Konferenca e Përgjithshme
Mendoni Çelestialisht!
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


19:15

Mendoni Çelestialisht!

Zgjedhjet tuaja do të përcaktojnë vendin ku do të jetoni gjatë gjithë përjetësisë, llojin e trupit në të cilin do të ringjalleni dhe ata me të cilët do të jetoni përgjithmonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam thellësisht mirënjohës që t’ju flas sot. Në moshën time, çdo ditë e re sjell surpriza të mrekullueshme si dhe sfiduese. Tri javë më parë, lëndova muskujt e shpinës. Pra, ndërkohë që kam mbajtur më shumë se 100 fjalime në konferencat e përgjithshme në këmbë, sot mendova ta bëj këtë i ulur. Lutem që Shpirti ta përçojë mesazhin tim në zemrat tuaja sot!

Kohët e fundit festova ditëlindjen time të 99‑të dhe kështu filloi viti im i 100‑të i jetës. Shpesh më pyesin për sekretin e të jetuarit kaq gjatë. Një pyetje më e mirë do të ishte: “Çfarë kam mësuar gjatë një jete prej pothuaj një shekulli?”

Koha sot nuk më lejon t’i përgjigjem asaj pyetjeje plotësisht, por më lejoni të tregoj një nga mësimet më thelbësore që kam marrë.

Kam mësuar që plani i Atit Qiellor për ne është i mahnitshëm, që ajo që bëjmë në këtë jetë, ka vërtet rëndësi dhe që Shlyerja e Shpëtimtarit është ajo që e bën të mundur planin e Atit tonë.1

Ndërsa jam ndeshur me dhembjen e fortë të shkaktuar nga lëndimi im i fundit, kam ndier vlerësim edhe më të thellë për Jezu Krishtin dhe për dhuratën e pakonceptueshme të Shlyerjes së Tij. Mendoni për këtë! Shpëtimtari vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”2 në mënyrë që Ai të mund të na ngushëllojë, të na shërojë, të na shpëtojë në kohë nevoje3. Jezu Krishti e përshkroi përvojën e Tij në Gjetseman dhe në Kalvar: “Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por”4. Lëndimi im më ka bërë të reflektoj sërish e sërish për “madhështinë e të Shenjtit të Izraelit”5. Gjatë shërimit tim, Zoti e ka shpërfaqur fuqinë e Tij hyjnore në mënyra paqësore dhe të pagabueshme.

Për shkak të Shlyerjes së pafundme të Jezu Krishtit, plani i Atit tonë Qiellor është një plan i përsosur! Një kuptueshmëri për planin e mahnitshëm të Perëndisë ia heq misterin jetës dhe ia heq pasigurinë së ardhmes sonë. Ajo i lejon secilit prej nesh të zgjedhë se si do të jetojë këtu në tokë dhe ku do të jetojë përgjithmonë. Koncepti i pabazuar që ne duhet të “ha[më], pi[më] dhe dëfre[jmë], pasi nesër ne vdesim; dhe gjithçka do të shkojë për ne”6 është një nga gënjeshtrat më absurde në univers.

Ja tek është lajmi i madhërishëm i planit të Perëndisë: vetë gjërat që do ta bëjnë jetën tuaj në vdekshmëri më të mirën që ajo mundet, janë pikërisht të njëjtat gjëra që do ta bëjnë jetën tuaj gjatë gjithë përjetësisë më të mirën që ajo mundet! Sot, për t’ju ardhur në ndihmë që të kualifikoheni për bekimet e bollshme që Ati Qiellor ka për ju, ju ftoj të përvetësoni praktikën e “të menduarit çelestialisht”7. Të mendosh çelestialisht do të thotë të jesh mendjekontrolluar nga shpirti. Ne mësojmë nga profeti Jakob i Librit të Mormonit se “të jesh mendje-kontrolluar nga shpirti është jetë e përjetshme”8.

Vdekshmëria është një shkollë mjeshtërie për të mësuar të zgjedhim gjërat me rëndësinë më të madhe në përjetësi. Tepri njerëzish jetojnë sikur kjo jetë të ishte e gjitha. Megjithatë, zgjedhjet tuaja sot do të përcaktojnë tri gjëra: vendin ku do të jetoni gjatë gjithë përjetësisë, llojin e trupit në të cilin do të ringjalleni dhe ata me të cilët do të jetoni përgjithmonë. Pra mendoni çelestialisht.

