumë studentë sesa cilido nga komplekset tona nëpërmjet të mësuarit të përballueshëm, me cilësi të lartë dhe në internet. Sigurisht, programi Seminaret dhe Institutet i ndihmon studentët që nuk i ndjekin universitetet e Kishës, dhe është Spiranca Shpirtërore për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, pavarësisht se ku e marrin arsimin e tyre.
Pavarësisht nga këto role të ndryshme, ka të paktën dy mënyra se si të gjithë këta institucione janë në unitet. E para është vetë misioni i Sistemit Arsimor të Kishës, që është të zhvillojë dishepuj të Jezu Krishtit, të cilët të mund të jenë udhëheqës në shtëpitë e tyre, në Kishë dhe në komunitetet e tyre. Pavarësisht nga rolet tuaja të veçanta institucionale, çdo institucion i SAK‑ut ka një mision të përbashkët rreth udhëheqjes së dishepujve. Më konkretisht për këtë publik, ne kemi edhe një përgjegjësi shtesë të përbashkët në SAK si arsimtarë të fesë. Në qershor të vitit 2019, Bordi i Kishës për Arsimimin miratoi një dokument ligjor që përvijon rolin e arsimit fetar në Sistemin Arsimor të Kishës, shpesh i përmendur si dokumenti “Forcimi i Arsimimit Fetar”. Kjo përgjegjësi vjen me qartësinë dhe udhëzimin drejtpërsëdrejti nga Bordi i Kishës për Arsimimin. Paragrafi hapës i atij dokumenti thotë: “Arsimi fetar zë një vend të pashoq dhe të dashur në misionin e çdo institucioni. … Ai qëndron në thelb të qëllimit të çdo institucioni.” Orientimet e dokumentit “Forcimi i Arsimimit Fetar” sqarojnë më tej se objektivi qendror i arsimit fetar shprehet si vijon: “Qëllimi i arsimit fetar është të japë mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit nga shkrimet e shenjta dhe profetët modernë në një mënyrë që e ndihmon çdo nxënës dhe student që të zhvillojë besimin tek Ati Qiellor, … Jezu Krishti, … ungjilli i rivendosur e … [profetët e gjallë] dhe të zhvillojë dëshminë për Ta; të bëhet dishepull për tërë jetën; … [dhe] të forcojë aftësi[në e studentëve tanë] për të gjetur përgjigje, për të zgjidhur dyshimet [dhe] për t’u përgjigjur me besim”. Ky qëllim themelor i arsimit fetar në të gjithë Sistemin Arsimor të Kishës është thelbësor për arsyen pse jemi këtu sot. Nëse nuk e bëjmë këtë me përqendrim të qëllimshëm, bëhet e vështirë të justifikohet investimi i rëndësishëm që Kisha bën në secilin prej këtyre institucioneve.
Pra, pjesë e arsyes pse jemi mbledhur sot është se ne kemi një mision të përbashkët në SAK dhe një përgjegjësi të përbashkët si arsimtarë të fesë për të zhvilluar dëshmi dhe për t’i ndihmuar studentët dhe nxënësit që të bëhen dishepuj dhe të gjejnë përgjigje për pyetjet dhe besimin e tyre. Gjithashtu, do të doja të falënderoja Çad Uebin për udhëheqjen e tij. Vëllai Ueb drejton Seminaret dhe Institutet e Kishës. Por për dy vitet e fundit, ai ka kryesuar gjithashtu Komitetin e Arsimimit Fetar me përfaqësim nga i gjithë Sistemi Arsimor i Kishës. Është kryesisht për shkak të atij komiteti që ne jemi mbledhur sot si arsimtarë të SAK‑ut. Duhet të vë në dukje edhe përkrahjen nga secili prej presidentëve tanë të SAK‑ut: Presidenti Ris, Presidenti Meredith, Presidenti Kaui, Presidenti Kush, Presidenti Ashton dhe Vëllai Ueb. Këta udhëheqës janë ngarkuar me përgjegjësinë që të jenë “drejtuesit kryesorë moralë dhe shpirtërorë” të institucioneve të tyre. Kjo përgjegjësi u fillua në përurimin e Presidentit Kaui dhe u përsërit në çdo përurim të SAK‑ut që prej asaj kohe. Këtu do të tregoj vetëm pamje të atyre përurimeve. Ju mund ta shihni pamjen e Presidentit Kaui. Përgjegjësia erdhi nga Presidenti Holland dhe ajo iu përsërit Presidentit Ashton, pastaj përsëri Presidentit Ris dhe më pas së fundmi Presidentit Meredith. Atëherë nuk është rastësi që këta presidentë po na bashkohen sot këtu. Ata janë udhëheqës të shquar dhe unë shpreh vlerësimin tim për udhëheqjen e tyre dhe zotimin e tyre për të na ndihmuar që ta fillojmë këtë Konferencë përurimi të Arsimtarëve të Fesë.
