Të Shikuarit e Familjes së Perëndisë përmes Thjerrëzës Panoramike
Unë besoj se, nëpërmjet syrit të besimit, ne mund ta zgjerojmë këndvështrimin dhe t’i shohim veten dhe familjet tona me shpresë e gëzim.
Kur bija jonë më e vogël, Bërkli, ishte vocërrake, fillova të lexoj duke përdorur syze për lexim, nga ai lloj që e afrojnë dhe e zmadhojnë gjithçka. Një ditë, teksa u ulëm së bashku për të lexuar një libër, e vështrova me dashuri, por edhe me trishtim sepse, befas, ajo dukej më e rritur. Mendova: “Si iku koha? Ajo është kaq e madhe!”
Teksa i ngrita syzet e leximit për të fshirë një lot, e kuptova: “Oh, prit, ajo nuk është më e madhe, janë thjesht syzet! Lëre fare!”
Nganjëherë, gjithçka që mund të shohim, është ajo pamje nga afër, e zmadhuar e njerëzve që i duam. Sonte, ju ftoj ta zgjeroni këndvështrimin dhe të shihni përmes një thjerrëze të ndryshme, një thjerrëze të përjetshme që përqendrohet tek tabloja e madhe, historia juaj më e madhe.
Gjatë orvatjeve të hershme të njerëzimit për të shkuar në hapësirë, raketat kozmike pa ekuipazh nuk kishin dritare. Por që nga misioni i anijes Apollo 8 për në hënë, astronautët e patën një dritare. Ndërsa qëndronin pezull në hapësirë, ata u befasuan nga përvoja e të parit të tokës sonë dhe fotografuan këtë pamje madhështore, duke rrokur vëmendjen e të gjithë botës! Këta astronautë përjetuan një ndjesi kaq të fuqishme, saqë i është vënë një emër i veçantë: efekti panoramik [një gjendje mahnitjeje dhe mendjendryshuese nga një pamje veçanërisht mbresëlënëse].
Të shikuarit nga një pikë e re, e favorshme, ndryshon gjithçka. Një udhëtar në hapësirë tha se kjo “i zvogëlon gjërat deri në një përmasë që ti mendon se çdo gjë mund të kontrollohet. … Ne mund ta bëjmë këtë. Paqe në tokë – s’ka problem. Ajo u jep njerëzve atë lloj energjie … atë lloj fuqie.”1
Si qenie njerëzore, ne kemi një pikë vështrimi të lidhur me tokën, por Perëndia sheh panoramën gjithëpërfshirëse të universit. Ai sheh të gjithë krijimin, të gjithë ne dhe është i mbushur me shpresë.
A është e mundur të fillojmë të shohim ashtu siç sheh Perëndia edhe teksa jetojmë në sipërfaqen e këtij planeti – ta ndiejmë këtë ndjenjë panoramike? Unë besoj se, nëpërmjet syrit të besimit, ne mund ta zgjerojmë këndvështrimin dhe t’i shohim veten dhe familjet tona me shpresë e gëzim.
Shkrimet e shenjta tregojnë po ashtu. Moroni flet rreth atyre njerëzve besimi i të cilëve ishte aq “jashtëzakonisht i fortë”, saqë ata “panë me të vërtetë … me syrin e besimit dhe ata qenë të gëzuar.”2
Me syrin të përqendruar te Shpëtimtari, ata ndien gëzim dhe e dinin këtë të vërtetë: Për shkak të Krishtit, gjithçka merr zgjidhje. Gjithçka për të cilën ju dhe ju dhe ju shqetësoheni, gjithçka do të jetë në rregull. Dhe ata që shikojnë me syrin e besimit, mund ta ndiejnë se do të jetë në rregull tani.
Kalova një periudhë plot telashe kur isha maturante në shkollën e mesme, kur nuk po bëja zgjedhje të shkëlqyera. Më kujtohet që e shihja mamin tim duke qarë dhe pyesja veten nëse e kisha zhgënjyer. Në atë kohë shqetësohesha se lotët e saj do të thoshin që ajo e kishte humbur shpresën për mua dhe që, nëse ajo nuk ndiente shpresë për mua, ndoshta nuk kishte një rrugë kthimi.
Por babi im ishte më i stërvitur në zgjerimin e këndvështrimit dhe shikimin larg në kohë. Ai kishte mësuar nga përvoja se shqetësimi ngjan shumë si dashuria, por nuk është e njëjta gjë.3 Ai përdori syrin e besimit për të parë se gjithçka do të merrte zgjidhje dhe qasja e tij plot shpresë, më ndryshoi.
