Konferenca e Përgjithshme
Ne Jemi Fëmijët e Tij
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2023


9:42

Ne Jemi Fëmijët e Tij

Ne kemi të njëjtën origjinë hyjnore dhe të njëjtin potencial të pakufishëm nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.

A ju kujtohet përvoja që pati profeti Samuel kur Zoti e dërgoi te shtëpia e Isait që të vajoste mbretin e ri të Izraelit? Samueli pa Eliabin, të parëlindurin e Isait. Eliabi, me sa duket, ishte i gjatë dhe kishte pamjen e një udhëheqësi. Samueli e pa këtë dhe u ngut të nxirrte një përfundim. Doli që ishte përfundimi i gabuar dhe Zoti i mësoi Samuelit: “Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse … njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën”1.

A e kujtoni përvojën që pati dishepulli Anania kur Zoti e dërgoi të bekonte Saulin? Fama e Saulit i kishte paraprirë atij dhe Anania kishte dëgjuar rreth Saulit dhe përndjekjes së tij të egër, të pamëshirshme ndaj shenjtorëve. Anania dëgjoi dhe arriti ngutshëm në përfundimin që ndoshta ai nuk duhej t’i jepte shërbesë Saulit. Doli që ishte përfundimi i gabuar dhe Zoti i mësoi Ananias: “Ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit”2.

Cili ishte problemi me Samuelin dhe Ananian në këto dy raste? Ata panë me sytë e tyre dhe dëgjuan me veshët e tyre dhe, si rrjedhojë, dhanë gjykim mbi të tjerët nisur nga pamja e jashtme dhe gjërat që kishin dëgjuar.

Kur skribët dhe farisenjtë panë gruan që ishte kapur duke shkelur kurorën, çfarë panë ata? Një grua të çoroditur, një mëkatare që meritonte vdekjen. Kur Jezusi e pa atë, çfarë pa Ai? Një grua që përkohësisht i ishte nënshtruar dobësisë së mishit, por mund të shëlbohej nëpërmjet pendimit dhe Shlyerjes së Tij. Kur njerëzit panë centurionin, shërbëtori i të cilit ishte i paralizuar, çfarë panë ata? Ndoshta panë një furacak, një të huaj, dikë që duhej përbuzur. Kur Jezusi e pa atë, çfarë pa Ai? Një burrë të shqetësuar për mirëqenien e një pjesëtari të vatrës së tij familjare, i cili e kërkoi Zotin me zemërdëlirësi e besim. Kur njerëzit panë gruan me fluks gjaku, çfarë panë ata? Ndoshta një grua të papastër, një të dëbuar së cilës duhej t’i shmangeshin. Kur Jezusi e pa atë, çfarë pa Ai? Një grua të sëmurë, të vetmuar dhe të shkëputur për shkak të rrethanave që nuk i kishte nën kontroll, e cila shpresonte të shërohej dhe të kishte përkatësi përsëri.

Në secilin rast, Zoti i pa këta individë ashtu siç ishin dhe në përputhje me këtë i dha shërbesë secilit prej tyre. Siç shpallën Nefi dhe vëllai i tij, Jakobi:

“Ai i fton të gjithë të vijnë tek ai … , të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; dhe ai nuk harron idhujtarët; dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë”3.

“Çdo qenie është po aq e çmueshme në pamjen e tij sa tjetra.”4

Në të njëjtën mënyrë mos i lejofshim ne sytë tanë, veshët tanë apo frikën tonë që të na mashtrojnë, por i hapshim zemrat e mendjet tona dhe u dhënshim shërbesë lirisht njerëzve përreth nesh, siç bëri Ai.

Disa vjet më parë, bashkëshortja ime, Izabela, mori një caktim të pazakonshëm për të dhënë shërbesë. Asaj iu kërkua të vizitonte një të ve të moshuar në lagjen tonë, një motër me sfida shëndetësore dhe vetmia e së cilës kishte sjellë hidhësi në jetën e saj. Perdet e saj ishin të mbyllura; në apartamentin e saj ajri ishte i mbytur; ajo nuk donte vizita dhe e bëri të qartë qasjen e saj: “Nuk ka asgjë që unë mund të bëj për dikë tjetër”. E palëkundur, Izabela u përgjigj: “Po, ka! Ti mund të bësh diçka për ne duke na lejuar që të vijmë e të të vizitojmë.” Dhe kështu, Izabela shkoi, plot besim.