Në vijim do të doja të jap pak kontekst për mesazhin tim sot. Në fjalimin tim përurues drejtuar arsimtarëve tanë të fesë – në fjalimin tim vjetor drejtuar arsimtarëve tanë të fesë gjatë dy viteve të fundit, ju kam kërkuar që të përqendroheni tek ajo që ne e kemi përcaktuar si theksime profetike për të rinjtë e të rejat në moshë madhore. Jemi përpjekur gjithashtu të theksojmë se këto tema të renditura këtu me siguri do të ndryshojnë. Nuk ka asgjë magjike në këto pesë tema, por ato duhet të përditësohen ndërsa marrim udhëzime të vazhdueshme nga profetët dhe apostujt, veçanërisht ato që u vijnë të rinjve e të rejave tona në moshë madhore. Shpresa nuk është se ju do t’i mësoni vetvetiu përmendsh këto mesazhe specifike, por që të gjithë ne do të mësojmë se si t’i dëgjojmë profetët e gjallë dhe t’i ndihmojmë studentët tanë të mësojnë se si t’i vënë në zbatim mesazhet e tyre.
Në këtë frymë, do të doja të përqendrohesha te një nga këto theksime profetike të kohëve të fundit që ka qenë në zemrën time. Presidenti Rasëll M. Nelson i ka ftuar të rinjtë e të rejat në moshë madhore që të marrin përgjegjësi për dëshmitë e tyre. Ju lutem, vini re se nëse doni ta ndiqni profetin, kushtojuni vëmendje dy gjërave. Së pari, vëzhgoni se kur e përsërit një mesazh dhe, së dyti, kushtojini vëmendje të veçantë kur na drejton një përgjërim. Ju do t’i shihni të dyja këto modele në mesazhin e Presidentit Nelson për të marrë përgjegjësi për dëshminë tuaj, i cili u prezantua fillimisht në këtë takim shpirtëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore në maj 2022, kur ai tha: “Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet. … Teksa e bëni dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.”
Pastaj, më vonë po atë vit, Presidenti Nelson dha një përgjegjësi pothuajse të njëjtë, këtë herë për të gjithë Kishën në fjalimin e tij në konferencën e përgjithshme të tetorit 2022: “Për këtë qëllim, u ngarkoj anëtarëve të Kishës kudo të njëjtën përgjegjësi që u dhashë të rinjve e të rejave tona në moshë madhore majin e shkuar. I nxita ata atëherë dhe ju lutem juve tani, që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Punoni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese. Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekullitë që ndodhin në jetën tuaj.”
Me përgjërimin e përsëritur të Presidentit Nelson që ne të marrim përgjegjësi për dëshmitë tona, pata ndjenjën që të tregoj pak nga vetë shtegu im drejt dëshmisë. Ky do të jetë një rrëfim vetjak dhe, teksa e kam shkruar, shpresa ime është që ju të jeni në gjendje të ndiheni sikur jemi ulur së bashku në një mjedis më pak formal. Secili prej nesh ka udhëtimin e vet personal drejt besimit. Kështu e kanë edhe studentët tanë. Sot do të tregoj pak nga udhëtimi im. Udhëtimi im drejt dëshmisë filloi në një mjedis të pazakontë. U rrita në një komunitet kryesisht pa shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Skotdejll të Arizonës. Në një garë vrapimi në shkollën e mesme, po bëhesha gati për garën time kur pashë matanë pistës dhe vura re Vëllanë Batllër, udhëheqësin tim tek Të Rinjtë. Ishte kaq e çuditshme që ai të ishte atje. Nuk kishim shumë gjëra të përbashkëta. E dija që ai nuk ishte frekuentues i garave të vrapimit. Pastaj në çast Shpirti më tha: “Klark, kjo Kishë është e vërtetë sepse përndryshe nuk ka asnjë mundësi që ai të ishte këtu. Duhet të ketë diçka më të thellë në besimin e tij që po e nxit të të përkrahë.” Aq qe e gjitha! Përvoja nuk ndodhi gjatë shqyrtimit të shkrimeve të shenjta apo në mes të një mbledhjeje dëshmish. Ajo thjesht erdhi nga frytet e shërbimit të përkushtuar të dikujt. E kujtoj atë ndjenjë sot po aq qartë sa dita kur ndodhi.
