Konferenca e Përgjithshme
Jezu Krishti Është Thesari
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


12:24

Jezu Krishti Është Thesari

Përqendrohuni te Jezu Krishti. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, “shenja” drejt së cilës duhet të shohim, dhe thesari ynë më i madh.

Në vitin 1907, një anglez i kamur me emrin Xhorxh Hërbërt, konti i pestë i Karnarvonit1, u shpërngul në Egjipt dhe zhvilloi një interes për arkeologjinë. Atij iu afrua një egjiptolog i mirënjohur, Hauard Karteri dhe i propozoi një ortakëri. Karteri do të mbikëqyrte gërmimet e tyre arkeologjike dhe Karnarvoni do të siguronte financimin.

Së bashku, ata eksploruan me sukses një larmi vendndodhjesh. Më pas, ata morën leje për të gërmuar në Luginën e Mbretërve, që gjendet afër Laksorit të sotëm, ku janë gjetur varre të shumë faraonëve. Ata vendosën të kërkonin varrin e mbretit Tutankamon. Tutankamoni qe ngjitur në fronin e Egjiptit më shumë se 3 000 vjet më parë dhe pati mbretëruar për 10 vjet përpara vdekjes së tij të papritur.2 Flitej që ishte varrosur në Luginën e Mbretërve3, por vendndodhja e varrit të tij nuk dihej.

Karteri dhe Karnarvoni shpenzuan pesë vjet pa sukses duke kërkuar varrin e Tutankamonit. Si përfundim, Karnarvoni e informoi Karterin se ai e kishte mbyllur me kërkimin e pafryt. Karteri iu lut edhe për një cikël tjetër gërmimesh dhe Karnarvoni u bind dhe pranoi të financonte.

Karteri e kuptoi se i gjithë shtrati i Luginës së Mbretërve ishte gërmuar në mënyrë metodike, përveç zonës së kampit të bazës së tyre. Brenda pak ditësh gërmimesh atje, ata zbuluan shkallëzat e para që të çonin poshtë te një varr.4

Kur Karteri më në fund vështroi paradhomën e varrit të Tutankamonit, ai pa ar kudo. Pasi kaluan tre muaj duke hedhur në katalog përmbajtjen e paradhomës, ata hapën dhomën e vulosur të varrimit në shkurt të vitit 1923, 100 vjet më parë. Kjo ishte gjetja më e famshme arkeologjike e shekullit të 20‑të.

Gjatë atyre viteve kërkimi të paefektshëm, Karteri dhe Karnarvoni nuk i kushtuan vëmendje asaj që ndodhej pikërisht nën këmbët e tyre. Diku rreth pesë shekuj përpara lindjes së Shpëtimtarit, profeti Jakob i Librit të Mormonit, iu referua marrjes si të mirëqenë ose nënvlerësimit të asaj që e kemi afër, si “[të shohësh] përtej shenjës”. Jakobi profetizoi se njerëzit në Jerusalem nuk do ta njihnin Mesian e premtuar kur Ai të vinte. Jakobi profetizoi se ata do të ishin një “popull … [i cili]; përçmon[te] fjalët e qartësisë … dhe [ata do të] kërk[onin] gjëra që ata nuk mund t’i kuptonin. Prandaj, për shkak të verbërisë së tyre, verbëri e cila [do të vinte] duke parë përtej shenjës, ata duhet të bi[nin].”5 Me fjalë të tjera, ata do të pengoheshin.

Predikimi i Jakobit doli se ishte i saktë. Gjatë shërbesës në vdekshmëri të Jezusit, shumë veta panë përtej shenjës, përtej Tij. Ata nuk i kushtuan vëmendje Shpëtimtarit të botës. Në vend që ta kuptonin rolin e Tij për përmbushjen e planit të Atit Qiellor, ata e dënuan dhe e kryqëzuan Atë. Ata kërkonin dhe prisnin që dikush tjetër t’u sillte shpëtimin.

Ashtu si ai popull në Jerusalem dhe si Karteri e Karnarvoni, edhe ne mund të kemi prirjen të shohim përtej shenjës. Duhet ta frenojmë këtë prirje që të mos e humbasim Jezu Krishtin nga jeta jonë dhe të mos të arrijmë të dallojmë bekimet e shumta që Ai na ofron. Ne kemi nevojë për Të. Neve na këshillojnë të mbështetemi “tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”6.

