Konferenca e Përgjithshme
Qëndrojini Ditës në Krisht
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


10:33

Qëndrojini Ditës në Krisht

Jezu Krishti e bën të mundur që ne t’i “qëndroj[m]ë ditës”.

Ishte një ditë e mbushur me shëmbëlltyra të qarta dhe të drejtpërdrejta, pyetje të ndërlikuara dhe doktrinë të thellë. Pasi dha një qortim therës për ata që ishin si “varre të zbardhuara, që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish”1, Jezusi dha mësim edhe tri shëmbëlltyra rreth përgatitjes shpirtërore dhe dishepullimit. Njëra prej këtyre ishte shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave.

“Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.

Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.

Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet[e] vajin;

kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.

Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.

Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: ‘Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!’.

Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.

Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: ‘Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken’.

Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: ‘Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini’.

Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.

Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: ‘Zot, zot, hapna’2.

Por ai, duke u përgjigjur, tha: ‘Në të vërtetë po ju them se nuk [më njihni]’3.

Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut.”4

Presidenti Dallin H. Ouks shtroi pyetjet vijuese që të nxitin mendimin, në lidhje me ardhjen e Dhëndrit5: “Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër, nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij, çfarë do të bënim ne sot?”6

Kam mësuar nga përvoja ime vetjake se përgatitja shpirtërore për ardhjen e Zotit nuk është vetëm thelbësore, por e vetmja udhë për të gjetur paqen dhe lumturinë e vërtetë.

Ishte një ditë vjeshte e ftohtë brisk kur dëgjova për herë të parë fjalët: “Ti ke kancer”. Unë dhe bashkëshorti im u tronditëm! Ndërsa po ktheheshim në shtëpi me makinë në heshtje, duke e bluar në mendje lajmin, zemra ime u drejtua tek tre bijtë e mi.

Në mendjen time e pyeta Atin Qiellor: “A do të vdes vallë?”

Fryma e Shenjtë më pëshpëriti: “Gjithçka do të shkojë mirë”.

Pastaj e pyeta: “A do të jetoj unë?”

Përsëri, përgjigjja erdhi: “Gjithçka do të shkojë mirë”.

Isha e hutuar. Përse mora pikërisht të njëjtën përgjigje qoftë nëse do të jetoja a do të vdisja?

Pastaj, papritmas, çdo fibër e qenies sime u mbush me një paqe absolute teksa m’u rikujtua: Nuk kishim përse të nxitonim për në shtëpi dhe t’u mësonim fëmijëve tanë se si të luteshin. Ata e dinin se si të merrnin përgjigje dhe ngushëllim nga lutja. Nuk kishim përse të nxitonim për në shtëpi dhe t’u mësonim atyre për shkrimet e shenjta ose fjalët e profetëve të gjallë. Ato fjalë ishin tashmë një burim i njohur force dhe kuptueshmërie. Nuk kishim përse të nxitonim për në shtëpi dhe t’u mësonim atyre për pendimin, Ringjalljen, Rivendosjen, planin e shpëtimit, familjet e përjetshme ose vetë doktrinën e Jezu Krishtit.

Në atë çast, çdo mësim në mbrëmjen familjare të shtëpisë, çdo sesion studimi i shkrimeve të shenjta, çdo lutje e bërë me besim, çdo bekim i dhënë, çdo dëshmi e shprehur, çdo besëlidhje e bërë dhe e mbajtur, çdo frekuentim në shtëpinë e Zotit dhe çdo ditë Shabati e respektuar kishte vlerë, oh sa shumë vlerë që kishte! Ishte tepër vonë për të shtënë vaj në llambat tona. Na nevojitej çdo pikë e vetme vaji dhe na nevojitej pikërisht tani!

Për shkak të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur, nëse unë vdisja, familja ime do të ngushëllohej, forcohej dhe një ditë do të rivendosej. Nëse jetoja, do të kisha qasje te fuqia më e madhe në këtë tokë që do të më ndihmonte, përkrahte dhe shëronte. Në fund, për shkak të Jezu Krishtit, çdo gjë mund të shkojë mirë.