Një ose dy vjet më vonë, e pashë veten me një thirrje misioni në Misionin e Kobes në Japoni. Më kujtohet dita e parë në QTM. Ishte kaq emocionuese të takohesha me shokët, të njihesha me mësuesit, të ndieja forcën e të qenit të mbledhur nga e gjithë bota. Por të nesërmen në mëngjes, kur ra zilja në orën 6:00 të mëngjesit, mezi u zgjova dhe më pushtoi një çast paniku. Mendova: “Si do ta bëj vallë këtë? Nuk e di nëse mund të zgjohem kaq herët çdo ditë për dy vitet e ardhshme, e lëre më të mësoj një gjuhë kaq të vështirë si japonishtja.” Papritur, fakti që udhëheqësi im i Të Rinjve kishte ardhur në garën time të vrapimit nuk m’u duk që do të ishte i mjaftueshëm për të më mbështetur për dy vjet. Më nevojitej që të dija më thellësisht dhe ajo dëshmi kishte nevojë të bazohej në vetë ungjillin. Fillova ta lexoja me zell Librin e Mormonit çdo mëngjes. Ajo zile binte në orën 6:00 të mëngjesit dhe unë ulesha në atë tavolinë në QTM nën llambën e shndritshme dhe në një karrige rrotulluese, duke lexuar dhe studiuar Librin e Mormonit. Kur arrita në fund, lexova premtimin te Moroni 10:3–5. E dija atë shkrim të shenjtë që nga koha kur isha nxënës seminari në moshë të re. U gjunjëzova në lutje për të kërkuar një konfirmim të besimit tim. Por kur ia kërkova Zotit, fillimisht nuk erdhi asgjë. Isha tepër i zhgënjyer. U ula prapë në karrige, duke kuptuar se isha vetëm dy faqe larg nga fundi i Librit të Mormonit. Vendosa që të paktën ta mbaroja. Me tre vargje të mbetur për t’u lexuar te Moroni 10, lexova këtë shkrim të shenjtë te Moroni 10:32: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij”, nuk mund ta lexoj këtë. Po qaj. Më vjen keq. “Atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht.” Teksa e lexova atë varg, një dritë dhe qartësi më pushtoi. Nuk mund ta mohoja. Ishte lartësuese dhe e ngrohtë dhe e mbushi tërë qenien time. Në atë çast e dija se Libri i Mormonit ishte i vërtetë dhe se qëllimi i tij është që të dëshmojë se Jezusi është Krishti.
