Sa i Madh do të Jetë Gëzimi Juaj
Tani ju ftoj ta merrni “gjithçka që dini”, së bashku me dëshmitë tuaja të rrënjosura gjatë gjithë jetës, dhe të shkoni në një mision.
Të dashur vëllezër dhe motra të mia, mendimet e mia sot janë për mbledhjen e Izraelit, atë që Presidenti Rasëll M. Nelson e quan “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia.”1
Mbledhja është pranimi përfundimtar se “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”2. Kaq e thjeshtë është. Ne po i mbledhim fëmijët e Perëndisë në këto ditë të fundit që ata të mund të kenë “bekime [që] derdh[en] mbi kokat e tyre”3 dhe premtimet e “pasuri[ve të] përjetësisë”4. Nga kjo rrjedh se, për ta mbledhur Izraelin, ne kemi nevojë për misionarë, shumë më tepër sesa ata që po shërbejnë.5 Sot, unë po u flas njerëzve në moshë, të shumtë dhe me përvojë në Kishë, të cilët mund të shërbejnë si misionarë. Zoti ka nevojë për ju. Ne kemi nevojë për ju në Nju‑Jork dhe Çikago, Australi dhe Afrikë, Tajlandë dhe Meksikë dhe kudo tjetër.
Më lejoni t’ju kthej në vitin 2015. Isha anëtar i sapothirrur i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Njëra nga përgjegjësitë e mrekullueshme që kemi si Apostuj, është të caktojmë misionarë në terrenet e tyre të punës. Kisha marrë pjesë si I Shtatëdhjetë në këtë proces6, por tani, si Apostull, ndjeva peshën e plotë të detyrës. E fillova duke vendosur plot lutje një numër të madh misionarësh të rinj dhe misionaresh të reja në moshë, një nga një, në misione anembanë botës. Më pas, iu drejtova çifteve në moshë. Në listë kishte dhjetë. Jo shumë. I habitur, pyeta bashkëpunëtorin tim nga Sektori i Misionarëve: “Sa na duhen këtë javë për të plotësuar kërkesat?”
Ai u përgjigj: “300”.
Ai çast kthjellues më ka mbetur në mendje: 10 çifte për të plotësuar 300 kërkesa.
Presidenti Rasëll M. Nelson i ka nxitur çiftet që “të bien në gjunjë dhe t’i kërkojnë Atit Qiellor nëse koha ka ardhur për ta që të shërbejnë në një mision”7. Nga të gjitha kualifikimet, tha ai, “një dëshirë për të shërbyer mund të jetë kualifikimi më i rëndësishëm”8.
Siç thotë shkrimi i shenjtë: “Nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën”9. Ajo vepër ka të bëjë e gjitha me ligjin e të korrave. Te Gjoni lexojmë: “Që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen së bashku”10.
E kam parë ligjin e të korrave të përmbushet në vetë familjen time.
Disa vite më parë, po vizitoja pjesëtarë të familjes kur peshkopi më kërkoi të isha folësi i fundit në shërbesën e sakramentit.11 Kur po zbrisja nga podiumi, një grua m’u afrua me shtatë fëmijët e saj dhe më tha se ishte Motra Rebeka Guzman.
Ajo pyeti: “Plaku Rasband, a i njeh Rulon dhe Verda Rasbandin?”
U lumturova dhe iu përgjigja: “Ata janë prindërit e mi”.
Mund ta kuptoni se ku do të dalë me këtë që po them. Me lejen e Rebekës, e cila është këtu me familjen në Qendrën e Konferencave, unë po tregoj historinë e familjes së saj.12
Prindërit e mi, Plaku Rulon dhe Motra Verda Rasband, po shërbenin si çift në moshë në Misionin e Fort‑Lodërdejllit në Florida.13 Ata ishin misionarë predikues dhe nëpërmjet udhërrëfimit hyjnor trokitën në derën e shtëpisë së Rebekës. Ajo ishte thjesht një adoleshente dhe i pëlqente të dëgjonte muzikën e familjes Osmond, në veçanti mikun tonë Donin, i cili është këtu me ne sot.14 Kishte dëgjuar intervistat e tyre në media dhe kishte mësuar se ata ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndjeu se kishte diçka ndryshe tek ata dhe duke menduar se mund të ishte feja e tyre, Rebeka kaloi dy vjet duke hulumtuar bindjet e Kishës në bibliotekën e shkollës. Pra, kur një çift me pamje dashamirëse trokiti në derën e familjes së saj dhe e paraqitën veten si misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ajo u befasua.
