Tiparet e Lumturisë
Të ndërtuarit mbi themelin e Jezu Krishtit është thelbësor për lumturinë tonë.
Ndërsa isha në avion për një udhëtim pune disa vite më parë, qëlloi të ulesha pranë një burri nga Holanda. Kisha shumë dëshirë të bisedoja me të duke qenë se kisha shërbyer në Belgjikë dhe në Holandë si misionar i ri në moshë.
Pasi u njohëm, ai më dha kartën e tij të biznesit me një titull profesioni unik si “profesor i lumturisë”. Bëra komente mbi profesionin e tij të mrekullueshëm dhe e pyeta se çfarë bënte një profesor i lumturisë. Ai tha se u jepte mësime njerëzve se si të kishin një jetë të lumtur duke krijuar marrëdhënie dhe synime kuptimplote. Unë u përgjigja: “Gjë e mrekullueshme, por po sikur të mund t’u jepnit mësim edhe se si ato marrëdhënie mund të vazhdojnë përtej varrit dhe t’u përgjigjeshit pyetjeve të tjera të shpirtit, të tilla si cili është qëllimi i jetës, si mund t’i mposhtim dobësitë tona dhe ku shkojmë pasi vdesim?” Ai e pranoi se do të ishte mrekulli nëse do t’i kishte përgjigjet për ato pyetje dhe pata kënaqësinë t’i thosha se ne i kemi ato.
Sot, do të doja të rishikoja disa parime thelbësore për lumturinë e vërtetë, që duket sikur shumë vetë nuk arrijnë t’i dallojnë në këtë botë pështjelluese, ku shumë gjëra janë interesante, por pak gjëra janë vërtet të rëndësishme.
Alma u dha mësim njerëzve në kohën e tij: “Pasi vini re, unë po ju them se shumë gjëra do të vijnë; dhe vini re, një prej këtyre gjërave ka rëndësi më të madhe – pasi vini re, nuk është e largët koha që Shëlbuesi do të jetojë dhe do të vijë mes popullit të tij”1.
Kjo deklaratë është njësoj e rëndësishme për ne sot, teksa presim dhe përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Krishtit!
Si rrjedhim, vëzhgimi im i parë është se të ndërtuarit mbi themelin e Jezu Krishtit është thelbësor për lumturinë tonë. Ky është një themel i sigurt, “një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”2. Bërja e kësaj na përgatit për sfidat e jetës, çfarëdo që të vijë.
Shumë vjet më parë, shkova në një kamp veror skautistësh me birin tonë Xhastinin. Teksa po zhvilloheshin veprimtaritë, i emocionuar ai shpalli se ai me miqtë e tij dëshironin të fitonin emblemën e meritës në gjuajtjen me hark. Bërja e kësaj kërkonte që djemtë të kalonin një testim të shkurtër me shkrim dhe të qëllonin një objektiv me shigjetat e tyre.
M’u drodh zemra. Në atë kohë, Xhastini ishte aq i brishtë për shkak të fibrozës cistike, një sëmundje me të cilën kishte luftuar që në lindje. Vrisja mendjen a mund ta tërhiqte harkun ai aq fort sa ta çonte shigjetën deri tek objektivi.
Teksa ai dhe miqtë e tij u nisën për te klasa e gjuajtjes me hark, u luta në heshtje që ai të mos mbetej i turpëruar nga përvoja. Pas disa orësh ankthi, e pashë të vinte drejt meje duke buzëqeshur fort. “Babi!” – thirri ai. “E mora emblemën e meritës! Qëllova mu në qendër; tek objektivi përbri timit, por qëllova mu në qendër.” Ai e kishte tërhequr harkun me gjithë forcën dhe e kishte lëshuar shigjetën në fluturim, pa mundur ta kontrollonte trajektoren e saj. Sa mirënjohës jam për atë mësues mirëkuptues të gjuajtjes me hark që nuk tha kurrë: “Më vjen keq, objektiv i gabuar!” Përkundrazi, pasi pa kufizimet e dukshme të Xhastinit dhe përpjekjen plot zell, ai u përgjigj me dashamirësi: “Të lumtë!”