Pra, u nisa për në Japoni me këtë dëshmi të fuqishme. Vazhdova të kem përvoja që e ndërtuan dëshminë time, por asgjë kaq të thellë sa atë mëngjes në QTM. Pastaj, një natë me shumë shi, ndërsa përgatiteshim për të fjetur, dëgjuam një trokitje në derë. Pamë nga njëri‑tjetri. Apartamenti ynë ishte në pjesën e pasme, prapa shtëpisë së misionit. Disi i befasuar që dikush do të vinte kaq vonë natën në apartamentin tonë, dola dhe hapa derën për të parë presidentin tim të misionit atje në prag të derës, duke qëndruar në shi nën një ombrellë. Ai tha: “Gilbert Çoro, Plaku Gilbert, vishu. Do të shkojmë të shohim Plakun Matsuo.” Babai i plakut Matsuo po vdiste nga kanceri. Hamendësova menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Por ndërsa hipa në automjetin e misionit, Presidenti Matsumori u kthye nga unë dhe më shpjegoi se nëna e misionarit kishte vdekur në një aksident me makinë atë ditë. Më pas ai tha: “Lutu që ne të jemi në gjendje të kemi ndjeshmëri dhe të kuptojmë se çfarë do ta ngushëllojë këtë misionar”. U ndjeva i dërrmuar dhe i papërshtatshëm. Ende më kujtohen fshirëset e xhamit të përparmë që shkonin majtas‑djathtas teksa udhëtonim në heshtje. Papritur, Shpirti më solli në zemër vargun tek Alma 7:12: “Dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, [se si] të ndihmojë popullin e tij [në] dobësi[të e] tyre”. E dija se Shlyerja e Jezu Krishtit na lejonte ta mposhtnim mëkatin. E dija se Krishti do të na ndihmonte të ringjalleshim dhe të jetonim përsëri. Por atë natë, në autostradën e Osakës, mësova se Jezu Krishti gjithashtu mund të na ngushëllonte në betejat tona, në vuajtjen tonë, kur jeta nuk ishte e drejtë. Nuk e dija se me çfarë po përballej ai misionar i ri në moshë, por nëpërmjet mrekullisë së Shlyerjes, ishte Një që e dinte. Atë natë, pas një viti në misionin tim, Shpirti më dëshmoi fuqishëm, edhe një herë, se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe qëllimi i tij është të dëshmojë se Jezusi është Krishti.
U ktheva nga misioni dhe u martova me Kristinën në Tempullin e Solt‑Lejkut. U shpërngulëm në Kaliforni, pastaj përfundimisht në Boston. Vazhdova të merrja konfirmime të qeta e të përsëritura të dëshmisë sime, por përsëri, asgjë aq të thellë sa atë mëngjes në QTM apo atë natë në autostradën në Osaka. Më pas, një të diel, pata një dëshmi të fuqishme, por të papritur të Shpirtit. Isha në një pjesë të shkrimit të shenjtë që shumica e njerëzve nuk i drejtohen për të ndërtuar dëshminë e tyre. Ishte tek Alma 30, në një mësim në kishë, tek ajo që unë do t’i referohem si doktrina e Korihorit, ku Korihori e mohon Krishtin, përpiqet t’i lirojë njerëzit nga përgjegjësia e tyre për zgjedhjet e tyre, shpall se ne shpëtohemi vetëm nga aftësitë tona gjeniale. Ai anon në atë që sot mund ta quajmë relativizëm moral. Korihori gjithashtu i nënçmon në mënyrë agresive bindjet e të tjerëve si tradita të marra të etërve të tyre. Ndërsa mësuesi i Shkollës të së Dielës vazhdonte me mësimin, fillova të mendoj që nëse Jozef Smithi e kishte krijuar vetë Librin e Mormonit, Korihori ishte një personazh i çuditshëm për t’u përfshirë. Jozefi jetoi në një periudhë të zjarrtë fetare ku njerëzit besonin te Jezu Krishti. Ai ka të ngjarë të mos e ketë takuar kurrë dikë që të mbronte në mënyrë aq agresive një doktrinë të tillë antikrishti si Korihori ose, duhet të shtoj, Nehori apo Sheremi, të gjithë atje në Librin e Mormonit. Por ne e dimë se Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë. I dalloja këto argumente te vetë njerëzit që takoja kaq shpesh në kulturën akademike të Kembrixhit në Masaçusets. Teksa u ula duke reflektuar mbi këtë anomali në mes të një ore të Shkollës të së Dielës, tashmë me një dëshmi të thellë për Librin e Mormonit, Shpirti më tha: “Klark, Libri i Mormonit është i vërtetë dhe qëllimi i tij është të dëshmojë se Jezusi është Krishti”.
