Konferenca e Përgjithshme
E Dhjeta: Hapja e Pragjeve të Qiellit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


14:12

E Dhjeta: Hapja e Pragjeve të Qiellit

Pragjet e qiellit hapen në mënyra të shumta. Mirëbesoni në kohën e Zotit; bekimet gjithmonë vijnë.

Ndërkohë që isha në Amerikën e Jugut kohët e fundit, Vëllai Roxher Parra nga Venezuela më tregoi përvojën vijuese:

“Në vitin 2019, Venezuela u trondit nga probleme që shkaktuan humbjen e energjisë elektrike për pesë ditë.

Kaosi dhe anarkia mbretëroi nëpër rrugë dhe shumë njerëz të dëshpëruar nuk kishin ushqim të mjaftueshëm.

Disa filluan të plaçkitnin bizneset ushqimore, duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara.

Si pronari i një furre të vogël buke, isha shumë i shqetësuar për biznesin tonë. Si familje vendosëm t’ua jepnim falas të gjithë ushqimin në furrën tonë të bukës njerëzve nevojtarë.

Gjatë një nate shumë të errët trazirat ishin kudo. Shqetësimi im i vetëm ishte për sigurinë e bashkëshortes sime dhe të fëmijëve të mi të dashur.

Në agim shkova te furra jonë e bukës. Mjerisht, çdo biznes ushqimesh pranë saj ishte shkatërruar nga plaçkitësit, por për habinë time të madhe, furra jonë e bukës ishte e paprekur. Asgjë nuk ishte shkatërruar. Me përulësi falënderova Atin tim Qiellor.

Kur mbërrita në shtëpi, i tregova familjes sime për bekimin dhe mbrojtjen nga Perëndia.

Ata të gjithë ishin kaq shumë mirënjohës.

Djali im më i madh, Rohelio, vetëm 12 vjeç, tha: ‘Papa! E di pse u mbrojt dyqani ynë. Ti dhe mami gjithmonë e paguani të dhjetën tuaj.’”

Vëllai Parra e përmbylli: “Fjalët e Malakias më erdhën në mendje. ‘Do të qortoj shumë për ju gllabëruesin, me qëllim që ai të mos shkatërrojë më frytin e tokës suaj’ [Malakia 3:11]. Ne ramë në gjunjë dhe plot mirënjohje e falënderuam Atin tonë Qiellor për mrekullinë e Tij.”1

Familja Parra.

Më Vini në Provë për Këtë Gjë

Gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi, vjen nga Perëndia. Si dishepuj të Krishtit, ne u japim me dëshirë njerëzve përreth nesh.

Me gjithçka që Zoti na e jep, Ai ka kërkuar që t’i kthejmë Atij dhe mbretërisë së Tij në tokë 10 përqind të rritjes sonë. Ai na ka premtuar se, kur jemi të ndershëm me të dhjetat tona, Ai do t’i “hap[ë] pragjet e qiellit dhe … do të derdh[ë] mbi [ne] aq shumë bekim, sa nuk do të ke[m]i vend të mjaftueshëm ku ta shti[em]”2. Ai na ka premtuar se do të na mbrojë nga ligësia.3 Këto premtime janë kaq të sigurta4, sa Zoti shpall: “Më vini në provë për këtë gjë”5, një frazë që nuk gjendet asgjëkund tjetër në shkrimet e shenjta, përveçse kur citohet Malakia.

Pragjet e qiellit hapen në mënyra të shumta. Disa mënyra janë materiale, por shumë janë shpirtërore. Disa mezi dallohen dhe janë të lehta për t’u anashkaluar. Mirëbesoni në kohën e Zotit; bekimet gjithmonë vijnë.

Ne hidhërohemi për ata që po hasin vështirësi për të pasur domosdoshmëritë e jetës. Kohët e fundit, Kisha dhuroi 54 milionë dollarë amerikanë për t’u dhënë ndihmë fëmijëve dhe nënave të cenueshme anembanë botës.6 Dhe me ofertat nga agjërimi juaj mujor, peshkopët tanë të mirë ndihmojnë mijëra njerëz çdo javë, të cilët përkohësisht kanë nevojë për ushqim në tavolinat e tyre, veshje në shpinat e tyre dhe strehim mbi kokat e tyre. E vetmja zgjidhje e përhershme ndaj varfërisë në këtë botë është ungjilli i Jezu Krishtit.7

Një Çështje Besimi

Apostulli Pal paralajmëroi se urtësia e njerëzve i kupton gjërat e njerëzve, por e ka të vështirë të kuptojë gjërat e Perëndisë.8 Bota flet për të dhjetën në termat e parave tona, por ligji i shenjtë i së dhjetës është kryesisht një çështje e besimit tonë. Të qenit të ndershëm me të dhjetat tona është një mënyrë se si e tregojmë gatishmërinë tonë për ta vënë Zotin të parin në jetën tonë, mbi përkujdesjet dhe interesin tonë vetjak. Ju premtoj se ndërsa mirëbesoni te Zoti, bekimet e qiellit do të vijnë.

