Jini Pasues Paqësorë të Krishtit
Dëshmoj se “pasues[it] paqësorë të Krishtit” do të gjejnë paqe vetjake në këtë jetë dhe një ribashkim të lavdishëm qiellor.
Ne jetojmë në një kohë kur “pasuesit paqësorë të Krishtit”1 përjetojnë sfida të pashoqe. Ata që besojnë te Jezu Krishti, e adhurojnë Atë përulësisht dhe dëshmojnë për Të, gjithmonë kanë përjetuar sprova, mundime dhe fatkeqësi.2 Bashkëshortja ime, Meri, dhe unë nuk jemi ndryshe. Në vitet e fundit, kemi parë shumë prej miqve tanë të ngushtë të shkollës së mesme, shokë tanë misionarë, disa prej bashkëshorteve të tyre dhe kolegë të mëparshëm të punës të ndërrojnë jetë ose, siç e ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson, të diplomohen për anën tjetër të velit. Kemi parë disa që u rritën në mjedis besimi, të largohen nga shtegu i besëlidhjeve.
Trishtueshëm, ne humbëm një nip në moshën 23‑vjeçare, i cili vdiq në një aksident tragjik automobilistik. Disa miq, pjesëtarë të familjes dhe kolegë të dashur gjithashtu kanë duruar sfida të konsiderueshme shëndetësore.
Kurdoherë që ndodhin sprova, ne vajtojmë dhe përpiqemi të mbajmë barrët e njëri-tjetrit.3 Ne dëshpërohemi për gjërat që nuk do të kryhen dhe këngët që nuk do të këndohen.4 Gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të mirë në këtë rrugëtim në vdekshmëri. Zjarret shkatërruese në Maui të Havait, në Kilin jugor dhe në Kanada janë shembuj të ngjarjeve të tmerrshme me të cilat nganjëherë përballen njerëzit e mirë.
Ne lexojmë te Perla me Vlerë të Madhe se Zoti i zbuloi Abrahamit natyrën e përjetshme të shpirtrave. Abrahami mësoi për jetën paratokësore, parashugurimin, Krijimin, zgjedhjen e një Shëlbuesi dhe këtë jetë në vdekshmëri, që është gjendja e dytë e njeriut.5 Shëlbuesi shpalli:
“Ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta të mund të banojnë;
Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë.”6
Tani, ne të gjithë jemi këtu në gjendjen e dytë të rrugëtimit tonë të përparimit drejt një mbretërie lavdie si pjesë e planit të madhërishëm të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ne bekohemi me lirinë e zgjedhjes dhe u nënshtrohemi sprovave të vdekshmërisë. Kjo është koha që na është dhënë për t’u përgatitur që të takohemi me Perëndinë.7 Jemi të bekuar që dimë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij në plan. Ne kemi privilegjin që të bëhemi anëtarë të Kishës së Tij të rivendosur, Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Si pasues paqësorë të Krishtit, ne përpiqemi fort që të vëmë në jetë urdhërimet e Tij. Nuk ka qenë kurrë e lehtë për ndjekësit e Tij. As nuk ishte e lehtë për Shpëtimtarin që ta përmbushte besnikërisht misionin e Tij në vdekshmëri.
Shkrimet e shenjta janë të qarta që shumë njerëz do t’i dorëzohen një qasjeje “hani, pini dhe dëfrehuni, pasi nesër ne vdesim”8. Mosbesues të tjerë tërhiqen për strehim në territore të zymta me pjesëmarrës që mendojnë si ata, të cilët përkrahin “shpikjen e re”9 të radhës dhe filozofitë e njerëzve.10 Ata nuk dinë se ku ta gjejnë të vërtetën.11
Pasuesit paqësorë të Krishtit nuk ndjekin asnjë prej këtyre shtigjeve. Ne jemi anëtarë plot ngrohtësi, të përfshirë në komunitetet ku jetojmë. Ne i duam, u tregojmë dhe i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë që të ndjekin mësimet e Krishtit.12 Ne ndjekim këshillën e profetit tonë të dashur, Presidentit Nelson; ne zgjedhim rolin e “një paqebërësi, tani dhe përgjithmonë”13. Kjo qasje e frymëzuar përputhet si me drejtimin e shkrimeve të shenjta ashtu edhe me drejtimin profetik.