Në mesazhin tim të parë si President i Kishës, ju nxita ta filloni me fundin në mendje. Kjo do të thotë ta bëni mbretërinë çelestiale synimin tuaj të përjetshëm dhe më pas të merrni parasysh me kujdes se ku do t’ju vendosë në botën tjetër secili nga vendimet tuaja ndërsa jeni këtu në tokë.9

Zoti ka dhënë mësim qartë se vetëm burrat dhe gratë që vulosen si bashkëshort e bashkëshorte në tempull dhe që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të jenë së bashku gjatë gjithë përjetësive. Ai tha: “Gjithë besëlidhjet, marrëveshjet, kontratat, detyrimet, betimet, zotimet, kryerjet, lidhjet, shoqërimet ose shpresat, që nuk janë bërë dhe lidhur e vulosur me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit … kanë një fund kur njerëzit vdesin”10.

Kështu, nëse ne në mënyrë të pamend zgjedhim të jetojmë ligje telestiale tani, ne po zgjedhim të ringjallemi me një trup telestial. Ne po zgjedhim të mos jetojmë me familjet tona përgjithmonë.

Pra, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, si dhe ku, dhe me doni ju të jetoni përgjithmonë? Zgjedhja është e juaja.11

Kur bëni zgjedhje, ju ftoj të shihni në një këndvështrim për të ardhmen, një këndvështrim të përjetshëm. Vëreni Jezu Krishtin të parin, sepse jeta juaj e përjetshme varet nga besimi juaj tek Ai dhe te Shlyerja e Tij.12 Ajo varet edhe nga bindja juaj ndaj ligjeve të Tij. Bindja shtron udhën për një jetë të gëzueshme për ju sot dhe për një shpërblim të madhërishëm, të përjetshëm nesër.

Kur të përballeni me një mëdyshje, mendoni çelestialisht! Kur t’ju vërë në provë tundimi, mendoni çelestialisht! Kur jeta ose njerëz të dashur t’ju lënë në baltë, mendoni çelestialisht! Kur dikush të vdesë para kohe, mendoni çelestialisht. Kur dikush lëngon gjatë nga një sëmundje shkatërrimtare, mendoni çelestialisht. Kur trysnitë e jetës të mblidhen mbi ju, mendoni çelestialisht! Ndërsa merrni veten nga një aksident ose lëndim, si unë tani, mendoni çelestialisht!

Ndërsa përqendroheni tek të menduarit çelestialisht, prisni të hasni kundërshti.13 Dekada më parë, një koleg në profesion më kritikoi se e kisha “shumë mendjen tek tempulli” dhe më shumë se një mbikëqyrës më penalizoi për shkak të besimit tim. Jam i bindur, sidoqoftë, se të menduarit çelestialisht e përmirësoi karrierën time.

Ndërsa mendoni çelestialisht, zemra juaj gradualisht do të ndryshojë. Do të dëshironi të luteni më shpesh dhe më sinqerisht. Ju lutem, mos lejoni që lutjet tuaja të tingëllojnë si listë blerjesh. Këndvështrimi i Zotit e tejkalon urtësinë tuaj të vdekshme. Përgjigjja e Tij ndaj lutjeve tuaja mund t’ju befasojë dhe do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht.

Merreni parasysh përgjigjen e Zotit ndaj Jozef Smithit kur ai u përgjërua për lehtësim në burgun e Libertisë. Zoti i mësoi Profetit se trajtimi çnjerëzor ndaj tij do t’i jepte përvojë dhe do të ishte për të mirën e tij.14 “Në qoftë se i duron mirë ato”, premtoi Zoti, “Perëndia do të të lartësojë nga lart.”15 Zoti po i mësonte Jozefit të mendonte çelestialisht dhe të përfytyronte një shpërblim të përjetshëm në vend që të përqendrohej te vështirësitë torturuese të ditës. Lutjet tona mund të jenë, dhe duhet të jenë, diskutime të gjalla me Atin tonë Qiellor.