Jezusi tha që t’i jepnin “Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë”9. Shpëtimtari i ringjallur u kërkoi nefitëve që të shkruanin në analin e tyre premtimet e Tij që gjendeshin te Malakia.10 Në kohën tonë, Zoti e ripohoi ligjin hyjnor të së dhjetës, duke shpallur: “Ky do të jetë fillimi i së dhjetës së popullit tim. Dhe … ata … do të paguajnë një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit; dhe ky duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë.”11

Zoti qartësisht udhëzoi se si duhet të shpërndahet e dhjeta, duke thënë: “Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit”12, që do të thotë sillni të dhjetat në mbretërinë e Tij të rivendosur, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme13. Ai udhëzoi që përdorimi i këtyre të dhjetave të shenjta do të merrej parasysh plot lutje nga një këshill i Presidencës së Parë, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i Peshkopatës Kryesuese “dhe me anë të zërit tim për ta, thotë Zoti”14.

Fondet e Shenjta të Zotit

Këto fonde të shenjta nuk u përkasin udhëheqësve të Kishës. Ato i përkasin Zotit. Shërbëtorët e Tij janë saktësisht të ndërgjegjshëm për natyrën e shenjtë të kujdestarisë së tyre.

Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi këtë përvojë nga fëmijëria: “Kur isha djalë i vogël, i bëra një pyetje babait tim … lidhur me shpenzimin e fondeve të Kishës. Ai më kujtoi se detyrimi im ishte detyrimi i dhënë nga Perëndia për të paguar të dhjetën dhe ofertat e mia. Kur unë e bëj këtë gjë, [tha babai im,] ajo që unë jap, nuk është më e imja. Ajo i përket Zotit të cilit ia përkushtoj atë.” Babai i tij shtoi: “Çfarë bëjnë autoritetet e Kishës me të, nuk ka përse të të shqetësojë [ty, Gordon]. Ata mbajnë përgjegjësi ndaj Zotit, i cili do të kërkojë llogari nga ana e tyre.”15

Ne e ndiejmë thellësisht peshën e të mbajturit “përgjegjësi ndaj Zotit”.

Të Dhjetat dhe Ofertat Tuaja Bujare

Nga të dhjetat dhe ofertat bujare që ju ia keni përkushtuar Zotit, vitin e kaluar më shumë se një miliard dollarë amerikanë u përdorën për të bekuar njerëzit nevojtarë.16

Në përgjegjësinë tonë tepër të rëndësishme për ta çuar ungjillin e rivendosur anembanë botës, ne kemi më shumë se 71 000 misionarë duke shërbyer në 414 misione.17 Për shkak të të dhjetave dhe ofertave tuaja, misionarët, pavarësisht nga gjendja financiare e familjeve të tyre, janë në gjendje të shërbejnë.

Tempuj po ndërtohen anembanë botës në shifra të pashembullta. Deri më tani, 177 tempuj janë në funksionim, 59 janë tashmë nën ndërtim ose restaurim dhe 79 të tjerë janë në planifikim e projektim.18 Të dhjetat tuaja po i lejojnë bekimet e tempullit të jenë në vendet që vetëm Zoti mund t’i parashikonte.

Ka më shumë se 30 000 bashkësi që mblidhen në mijëra ndërtesa kishtare dhe godina të tjera në 195 shtete dhe territore.19 Për shkak të të dhjetave tuaja besnike, Kisha po themelohet në vende shumë të largëta që ju mund të mos i vizitoni kurrë, mes shenjtorëve të drejtë që mund të mos i njihni kurrë.

Kisha tashmë financon pesë institucione të arsimit të lartë.20 Këta u shërbejnë më shumë se 145 000 studentëve. Njëqind e dhjetë mijë orë mësimore po zhvillohen çdo javë në seminaret dhe institutet tona.21

Këto bekime dhe kaq shumë të tjera vijnë në përmasë të madhe nga të rinj e të moshuar të çdo rrethane ekonomike, të cilët paguajnë një të dhjetë të ndershme.