Këto përvoja vazhduan gjatë gjithë jetës sime. Pati një rast kur po lutesha në tempull për të rinjtë e mi nga lagjet e varfra të qytetit të Bostonit. Teksa e lexova shkrimin e shenjtë te Mosia 3:17, Shpirti më mësoi që e vetmja mënyrë se si mund t’i ndihmoja këta të rinj të dilnin nga rrethanat e tyre, ishte përmes Jezu Krishtit. Ishte koha kur po studioja tek Alma 36 dhe po mësoja për kiazmën që e përshkon të gjithë atë kapitull, me bosht qendror shëlbimin e Alma të Riut. Çuditërisht, dukej se sa herë që kisha një dëshmi për Librin e Mormonit, ajo vinte me një dëshmi shoqëruese për Jezu Krishtin. Kjo ndodhi përsëri në sesionin e grave të konferencës së përgjithshme të tetorit 2018. Presidenti Nelson u bëri një ftesë në atë sesion motrave të Kishës për të lexuar Librin e Mormonit deri në fund të vitit, me një këshillë të shtuar për të shenjuar çdo citim për Shpëtimtarin, çdo varg që i referohej Shpëtimtarit në Librin e Mormonit. Duke dashur të përkrahja bashkëshorten dhe gjashtë vajzat e mia, u bashkova me to në atë ftesë. Sapo e kisha marrë këtë kopje të Librit të Mormonit. Ishte një kopje fringo e re e Librit të Mormonit. Në të shënova çdo referencë për Shpëtimtarin. Faqe pas faqeje, me laps të kuq, ishin referencat për Jezu Krishtin. Në moshën 48‑vjeçare, tashmë me një dëshmi të thellë për Librin e Mormonit dhe për Shpëtimtarin, Shpirti më dëshmoi edhe një herë atë vjeshtë, ndërsa lexoja çdo mëngjes faqet e këtij libri: “Klark, ky libër është i vërtetë dhe qëllimi i tij është që të dëshmojë se Jezusi është Krishti”.
Rikthehem te mesazhi i Presidentit Nelson dhe citimi që lexova më herët: “Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet. … Teksa e bëni dëshminë tuaj përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj.” Dëshmoj për ato mrekulli. Jam bekuar në kaq shumë mënyra për shkak se e bëra dëshminë time një përparësi gjatë gjithë jetës sime.
Vëllezër e motra, si arsimtarë të fesë duhet t’i ndihmojmë studentët tanë që të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Do të doja të përqendrohesha në pesë mënyra se si mund t’i mësojmë studentët tanë që të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Së pari, ndihmojini të mësojnë që të ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes. Së dyti, mësojini të jenë dritë për të tjerët, veçanërisht për ata që kanë vështirësi. Së treti, të bëjnë pyetje me besim. Së katërti, të shikojnë te burimet që janë të mbushura me të vërtetën. Dhe së pesti, të mbështeten te Shpirti.
Së pari, ne duhet t’u mësojmë studentëve se ndërtimi i dëshmisë është një veprim i qëllimshëm i lirisë sonë të zgjedhjes. C. S. Luisi i referohej shpesh thënies: “Të bërit e diçkaje me kujdes e jo shkurt është metoda më e shpejtë dhe e efektshme”. Duhet punë për të thelluar besimin dhe dishepullimin. Është një veprim i qëllimshëm. Alma jep mësim se ndërtimi i një dëshmie kërkon vëmendjen tonë të plotë: “Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia”.
Parimi i dytë që mund ta japim mësim për t’i ndihmuar studentët që të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre, është të jenë një dritë për të tjerët, ndoshta veçanërisht për ata që hasin vështirësi. Ky brez kujdeset thellësisht për bashkëmoshatarët e vet dhe ata që përballen me sfida në jetën e tyre. Presidenti Nelson na mëson të mos gjykojmë të tjerët që hasin vështirësi.
“Nëse miqtë dhe familjarët largohen nga Kisha, vazhdoni t’i doni ata. Nuk ju takon juve që të gjykoni zgjedhjen e dikujt tjetër, po ashtu siç nuk e meritoni që të kritikoheni ngaqë po qëndroni besnik.
Tani, ju lutem, më dëgjoni kur them: Mos u udhëhiqni në udhë të gabuar nga ata njerëz dyshimet e të cilëve mund të ndizen nga gjëra që nuk mund t’i shihni në jetën e tyre.”