Ai është shenja jonë. Nëse përfytyrojmë gabimisht se na nevojitet diçka përtej asaj që Ai ofron, ne e mohojmë ose e zhvlerësojmë shtrirjen dhe fuqinë që Ai mund të ketë në jetën tonë. Ai i kërkoi të drejtat e mëshirës dhe na e ofron atë mëshirë.7 Ai është “burim[i] [i vetëm të cilit duhet] t’i drejtohe[mi] për heqjen e mëkateve [tona]”8. Ai është Avokati ynë me Atin dhe mbron atë që Ati ka dashur ngaherë, që ne të kthehemi tek Ai si trashëgimtarë në mbretërinë e Tij. Ne, me fjalët e profetit Alma, kemi nevojë të “h[edhim] sytë dhe [të] fillo[jmë] të beso[jmë] në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihet përsëri nga të vdekurit, që do të shkaktojë ringjalljen”9. Jezu Krishti është thesari ynë.

Shpëtimtari na ka dhënë shumë mënyra për t’u përqendruar tek Ai me dashje, duke përfshirë mundësinë e përditshme për t’u penduar. Nganjëherë, ne e nënvlerësojmë madhështinë e këtij bekimi të ofruar. Kur isha tetë vjeç, u pagëzova nga im atë. Pas kësaj, e kapa përdore kur do të kalonim një rrugë të ngarkuar nga trafiku. Nuk e kisha shumë mendjen dhe e ula këmbën nga buza e trotuarit pikërisht ndërkohë që po kalonte një kamion i madh buçitës. Im atë më tërhoqi prapa, nga rruga përsëri mbi buzën e trotuarit. Nëse nuk do ta kishte bërë këtë, ai kamion do të më kishte përplasur. Duke e njohur natyrën time mistrece mendova: “Ndoshta do të kishte qenë më mirë që të më kishte përplasur ai kamion sepse nuk do të jem kurrë kaq i pastër sa tani pikërisht pas pagëzimit tim”.

Si një tetëvjeçar, kisha hamendësuar gabim se uji i pagëzimit i pastronte mëkatet një herë e mirë. Nuk është kështu. Gjatë viteve pas pagëzimit tim, kam mësuar se mëkatet pastrohen me anë të fuqisë së Jezu Krishtit, nëpërmjet flijimit të Tij shlyes teksa e bëjmë dhe e mbajmë besëlidhjen e pagëzimit.10 Më pas, nëpërmjet dhuratës së pendimit, ne mund të mbetemi të pastër. Kam mësuar gjithashtu se sakramenti sjell një cikël virtytesh të fuqishme në jetën tonë, duke na mundësuar që ta ruajmë gjendjen e heqjes së mëkateve tona.11

Ashtu si thesari që ishte nën këmbët e Karterit dhe Karnarvonit, bekimet e çmuara të sakramentit janë në dispozicion për ne sa herë që e frekuentojmë mbledhjen e sakramentit. Na premtohet se Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm nëse do t’i qasemi sakramentit ashtu si një i sapokthyer në besim i qaset pagëzimit dhe konfirmimit, me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar dhe me një vendosmëri për të jetuar sipas asaj besëlidhjeje të pagëzimit. Fryma e Shenjtë na bekon me fuqinë e Tij shenjtëruese që ne të mund ta ruajmë gjithmonë gjendjen e heqjes së mëkateve tona, javë pas jave.12

Themeli ynë shpirtëror forcohet nëpërmjet pendimit dhe përgatitjes në mënyrë të ndërgjegjshme për marrjen me denjësi të sakramentit. Vetëm me një themel të fuqishëm shpirtëror mund ta përballojmë shiun, erën dhe përmbytjet metaforike me të cilat përballemi në jetën tonë.13 Anasjellas, themeli ynë shpirtëror dobësohet kur e anashkalojmë me dashje mbledhjen e sakramentit ose kur nuk përqendrohemi te Shpëtimtari gjatë sakramentit. Në mënyrë të paqëllimshme mund të “largohe[m]i nga Shpirti i Zotit, që ai të mos ketë më vend në [ne] për [të na] udhëhequr në udhët e urtësisë, që [ne] të mund të je[m]i të bekuar, të begatuar dhe të ruajtur”14.

