Dhënia e Dëshmisë për Jezu Krishtin me Fjalë dhe Veprime
Ndërkohë që përpiqemi fort ta jetojmë jetën tonë në harmoni me ungjillin e Jezu Krishtit, sjellja jonë do të jetë një dëshmi e gjallë për Shëlbuesin tonë.
Në pagëzim, një nga premtimet që bëjmë, është që jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Qëllimi im sot është që ne të kujtojmë se mund t’i tregojmë Perëndisë që e marrim mbi vete emrin e Birit të Tij, duke dhënë dëshmi me fjalë e vepra, sa më shpesh të mundemi, se Jezusi është Krishti.
Kur po u jepte shërbesë dhe mësim njerëzve në kontinentin amerikan pas Ringjalljes së Vet, Shpëtimtari shpalli:
“A nuk i kanë lexuar shkrimet e shenjta të cilat thonë që ju duhet të merrni mbi vete emrin e Krishtit, që është emri im? Pasi, me këtë emër, ju do të thirreni në ditën e fundit;
Dhe kushdo që merr mbi vete emrin tim dhe duron deri në fund, po ai do të shpëtohet në ditën e fundit.”1
Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar se “marrja mbi vete e emrit të Shpëtimtarit përfshin deklarimin dhe dëshmimin ndaj të tjerëve – me anë të veprimeve tona dhe fjalëve tona – se Jezusi është Krishti”2.
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kemi bekimin dhe privilegjin të qëndrojmë si dëshmitarë të Zotit dhe emrit të Tij kudo ku jemi.3 Ndërkohë që përpiqemi fort ta jetojmë jetën në harmoni me ungjillin e Jezu Krishtit, sjellja jonë do të jetë një dëshmi e gjallë për Shëlbuesin tonë dhe emrin e Tij. Për më tepër, ne dëshmojmë për Krishtin me fjalë duke u treguar të tjerëve atë që besojmë, ndiejmë ose dimë për Jezu Krishtin.
Kur e japim me përulësi dëshminë tonë për Zotin nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tona, Fryma e Shenjtë u pohon4 njerëzve me qëllim të vërtetë, me zemër të sinqertë dhe me mendje të gatshme se Jezusi është me të vërtetë Krishti5.
Do të doja të tregoja dy shembuj të kohëve të fundit dhe frymëzues të anëtarëve që i tregojnë Perëndisë se e marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit duke folur për Të dhe duke dhënë dëshmi të kulluar për Zotin në mbledhjet e Kishës.
Shembulli i parë: Kur unë dhe bashkëshortja ime, Ilejna, shkuam në Spanjë në vitin 2022, ne frekuentuam mbledhjet e së dielës në një njësi të vogël të Kishës atje. Ndërsa isha ulur në podium dhe bashkëshortja ime në bashkësi, vura re se ajo u ul pranë një gruaje më të madhe në moshë. Kur mbaroi mbledhja e sakramentit, shkova drejt Ilejnës dhe i kërkova të më njihte me shoqen e saj të re. Ajo e bëri këtë dhe tregoi se kjo grua, e cila nuk ishte anëtare e Kishës, kishte rreth dy vjet që e vizitonte Kishën. Kur e dëgjova këtë, e pyeta këtë grua që i druhej Perëndisë, se çfarë e shtynte të kthehej dhe të frekuentonte mbledhjet tona për një periudhë kaq të gjatë. Gruaja u përgjigj me përzemërsi: “Më pëlqen të vij këtu sepse ju flisni për Jezu Krishtin në mbledhjet tuaja”.
Është e qartë se anëtarët e Kishës në atë njësi në Spanjë flisnin, jepnin mësim dhe dëshmonin për Krishtin në mbledhjet e tyre.
Shembulli i dytë: Pasi shërbeva në Zonën e Brazilit, mora një detyrë të re për të shërbyer në zyrat qendrore të Kishës. Kur u shpërngulëm në Solt-Lejk-Siti, në fund të korrikut të këtij viti, frekuentuam mbledhjet e së dielës në lagjen tonë të re dhe të mrekullueshme. Njëra nga këto mbledhje ishte mbledhje agjërimi dhe dëshmish. Pasi morën me nderim sakramentin, anëtarët u ngritën dhe dhanë njëri pas tjetrit dëshmi të përzemërta për Shpëtimtarin. Mbledhja u përqendrua te Jezu Krishti dhe mund ta ndienim dukshëm Shpirtin. U lartësuam shpirtërisht dhe besimi ynë u forcua. Nëse miq të Kishës, që kërkojnë sinqerisht të vërtetën, do të kishin qenë në atë mbledhje, ata do ta kishin dalluar se kjo është Kisha e Jezu Krishtit.