Fuqia shpirtërore e ligjit hyjnor të së dhjetës nuk matet nga sasia e parave të kontribuara, sepse si të begatët ashtu edhe të varfrit urdhërohen nga Zoti që të kontribuojnë 10 përqind të të ardhurës së tyre.22 Fuqia vjen prej vendosjes së mirëbesimit tonë te Zoti.23

Bollëku i shtuar nga Zoti, i përçuar nëpërmjet të dhjetave tona bujare, i ka forcuar rezervat e Kishës, duke krijuar mundësi për ta çuar përpara veprën e Zotit përtej gjithçkaje që kemi përjetuar deri tani. Gjithçka është e njohur nga Zoti dhe, kur të vijë koha, do t’i shohim të përmbushen qëllimet e Tij të shenjta.24

Bekimet Vijnë në Shumë Mënyra

Bekimet e së dhjetës vijnë në shumë mënyra. Në vitin 1998 shoqërova Presidentin Henri B. Ajring, që në atë kohë ishte Plaku Henri B. Ajring, për në një mbledhje të madhe të Kishës në zonën e Jutës, tani e njohur si Silicon Slopes [Shpatet Silikon], një komunitet me risi të mëdha në teknologji. Ishte një kohë kur begatia po rritej dhe Plaku Ajring i paralajmëroi shenjtorët rreth krahasimit të asaj që kishin, me të tjerët dhe dëshirës për të pasur më shumë. Gjithmonë do ta kujtoj premtimin e tij që teksa paguanin një të dhjetë të ndershme, do të pakësohej dëshira e tyre për më shumë zotërime materiale. Brenda dy vjetësh, vlera financiare e teknologjisë u zvogëlua shumë. Shumë njerëz humbën punët e tyre dhe kompanitë hasën vështirësi gjatë kësaj kohe me përshtatjen nga ana financiare. Ata që e ndoqën këshillën e Plakut Ajring, u bekuan.

Premtimi i tij më kujtoi një përvojë tjetër. E takova 12‑vjeçaren Sharlota Hlimi pranë Karkasonit në Francë, në vitin 1990, ndërkohë që shërbeja si president misioni. Familja Hlimi ishte një familje besnike që jetonte me tetë fëmijët në një apartament. Ata kishin një figurë të Shpëtimtarit dhe një të profetit në mur. Në intervistën për bekimin e saj patriarkal e pyeta Sharlotën nëse paguante një të dhjetë të ndershme. Ajo u përgjigj: “Po, Presidenti Andersen. Nëna ime më ka mësuar se ka bekime materiale dhe bekime shpirtërore që vijnë nga pagimi i së dhjetës sonë. Nëna më mësoi që, në qoftë se gjithmonë e paguajmë të dhjetën tonë, nuk do të na mungojë asgjë. Dhe Presidenti Andersen, nuk na mungon asgjë.”

Familja Hlimi.

Duke më dhënë lejen që ta tregoj historinë e saj, Sharlota, tani 45‑vjeçare dhe e vulosur në tempull, komentoi: “Dëshmia ime për të dhjetën ishte shumë e vërtetë në atë kohë dhe madje është më e fortë tani. Jam thellësisht mirënjohëse për këtë urdhërim. Ndërkohë që e jetoj atë, unë vazhdoj të bekohem me bollëk.”25

Një ditë secili prej nesh do ta përfundojë udhëtimin e vet tokësor. Njëzet e pesë vjet më parë, pikërisht disa ditë përpara se vjehrra ime, Marta Uilliamsi, të vdiste nga kanceri, ajo mori një çek të vogël në postë. Menjëherë i kërkoi bashkëshortes sime, Kathit, bllokun e çeqeve që të paguante të dhjetën. Ngaqë nëna e saj ishte kaq e dobët sa mezi mund të shkruante, Kathi e pyeti nëse ajo mund ta shkruante çekun për të. Nëna e saj u përgjigj: “Jo, Kathi. Dua ta bëj vetë.” Dhe më pas qetësisht shtoi: “Dua të jem në rregull përpara Zotit”. Një nga gjërat e fundit që Kathi bëri për nënën e saj, ishte që t’ia jepte peshkopit të nënës zarfin e të dhjetës së saj.

