Zot, Donim të Shihnim Jezusin
Ne duam ta shohim Jezusin për atë që Ai është dhe të ndiejmë dashurinë e Tij.
Paaftësia e Mosnjohjes së Fytyrave
Një ditë në pranverën e vitit 1945, një i ri u zgjua në një spital ushtarak. Ai ishte me fat që qe gjallë; atë e kishin qëlluar me armë pikërisht pas veshit, por mjekët e kishin operuar dhe tani mund të ecte dhe të fliste normalisht.
Tragjikisht, plumbi ia kishte dëmtuar pjesën e trurit që i njihte fytyrat. Tani ai e vështronte bashkëshorten e tij pa e njohur aspak; nuk mundi të njihte as nënën e vet. Edhe fytyra në pasqyrë ishte e huaj për të; nuk mund ta dallonte nëse ishte e një burri apo e një gruaje.1
Ai nuk i njihte më fytyrat – një gjendje që prek miliona njerëz.2
Njerëzit që preken rëndë nga paaftësia e mosnjohjes së fytyrave, përpiqen t’i identifikojnë të tjerët duke mësuar përmendsh rregulla – një rregull për të njohur të bijën nga struktura e qukave ose një mik nga tërheqja zvarrë e këmbëve.
Gjatë Rritjes
Ja tek është një histori e dytë, një histori e familjes sonë: Kur isha djalë i vogël, shpesh e konsideroja nënën time si ligjvënëse. Ajo vendoste se kur mund të luaja dhe se kur duhej të bija në shtrat, ose, më keq, se kur të shkulja barërat e këqija në kopsht.
Dukej qartë që më donte. Por shumë shpesh dhe për turpin tim, atë e konsideroja vetëm si “Ajo së Cilës Duhet t’i Bindesh”.
Vetëm disa vjet më vonë arrita ta shihja nënën si një person real. Më vjen rëndë që asnjëherë nuk e vura re vërtet sakrificën e saj ose që nuk e kam pyetur veten se përse për vite me radhë ajo vishte po ato dy palë funde të vjetra (kurse mua më blinte rroba të reja për në shkollë) ose përse, në fund të ditës, ishte aq e lodhur dhe mezi priste që unë të shkoja në shtrat herët.
Ne Mund të Kemi Paaftësinë e Mosnjohjes së Fytyrave
Ndoshta e keni vënë re se këto dy histori në realitet janë një histori. Për shumë vjet, në fakt, unë nuk isha i aftë t’i njihja fytyrat. Nuk arrita ta shihja nënën time si një person real. I kuptoja rregullat e saj, por nuk shihja brenda tyre dashurinë e saj.
Jua tregoj këto dy histori për të dalë në një pikë: Besoj se e njihni dikë (ndoshta ju jeni ai person) që vuan nga një lloj mosnjohjeje shpirtërore e fytyrave.
Mund ta keni të vështirë që ta shihni Perëndinë si një Atë të dashur. Mund t’i çoni sytë drejt qiellit dhe të shihni jo fytyrën e dashurisë dhe të mëshirës, por një dendësi rregullash nëpër të cilën duhet të ecni plot kujdes. Ndoshta ju besoni se Perëndia sundon në qiejt e Tij, se Ai flet nëpërmjet profetëve të Tij dhe e do motrën tuaj, por fshehtas pyesni veten se a ju do ju.3 Ndoshta ju e keni ndier shufrën e hekurit në dorën tuaj, por nuk e keni ndier ende dashurinë e Shpëtimtarit tuaj tek e cila ju çon ajo.4
Besoj se njihni njerëz të tillë sepse për një kohë të gjatë, unë isha i tillë, kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave.
Mendoja se jeta ime kishte të bënte me ndjekjen e rregullave dhe arritjen e standardeve abstrakte. E dija se Perëndia ju donte ju në mënyrë të përkryer, por nuk e ndieja atë vetë. Druaj se mendoja më shumë se si të shkoja në parajsë sesa të isha me Atin tim Qiellor.
Nëse ju, sikurse unë, nganjëherë thjesht mund të lëvizim buzët, por jo ta “këndo[jmë] këngën e dashurisë shëlbuese”5, çfarë mund të bëjmë?