Kështu do të jetë për ne nëse bëjmë më të mirën tonë për ta ndjekur Krishtin dhe profetët e Tij pavarësisht nga kufizimet tona. Nëse vijmë tek Ai duke i mbajtur besëlidhjet tona dhe duke u penduar për mëkatet tona, ne do të dëgjojmë gëzueshëm përgëzimin e Shpëtimtarit tonë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”3.
Ju jap dëshminë time për hyjninë e Shpëtimtarit të botës dhe për dashurinë e Tij shëlbuese dhe fuqinë për të na shëruar, forcuar dhe ngritur shpirtërisht kur përpiqemi me zell të vijmë tek Ai. Nga ana tjetër, nuk ka mundësi që ne të shkojmë me turmën dhe gjithashtu drejt Jezusit. Shpëtimtari e ka mposhtur vdekjen, sëmundjen dhe mëkatin dhe ka siguruar një mënyrë për përsosurinë tonë përfundimtare nëse do ta ndjekim Atë me gjithë zemrën tonë.4
Vëzhgimi im i dytë është se është vendimtare për lumturinë tonë që ne të kujtojmë se jemi bij e bija të një Ati të dashur Qiellor. Njohuria për këtë realitet dhe mirëbesimi në të ndryshojnë gjithçka.
Disa vjet më parë, në një fluturim me avion duke u kthyer në shtëpi nga një detyrë e Kishës, Motra Sebin dhe unë ishim ulur direkt pas një burri trupmadh që kishte një tatuazh të një fytyre të madhe të inatosur prapa kokës së tij të shogët, si edhe numrin 439.
Kur avioni u ul, unë i thashë: “Më falni, zotëri. A ju vjen keq nëse do t’ju pyesja për domethënien e numrit që keni bërë tatuazh prapa kokës suaj?” Nuk guxova që ta pyesja për fytyrën e inatosur.
Ai tha: “Jam unë. Ky jam unë. E zotëroj unë atë territor: 219!”
Katërqind e tridhjetë e nëntë ishte në fakt numri në kokën e tij, ndaj u habita që e kishte bërë gabim duke qenë se ishte aq e rëndësishme për të.
Mendova se sa gjë e trishtuar ishte që identiteti i këtij burri dhe vlerësimi i tij për veten bazohej te një numër që lidhej me një territor bande. Mendova me vete: “Ky burrë me pamje të forti dikur ishte djali i vogël i dikujt dhe ende kishte nevojë të ndihej i vlerësuar dhe të kishte përkatësi. Sikur vetëm ta dinte se cili ishte në të vërtetë dhe se kujt i përkiste vërtet, pasi të gjithë ne jemi ‘ble[r]ë me një çmim’5.”
Është një varg i mençur te kënga e filmit: Princi i Egjiptit, që thotë: “Shikoje jetën tënde përmes syve të qiellit”6. Teksa njohuria për prejardhjen tonë hyjnore dhe potencialin e përjetshëm zhytet thellë në shpirtin tonë, ne do të jemi të aftë ta shohim jetën si një aventurë plot qëllim e në shpalosje nga e cila mësojmë e rritemi, edhe kur “shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët”7, për një periudhë të shkurtër.
Tipari i tretë i lumturisë është që ta kujtojmë gjithmonë vlerën e një shpirti. Ne e bëjmë më së miri këtë duke ndjekur këshillën e Shpëtimtarit: “Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”8.
Ai dha mësim gjithashtu: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”9.
Libri Fjalët e Urta, na këshillon me mençuri: “Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh”10.
Ne nuk do të na vijë kurrë keq që jemi tepër dashamirës. Në sytë e Perëndisë, dashamirësia është sinonim i madhështisë. Pjesë e të qenit dashamirës është të qenit një njeri që fal dhe nuk gjykon.