“Nëna ime më tha që t’i hiqja qafe”, – shkroi Rebeka më vonë, – “por zemra ime tha: ‘Jo’. Pashë fytyrat e tyre dhe ndjeva kaq shumë ngrohtësi e dashuri. Kujtimi më sjell ende lot në sy dhe emocion të thellë në zemrën time.”15
Rebeka i ftoi brenda dhe prindërit e mi misionarë u dhanë një mesazh asaj, dy motrave të saj më të vogla dhe, pavarësisht nga kundërshtimet e saj, nënës së saj.
Rebeka më përshkroi këtë: “Të dy prindërit tuaj ishin të mrekullueshëm në shpjegimin e çdo pyetjeje që kishim. Ende mund t’i shoh fytyrat e tyre sikur të kishte një dritë që i rrethonte ato. Ne gjithmonë e përqafonim nënën tuaj kur ajo largohej dhe ajo gjithmonë tregonte kujdes që ta ndihmonte nënën time të ndihej rehat dhe e respektuar. Babai juaj gjithmonë kishte një shkëndijë në sytë e tij ndërsa na mësonte për Jezu Krishtin. Ai përpiqej ta përfshinte babanë tim në diskutime dhe më së fundi ia mbushi mendjen. Babai im ishte shef kuzhine në një klub vendor për sporte dhe argëtim dhe filloi të gatuante darka për prindërit tuaj, përfshirë gatimin e ëmbëlsirës së parapëlqyer të babait tuaj, të bërë me një lloj të veçantë limoni jeshil.”16
Kur Plaku dhe Motra Rasband i kërkuan Rebekës dhe familjes së saj të lexonin Librin e Mormonit, Rebeka e bëri këtë brenda pesë ditësh. Ajo donte të pagëzohej menjëherë, por pjesëtarët e tjerë të familjes së saj nuk ishin gati. Pas katër muajsh, Rebeka këmbënguli që ajo të pagëzohej dhe të bashkohej me Kishën e vërtetë. Ajo kujtoi: “Çdo qelizë e shpirtit tim e dinte se ishte e vërtetë”17. Më 5 prill 1979, misionarët pagëzuan Rebekën 19‑vjeçare, nënën e saj dhe dy motrat. Babai im ishte dëshmitar në pagëzim.
Kur e takova Rebekën dhe familjen e saj në kishë, bëmë një fotografi të familjes së saj me mua. Ia çova në shtëpi nënës sime të moshuar dhe ajo e mbajti pranë zemrës. Më pas ajo më tha: “Roni, kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime”.
Përgjigjja e nënës sime shtron pyetjen për njerëzit tanë në moshë: “Çfarë po bëni në këtë fazë të jetës suaj?” Ka kaq shumë mënyra se si misionarët në moshë mund të bëjnë atë që askush tjetër nuk mundet. Ju jeni një forcë e jashtëzakonshme për mirë, me përvojë në Kishë dhe e përgatitur për t’u dhënë kurajë dhe për t’i shpëtuar fëmijët e Perëndisë.
Disa prej jush mund të mendojnë: “Po largimi nga nipërit e mbesat? Do të humbnim çaste historike të familjes, ditëlindjet, do të na merrte malli për miqtë dhe madje për kafshët tona shtëpiake.” Nëse do ta kisha pyetur nënën time përse ajo dhe babi shkuan në mision, unë e di që ajo do të thoshte këtë: “Kam nipër e mbesa. Dua që ata të dinë se unë dhe babai yt shërbyem në terrenin e misionit, donim të jepnim një shembull për pasardhësit tanë dhe ishim të bekuar, kaq të bekuar.”
Teksa kam vizituar misione anembanë botës, kam parë shërbimin e jashtëzakonshëm të legjionit tonë të misionarëve në moshë. Është e qartë se ata janë të lumtur duke bërë “vullneti[n e] Zotit” dhe që janë duke bërë “punën e Zotit”18.