Vepra e Rëndësishme e Perëndisë

Vëllezërit dhe motrat e mia, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është “nxjerrë … nga terri”26, duke sjellë bekime mbresëlënëse anekënd botës. Do të ketë nga ata që na përgëzojnë teksa shkojmë përpara dhe nga ata që nuk na përgëzojnë. Kam menduar për fjalët e Gamalielit të urtë, i cili, kur dëgjoi për mrekullitë e Apostujve Pjetër e Gjon, e paralajmëroi këshillin në Jerusalem:

“Liro[ji]ni [këta burra], sepse në qoftë … kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,

por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!”27

Unë dhe ju jemi pjesë e veprës së rëndësishme të Perëndisë në tokë. Ajo vepër nuk do të kthehet në hiç, por do të vazhdojë të përhapet nëpër botë, duke përgatitur udhën për kthimin e Shpëtimtarit. Unë dëshmoj për fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson: “Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota. Nga tani e deri në kohën kur Ai të kthehet …, Ai do t’u japë privilegje, bekime dhe mrekulli të panumërta besnikëve.”28

Kjo është dëshmia ime. Jezusi është Krishti. Kjo është vepra e Tij e shenjtë. Ai do të vijë përsëri. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Korrespondencë vetjake nga Roger Parra, 4 gusht 2023.

  2. Malakia 3:10.

  3. Shihni te Malakia 3:11. Plaku Xhefri R. Holland tha: “Në jetën time, për shembull, unë e kam parë premtimin e Perëndisë të përmbushet se Ai do ta ‘qortoj[ë] shumë për [hirin tim] gllabëruesin’ [Malakia 3:11]. Ai bekim i mbrojtjes kundrejt së ligës është derdhur mbi mua dhe mbi njerëzit e mi të dashur përtej ndonjë aftësie që e kam për ta vënë në dukje siç duhet. Por unë besoj se siguria hyjnore ka ardhur, të paktën pjesërisht, për shkak të vendosmërisë sonë, individualisht dhe si familje, për të paguar të dhjetën” (“Like a Watered Garden”, Liahona, janar 2002, f. 38).

  4. Zoti do të hapë pragjet e qiellit sipas nevojave tona dhe jo sipas lakmisë sonë. Nëse po e paguajmë të dhjetën për t’u pasuruar, ne po e bëjmë atë për arsyen e gabuar. … Bekimi për dhënësin … mund të mos jetë gjithmonë në formën e përfitimit financiar ose material” (Teachings of Gordon B. Hinckley [1997], f. 657).

  5. Malakia 3:10; 3 Nefi 24:10.

  6. Shihni tek “The Church of Jesus Christ Is Helping Alleviate Global Malnutrition”, 11 gusht 2023, newsroom.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe te “How the Church of Jesus Christ and UNICEF Are Keeping Mothers and Children Healthy and Safe”, 17 gusht 2023, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  7. “Dhe Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre” (Moisiu 7:18).

  8. Shihni te 1 Korintasve 2:14. Logjika e njeriut jo gjithmonë përputhet me urtësinë e Perëndisë. Në kohën e Malakias shumë njerëz u larguan nga Zoti. Zoti e nxiti popullin e Tij të besëlidhjes: “Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju”. Ajo që e pason këtë ftesë të dhembshur, është një pyetje thellësisht e rëndësishme për secilin prej nesh: “Por ju thoni: ‘Si duhet të kthehemi?’” (Malakia 3:7.) Ose me fjalë të tjera: “Çfarë duhet të ndryshoj unë? Si mund të afrohem më pranë Teje?” Zoti përgjigjet duke i dhënë mësim rëndësinë e së dhjetës, jo thjesht si një ligj financiar, por një mënyrë e prekshme për t’i kthyer dëshirat e zemrave tona drejt Tij.