Shumë vjet më parë familja jonë e re do të shkonte të shihte një film si veprimtari për mbrëmjen familjare të shtëpisë. Të gjithë kishim hipur në furgon përveç njërit prej bijve tanë dhe bashkëshortes sime, Valerisë. Ishte errësirë jashtë dhe teksa biri ynë hapi derën dhe vrapoi drejt makinës, ai i gjuajti me këmbë aksidentalisht asaj që ai mendoi se ishte macja jonë në verandë. Për fatin e keq të birit tonë dhe të bashkëshortes sime, që ishte pikërisht pas tij, nuk ishte macja jonë por një qelbës shumë i mërzitur, që ua bëri të ditur fare mirë! Të gjithë ne u kthyem në shtëpi, të dy ata bënë dush dhe i lanë flokët me lëng domateje, që supozohej të ishte trajtim i sigurt për të hequr erën e keqe të qelbësit. Derisa ata u pastruan dhe i ndërruan rrobat e tyre, ne të gjithë e hoqëm atë erë të keqe, ndaj vendosëm se ishim në rregull që më në fund të shkonim në kinema.
Sapo u ulëm nga pjesa fundore e kinemasë, një e nga një njerëzit përreth nesh papritur vendosën të dilnin për të blerë kokoshka. Megjithatë, kur u kthyen, asnjëri nuk erdhi që të ulej në ndenjësen e vet fillestare.
Kemi qeshur sa herë që e kemi kujtuar atë përvojë, por po sikur të gjitha mëkatet tona të mbanin erë të keqe? Po sikur të mund ta nuhatnim pandershmërinë, epshin, zilinë apo krenarinë? Me dobësitë tona të zbuluara, me shpresë do të ishim pak më të vëmendshëm e të kujdesshëm ndaj të tjerëve, po ashtu, edhe ata ndaj nesh, teksa bëjmë ndryshimet e nevojshme në jetën tonë. Më pëlqen vërtet era e duhanit në kishë, sepse tregon se dikush po përpiqet të ndryshojë. Ata kanë nevojë për krahët tanë mikpritës përreth tyre.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë me mençuri: “Një nga mënyrat më të thjeshta për ta dalluar një pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, është se sa me dhembshuri ai person i trajton njerëzit e tjerë”11.
Pali u shkroi efesianëve: “Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri‑tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin”12.
Si dishepuj të Jezu Krishtit, neve na kërkohet t’u mirëbesojmë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë dhe të mos përpiqemi që t’i zëvendësojmë Ata. Jezu Krishti i njeh papërsosuritë e gjithsecilit përsosurisht dhe do t’i gjykojë ata përsosurisht.
Tipari im i katërt i lumturisë është të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm. Plani i Atit tonë shtrihet nëpër përjetësitë; është e lehtë të përqendrohemi tek e këtushmja dhe e tanishmja dhe ta harrojmë të përtejshmen.
Këtë mësim e mora fuqishëm disa vite më parë nga bija jonë Xheniferi, në atë kohë 16 vjeçe. Kishte ardhur koha që ajo të bënte një transplant të dyfishtë të mushkërive, ku të pesë lobet e sëmura të mushkërive të saj do të hiqeshin plotësisht dhe do të zëvendësoheshin nga dy lobe më të vogla të shëndetshme, të dhuruara nga dy miq të mrekullueshëm me cilësi si të Krishtit. Ishte një procedurë me rrezik të lartë, megjithatë natën përpara ndërhyrjes, Xheniferi, e cila qe vetëm 41 kilogram, më foli me besim shumë të madh duke më thënë: “Mos u shqetëso babi! Nesër do të zgjohem me mushkëri të reja ose do të zgjohem në një vend më të mirë. Të dyja rastet do të jenë të shkëlqyera!” Ai është besim; ai është këndvështrim i përjetshëm! Ta shohësh jetën nga një pikë epërsie të përjetshme, na siguron qartësi, ngushëllim, kurajë dhe shpresë.