Ndërsa mendoni çelestialisht, do ta gjeni veten duke shmangur çdo gjë që jua grabit lirinë tuaj të zgjedhjes. Çdo varësi, qoftë videolojërat, kumari, borxhi, droga, alkooli, zemërimi, pornografia, seksi ose madje ushqimi – e fyen Perëndinë. Përse? Sepse fiksimi juaj bëhet perëndia juaj. Ju shihni drejt tij, në vend që të shihni drejt Perëndisë, për ngushëllim. Nëse luftoni me një varësi, kërkoni ndihmën shpirtërore dhe profesionale që ju nevojitet. Ju lutem, mos lejoni që një fiksim t’jua grabitë lirinë për të ndjekur planin e mahnitshëm të Perëndisë.

Të menduarit çelestialisht do t’ju ndihmojë edhe që t’i bindeni ligjit të dëlirësisë. Janë të pakta gjërat që do ta ndërlikojnë jetën tuaj më shpejt sesa shkelja e këtij ligji hyjnor. Për ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, pamoralshmëria është një nga mënyrat më të shpejta për ta humbur dëshminë tuaj.

Shumë nga tundimet më të pareshtura të kundërshtarit përfshijnë shkeljet e pastërtisë morale. Fuqia për të krijuar jetë është i vetmi privilegj i perëndishmërisë që Ati Qiellor ua lejon fëmijëve të Tij të vdekshëm ta ushtrojnë. Kështu, Perëndia vendos orientime të qarta për përdorimin e kësaj fuqie të gjallë dhe hyjnore. Intimiteti fizik është vetëm për një burrë dhe një grua që janë të martuar me njëri-tjetrin.

Një pjesë e madhe e botës nuk e beson këtë, por opinioni publik nuk është arbitri i së vërtetës. Zoti ka shpallur se asnjë person jo i dëlirë nuk do ta arrijë mbretërinë çelestiale. Pra, kur të merrni vendime lidhur me moralshmërinë, ju lutem, mendoni çelestialisht. Dhe nëse nuk keni qenë të dëlirë, ju përgjërohem të pendoheni. Ejani te Krishti dhe merrni premtimin e Tij për falje të plotë ndërsa pendoheni plotësisht për mëkatet tuaja.16

Ndërsa mendoni çelestialisht, do t’i shihni sprovat dhe kundërshtimin me një këndvështrim të ri. Kur dikush që e doni, e sulmon të vërtetën, mendoni çelestialisht dhe mos e vini në dyshim dëshminë tuaj. Apostulli Pal profetizoi se “në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve”17.

Mashtrimet e kundërshtarit nuk kanë fund. Ju lutem, jini të përgatitur. Mos merrni kurrë këshilla nga ata që nuk besojnë. Kërkoni udhërrëfim nga zëra të cilëve mund t’u mirëbesoni: nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit dhe nga pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë, i cili “do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”18. Ju lutem, bëjeni punën shpirtërore për ta rritur aftësinë tuaj për të marrë zbulesë vetjake.19

Ndërsa mendoni çelestialisht, besimi juaj do të rritet. Kur isha një stazhier i ri në moshë, të ardhurat e mia ishin 15 dollarë në muaj. Një natë, gruaja ime, Denzeli, më pyeti a po e paguaja të dhjetën për atë rrogë të vogël. Nuk po e bëja. U pendova shpejt dhe fillova të paguaja 1,5 dollarë më shumë në të dhjetën mujore.

A ndryshoi ndopak Kisha për shkak se ne e rritëm të dhjetën tonë? Sigurisht që jo. Sidoqoftë, bërja një pagues i plotë i së dhjetës më ndryshoi mua. Kjo ishte koha kur mësova se pagimi i së dhjetës ka të bëjë i gjithi me besimin, jo me paratë. Pasi u bëra një pagues i plotë i së dhjetës, pragjet e qiellit nisën të hapeshin për mua. Unë ia lë meritat për disa mundësi pasuese profesionale pagimit të të dhjetave tona me besnikëri.20

Pagimi i së dhjetës kërkon besim dhe gjithashtu ndërton besim te Perëndia dhe te Biri i Tij i Dashur.

Zgjedhja për të jetuar një jetë të virtytshme në një botë të seksualizuar e të politizuar ndërton besim.

Shpenzimi i një kohe më të madhe në tempull ndërton besim. Dhe shërbimi dhe adhurimi juaj në tempull do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht. Tempulli është një vend zbulese. Atje ju tregohet si të përparoni drejt një jete çelestiale. Atje i afroheni më shumë Shpëtimtarit dhe ju jepet qasje më e madhe në fuqinë e Tij. Atje merrni udhërrëfim për zgjidhjen e problemeve në jetën tuaj, edhe për problemet tuaja më të koklavitura.

Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit kanë domethënie të përjetshme. Ne vazhdojmë të ndërtojmë më shumë tempuj për t’i bërë këto mundësi të shenjta të bëhen një realitet në jetën e çdonjërit prej jush. Jemi mirënjohës të njoftojmë planet tona për të ndërtuar një tempull në secilën prej 20 vendndodhjeve vijuese:

  • Savai, Samoa

  • Kankun, Meksikë

  • Piura, Peru

  • Huankaio, Peru

  • Vinja‑del‑Mar, Kili

  • Goianja, Brazil

  • Zhoao‑Pesoa, Brazil

  • Kalabar, Nigeri

  • Bregu i Kepit, Ganë

  • Luanda, Angolë

  • Mbuxhi‑Maji, Republika Demokratike e Kongos

  • Laoag, Filipine

  • Osaka, Japoni

  • Kahului, Maui, Havai

  • Ferbenks, Alaskë

  • Vankuver, Uashington

  • Kolorado Springs, Kolorado

  • Tulsa, Oklahomë

  • Roanok, Virxhinia

  • Ulan‑Bator, Mongoli

Zoti po na drejton t’i ndërtojmë këta tempuj në mënyrë që të na ndihmojë të mendojmë çelestialisht. Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kisha e Tij është rivendosur për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Perëndisë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Gjoni 6:38.

  2. Alma 7:11.

  3. Shihni tek Alma 7:12.

  4. Doktrina e Besëlidhje 19:18.

  5. 2 Nefi 9:40.

  6. 2 Nefi 28:7.

  7. Mund të vërtetohet se është më e lehtë të pendohemi dhe përparojmë shpirtërisht këtu, ndërkohë që shpirti ynë është i bashkuar me trupin, sesa në botën tjetër nga koha që vdesim e deri në kohën që ringjallemi. Sikurse u mësoi Amuleku zoramitëve braktisës: “Kjo jetë është koha … që të përgatiten[i] të takohen[i] me Perëndinë” (shihni tek Alma 34:32–35).

  8. 2 Nefi 9:39.

  9. Shihni te Mosia 4:30, ku mbreti Beniamin e paralajmëron popullin e tij: “Në qoftë se ju nuk shikoni veten tuaj dhe mendimet tuaja dhe fjalët tuaja, dhe veprat tuaja dhe nuk respektoni urdhërimet e Perëndisë dhe nuk vazhdoni në besim … , ju duhet të vdisni”.

  10. Doktrina e Besëlidhje 132:7; theksimi i shtuar.

  11. Sigurisht, liria juaj e zgjedhjes nuk mund të tejkalojë lirinë e zgjedhjes së dikujt tjetër dhe pasojat shoqëruese. Dëshiroja medoemos të vulosesha te prindërit e mi. Megjithatë, m’u desh të prisja deri sa ata zgjodhën të merrnin dhurimin kur ishin mbi 80 vjeç. Më pas ata u vulosën si bashkëshort e bashkëshorte dhe ne fëmijët u vulosëm te ta.

  12. Shkrimet e shenjta dëshmojnë në mënyrë të përsëritur se dhurata e jetës së përjetshme është e mundur vetëm nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Shpëtimtarit Jezu Krisht (shihni, për shembull, te Moroni 7:41; shihni edhe te 2 Nefi 2:6–8, 27).

  13. Shihni te 2 Nefi 2:11.

  14. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 122:7.

  15. Doktrina e Besëlidhje 121:8.

  16. Shihni tek Isaia 1:16–18; Doktrina e Besëlidhje 58:42–43.

  17. 1 Timoteut 4:1. Vargu i radhës vijon: “Që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre” (vargu 2). Pali shpalli edhe se të gjithë ata që “rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12).

  18. 2 Nefi 32:5; theksimi i shtuar. Në qoftë se do të kërkojmë, ne mund “të marr[im] zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie” (Doktrina e Besëlidhje 42:61).

  19. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  20. Kjo nuk duhet të nënkuptojë një marrëdhënie shkak–pasojë. Disa që nuk e paguajnë kurrë të dhjetën, fitojnë mundësi profesionale, ndërkohë që disa që e paguajnë të dhjetën, nuk fitojnë. Premtimi është se pragjet e qiellit do t’i hapen paguesit të së dhjetës. Natyra e bekimeve do të jetë e ndryshme.