    E vëzhguam këtë gjë në vetë familjen tonë. Nëna e Kathit u bashkua me Kishën në moshën 22‑vjeçare. Marta dhe Bernard Uilliamsi e frekuentuan kishën për një periudhë të shkurtër, por pas një shpërnguljeje në një shtet tjetër, ata u bënë më pak aktivë. Bernardi mori një dislokim ushtarak jashtë SHBA‑së dhe Marta u kthye në shtëpinë e saj në Tampa të Floridës, kur ajo pranoi një ftesë bujare për të jetuar me teton dhe xhaxhanë e saj, të cilët ishin kundër Kishës. Teksa jetonte në rrethana shumë të përulura, duke pritur të lindte fëmija i saj i parë dhe pa e frekuentuar kishën, Marta Uilliamsi mori vendimin që të fillonte t’i dërgonte peshkopit çekun e saj të së dhjetës. Më vonë në jetën e saj, kur u pyet për arsyen, ajo tha se iu kujtua diçka që misionarët ia kishin mësuar rreth së dhjetës dhe bekimeve të Perëndisë: “Na nevojiteshin dëshpërimisht bekimet e Perëndisë në jetën tonë dhe kështu që fillova t’ia dërgoja peshkopit çekun e së dhjetës sonë”. Marta dhe Bernard Uilliamsi u kthyen në Kishë. Bekimi i tyre më i madh – gjashtë breza janë bekuar për shkak të vendimit të saj për të paguar të dhjetën e saj kur ajo s’kishte asgjë përveçse besim te Perëndia dhe shpresë te premtimet e Tij.

  9. Mateu 22:21.

  10. Shihni tek 3 Nefi 24.

  11. Doktrina e Besëlidhje 119:3–4. “E dhjeta është dhurimi i një të dhjetës së të ardhurave të dikujt ndaj Kishës së Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 119:3–4; interesi kuptohet si të ardhura). Të gjithë anëtarët që kanë të ardhura, duhet ta paguajnë të dhjetën” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 34.3.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  12. Malakia 3:10.

  13. “Ne e paguajmë të dhjetën, sikurse na dha mësim Shpëtimtari, duke i sjellë të dhjetat ‘në shtëpinë e thesarit’ [Malakia 3:10; 3 Nefi 24:10]. E bëjmë këtë gjë duke ia paguar të dhjetën tonë peshkopit ose presidentit tonë të degës. Ne nuk e paguajmë të dhjetën duke kontribuar tek organizatat tona të parapëlqyera bamirëse. Kontributet që duhet t’ua bëjmë organizatave bamirëse, vijnë nga vetë fondet tona, jo nga të dhjetat që urdhërohemi t’i paguajmë në shtëpinë e ruajtjes së Zotit” (Dallin H. Oaks, “Tithing”, Ensign, maj 1994, f. 35).

  14. Doktrina e Besëlidhje 120:1.

  15. Gordon B. Hinckley, “Rise to a Larger Vision of the Work”, Ensign, maj 1990, f. 96.

  16. Shihni tek “The 2022 Report on How the Church of Jesus Christ Cared for Those in Need”, 22 mars 2023, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  17. E marrë nëpërmjet postës elektronike nga Sektori i Misionarëve, 14 shtator 2023.

  18. Shihni tek “Temple List”, ChurchofJesusChrist.org/temples/list.

  19. E marrë nëpërmjet postës elektronike nga sektori Analet e Anëtarëve dhe Dokumentet Statistikore, 28 korrik 2023.

  20. Këto përfshijnë Universitetin “Brigam Jang”, Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, Universitetin “Brigam Jang” – Havai, Kolegjin “Ensign” dhe UBJ-Pathway Mbarëbotëror.

  21. E marrë nëpërmjet postës elektronike nga sektori Seminaret dhe Institutet, 28 korrik 2023.

  22. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 34.3.1.

  23. Presidenti Dallin H. Ouks tregoi këtë histori rreth mirëbesimit te Zoti: “Nëna ime e ve i mbajti tre fëmijët e saj të vegjël me një rrogë [të pakët]. … E pyeta nënën përse ajo paguante kaq shumë nga rroga e saj si të dhjetë. Nuk e kam harruar kurrë shpjegimin e saj: ‘Dallin, mund të ketë disa njerëz që mund t’ia dalin mbanë pa e paguar të dhjetën, por ne nuk mundemi. Zoti ka zgjedhur që ta marrë babanë tënd dhe të më lërë mua që të rris fëmijët, ju. Nuk mund ta bëj dot këtë gjë pa bekimet e Zotit dhe unë i marr ato bekime duke paguar një të dhjetë të ndershme’” (“Tithing”, f. 33).

  24. “Që nëpërmjet përkujdesit tim, pavarësisht nga mundimi që do të zbresë mbi ju, që kisha të mund të qëndrojë e pavarur mbi të gjitha krijesat e tjera nën botën çelestiale” (Doktrina e Besëlidhje 78:14).

  25. Korrespondencë vetjake me Sharlot Hlimi Martinin, 30 gusht 2023.

  26. Doktrina e Besëlidhje 1:30.

  27. Veprat e Apostujve 5:38–39.

  28. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 95.