Skepticizmi dhe dyshimi mund të jenë ngjitës, por po ashtu janë besimi dhe shpresa. Presidenti Nelson vijon:
“Mbi të gjitha, lejojini miqtë tuaj skeptikë të shohin se sa shumë ju e doni Zotin dhe ungjillin e Tij. Befasojini zemrat e tyre dyshuese me zemrën tuaj besuese!
Kur merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj dhe e bëni atë të rritet, ju do të bëheni mjet më i fuqishëm në duart e Zotit.”
Është pikërisht te kjo pikë e fundit – t’i mësojmë studentët tanë të bëhen një mjet dhe një burim për Zotin – ku mendoj se kemi mundësi të madhe për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat në moshë madhore për dëshmitë e tyre. Mësojuni të jenë një dritë. Mësojuni të jeni një mik/e. Mësojuni të jenë një burim për të tjerët. Dhe për ata që nuk e kanë gjetur ende besimin e tyre, mësojuni që t’i futen punës duke u shërbyer të tjerëve. Shumë dëshmi vijnë duke u shërbyer të tjerëve. Dëshmia që mora në Tempullin e Bostonit në Masaçusets, se Krishti ishte përgjigjja për të rinjtë e mi, erdhi sepse po bëja gjithçka që dija për atë se si t’i ndihmoja. Mësojuni studentëve tanë të jenë një dritë dhe dëshmitë e tyre do të rriten.
Ne, sigurisht, japim mësim se është në rregull që të kesh pyetje. Plaku Renland këtë mbrëmje do të flasë pak më shumë rreth kësaj. Presidenti Nelson shpjegoi: “Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni”. Por ashtu siç ka vënë në dukje Presidenti Xhefri R. Holland: “Nganjëherë ne veprojmë sikur një shprehje e ndershme e dyshimit është një shfaqje më e lartë e kurajës morale sesa është një shpallje e ndershme e besimit. Nuk është!” Kur babai i fëmijës së munduar iu përgjërua Shpëtimtarit: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”, ai po e niste nga një pozicion besimi. Ai mësoi si adoleshent, ose unë mësova si adoleshent, kur i shpreha një dilemë besimi babait tim, mendova se isha kaq i zgjuar dhe se kisha gjetur diçka që ai kurrë nuk e kishte menduar. Në moshën 15‑vjeçare, isha më i zgjuar se babai im, i cili e fitonte gjithmonë çdo debat. Dhe tani kisha një pyetje tepër të vështirë për të. Në vend që t’i përgjigjej pyetjes sime, ai thjesht tha: “Klark, edhe unë e kam pasur atë pyetje më parë. Dhe në jetën time, kam pasur dy grumbuj pyetjesh: një grumbull gjërash që i dija dhe një tjetër gjërash që dukeshin të vështira për t’u kuptuar. Me kalimin e kohës, zbulova se grumbulli i gjërave që di, thjesht vazhdon të rritet dhe grumbulli i gjërave që nuk i di, vazhdon të zvogëlohet.”
Nëse do të shkoni përpara me besim, ju premtoj se kjo do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë që ne nuk i trajtojmë pyetjet dhe shqetësimet që kanë njerëzit, por i ndihmojmë ata të shkojnë përpara me besim. Kjo është ajo që mendoj se Plaku Leri Korbrixh po thoshte në takimin e tij shpirtëror në UBJ kur u tha studentëve këtu në këtë kompleks që të përqendroheshin te pyetjet kryesore dhe t’i linin pyetjet dytësore të zgjidheshin me kalimin e kohës. Presidenti Nelson na kujton në mënyrë të vazhdueshme se ndërtimi i një dëshmie duhet të përfshijë gjithashtu të drejtuarit te burime të mbushura me të vërtetën. “Ushqejeni [dëshminë tuaj] me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet.” Disa të rinj e të reja në moshë madhore mendojnë se e vetmja mënyrë për të pasur besim të fortë, është t’u drejtohen kritikëve dhe armiqve tanë të Kishës. Në njëfarë mënyre kjo do ta bëjë një dëshmi më të fortë. Në rrethana të tilla, ne duhet t’i ndihmojmë studentët tanë të shikojnë tek integriteti moral i qëllimit. Korihori, Nehori dhe Sheremi nuk po përpiqeshin t’i ndërtonin pasuesit e tyre, por thjesht po përpiqeshin të vërtetonin zgjedhjet e tyre të gabuara dhe të mbronin planet e tyre vetjake. Mësojuni studentëve tuaj se “disa burime mund edhe të bëhen me qëllimin për të shkaktuar mosbesim, frikë dhe dyshim”. Ndihmojini që të shikojnë te profetët e gjallë, te shkrimet e shenjta dhe tek udhëheqësit e besuar të Kishës.
