Konferenca e Përgjithshme
Fuqia e Jezu Krishtit në Jetën Tonë Çdo Ditë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


10:17

Fuqia e Jezu Krishtit në Jetën Tonë Çdo Ditë

Burimi i forcës sonë është besimi te Jezu Krishti ndërsa përpiqemi qëllimisht të vijmë tek Ai në secilën dhe për çdo ditë.

Të dashur vëllezër dhe motra, kjo është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çfarë gëzimi është të mblidhemi si Kisha e Tij! Jam mirënjohës që Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar të përdorim shpesh emrin e saktë të Kishës së Zotit, në mënyrë që të kujtojmë se Kisha e kujt është kjo dhe mësimet e kujt ndjekim.

Presidenti Nelson ka shpallur: “Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota. … Ai do t’u japë privilegje, bekime dhe mrekulli të panumërta besnikëve.”1

Një nga privilegjet më të mëdha për mua dhe bashkëshorten time, Renenë, është të takohemi me shenjtorët ku shërbejmë. Ne dëgjojmë historitë e tyre, jemi dëshmitarë të humbjeve të tyre, ndajmë hidhërimet me ta dhe gëzohemi me sukseset e tyre. Kemi qenë dëshmitarë të shumë prej bekimeve dhe mrekullive që Shpëtimtari u ka dhënë besimtarëve. Kemi takuar njerëz që kanë kaluar të pamundurën, që kanë vuajtur të paimagjinueshmen.

Presidenti Hozé Batalla dhe bashkëshortja e tij, motra Valeria Batalla.
Flavia Kruzado dhe babai i saj.

Kemi parë shfaqjen e fuqisë së Shpëtimtarit te një vejushë që humbi bashkëshortin ndërsa ishin duke bërë punën e Zotit në Bolivi.2 E kemi parë atë te një e re në Argjentinë, e cila ra poshtë një treni dhe humbi këmbën, vetëm sepse dikush donte t’i vidhte celularin.3 Dhe te babai i saj pa bashkëshorte, i cili tani duhet ta mbledhë veten dhe të forcojë vajzën e tij pas një akti kaq të pashpjegueshëm mizor. E kemi parë atë te familjet që humbën shtëpitë e tyre dhe çdo zotërim gjatë zjarreve në Kili vetëm dy ditë para Krishtlindjes, në vitin 2022.4 E kemi parë atë tek ata që vuajnë pas një shkurorëzimi traumatik dhe tek ata që janë viktima të pafajshme të keqtrajtimit.

Zjarret në Kili.

Çfarë u jep atyre fuqi për t’i kaluar gjërat e vështira? Çfarë ua shton forcën për të vazhduar kur gjithçka duket e humbur?

Kam zbuluar se burimi i asaj force është besimi te Jezu Krishti ndërsa përpiqemi qëllimisht të vijmë tek Ai në secilën dhe për çdo ditë.

Profeti Jakob dha mësim: “Dhe ai vjen në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij; pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit”5.

Ndonjëherë, të pasurit besim te Jezu Krishti mund të duket diçka e pamundur, thuajse e paarritshme. Mund të mendojmë se ardhja te Krishti kërkon një forcë, fuqi dhe përsosuri që nuk e kemi dhe thjesht nuk mund ta gjejmë energjinë për t’i bërë të gjitha. Por ajo që kam mësuar nga të gjithë këta njerëz, është se besimi te Jezu Krishti është ai që na jep energjinë për të filluar rrugëtimin. Nganjëherë mund të mendojmë: “Më duhet të rregulloj jetën time para se të vij te Jezusi”, por e vërteta është se ne vijmë te Jezusi për ta rregulluar jetën tonë nëpërmjet Tij.

Ne nuk vijmë te Jezusi ngaqë jemi të përsosur. Ne vijmë tek Ai për shkak se kemi të meta dhe mund të “përsos[emi]”6 në Të.

Si të fillojmë të ushtrojmë pakëz besim çdo ditë? Për mua fillon në mëngjes: Kur zgjohem, në vend që të shikoj telefonin, bëj një lutje. Qoftë një lutje të thjeshtë. Më pas lexoj një shkrim të shenjtë. Kjo më ndihmon për besëlidhjen time javore që bëj kur marr sakramentin, që “gjithmonë [ta] kujtoj… atë”7. Kur e nis ditën me një lutje dhe një shkrim të shenjtë, mund ta “kujtoj… [A]të” kur e shikoj vërtet telefonin. Unë mund ta “kujtoj… [A]të” kur përballem me probleme dhe konflikte dhe përpiqem t’i përballoj ato siç do të bënte Jezusi.

Kur e “kujtoj… [A]të”, ndiej dëshirën për të ndryshuar, për t’u penduar. Gjej burimin e energjisë për t’i mbajtur besëlidhjet e mia dhe ndiej ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën time “e [i] zbatoj… urdhërimet që ai [më] ka dhënë [mua], që të mund të ke[m] gjithmonë Shpirtin e tij”8. Më ndihmon të duroj deri në fund.9 Ose të paktën deri në fund të ditës! Dhe në ato ditë që nuk ia dal ta kujtoj Atë gjithë ditën, Ai është ende pranë, duke më dashur dhe duke më thënë: “Nuk ka problem; mund ta provosh përsëri nesër”.

Ndonëse jemi të papërsosur te pjesa që ta kujtojmë Atë, Ati ynë i dashur Qiellor nuk rresht kurrë së na kujtuari.