Në vitin 1829, Kisha e rivendosur nuk ishte organizuar ende, as nuk ishte botuar Libri i Mormonit. Një grup i vogël njerëzish që po hasnin vështirësi, të nxitur nga Shpirti i Perëndisë, e ndoqën Profetin Jozef Smith. Zoti i zbuloi Jozefit këshillë për kohët e vështira: “Mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë”14. Ai gjithashtu i këshilloi ata:
“Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.
Jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit.”15
Qartas, fati ynë qiellor nuk ndryshohet kur vuajmë fatkeqësi. Te Letra drejtuar Hebrenjve na jepet këshilla që t’i “afrohemi me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje”16. Jezu Krishti është “vepronjësi i shpëtimit të amshuar”17.
Më pëlqejnë shumë fjalët e Mormonit, të cituara nga biri i tij, Moroni, që i lavdërojnë “pasues[it] paqebërës të Krishtit … për shkak të sjelljes [së tyre] paqësore me fëmijët e njerëzve”18.
Për ata prej nesh në Kishë që po përpiqen fort të jenë “pasues paqësorë të Krishtit”, një ditë më e shndritshme na pret teksa përqendrohemi te Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Sprovat janë pjesë e vdekshmërisë dhe ndodhin në jetën e çdo njeriu anembanë botës. Kjo përfshin konflikte të mëdha midis shteteve dhe individëve.
Udhëheqësve të Kishës shpesh u bëjnë pyetjen: “Përse një Perëndi i drejtë lejon që gjëra të këqija t’u ndodhin, sidomos njerëzve të mirë?” dhe “ Përse ata që janë të drejtë dhe në shërbim të Zotit, nuk janë të mbrojtur nga tragjedi të tilla?”
Nuk i dimë të gjitha përgjigjet; gjithsesi, dimë parime të rëndësishme që na lejojnë të përballemi me sprovat, mundimin dhe fatkeqësitë me besim e vetëbesim në një të ardhme të shndritshme që e pret secilin prej nesh. Asnjë shembull më i mirë nuk ekziston në shkrimin e shenjtë për sa i përket kalimit përmes mundimit sesa fjala e Zotit drejtuar Jozef Smithit, Profetit, ndërkohë që ishte i burgosur në burgun e Libertisë.
Zoti pjesërisht shpalli:
“Në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.
Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?
… Mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”19
Është e qartë që ne kemi një Atë në Qiell, i cili na njeh e na do personalisht dhe e kupton vuajtjen tonë në mënyrë të përsosur. Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti M. Rasëll Ballard e kanë theksuar të dy fuqishëm rëndësinë e botimit të dytë, të ri të manualit Predikoni Ungjillin Tim.20 Jam po aq entuziast sa ata. Ky botim i ri, duke përforcuar shkrimin e shenjtë, fuqishëm shpall:
“Në flijimin e Tij shlyes, Jezu Krishti mori mbi Vete dhembjet, mundimet dhe dobësitë tona. Për shkak të kësaj, Ai e di ‘sipas mishit se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre’ (Alma 7:12; shihni edhe vargun 11). Ai na fton: ‘Ejani tek unë’ dhe ndërsa e bëjmë, Ai na jep çlodhje, shpresë, forcë, perspektivë dhe shërim (Mateu 11:28; shihni edhe vargjet 29–30).
Ndërsa mbështetemi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, Ai mund të na ndihmojë t’i durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë, mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”21
Ne mund të jemi pasues paqësorë të Krishtit plot gëzim.
Plani i Atit tonë për lumturinë e fëmijëve të Tij, përfshin jo vetëm një jetë para lindjes dhe një jetë në vdekshmëri, por edhe një potencial për një jetë të përjetshme, duke përfshirë një ribashkim madhështor dhe të lavdishëm me njerëzit që i kemi humbur. Të gjitha gabimet do të korrigjohen dhe ne vërtet do të shohim me qartësi të përsosur dhe këndvështrim e kuptim të patëmetë.
Udhëheqësit e Kishës e kanë krahasuar këtë këndvështrim me dikë që hyn në mes të një drame me tre akte.22 Ata që nuk kanë njohuri për planin e Atit, nuk e kuptojnë atë që ndodhi në aktin e parë (ose ekzistencën para lindjes) dhe qëllimet e përcaktuara atje; as nuk kuptojnë sqarimin dhe zgjidhjen që vjen në aktin e tretë, që është përmbushja e lavdishme e planit të Atit.