Ca kohë më vonë, kjo motër e mirë bëri një operacion në këmbë, gjë që kërkoi që fashat e saj të ndërroheshin çdo ditë, diçka që nuk mund ta bënte dot vetë. Për shumë ditë, Izabela shkoi në shtëpinë e saj, ia lau këmbët dhe ia ndërroi fashat. Ajo kurrë nuk pa shëmti; ajo kurrë nuk ndjeu erë të keqe. Përherë ajo pa vetëm një bijë të bukur të Perëndisë që kishte nevojë për dashuri dhe përkujdesje të dhembshur.

Me kalimin e viteve, unë dhe njerëz të tjerë të panumërt jemi bekuar nga dhurata e Izabelës për të parë sikurse sheh Zoti. Pavarësisht nëse jeni presidenti i kunjit apo personi që mirëpret njerëzit në lagje, pavarësisht nëse jeni mbreti i Anglisë apo jetoni në një kasolle, pavarësisht nëse flisni gjuhën e saj apo një gjuhë të ndryshme, pavarësisht nëse i zbatoni të gjitha urdhërimet ose hasni vështirësi me disa, ajo do t’ju shërbejë vaktin e saj më të mirë ushqimor në pjatat e saj më të mira. Gjendja ekonomike, ngjyra e lëkurës, prejardhja kulturore, kombësia, shkalla e drejtësisë, gjendja në shoqëri ose ndonjë përcaktues apo etiketim tjetër nuk ka asnjë pasojë tek ajo. Ajo sheh me zemrën e saj; ajo sheh fëmijën e Perëndisë tek çdo njeri.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

“Kundërshtari gëzohet me etiketimet ngaqë na përçajnë dhe e kufizojnë mënyrën se si mendojmë për veten dhe njëri‑tjetrin. Sa e trishtueshme është kur i nderojmë etiketimet më shumë sesa e nderojmë njëri‑tjetrin.

Etiketimet mund të çojnë në gjykim dhe armiqësi. Çfarëdo keqtrajtimi ose paragjykimi ndaj dikujt tjetër për shkak të kombësisë, racës, orientimit seksual, gjinisë, shkallëve të arsimimit, kulturës ose përcaktuesve të tjerë domethënës, është fyes për Krijuesin tonë!”5

Fjala francez nuk më përcakton mua; përcakton vendin ku u linda. Ngjyra e bardhë nuk më përcakton mua; është ngjyra e lëkurës sime, ose mungesa e ngjyrës. Titulli profesor nuk më përcakton; është puna që bëra për të mbajtur familjen. Titulli Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë nuk më përcakton; është detyra ku shërbej në mbretëri në këtë kohë.

“Së pari dhe më kryesorja”, siç na kujtoi Presidenti Nelson, unë jam një “fëmijë i Perëndisë.”6 Po ashtu jeni ju dhe po ashtu janë të gjithë njerëzit e tjerë përreth nesh. Lutem që ne të mund të arrijmë te një vlerësim më i madh i kësaj të vërtete të mrekullueshme. Ajo ndryshon gjithçka!

Mund të jemi rritur në kultura të ndryshme; mund të kemi ardhur nga rrethana të ndryshme shoqëroro‑ekonomike; trashëgimia jonë në vdekshmëri, që përfshin kombësinë tonë, ngjyrën e lëkurës sonë, parapëlqimet tona ushqimore, orientimin tonë politik etj., mund të ndryshojë shumë. Por ne jemi fëmijët e Tij, të gjithë pa përjashtim. Ne kemi të njëjtën origjinë hyjnore dhe të njëjtin potencial të pakufishëm nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.