Përgjigjja, siç na e kujton Presidenti Rasëll M. Nelson, është gjithmonë Jezusi.6 Dhe ky është një lajm shumë i mirë.
Zot, Donim të Shihnim Jezusin
Është një varg i shkurtër te Gjoni që më pëlqen shumë. Ai flet për një grup të ardhurish që çanë rrugën për te një dishepull me një kërkesë të rëndësishme. “Zot”, thanë ata, “duam të shohim Jezusin.”7
Kjo është ajo që e duam ne të gjithë – ne duam ta shohim Jezusin për atë që Ai është dhe të ndiejmë dashurinë e Tij. Kjo duhet të jetë arsyeja për pjesën më të madhe të asaj që bëjmë në Kishë dhe sigurisht për secilën mbledhje sakramenti. Nëse e pyetni veten ndonjëherë se çfarë mësimi të jepni, çfarë lloj mbledhjeje të planifikoni dhe nëse thjesht të hiqni dorë apo jo nga planifikimi i një aktiviteti shpirtëror për dhjakët apo të luani me ta futboll, mund ta merrni këtë pyetje si udhërrëfyesin tuaj: A do t’i ndihmojë kjo njerëzit ta shohin e ta duan Jezu Krishtin? Nëse jo, ndoshta provoni diçka tjetër.
Kur e kuptova se kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave, se i shihja rregullat, por jo fytyrën e mëshirës së Atit, unë e dija se nuk ishte faji i Kishës. Nuk ishte faji i Perëndisë dhe kjo nuk nënkuptonte se gjithçka kishte humbur; kjo është diçka që ne të gjithëve na duhet ta mësojmë. Edhe dëshmitarët e hershëm të Ringjalljes shpesh u ndeshën ballë për ballë me Zotin e ringjallur, por nuk e njohën Atë; që nga Varri në Kopsht e deri në brigjet e Galilesë, ndjekësit e Tij të parë e “pa[në] Jezusin, që qëndronte në këmbë; por [ata] nuk e din[in] se ishte Jezusi”8. Ata duhej të mësonin se si ta njihnin Atë, dhe po ashtu duhet ta mësojmë edhe ne.9
Dashuria Hyjnore
Kur e kuptova që kisha mosnjohje shpirtërore të fytyrave, fillova të ndiqja këshillën e Mormonit që të lutesha “me gjithë fuqinë e zemrës” për t’u mbushur me dashurinë e premtuar dishepujve të Tij – me dashurinë time për Të dhe me dashurinë e Tij për mua – dhe, për ta “[parë] atë ashtu sikurse është; … [dhe] të k[isha] këtë shpresë”10. U luta për vite që të isha në gjendje të zbatoja urdhërimin e parë të madh për ta dashur Perëndinë dhe për të ndier atë “[të] vërtet[ë] [të] parë [të] madhe … se Perëndia na do ne … me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij”11.
Ungjijtë
Gjithashtu i lexova dhe i rilexova dhe i rilexova katër Ungjijtë – këtë herë jo duke lexuar që të nxjerr rregulla, por për të parë se cili është Ai dhe se për çfarë ka dashuri Ai. Dhe, me kalimin e kohës, u rrëmbeva nga lumi i dashurisë që buronte prej Tij.
Jezusi lajmëroi që në fillim se Ai kishte ardhur “për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve”12.
Kjo nuk ishte thjesht një listë me gjëra për t’i bërë ose për famë të mirë; ajo është forma e dashurisë së Tij.
Hapini Ungjijtë në mënyrë rastësore. Në pothuajse çdo faqe e shohim Atë duke u kujdesur për njerëzit që vuajnë shoqërisht, shpirtërisht dhe fizikisht. Ai i prek njerëzit që konsiderohen të ndotur e të papastër13 dhe ushqen të uriturit14.
Cila është historia juaj e parapëlqyer e Jezusit? Mendoj se ajo që tregon Birin e Perëndisë duke u zgjatur që të përqafojë ose t’i japë shpresë dikujt që rri mënjanë – lebrosit15, samaritanit të urryer16, mëkatarit të kapur duke shkelur17 ose armikut të kombit18. Ai lloj hiri është i mrekullueshëm.