Shumë njerëz nuk e vlerësojnë se, sipas planit të Tij të dashur dhe tërësor, ata që duken të pafavorizuar, pa ndonjë faj të vetin, në fund të fundit nuk ndikohen.23
Shkrimet e shenjta janë të qarta: pasuesit paqësorë të Krishtit që janë të drejtë, e ndjekin Shpëtimtarin dhe i mbajnë urdhërimet e Tij, do të bekohen. Njëri nga shkrimet e shenjta më të rëndësishme për ata që janë të drejtë, pavarësisht nga gjendja e tyre në jetë, është pjesë e fjalimit të mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij. Ai premton se ata që i zbatojnë urdhërimet me besnikëri, bekohen në të gjitha gjërat në këtë jetë dhe “janë marrë në qiell … [dhe] jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund”24.
E kuptojmë që pothuajse të gjithë ne kemi përjetuar stuhi fizike dhe shpirtërore në jetën tonë, disa prej tyre shkatërrimtare. Një Atë i dashur në Qiell dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, i cili është kreu i Kishës së Tij të rivendosur, na kanë dhënë shkrime të shenjta dhe profetë që të na përgatitin, të na paralajmërojnë rreth rreziqeve dhe të na japin udhërrëfim për të na përgatitur e mbrojtur. Disa udhëzime kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe disa japin mbrojtje për shumë vjet në të ardhmen. Parathënia e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje, seksioni 1, na këshillon që t’ua “vë[m]ë veshin fjalëve të profetëve”25.
Seksioni 1 gjithashtu na paralajmëron: “Përgatituni ju, përgatituni ju për atë që do të vijë”26. Zoti i siguron popullit të Tij një mundësi që të përgatitet për sfidat me të cilat do të përballet.
Zoti i dha një zbulesë të fuqishme Presidentit Brigam Jang më 14 janar 1847, në Lagjet Dimërore.27 Kjo zbulesë është një shembull klasik i Zotit që po e përgatit popullin për atë që do të vijë. Shenjtorët besnikë e kishin filluar eksodin e tyre drejt strehimit mes maleve të Luginës së Solt-Lejkut. Ata kishin ndërtuar me sukses Tempullin e Navusë dhe kishin marrë ordinancat e shenjta shpëtuese. Ata ishin dëbuar me forcë nga Misuri dhe përndjekësit e tyre i kishin dëbuar nga Navuja në një stinë të tmerrshme dimri. Zbulesa e marrë nga Brigami, dha këshillë praktike për mënyrën se si të përgatiteshin për eksodin. Zoti vuri theks të posaçëm mbi kujdesin për të varfrit, të vejat, fëmijët pa etër dhe familjet e atyre që po shërbenin në Batalionin Mormon, ndërkohë që pjesa kryesore e shenjtorëve vazhdonte rrugëtimin e saj të rrezikshëm.
Përveç këshillës tjetër që të jetonin me drejtësi, Zoti theksoi dy parime të tjera që vazhdojnë të jenë të zbatueshme sot.
Së pari, Ai i nxiti që të “lavdëro[nin] Zotin me këngë, muzikë, vallëzim dhe me një lutje përlëvdimi dhe falënderimi”28.
Së dyti, Zoti i këshilloi që nëse ishin të “hidhëruar, [t’i] bë[nin] thirrje Zotit, Perëndisë [së tyre], me përgjërim, që shpirtrat [e tyre] të mund të gëzohe[shi]n”29.
Këto dy këshillime janë një këshillë e shkëlqyer për vetë kohën tonë. Jetët plot përlëvdim, muzikë dhe falënderim bekohen në mënyrë të pashoqe. Të qenit plot gëzim dhe mbështetja te ndihma qiellore nëpërmjet lutjes është një mënyrë e fuqishme për të qenë pasues paqësorë të Krishtit. Përpjekja fort që gjithmonë të jemi të gëzuar, na ndihmon të shmangim të qenit të ligështuar.
Vargu i fundit i një himni të mençur e përçon përgjigjen përfundimtare në një mënyrë të bukur: “Toka s’ka asnjë hidhërim që qielli s’mund ta shërojë”30.
Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë dëshmoj se “pasues[it] paqësorë të Krishtit” do të gjejnë paqe vetjake në këtë jetë dhe një ribashkim të lavdishëm qiellor. Jap një dëshmi të sigurt për hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit dhe realitetin e Shlyerjes së Tij. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.