Ne mësojmë nga një studim i kujdesshëm i librit Doktrina e Besëlidhje se çfarë do të thotë “mirë”:

“Dhe në atë ditë, kur unë të vij në lavdinë time, do të përmbushet shëmbëlltyra që thashë lidhur me dhjetë virgjëreshat.

Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës.7

Jezu Krishti e bën të mundur që ne t’i “qëndroj[m]ë ditës”. T’i qëndrosh ditës nuk do të thotë ta shtosh listën përherë e më të madhe të gjërave për të bërë. Mendoni për një xham zmadhues. Qëllimi i tij i vetëm nuk është thjesht që t’i bëjë gjërat që të duken më të mëdha. Ai gjithashtu mund ta mbledhë dhe ta përqendrojë dritën për t’i dhënë asaj më shumë forcë. Neve na nevojitet t’i thjeshtojmë e përqendrojmë përpjekjet tona dhe të jemi mbledhës të Dritës së Jezu Krishtit. Neve na nevojiten më shumë përvoja të shenjta dhe zbuluese.

Në Izraelin veriperëndimor ndodhet një varg i bukur malor, të cilit i referohen shpesh si “mali përherë i blertë”. Mali Karmel8 qëndron gjatë gjithë vitit i blertë, një pjesë e kësaj vjen kryesisht nga sasitë e vogla të vesës. Procesi i të ushqyerit ndodh çdo ditë. Ashtu si vesa e malit Karmel9, teksa përpiqemi ta ushqejmë shpirtin tonë “me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë”10, “gjëra… të vogla dhe të thjeshta”11, dëshmitë tona dhe dëshmitë e fëmijëve tanë do të jetojnë!

Tani, mund të jeni duke menduar: “Motra Rajt, ti nuk e njeh familjen time. Ne po hasim vërtet vështirësi dhe nuk i afrohemi aspak këtij modeli.” Keni të drejtë. Nuk e njoh familjen tuaj. Por një Perëndi me dashuri, mëshirë, fuqi, njohuri dhe lavdi të pafundme, e njeh.

Pyetjet që mund të jeni duke bërë, janë pyetje të zemrës që therin në thellësitë e shpirtit tuaj. Pyetje të ngjashme gjenden në shkrimet e shenjta:

“Mësues, a nuk merakosesh që [familja ime] po m[err] fund?”12

“Ku është, pra, shpresa ime?”13

“Ç’duhet të bëj… që kjo re errësire që [më] mbulon, të largohet prej [meje]?”14

“Po ku mund ta gjesh diturinë, dhe ku është vendi i zgjuarsisë?”15

“Si është e mundur që [unë] mund të mbështete[m] në çdo gjë të mirë?”16

“Zot, ç’don ti të bëj unë?”17

Dhe më pas përgjigjet vijnë gjithmonë kaq ëmbël:

“A beson në fuqinë e Krishtit për shpëtim?”18

“A ka urdhëruar Zoti ndonjë se nuk duhet të marrë pjesë në mirësinë e tij?”19

“A besoni ju se [Ai] mund ta bëj[ë] këtë gjë?”20

“A u beson profetëve?”21

“A ushtroni besim në shëlbimin e atij që ju krijoi?”22

“Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?”23

Miqtë e mi të dashur, ne nuk mund ta shpërndajmë vajin tonë, por mund të shpërndajmë dritën e Tij. Vaji në llambat tona nuk do të na ndihmojë thjesht t’i “qëndroj[m]ë ditës”, por mund të jetë gjithashtu mjeti që ndriçon shtegun që i çon ata që i duam, te Shpëtimtari, i Cili qëndron gati “krahëhapur për [t’i] pranuar”24 ata.

“Kështu thotë Zoti: ‘Mbaje zërin tënd nga e qara, sytë e tu nga të derdhurit lot, sepse vepra jote do të shpërblehet … [dhe] ata do të kthehen nga vendi i armikut.