C. S. Luisi e tha në këtë mënyrë: “Është diçka serioze të jetosh në një shoqëri me perëndi e perëndesha të mundshme, të kujtosh se personi më monoton e më pak interesant me të cilin mund të flisni, mundet që një ditë të jetë një krijesë që, nëse do ta shihnit tani, do të tundoheshit fort për ta adhuruar. … Nuk ka njerëz të zakonshëm. Kurrë nuk keni folur me një njeri thjesht të vdekshëm. Kombet, kulturat, artet, qytetërimi, këto janë të vdekshme dhe jeta e tyre kundrejt sonës është si jeta e një mushkonje. Por ata me të cilët ne bëjmë shaka, punojmë, martohemi, i shpërfillim dhe i shfrytëzojmë janë të pavdekshëm.”7

Familja jonë ka pasur privilegjin që të jetojë në vende dhe kultura të ndryshme; fëmijët tanë janë bekuar që të martohen me njerëz nga etni të ndryshme. Kam arritur të kuptoj se ungjilli i Jezu Krishtit është barazuesi i madh. Kur e përqafojmë vërtet atë, “vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë”8. Kjo e vërtetë mahnitëse na çliron dhe të gjitha etiketimet dhe dallimet që përndryshe mund të ndikojnë te ne dhe marrëdhëniet tona me njëri‑tjetrin thjesht “përfshihe[n] … në … Krishtin”9. Shpejt bëhet e qartë që ne, si edhe të tjerët, “nuk je[m]i më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjes[ë]tarë të familjes së Perëndisë”10.

Kohët e fundit dëgjova presidentin e degës të njërës nga njësitë tona me gjuhë nga shumë kultura, ta përmendë këtë, siç e ka bërë Plaku Gerit W. Gong, si përkatësia në besëlidhje.11 Ç’koncept i bukur! Ne i përkasim një grupi njerëzish ku të gjithë përpiqen t’i vënë Shpëtimtarin dhe besëlidhjet e tyre në qendër të jetës së tyre dhe ta jetojnë ungjillin gëzueshëm. Prandaj, në vend që ta shohim njëri‑tjetrin nëpërmjet thjerrave të shtrembëruara të vdekshmërisë, ungjilli na e ngre vështrimin dhe na lejon ta shohim njëri‑tjetrin nëpërmjet thjerrëzave të pagabueshme, të pandryshueshme të besëlidhjeve tona të shenjta. Kur e bëjmë këtë gjë, ne fillojmë të heqim paragjykimet dhe anësitë tona të natyrshme vetjake kundrejt të tjerëve, gjë që në këmbim i ndihmon ata që të pakësojnë në minimum paragjykimet dhe anësitë e tyre ndaj nesh12, në një cikël të mrekullueshëm, të virtytshëm. Njëmend, ne ndjekim ftesën e profetit tonë të dashur: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin, vërtet ka rëndësi! Mënyra se si u flasim të tjerëve ose flasim për të tjerët në shtëpi, në kishë, në punë dhe në internet, vërtet ka rëndësi. Sot po kërkoj që ne të ndërveprojmë me të tjerët në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë.”13

Këtë pasdite, në frymën e kësaj ftese, dëshiroj t’ia shtoj zotimin tim zotimit të fëmijëve tanë të mrekullueshëm të Fillores:

Nëse nuk ecën si gjith’ njer’zit,

Disa largohen prej teje,

Por un’ jo! Un’ jo!

Nëse nuk flet si të gjith’ njer’zit,

Disa të tallin, t’përqeshin,

Por un’ jo! Un’ jo!

Do t’ec’ me ty. Do t’flas me ty.

Dashuri do tregoj për ty.

Krishti s’iku prej askujt.

Veç dashuri i dha gjithkujt.

Do t’jap dhe un’! Dhe un’!14

Unë dëshmoj se Ai të cilit ne i drejtohemi si Ati ynë në Qiell, është vërtet Ati ynë, se Ai na do, se Ai e njeh imtësisht secilin prej fëmijëve të Tij, se Ai interesohet thellësisht për çdonjërin dhe se ne jemi vërtet të gjithë njësoj para Tij. Unë dëshmoj se mënyra se si e trajtojmë njëri‑tjetrin është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i të kuptuarit dhe vlerësimit tonë për flijimin përfundimtar dhe Shlyerjen e Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Lutem që si Ai, të mund t’i duam të tjerët sepse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, jo sepse ata po bëjnë gjënë e duhur ose po i përshtaten modelit “të duhur”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.