Kur e kemi Frymën e Shenjtë me vete, ne do të frymëzohemi dhe udhërrëfehemi që të bëjmë e të mbajmë besëlidhje të tjera, të tilla si ato që bëjmë në tempuj. Bërja e kësaj e thellon marrëdhënien tonë me Perëndinë.15 Mund ta keni vënë re se shumë tempuj të rinj janë lajmëruar vitet e fundit, duke i sjellë tempujt gjithnjë e më afër anëtarëve.16 Në mënyrë paradoksale, ndërsa tempujt bëhen më të arritshëm, mund të jetë më e lehtë që ne të bëhemi më të shkujdesur ndaj frekuentimit të tempullit. Kur tempujt janë larg, ne planifikojmë kohën dhe burimet tona për të udhëtuar në tempull që të adhurojmë atje. Ne u japim përparësi këtyre udhëtimeve.

Me një tempull afër nesh, mund të jetë e lehtë t’i lëmë gjërat e vogla të na e pengojnë frekuentimin, duke i thënë vetes: “Thjesht, do shkoj një herë tjetër”. Të jetosh afër një tempulli sjell vërtet një elasticitet më të madh në planifikimin e kohës për në tempull, por vetë ai elasticitet mund ta na e bëjë më të kollajtë që ta marrim tempullin për të mirëqenë. Kur e bëjmë këtë, ne “e humbasim nga sytë shenjën” duke e nënvlerësuar mundësinë për të ardhur më pranë Shpëtimtarit në shtëpinë e Tij të shenjtë. Zotimi ynë për të frekuentuar duhet të jetë të paktën po aq i fortë kur tempullin e kemi afër, sa është kur e kemi larg.

Pasi Karteri dhe Karnarvoni gërmuan diku tjetër në Luginën e Mbretërve, duke kërkuar varrin e Tutankamonit, ata e kuptuan mungesën e tyre të vëmendjes. Nuk kemi pse të punojmë në mënyrë të pasuksesshme, siç bënë ata për një periudhë, që ta gjejmë thesarin tonë. As nuk kemi përse të kërkojmë këshilla nga burime të panjohura, duke vlerësuar risinë e burimit dhe duke menduar se një këshillë e tillë do të jetë më e ndritur se ajo që mund të marrim nga një profet i përulur i Perëndisë.

Siç shënohet te Dhiata e Vjetër, kur Naamani kërkoi një kurë për lebrën e tij, ai u zemërua kur iu kërkua që të zhytej shtatë herë në një lumë të zakonshëm aty afër. Por atë e bindën që të ndiqte këshillën e profetit Eliseu në vend që të mbështetej te konceptet e tij të paraformuara të mënyrës se si duhet të ndodhte mrekullia. Si rrjedhim, Naamani u shërua.17 Kur i mirëbesojmë profetit të Perëndisë në tokë sot dhe veprojmë sipas këshillës së tij, ne do të gjejmë lumturi dhe ne gjithashtu mund të shërohemi. Nuk ka përse të shohim më tej.

Vëllezër e motra, ju inkurajoj që ta kujtoni dhe gjithmonë të përqendroheni te Jezu Krishti. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, “shenja” drejt së cilës duhet të shohim, dhe thesari ynë më i madh. Kur vini tek Ai, ju do të shpërbleheni me forcë për t’u përballur me sfidat e jetës, guxim për të bërë atë që është e drejtë, dhe aftësi për të përmbushur misionin tuaj në vdekshmëri. Çmojeni mundësinë për t’u penduar, privilegjin për të marrë sakramentin, bekimin e bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të tempullit, kënaqësinë e adhurimit në tempull dhe gëzimin e pasjes së një profeti të gjallë.

Jap dëshminë time solemne dhe të sigurt se Perëndia, Ati i Amshuar, është Ati ynë Qiellor dhe se Ai jeton, Jezusi është Krishti, Ai është Miku ynë i mirë dhe i urtë qiellor18 dhe kjo është Kisha e Tij e rivendosur. Ju faleminderit për besimin dhe besnikërinë tuaj. Lutem që ju të bekoheni, të begatoheni dhe të jeni të mbrojtur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Emri i plotë i kontit të pestë të Karnarvonit është Xhorxh Eduard Stenhop Molenju Hërbërt.

  2. Një skaner i tomografisë së kompjuterizuar i bërë në vitin 2005, tregoi se mbreti Tutankamon mund të ketë pësuar një frakturë të shumëfishtë te njëra nga kockat e tij në këmbë, gjë që mund të ketë çuar në infeksion dhe në vdekje.

  3. Shumica e faraonëve të Egjiptit të Mbretërisë së Re janë varrosur në Luginën e Mbretërve. Shumica e atyre varreve u zbuluan dhe u zhvatën gjatë antikitetit.

  4. Rrëfimi i këtij zbulimi të varrit të Tutankamonit bazohet kryesisht te libri i Eric H. Cline, “King Tut’s Tomb”, në Archaeology: An Introduction to the World’s Greatest Sites (2016), f. 60–66.