Njëri nga burimet më të rëndësishme, të mbushura me të vërtetën të cilit mund t’i drejtohemi, është Fryma e Shenjtë. Mësojuni studentëve të kuptojnë se si ndihen kur Fryma e Shenjtë është me ta dhe ta dallojnë tek largohet kur e vërteta keqinterpretohet. Pata një përvojë formuese mbi këtë temë në një sesion me pyetje dhe përgjigje të kohëve të fundit në UBJ–Havai me Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Keoni Kaui. Një student na pyeti se ku do t’u nevojitej Fryma e Shenjtë në jetën e tyre. Duke cituar thënien e Presidentit Nelson: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”, Presidenti Ajring më kërkoi që t’i përgjigjesha unë pyetjes së studentit. Kjo ishte një pyetje të cilës i isha përgjigjur qindra herë si president i UBJ–Ajdahos. U përgjigja se studentëve do t’u nevojitej Shpirti kur merrnin vendime se për çfarë të studionin, me kë të dilnin në takime, ku të jetonin, çfarë pune të bënin dhe kaq shumë vendime të tjera të jetës që po bien mbi të rinjtë e të rejat tona në moshë madhore. Presidenti Ajring më pas i kërkoi studentit që të rilexonte thënien e Presidentit Nelson. Këtë herë, ai ndaloi te fjala mbijetojmë. Presidenti Ajring sqaroi se profeti e kishte përdorur fjalën mbijetojmë qëllimisht. Ai shpjegoi se studentët po jetonin në një kohë kur kundërshtari ishte aq i efektshëm në shtrembërimin e së vërtetës saqë nëse nuk e kishin Frymën e Shenjtë, ata do të mashtroheshin për të vërtetat më themelore të ungjillit. Në bisedën e tij “Mendoni Çelestialisht!”, Presidenti Nelson deklaron: “Mashtrimet e kundërshtarit nuk kanë fund. Ju lutem, jini të përgatitur. Mos merrni kurrë këshilla nga ata që nuk besojnë. Kërkoni udhërrëfim nga zëra të cilëve mund t’u mirëbesoni: nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit dhe nga pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë.”
Vëllezër dhe motra, le t’u mësojmë studentëve tanë të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre. Mësojuni të punojnë për të, ta zotërojnë atë, të kujdesen për të, ta kultivojnë me qëllim që ajo të rritet. Për këtë qëllim, le t’u mësojmë të ushtrojnë lirinë e zgjedhjes, të jenë një dritë për të tjerët, të bëjnë pyetje me besim, të shikojnë te burimet e mbushura me të vërtetën dhe të mësojnë të mbështeten te Shpirti i Shenjtë. Udhëzuesi “Forcimi i Arsimimit Fetar” na jep përgjegjësinë për ta bërë këtë me bindje. Përpjekjet tuaja po funksionojnë. Mos besoni se çfarë thuhet nga jashtë. Të rinjtë e të rejat në moshë madhore po vijnë në institut në nivele rekord. Të rinjtë e të rejat në moshë madhore po i ndjekin shkollat e Kishës në nivele rekord. Ka një rritje të besimit në të gjithë Kishën, edhe në këto kohë të vështira. Studentët tanë po mësojnë të marrin mbi vete përgjegjësinë për dëshmitë e tyre dhe ata po afrohen më shumë me Jezu Krishtin. Kam një dëshmi për Shpëtimtarin tonë. E di se Libri i Mormonit është i vërtetë. Dhe dëshmoj se qëllimi i tij është të dëshmojë se Jezusi është Krishti. Le t’i ftojmë studentët tanë t’i gjejnë po ato të vërteta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.