Ka shpresa për pasardhësit e tu’, thotë Zoti; ‘bijtë e tu do të kthehen brenda kufijve të tyre.’”25

Jezu Krishti është “shpresa për pasardhësit [tuaj]”. Asgjë nga ato që kemi bërë apo që nuk kemi bërë, nuk është përtej shtrirjes së flijimit të Tij shlyes dhe të përjetshëm. Ai është arsyeja se pse për ne nuk është kurrë fundi i historisë sonë.26 Prandaj ne “duhet të shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se [ne] do të shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duro[jmë] deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: [Ne] do të ke[m]i jetën e përjetshme.”27

Jeta e përjetshme është gëzim i përjetshëm. Gëzim në këtë jetë, pikërisht tani – jo pavarësisht nga sfidat e ditëve tona, por për shkak të ndihmës së Zotit për të mësuar nga ato e për t’i kapërcyer ato – dhe gëzim i pamasë në jetën që do të vijë. Lotët do të thahen, zemrat e thyera do të shërohen, ajo që ka humbur do të gjendet, shqetësimet do të zgjidhen, familjet do të rivendosen dhe gjithçka që Ati ka, do të jetë e jona.28

Shihni te Jezu Krishti dhe jetoni29, është dëshmia ime, në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të “bariu[t] dhe ruajtësit [të dashur të] shpirtrave t[anë]”30, Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 23:27.

  2. Mateu 25:1–11.

  3. Joseph Smith Translation, Matthew 25:11 (te Matthew 25:12, poshtëshënimi a [Bibla në anglisht]).

  4. Mateu 25:13.

  5. Plaku Xhejms E. Talmixh dha mësim: “Dhëndri është Zoti Jezus; gostia e dasmës simbolizon ardhjen e Tij në lavdi, për ta marrë te Vetja Kishën në tokë si nusen e Tij. Virgjëreshat portretizojnë ata që shprehin një besim te Krishti dhe të cilët, si rrjedhim, plot siguri presin që të përfshihen mes pjesëmarrësve të bekuar në gosti. Llamba e ndezur, që e mbante secila prej vajzave, është shprehja e jashtme e besimit dhe praktikës së krishterë; dhe te rezervat e vajit të të mençurave ne mund të shohim forcën shpirtërore dhe bollëkun që mund t’i sigurojnë vetëm zelli dhe përkushtimi në shërbim të Perëndisë” (Jesus the Christ [1916], f. 578).

  6. Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 9.

  7. Doktrina e Besëlidhje 45:56–57; theksimi i shtuar.

  8. “Rënia e vesës siguron një sasi të kufizuar lagështie edhe gjatë verës së thatë dhe është e rëndësishme për të mbjellat e verës, si për shembull shalqinjtë. Sa më afër detit të jetë zona, aq më e mirë është perspektiva për rënien e vesës në netët pa erë kur dheu ftohet më shumë se ajri që prek sipërfaqen e tij. Përgjithësisht, Rrafshina Bregdetare ka më shumë vesë sesa rajonet e brendshme; më i pasuri është mali Karmel, që ka një mesatare prej 250 netësh me vesë në vit” (Efraim Orni and Elisha Efrat, Geography of Israel, bot. i 3‑të i rish. [1971], f. 147).

  9. Doktrina e Besëlidhje 128:19.

  10. Mosia 23:18.

  11. Alma 37:6.

  12. Marku 4:38.

  13. Jobit 17:15.

  14. Helamani 5:40.

  15. Jobit 28:12.

  16. Moroni 7:20.

  17. Veprat e Apostujve 9:6.

  18. Alma 15:6.

  19. 2 Nefi 26:28.

  20. Mateu 9:28.

  21. Veprat e Apostujve 26:27.

  22. Alma 5:15.

  23. Zanafilla 18:25.

  24. Mormoni 6:17.

  25. Jeremia 31:16–17; theksimi i shtuar.

  26. Shihni te Kamill N. Xhonson, “Ftojeni Krishtin të Jetë Autori i Historisë Suaj”, Liahona, nëntor 2021, f. 82: “Lërini fatkeqësinë dhe vuajtjen që janë pjesë e çdo historie të mirë, të jenë një mjet me anë të të cilit ju i afroheni më shumë Jezu Krishtit dhe bëheni më shumë si Ai”.

  27. 2 Nefi 31:20.

  28. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  29. Shihni tek Alma 37:47.

  30. 1 Pjetër 2:25.