Konferenca e Përgjithshme
Perëndia Ju Njeh dhe Ju Do
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


12:36

Perëndia Ju Njeh dhe Ju Do

Plani i Perëndisë për lumturinë ka të bëjë i gjithi me ju. Ju jeni fëmija i Tij i çmuar dhe me vlerë të madhe.

Gjashtë vjet më parë familja jonë po udhëtonte natën pikërisht jashtë qytetit të Oksfordit. Siç ndodh shpesh me fëmijët e vegjël, na duhej të ndalonim, kështu që gjetëm një stacion shërbimesh me një sërë dyqanesh dhe restorantesh. Me përpikëri, zbritëm nga makina, i vizituam shërbimet dhe hipëm përsëri në makinë, duke rifilluar udhëtimin tonë.

Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, biri ynë më i madh bëri një pyetje domethënëse: “Ku është Xhasperi?” Xhasperi gjithmonë ulet i vetëm në fund të makinës. Menduam se kishte rënë në gjumë ose po fshihej ose po na bënte ndonjë rreng.

Teksa vëllai i tij kontrolloi më nga afër pjesën e pasme të makinës, zbuluam se biri ynë pesëvjeçar nuk ishte aty. Zemrat tona u mbushën me tmerr. Kur po ktheheshim te stacioni i shërbimeve, iu përgjëruam Atit Qiellor që ta mbante në mbrojtje Xhasperin. Telefonuam policinë dhe e informuam për situatën.

Kur mbërritëm me ankth, më shumë se 40 minuta më vonë, gjetëm dy automjete policie në parkingun e makinave, me dritat sinjalizuese të ndezura. Brenda njërës prej tyre ishte Xhasperi, duke luajtur me butonat. Nuk do ta harroj kurrë gëzimin që ndiem kur u ribashkuam me të.

Shumë prej mësimeve alegorike të Shpëtimtarit përqendrohen te mbledhja, rivendosja ose përpjekja fort për të gjetur atë që është shpërndarë apo ka humbur. Mes këtyre janë shëmbëlltyrat e deles së humbur, e dhrahmisë së humbur dhe e djalit plëngprishës.1

Ndërkohë që ky episod me Xhasperin më ka kaluar ndër mend përgjatë viteve, unë kam reflektuar mbi identitetin hyjnor dhe rëndësinë e fëmijëve të Perëndisë, fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit dhe dashurinë e përsosur të një Ati në Qiell që na njeh juve dhe mua. Shpresoj të jap dëshmi për këto të vërteta sot.

I. Fëmijë të Perëndisë

Jeta është sfiduese. Shumë njerëz ndihen të dërrmuar, të vetëm, të izoluar apo të sfilitur. Kur gjërat janë të vështira, ne mund të ndiejmë se kemi humbur rrugën ose kemi mbetur prapa. Dijenia se ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë dhe pjesëtarë të familjes së Tij të përjetshme, do të rivendosë një ndjesi përkatësie dhe qëllimi.2

Presidenti M. Rasëll Ballard tregoi: “Ekziston një identitet i rëndësishëm që ne të gjithë e tregojmë tani dhe përgjithmonë. … Kjo është se ju jeni dhe keni qenë gjithmonë një bir ose bijë e Perëndisë. … Ta kuptoni këtë të vërtetë – ta kuptoni vërtet atë dhe ta përqafoni atë – është jetëndryshuese.”3

Mos e keqkuptoni apo zhvlerësoni se sa i rëndësishëm jeni për Atin tuaj në Qiell. Ju nuk jeni një nënprodukt i rastësishëm i natyrës, një fëmijë jetim kozmik apo rezultat i materies së shndërruar nga koha apo fati. Ku ka një projekt, ka një projektues.