Përpiquni që të mbani shënim sa herë që Ai përgëzon, shëron ose ha me një të huaj dhe juve do t’ju shterojë boja e shkrimit përpara se të mbaroni librin e Llukës.
Teksa e pashë këtë, zemra më hovi fort nga mirënjohja e thellë dhe fillova të ndieja se Ai mund të më donte. Siç dha mësim Presidenti Nelson: “Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme”19. Dhe aq më shumë do ta mirëbesoni dhe do ta doni Atin tuaj Qiellor.
Plaku Xhefri R. Holland na ka mësuar se Jezusi erdhi të na tregonte “se cili është Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, dhe se si është Ai, se sa tërësisht i përkushtuar është Ai ndaj fëmijëve të Tij në çdo epokë dhe komb”20.
Pali thotë se Perëndia është “Ati i të [gjithë] mëshir[a]ve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi”21.
Nëse e shihni ndryshe Atë, ju lutemi, vazhdoni të përpiqeni.
Besëlidhjet dhe Përqafimi i Perëndisë
Profetët na ftojnë të kërkojmë fytyrën e Tij.22 Këtë e konsideroj si kujtues që ne adhurojmë Atin tonë, jo një formulë, dhe që ne nuk e kemi mbaruar detyrën derisa ta shohim Jezusin si fytyrën e dashurisë së Atit tonë23 dhe ta ndjekim Atë, jo thjesht rregullat e Tij24.
Kur profetët dhe apostujt flasin për besëlidhjet, ata nuk janë si trajnerë që bërtasin ulur në rehati nga stoli, duke na thënë “përpiquni më shumë!” Ata duan që ne të shohim se besëlidhjet tona kanë të bëjnë në mënyrë thelbësore me marrëdhëniet25 dhe mund të jenë një kurë për mosnjohjen shpirtërore të fytyrave26. Ato nuk janë rregulla për ta fituar dashurinë e Tij; Ai tashmë ju do në mënyrë të përsosur. Sfida jonë është ta kuptojmë atë dashuri dhe t’i japim formë jetës sipas asaj dashurie.27
Ne përpiqemi të shohim nëpërmjet besëlidhjeve tona, sikur të ishte përmes një dritareje, fytyrën e mëshirës së Atit që ndodhet pas saj.
Besëlidhjet janë forma e përqafimit të Perëndisë.
Lumi i Dashurisë së Perëndisë
Së fundi, ne mund të mësojmë ta shohim Atë duke i shërbyer Atij. “Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer?”28
Disa vjet më parë, mora një thirrje për të cilën nuk ndihesha në nivelin e duhur. U zgjova herët, nervoz, por me një frazë në mendje që nuk e kisha dëgjuar më parë: se të shërbesh në këtë Kishë do të thotë të qëndrosh brenda në lumin e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Kjo Kishë është një grup pune njerëzit me kazma e lopata duke u përpjekur të ndihmojnë për të pastruar kanalin, që lumi i dashurisë së Perëndisë të arrijë te fëmijët e Tij deri në fund të rrjedhës.
Cilëtdo qofshi, cilado qoftë e shkuara juaj, ka vend për ju në këtë Kishë.29
Rrëmbeni një kazmë e një lopatë dhe bashkohuni me skuadrën. Ndihmoni ta përçoni dashurinë e Tij te fëmijët e Tij dhe një pjesë e saj do të spërkatet mbi ju.30
Le të kërkojmë fytyrën e Tij të dashur, përqafimin e Tij besëlidhës dhe më pas të bashkohemi krah për krah me fëmijët e Tij dhe së bashku të këndojmë himnin “Shëlbues i Izraelit”:
T’fytyrës Tënde drit’,
Shpëtimtar, më kthe;
Ngush’llim që shpirtin g’zon, më jep;
E ëmbël dëshir’
Për vendin Tënd të shenjt’,
Zemrës s’vetmuar i sjellt’ shpres’.31
Kërkofshim fytyrën e Tij të dashur dhe më pas qofshim enët e mëshirës së Tij ndaj fëmijëve të Tij!32 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.