    Faktorë të shumtë kontribuuan te zgjedhjet e Karterit dhe Karnarvonit se ku të gërmonin dhe ku jo, në Luginën e Mbretërve. Zona përreth kampit të bazës nuk ishte në pamje të parë ftuese për gërmimin. Zona trekëndore u lejonte vizitorëve hyrjen te varri i Ramsesit VI, ndaj gërmimet atje do të ishin veçanërisht problematike. Zona ishte, sipas fjalëve të Karterit, plot me “një numër barakash të punëtorëve të ndërtuara shkel e shko, që me gjasë përdoreshin nga ata që punonin në varrin e Ramsesit … [edhe] kishte gati 1 metër dhé që qëndronte poshtë tyre”. Nuk dukej se kishte gjasë që barakat të ishin ndërtuar mbi hyrjen e një varri (shihni te Howard Carter and A. C. Mace, The Tomb of Tut-ankh-Amen: Discovered by the Late Earl of Carnarvon and Howard Carter, vëll. 1 [1923], f. 124–128, 132).

    Për rrëfime të tjera të zbulimit të varrit të Tutankamonit, shihni te Zahi Hawass, Tutankhamun and the Golden Age of the Pharaohs (2005); Nicholas Reeves, The Complete Tutankhamun: The King, the Tomb, the Royal Treasure (1990), f. 80–83; dhe Nicholas Reeves and Richard H. Wilkinson, The Complete Valley of the Kings: Tombs and Treasures of Egypt’s Greatest Pharaohs (1996), f. 81–82.

  5. Jakobi [LiM] 4:14.

  6. 2 Nefi 31:19.

  7. Shihni te Moroni 7:27–28.

  8. 2 Nefi 25:26.

  9. Alma 33:22.

  10. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:52.

  11. Shihni te David A. Bednar, “Teach to Build Faith in Jesus Christ” (fjalim i dhënë në seminarin për udhëheqësit e rinj të misioneve, 23 qershor 2023); Rachel Sterzer Gibson, “Teach to Build Faith in Jesus Christ, Elder Bednar Instructs”, Church News, 23 qershor 2023, thechurchnews.com.

  12. Sakramenti, sidoqoftë, nuk nisi si një mjet specifik për të na siguruar një heqje të mëkateve tona (shihni te James E. Talmage, The Articles of Faith, botimi i 12‑të, [1924] f. 175). Një person nuk mund të mëkatojë me vullnet të plotë të shtunën në mbrëmje dhe të presë që gjithçka që i nevojitet atij apo saj që të bëjë, është të hajë një copë bukë dhe të pijë një gotë ujë të dielën dhe të pastrohet në mënyrë magjike. Por efekti shenjtërues nga Fryma e Shenjtë mund t’i pastrojë të gjithë ata që pendohen me një zemër të sinqertë dhe me qëllim të vërtetë.

  13. Shihni tek 3 Nefi 18:12–13.

  14. Mosia 2:36.

  15. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Perëndia ka dashuri të veçantë për secilin person që bën besëlidhje me Të në ujërat e pagëzimit. Dhe ajo shpresë hyjnore thellohet teksa besëlidhje shtesë bëhen dhe mbahen besnikërisht” (“Zgjedhjet për Përjetësinë”, [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 15 maj 2022], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Besëlidhjet e shumta në shtegun e besëlidhjeve jo vetëm që vijojnë njëra pas tjetrës, por edhe i shtojnë vlerë dhe madje sinergji njëra-tjetrës. Ato lehtësojnë një lidhje më të afërt dhe më të fortë me Perëndinë. Një lidhje e tillë na lejon të shndërrohemi deri në atë pikë që shëmbëlltyra e Tij është në pamjen tonë dhe zemra jonë ka ndryshuar në mënyrë të fuqishme dhe të përhershme (shihni tek Alma 5:14).

  16. Presidenti Nelson shpjegoi se Zoti “po i bën tempujt e Tij më të arritshëm. Ai po e përshpejton ritmin me të cilin po ndërtojmë tempuj. Ai po e rrit aftësinë tonë për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit. Ai gjithashtu po e bën më të lehtë që secili prej nesh të përmirësohet shpirtërisht” (“Përqendrimi tek Tempulli”, Liahona, nëntor 2022, f. 121).

  17. Shihni te 2 Mbretërve 5:9–14.

  18. Shihni tek “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”, Himne, nr. 74.