Çfarë bekimi të shohim se mbledhjet tona të Kishës janë mundësi të shkëlqyera për ne për të dëshmuar për Krishtin dhe për t’i sinjalizuar Perëndisë se gëzohemi duke marrë mbi vete emrin e Birit të Tij!
Tani, më lejoni të përmend një shembull të fuqishëm të marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit duke dhënë dëshmi për Të nëpërmjet veprimeve.
Gushtin e kaluar, shoqërova Plakun Xhonathan S. Shmit te shtëpia e hapur për Tempullin e Fedhër‑Riverit të Kalifornisë në Juba-Siti. Atje pata bekimin t’i udhëhiqja grupet për një vizitë në tempull. Një nga këto grupe përfshinte një anëtar të Kishës, Virgjil Atkinsonin, dhe shtatë miq të besimeve të tjera. Nga fundi i vizitës, në një dhomë vulosjeje në tempull, vëllai Atkinson ishte i emocionuar ndërsa shprehte dashurinë e tij për miqtë e vet që kishin ardhur në tempull atë ditë. Pothuajse menjëherë pasi e kishte bërë këtë, një grua në grup u ngrit në këmbë dhe tha: “Të gjithë e duam Virgjilin. Asnjëherë nuk na e ka imponuar besimin e tij. Por as nuk është i ndrojtur për atë. Ai thjesht e jeton atë që beson.”
Me kalimin e viteve, të jetuarit e vëllait Atkinson si Krishti shërbeu si një dëshmi e fuqishme për miqtë e tij. Shembulli i tij është provë e fuqishme që ai e ka marrë mbi vete emrin e Krishtit.
Në përfundim, më lejoni të tregoj mësimin që mora rreth mënyrës se si ta marrim mbi vete emrin e Krishtit dhe të dëshmojmë për Të duke përdorur emrin e saktë të Kishës.
Presidenti Nelson, profeti i gjallë i Perëndisë, në një fjalim të konferencës së përgjithshme të vitit 2018, të titulluar “Emri i Saktë i Kishës”, tha: “Është një korrigjim. Është urdhri i Zotit. Jozef Smithi nuk ia vuri vetë emrin Kishës së rivendosur; as Mormoni nuk e bëri këtë. Ishte Vetë Shpëtimtari që tha: ‘Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’ [Doktrina e Besëlidhje 115:4].”6
Të gjithë u larguam nga konferenca e përgjithshme atë ditë të zotuar e të vendosur për të ndjekur profetin dhe për të përdorur emrin e zbuluar të Kishës që andej e tutje. Vërtet u tregova i kujdesshëm për t’u siguruar që të përdorja emrin e saktë të Kishës. Herët e para m’u desh të isha shumë i vetëdijshëm dhe të mos e lejoja veten t’u kthehesha shprehive të vjetra. Pas përpjekjeve të para, u ndjeva më rehat me përdorimin e emrit të zbuluar të Kishës. E pranoj se shumë herë do ta thosha shpejt emrin e Kishës. Shqetësohesha se njerëzit nuk do t’i kushtonin vëmendje emrit të plotë të Kishës dhe se mund të mendonin se ishte pak i gjatë.
Megjithatë, më vonë kuptova se përdorimi i emrit të plotë të Kishës me qëllim, më dha mundësi të vlefshme për të thënë emrin e Jezu Krishtit dhe në fakt të jepja dëshmi për Shpëtimtarin duke e deklaruar emrin e Tij në emrin e Kishës së Tij. Vura re gjithashtu se kur ua thosha të tjerëve emrin e saktë të Kishës, e kujtoja më shpesh Jezu Krishtin dhe ndieja ndikimin e Tij në jetën time.
Duke ndjekur profetin, të gjithë mund të mësojmë të dëshmojmë më shumë për Jezu Krishtin, duke përdorur emrin e saktë të Kishës, duke marrë kështu mbi vete më plotësisht emrin e Zotit.
Këtë mëngjes Shabati, dëshmoj me gëzim se Presidenti Nelson është profeti i gjallë i Perëndisë dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e rivendosur e Krishtit. Përulësisht dëshmoj për Birin e Perëndisë dhe hyjninë e Tij. Ai është Biri i Parëlindur dhe i Vetëmlindur i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Emanueli.7 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.