Jeta juaj ka kuptim dhe qëllim. Rivendosja e vazhdueshme e ungjillit të Jezu Krishtit sjell dritë dhe kuptueshmëri në lidhje me identitetin tuaj hyjnor. Ju jeni një fëmijë i dashur i Atit Qiellor. Ju jeni lënda e temës së të gjitha atyre shëmbëlltyrave dhe mësimeve. Perëndia ju do kaq shumë sa dërgoi Birin e Tij për t’ju shëruar, shpëtuar e shëlbuar.4

Jezu Krishti e dalloi natyrën hyjnore dhe vlerën e përjetshme të çdo individi.5 Ai shpjegoi se si dy urdhërimet e mëdha për ta dashur Perëndinë dhe për ta dashur të afërmin tonë janë themeli i të gjitha urdhërimeve të Perëndisë.6 Një nga përgjegjësitë tona hyjnore është që të kujdesemi për nevojtarët.7 Kjo është arsyeja përse, si dishepuj të Jezu Krishtit, ne “mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, … vajto[jmë] me ata që vajtojnë … , dhe … ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”8.

Feja nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhënien tonë me Perëndinë; ka të bëjë edhe me marrëdhëniet tona me njëri‑tjetrin. Plaku Xhefri R. Holland shpjegoi se fjala në anglisht për fenë [religion] vjen nga fjala latine religare, që do të thotë “të lidhësh” ose, më fjalë për fjalë, “të rilidhesh”. Pra, “feja e vërtetë është lidhja që na bashkon me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin”9.

Mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, vërtet ka rëndësi. Presidenti Rasëll M. Nelson jep mësim: “Mesazhi i Shpëtimtarit është i qartë: Dishepujt e Tij të vërtetë ndërtojnë, lartësojnë, nxitin, bindin dhe frymëzojnë”10. Kjo është edhe më e rëndësishme kur bashkudhëtarët tanë ndihen të humbur, të vetmuar, të harruar ose të larguar.

Nuk kemi pse të kërkojmë larg për të gjetur njerëz që janë në vështirësi. Mund ta fillojmë duke ndihmuar dikë në vetë familjen, bashkësinë apo komunitetin tonë vendor. Ne gjithashtu mund të kërkojmë që ta lehtësojmë vuajtjen e 700 milionë njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme11 ose 100 milionë njerëzve që janë shpërngulur forcërisht për shkak të përndjekjes, konfliktit dhe dhunës të bazuar mbi identitetin12. Jezu Krishti është shembulli i përsosur për përkujdesjen ndaj nevojtarëve – të uriturve, të huajve, të sëmurëve, të varfërve, të burgosurve. Puna e Tij është puna jonë.

Plaku Gerit W. Gong jep mësim se “udhëtimi ynë drejt Perëndisë shpesh gjendet kur jemi bashkë me të tjerët”13. Prandaj lagjet tona duhet të jenë strehë për të gjithë fëmijët e Perëndisë. A po e ndjekim kishën në mënyrë pasive apo po krijojmë në mënyrë aktive komunitete qëllimi i të cilave është të adhurojmë, të kujtojmë Krishtin dhe t’i japim shërbesë njëri-tjetrit?14 Ne mund t’ia vëmë veshin këshillës së Presidentit Nelson për të gjykuar më pak, për të dashur më shumë dhe për ta shtrirë dashurinë e pastër të Jezu Krishtit nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tona.15

II. Fuqia Shëlbuese e Jezu Krishtit

Shlyerja e Jezu Krishtit është shprehja supreme e dashurisë së Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij.16 Fjala shlyerje përshkruan vendosjen “në një” të atyre që janë larguar ose veçuar.

Misioni i Shpëtimtarit tonë ishte që të siguronte si një mënyrë për t’u kthyer tek Ati Qiellor ashtu edhe lehtësi në rrugëtimin. Shpëtimtari e di nëpërmjet përvojës së Tij se si të na përkrahë gjatë sfidave të jetës.17 Mos u gaboni, Krishti është çliruesi ynë dhe shëruesi i shpirtrave tanë.