Një nga gabimet që bëjmë shpesh, është që mendojmë se mbajtja e besëlidhjeve, ose premtimeve që i bëjmë Perëndisë, është në njëfarë mënyre një ujdi që bëjmë me Të: unë bindem dhe Ai më mbron nga çdo gjë e keqe që mund të më ndodhë ndonjëherë. Unë paguaj të dhjetën dhe kurrë nuk do ta humbas punën ose shtëpia ime nuk do të digjet nga zjarri. Por atëherë kur gjërat nuk shkojnë siç i prisnim, i thërrasim Zotit: “A nuk merakosesh që [unë] po marr… fund?”10

Besëlidhjet tona nuk kanë të bëjnë thjesht me ujdinë, ato kanë të bëjnë me shndërrimin.11 Nëpërmjet besëlidhjeve të mia marr fuqinë shenjtëruese e forcuese të Jezu Krishtit, e cila më lejon të bëhem një njeri tjetër, të fal atë që duket e pafalshme, ta mposht të pamundurën. Të kujtuarit e Jezu Krishtit qëllimshëm e gjithmonë është diçka e fuqishme; më jep më shumë forcë për t’i “zbat[uar] urdhërimet që ai [më] ka dhënë”12. Më ndihmon të jem më i mirë, të buzëqesh pa arsye, të jem një paqebërës13, ta shmang konfliktin, ta lejoj Perëndinë të triumfojë në jetën time.14

Kur dhembja jonë ose dhembja e dikujt që duam, është aq e madhe saqë nuk mund ta durojmë, të kujtuarit e Jezu Krishtit dhe ardhja tek Ai mund ta lehtësojnë barrën, ta zbutin zemrën dhe ta qetësojnë dhembjen. Kjo është fuqia që i mundësoi një babai, përtej aftësisë së tij të natyrshme, për ta mbështetur të bijën përmes dhembjes fizike dhe emocionale për humbjen e këmbës së saj.

Flavia Kruzado me Plakun Ulises Soares.

Kur Plaku Soares vizitoi Argjentinën qershorin e kaluar dhe e pyeti Flavian për aksidentin e saj tragjik, ajo u përgjigj me besnikëri: “Përjetova shqetësime, hidhërim, zemërim dhe urrejtje kur [kjo ndodhi]. Diçka që më ndihmoi, nuk ishte bërja e pyetjes: ‘Përse mua?’ por ‘Për çfarë arsye?’ … Kjo ishte diçka që më afroi më pranë me të tjerët dhe me Zotin. … Në vend që të largohesha prej Tij, m’u desh të kapesha fort pas Tij.”15

Presidenti Nelson dha mësim: “Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. … Pra, mbajtësit e besëlidhjeve kanë të drejtën e një lloji të veçantë prehjeje.”16 Ky është lloji i prehjes dhe paqes që pashë në sytë e vejushës, pavarësisht nga pikëllimi që ndiente prej mungesës së bashkëshortit të saj çdo ditë.

Stuhi në Detin e Galilesë.

Dhiata e Re tregon për një rast kur Jezusi dhe dishepujt e Tij ishin në një anije:

“Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë. …

Ai ndërkaq po flinte … mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ‘Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?’

Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ …

Atëherë u tha atyre: ‘Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?’”17

Përherë më ka ngjallur kureshtje kjo histori. A priste Zoti që ata të përdornin besimin e tyre për ta fashitur stuhinë? Për t’i qortuar erërat? Besimi te Jezu Krishti është ndjenja e paqes për t’i bërë ballë stuhisë, duke e ditur se nuk do të vdesim sepse Ai është në anije me ne.

Ky është lloji i besimit që pamë kur vizituam familjet pas zjarreve në Kili. Shtëpitë e tyre ishin bërë shkrumb e hi; kishin humbur gjithçka. Prapëseprapë, ndërsa po ecnim në ato që dikur ishin shtëpitë e tyre dhe ata po na tregonin për përvojat e tyre, ndiem se po qëndronim në tokë të shenjtë. Një motër i tha bashkëshortes sime: “Kur pashë që shtëpitë aty pranë po digjeshin, pata përshtypjen se shtëpia jonë do të digjej, se do të humbnim gjithçka. Në vend të dëshpërimit, përjetova një ndjesi paqeje të papërshkrueshme. Në njëfarë mënyre, ndjeva se gjithçka do të shkonte mirë.” Mirëbesimi te Perëndia dhe mbajtja e besëlidhjeve tona me Të, i sjellin fuqi dobësisë sonë dhe ngushëllim hidhërimit tonë.

Jam mirënjohës për mundësinë që unë dhe Reneja patëm për të takuar disa nga këta shenjtorë të jashtëzakonshëm, për shembujt e tyre të shumtë të besimit, forcës dhe ngulmimit. Për historitë e pikëllimit dhe të zhgënjimit që nuk do të dalin kurrë në faqen e parë të një gazete ose nuk do të bëhen ndonjëherë të njohura në internet. Për fotografitë e pashkrepura të lotëve të derdhura dhe lutjeve të bëra pas një shkurorëzimi traumatik apo humbjeje; për publikimet e paafishuara kurrë në internet të frikës, brengës dhe dhembjes të cilat bëhen të përballueshme falë besimit te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Këta njerëz e forcojnë besimin tim dhe për këtë jam thellësisht mirënjohës.

E di se kjo është Kisha e Jezu Krishtit. E di se Ai qëndron gati për të na dhuruar fuqinë e Tij nëse vijmë tek Ai ditë pas dite. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.