Pas operacionit, kur dita e shumëpritur erdhi për të hequr tubin e frymëmarrjes dhe për të fikur ventilatorin që po e ndihmonte Xheniferin të merrte frymë, ne pritëm plot ankth të shihnim a do të funksionin dy lobet e saj më të vogla. Kur ajo mori frymë për herë të parë, menjëherë filloi të qante. Duke e parë shqetësimin tonë, ajo shpejt na tha: “Sa mirë që është të marrësh frymë!”
Që nga ajo ditë, e kam falënderuar Atin Qiellor çdo mëngjes e çdo mbrëmje që jam në gjendje të marr frymë. Ne jemi të rrethuar nga bekime të panumërta që mund t’i marrim lehtësisht për të mirëqena nëse nuk jemi të vëmendshëm. Nga ana tjetër, kur nuk presim asgjë dhe vlerësojmë gjithçka, jeta bëhet magjike.
Presidenti Nelson ka thënë: “Çdo mëngjes i ri është një dhuratë nga Perëndia. Edhe ajri që thithim, është një hua e përzemërt prej Tij. Ai na ruan ditë pas dite dhe na përkrah nga çasti në çast. Si rrjedhim, vepra jonë e parë fisnike e mëngjesit duhet të jetë një lutje e përulur mirënjohjeje.”13
Kjo më sjell te vëzhgimi im i pestë dhe i fundit, që është se nuk do të jeni kurrë më të lumtur sesa jeni mirënjohës.
Zoti deklaroi: “Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm”14. Ndoshta kjo është ngaqë mirënjohja i jep jetë një morie virtytesh të tjera.
Si do të ndryshonte ndërgjegjësimi ynë nëse çdo mëngjes do të zgjoheshim vetëm me bekimet për të cilat ishim mirënjohës një natë përpara. Dështimi për t’i vlerësuar bekimet tona mund të rezultojë në një ndjesi moskënaqjeje, e cila mund të na i vjedhë gëzimin dhe lumturinë që sjell mirënjohja. Ata njerëz që ishin në ndërtesën e madhe dhe të gjerë, na joshin që të shohim përtej shenjës, si rrjedhim duke e lënë plotësisht jashtë fokusit shenjën.
Në të vërtetë, lumturia dhe bekimi më i madh i vdekshmërisë do të gjendet te njeriu që ne jemi bërë nëpërmjet hirit të Perëndisë, teksa i bëjmë dhe i mbajmë besëlidhjet e shenjta me Të. Shpëtimtari ynë do të na lëmojë dhe rafinojë nëpërmjet meritave të flijimit të Tij shlyes dhe për ata që e ndjekin Atë me zell, Ai ka thënë: “Ata do të jenë të mitë në atë ditë kur unë do të vij për të mbledhur xhevahirët e mi”15.
Unë ju premtoj se nëse e ndërtojmë jetën tonë mbi themelin e Jezu Krishtit; e vlerësojmë identitetin tonë të vërtetë si bij dhe bija të Perëndisë; kujtojmë vlerën e një shpirti; mbajmë një këndvështrim të përjetshëm dhe çmojmë plot mirënjohje bekimet tona të shumta, veçanërisht ftesën e Krishtit për të ardhur tek Ai, ne mund të gjejmë lumturinë e vërtetë që kërkojmë gjatë kësaj aventure në vdekshmëri. Jeta ende do të ketë sfidat e veta, por ne do të jemi të aftë ta përballojmë më mirë secilën prej tyre me një ndjesi qëllimi dhe paqeje për shkak të të vërtetave të përjetshme që i kuptojmë dhe në bazë të të cilave jetojmë.
Ju jap dëshminë time për realitetin e Perëndisë, Atit tonë të Dashur dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Unë dëshmoj gjithashtu për profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë. Çfarë bekimi është të marrim këshillë nga qielli nëpërmjet tyre! Siç ka shpallur qartësisht Shpëtimtari: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”16. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.