Për disa, dhe shpresojmë mijëra prej jush, shërbimi misionar kohëplotë në një cep tjetër të botës do të jetë thjesht vendi i duhur.19 Për të tjerë, mund të jetë i parapëlqyer të shërbyerit e një misioni shërbimi në Kishë duke qëndruar në shtëpi. Për shkak të problemeve shëndetësore dhe rrethanave të tjera, ka nga ata që nuk janë në gjendje të shërbejnë. I kuptojmë ato situata dhe do të ishte shpresa ime që ju mund të gjeni mënyra për t’i përkrahur ata që po shërbejnë. Ndiqeni këshillën e profetit dhe lutuni që të dini se çfarë do të donte Zoti që të bënit.
Terrenet e misioneve në mbarë botën po përgjërohen për ndihmën tuaj. Presidenti Nelson ka thënë për misionarët tanë në moshë: “Ata janë të rinj në shpirt, të urtë dhe me vullnet për punë”20.
Në terren, ju keni një mori mundësish: mund të shërbeni në zyra misioni apo tempuj, mund të forconi misionarët e rinj në moshë, mund të përforconi degë të vogla, të punoni në qendrat e programit FamilySearch ose në vendndodhje historike, të jepni mësim në Institut, të ofroni shërbim humanitar, të punoni me të rinjtë në moshë madhore, të ndihmoni në qendrat e punësimit apo në fermat e Kishës. Hollësitë e mënyrave për të shërbyer, çfarë ju përshtatet më së miri, ku nevojiteni dhe si mund të përgatiteni për të shkuar, trajtohen në faqen e internetit “Senior Missionary” [“Misionari në Moshë”]21. Mund të flisni edhe me peshkopin ose presidentin tuaj të degës.
Kam thirrur shumë çifte për të shërbyer dhe kam parë teksa Drita e Krishtit ka ndriçuar fytyrat e tyre.22 Kur janë kthyer, ata kanë përshkruar afrimin më shumë me Zotin dhe afrimin më shumë me njëri‑tjetrin, duke e ndier Shpirtin e Zotit të derdhet mbi ta dhe duke e ditur se po sjellin një ndryshim.23 Kush nuk do ta dëshironte këtë?
Një mision mund të jetë kapitulli më i madh në jetën e një çifti. Një titull i mirë mund të jetë: “Zoti Im do të Ketë Nevojë për Mua”24. Ju mund të jeni në një terren të panjohur; megjithatë, fuqia e Shpirtit do t’ju bëjë të ndiheni si në shtëpinë tuaj.
Prindërit e mi dhe dhjetëra mijëra çifte të kthyera misionare kanë dhënë dëshmi për gëzimin që gjetën në punën misionare. Zoti ka thënë në shkrimin e shenjtë të ditëve të mëvonshme: “Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!”25
Isaia dha një përshkrim poetik për atë që do të thotë të shërbesh në “ar[ën]” e misionit. Shkrimi i shenjtë na thonë se “ara është bota”26. Ky profet i madh i lashtë shkroi: “Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.”27 Malet, kodrat, fushat dhe pemët mund të krahasohen me presidentët e misioneve, peshkopët, udhëheqësit e distrikteve, anëtarët dhe ata që e kërkojnë të vërtetën, por “nuk dinë se ku ta gjejnë atë”28. Ata do të dëshmojnë se misionarët në moshë e ndryshojnë vetë peizazhin me dëshminë e tyre për Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë, Jezu Krishtin.
Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, ju kërkoj që të shërbeni si misionarë në mbledhjen e Izraelit dhe ndoshta madje të shërbeni përsëri. Kemi nevojë për ju – kemi nevojë për ju. Ju jemi mirënjohës juve, njerëzve në moshë, për jetën që keni bërë dhe për shembujt që keni qenë në shtëpitë, lagjet dhe kunjet tuaja. Tani ju ftoj ta merrni “gjithçka që dini”, së bashku me dëshmitë tuaja të rrënjosura gjatë gjithë jetës, dhe të shkoni në një mision. Lutem që herën e ardhshme kur të ulem për të caktuar çifte në moshë, do të ketë qindra prej jush që po presin me padurim thirrjen e tyre.
Gjithashtu premtoj se teksa shërbeni, ju do të ndieni dashurinë e Zotit në jetën tuaj, do ta njihni Atë, Ai do t’ju njohë dhe “sa i madh do të jetë gëzimi juaj”29. Shërbimi juaj i përkushtuar ndaj Jezu Krishtit do të frymëzojë e bekojë familjen tuaj, nipërit dhe mbesat, stërnipërit e stërmbesat tuaja. “Paqja dhe dashuria [do të] shumohen”30 në jetën e tyre për vitet që do të vijnë. Ju premtoj! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.