Ndërsa ushtrojmë besim, Ai na ndihmon të shkojmë përpara përmes vështirësive. Ai vazhdon të drejtojë ftesën e Tij të dashur dhe të mëshirshme:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”18

Metafora e zgjedhës është e fuqishme. Siç e shpjegoi Presidenti Hauard W. Hanter: “Zgjedha ishte një pajisje … që lejonte ‘forcën’ e një kafshe të dytë që të lidhej dhe të bashkohej me përpjekjen e një kafshe të vetme, duke e ndarë dhe duke e pakësuar punën e rëndë që [kishin në dorë]. Një barrë që ishte dërrmuese ose ndoshta e pamundur të mbahej nga një kafshë, mund të mbahej në mënyrë të barabartë dhe të rehatshme nga dy kafshë të lidhura së bashku në një zgjedhë të përbashkët.”19

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ju vini te Krishti që të jeni në një zgjedhë me Të dhe me fuqinë e Tij, pra që të mos e tërhiqni të vetëm barrën e jetës. Ju po e tërhiqni barrën e jetës në zgjedhë me Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e botës.”20

Si e lidhim apo si po e bashkojmë veten me Shpëtimtarin? Plaku Dejvid A. Bednar shpjegon:

“Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të. Në thelb, Shpëtimtari po na bën thirrje që të mbështetemi tek Ai dhe të tërheqim së bashku me Të. …

Ne nuk jemi dhe kurrë nuk na duhet të jemi vetëm.”21

Për këdo që është i rënduar, i humbur, i pështjelluar: Ju s’keni pse ta bëni këtë gjë të vetëm.22 Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit dhe ordinancave të Tij ju mund të lidheni ose të bashkoheni me Të. Ai do të japë me dashuri forcën dhe shërimin që ju nevojitet për të përballuar udhëtimin përpara. Ai akoma është streha nga stuhitë tona.23

III. Dashuria e Atit Qiellor

Që ta dini, Xhasperi është i mprehtë, i dashur, inteligjent dhe i zhurmshëm. Por gjëja kryesore e kësaj historie është se ai është i imi. Ai është biri im dhe unë e dua atë më shumë sesa ai do ta dijë ndonjëherë. Nëse një baba i papërsosur tokësor ndihet kështu për fëmijën e vet, a mund ta përfytyroni se si ndihet për ju një Atë Qiellor i përsosur, i lëvduar dhe i dashur?

Për miqtë e mi të dashur të brezit të ri, brezit Z dhe brezit Alfa: Ju lutem ta dini se besimi kërkon punë.24 Jetojmë në një kohë kur për shumë njerëz vetëm “të shohësh do të thotë të besosh”. Besimi mund të jetë sfidues dhe kërkon zgjedhje. Por lutjet marrin përgjigje.25 Dhe përgjigjet mund të ndihen.26 Disa prej gjërave më reale në jetë nuk shihen; ato ndihen, njihen dhe përjetohen. Ato gjithashtu janë të vërteta.

Jezu Krishti dëshiron që ju ta njihni dhe të keni një marrëdhënie me Atin Qiellor.27 Ai dha mësim: “Cili prej jush, që ka një bir, dhe ai do të jetë duke qëndruar jashtë, dhe do të thotë: ‘O Atë, hape shtëpinë tënde që të mund të hyj e të darkoj me ty’, nuk do të thotë: ‘Hyr, biri im’; sepse e imja është e jotja dhe e jotja është e imja?”28 A mund të mendoni për një imazh më vetjak, më të dashur, të Perëndisë, Atit të Amshuar?

Ju jeni fëmija i Tij. Nëse ndiheni të humbur, nëse keni pyetje apo ju mungon urtia, nëse po hasni vështirësi me rrethanat tuaja ose po ndesheni me mospajtimin shpirtëror, drejtojuni Atij. Lutjuni Atij për ngushëllim, dashuri, përgjigje dhe drejtim. Cilado qoftë nevoja dhe kudo që të jeni, derdhiani zemrën tuaj Atit tuaj Qiellor. Për disa, ju mund të dëshironi të ndiqni ftesën e Presidentit Nelson dhe të pyesni “nëse Ai është vërtet atje – nëse Ai ju njeh. Pyeteni se si Ai ndihet rreth jush. Dhe më pas, dëgjoni.”29

Të dashur vëllezër e motra:

  • Njiheni Atin tuaj në Qiell. Ai është i përsosur dhe i dashur.

  • Njiheni se kush është Jezu Krishti.30 Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Bashkojeni veten tuaj dhe njerëzit që i doni me Të.

  • Dhe dijeni cilët jeni. Dijeni identitetin tuaj të vërtetë hyjnor. Plani i Perëndisë për lumturinë ka të bëjë i gjithi me ju. Ju jeni fëmija i Tij i çmuar dhe me vlerë të madhe. Ai ju njeh dhe ju do.

Për këto të vërteta të thjeshta por themelore unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Lluka 15:4–32.

  2. Shihni te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023), f. 1.

  3. M. Russell Ballard, “Children of Heavenly Father” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 3 mars 2020), speeches.byu.edu.

  4. Shihni te Gjoni 3:16; Mosia 15:1; 3 Nefi 17:6–10.

  5. Shihni te Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 3.

  6. Shihni te Mateu 22:36–40.

  7. Shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  8. Mosia 18:8, 9.

  9. Jeffrey R. Holland, “Religion: Bound by Loving Ties” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 16 gusht 2016), speeches.byu.edu.

  10. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 99.

  11. “Numri i njerëzve në varfëri ekstreme u rrit me 70 milionë në më shumë se 700 milionë njerëz” (“Poverty”, 30 nëntor 2022, Banka Botërore, worldbank.org).

  12. “Janë shpërngulur forcërisht më shumë se 100 milionë njerëz” (“Refugee Data Finder”, 23 maj 2022, Komisioneri i Lartë për Refugjatët në Kombet e Bashkuara, unhcr.org).

  13. Gerit W. Gong, “Vend në Han”, Liahona, maj 2021, f. 25.

  14. Shihni te Manuali i Përgjithshëm, 1.3.7, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  15. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, f. 98–101.

  16. Shihni te Gjoni 3:16.

  17. Shihni tek Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 122:8.

  18. Mateu 11:28–29.

  19. Howard W. Hunter, “Come unto Me”, Ensign, nëntor 1990, f. 18.

  20. The Mission and Ministry of the Savior: A Discussion with Elder Russell M. Nelson”, Ensign, qershor 2005, f. 18.

  21. Dejvid A. Bednar, “I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Liahona, maj 2014, f. 88.

  22. Presidentja Kamilla N. Xhonson tha: “Vëllezër e motra, nuk mund të vazhdoj e vetme, nuk kam përse dhe nuk do ta bëj. Duke zgjedhur që të lidhem me Shpëtimtarin tim, Jezu Krishtin, nëpërmjet besëlidhjeve që kam bërë me Perëndinë ‘unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon’ [Filipianëve 4:13]” (“Jezu Krishti Është Lehtësim”, Liahona, maj 2023, f. 82).

  23. Shihni te Psalmeve 62:6–8.

  24. Shihni te Jakob [Bibël] 2:17.

  25. Shihni te Mateu 7:7–8; Jakob [Bibël] 1:5.

  26. “Ai [Fryma e Shenjtë] është Ngushëlluesi (Gjoni 14:26). Sikurse zëri qetësues i një prindi të dashur mund të qetësojë një fëmijë që qan, pëshpëritjet e Shpirtit mund të qetësojnë frikën tonë, të heshtin shqetësimet ngacmuese të jetës sonë dhe të na ngushëllojnë kur brengosemi. Fryma e Shenjtë mund të na mbushë ‘me shpresë dhe dashuri të pastër’ dhe të na ‘mësojë gjërat paqësore të mbretërisë’ (Moroni 8:26; Doktrina e Besëlidhje 36:2)” (Topics and Questions, “Holy Ghost”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

    “Ai [Fryma e Shenjtë] ‘dëshmon për Atin dhe Birin’ (2 Nefi 31:18). Është vetëm nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne mund të marrim një dëshmi të sigurt për Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

    Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën dhe është përmes fuqisë së Tij që ne ‘mund të di[më] të vërtetën e të gjitha gjërave’ (Moroni 10:5)” (“The Holy Ghost Testifies of Truth”, Liahona, mars 2010, f. 14, 15).

    “Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 15:26).

  27. Shihni te Gjoni 14:6–7; 17:3.

  28. Joseph Smith Translation, Matthew 7:17 (në shtojcën e Biblës në anglisht).

  29. Rasëll M. Nelson, “Eja, Më Ndiq”, Liahona, maj 2019, f. 90.

  30. Shihni te Marku 8:27–29.