Kur mora diplomën e shkollës së mesme dhe shkova në UBJ, babi më dërgonte letra, duke më kujtuar se cila isha. Ai brohoriti për mua dhe gjithkujt i nevojitet një njeri që ta brohorasë, dikush që nuk të thotë: “Nuk po vrapon aq shpejt sa duhet”, por dikush që plot dashuri të kujton se ti mundesh.
Babi e mishëroi ëndrrën e Lehit. Ashtu si Lehi, ai e dinte se ti nuk i ndjek nga pas njerëzit e tu të dashur që ndihen të humbur. “Ti qëndron atje ku je dhe i thërret ata. Ti shkon te pema, qëndron te pema, vazhdon ta hash frutën dhe, me buzëqeshje në fytyrë, vazhdon t’ua bësh me shenjë atyre që i do, dhe t’ua tregosh nëpërmjet shembullit se të hash frutën, të sjell lumturi!”4
Kjo figurë pamore më ka ndihmuar gjatë çasteve të trishtuara kur e gjej veten te pema, duke ngrënë frutën dhe duke qarë sepse jam e shqetësuar; dhe vërtet, sa e dobishme është ajo? Në vend të kësaj, le të zgjedhim shpresën – shpresën te Krijuesi ynë dhe te njëri-tjetri, duke e ushqyer aftësinë tonë për të qenë më të mirë nga sa jemi pikërisht tani.
Fare pak kohë pasi Plaku Nil A. Maksuell ndërroi jetë, një gazetar pyeti birin e tij se për çfarë do ta merrte malli më shumë. Ai tha për darkat në shtëpinë e prindërve të tij, sepse gjithmonë kur largohej, ndiente se babi i tij besonte tek ai.
Kjo ndodhi afërsisht në kohën kur fëmijët tanë në moshë madhore po fillonin të vinin në shtëpi për darkat e së dielës me bashkëshortët dhe bashkëshortet e tyre. Gjatë javës, e gjeja veten duke bërë lista në mendje për gjëra që mund t’ua kujtoja të dielën, si “Ndoshta përpiqu dhe ndihmo më shumë për fëmijët kur je në shtëpi” ose “Mos harro të jesh një dëgjues i mirë”.
Kur e lexova komentin e Vëllait Maksuell, i hodha poshtë listat dhe e heshta atë zë kritik, kështu që, kur i shihja fëmijët e mi të rritur vetëm për atë kohë të shkurtër çdo javë, përqendrohesha te shumë gjëra pozitive që po i bënin tashmë. Kur biri ynë më i madh, Rajëni, ndërroi jetë disa vite më vonë, më kujtohet se isha mirënjohëse që koha jonë së bashku ishte më e lumtur dhe më pozitive.
Përpara se të ndërveprojmë me një njeri të dashur, a mund t’i bëjmë vetes pyetjen: “A është ndihmuese apo lënduese ajo që po bëhem gati të bëj ose të them?” Fjalët tona janë një nga superfuqitë tona dhe pjesëtarët e familjes janë si tabela shkrimi njerëzore, që qëndrojnë përballë nesh duke thënë: “Shkruaj atë që mendon për mua!” Këto mesazhe, qoftë me qëllim ose pa qëllim, duhet të jenë plot shpresë dhe inkurajim.5
Detyra jonë nuk është t’i japim mësim dikujt që po kalon një periudhë plot telashe, se është i keq apo zhgënjyes. Në raste të rralla, mund të kemi nxitjen që të korrigjojmë, por në shumicën e rasteve le t’u japim njerëzve tanë të dashur, me fjalë dhe me gjeste, mesazhet që janë të etur t’i dëgjojnë: “Familja jonë ndihet tërësore dhe e plotë sepse ti je pjesë e saj”. “Do të të duam gjatë gjithë jetës sate, çfarëdo që të ndodhë.”
Nganjëherë, ajo që na nevojitet, është ndjeshmëria më shumë sesa këshilla; mbajtja vesh më shumë sesa një leksion; dikush që të dëgjon dhe pyet veten: “Në çfarë gjendje duhet të ndihem që të them atë që ai apo ajo sapo tha?”
Mbani mend, familjet janë një laborator i dhënë nga Perëndia ku ne po i zbulojmë gjërat, kështu që hapat e gabuar dhe llogaritjet e gabuara jo thjesht që mund të ndodhin, por ka të ngjarë që të ndodhin. Dhe a nuk do të jetë interesante nëse, në fund të jetës sonë, ne mund të shohim se ato marrëdhënie, madje ato çaste sfiduese, ishin pikërisht gjërat që na ndihmuan të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë? Çdo ndërveprim i vështirë është një mundësi për të mësuar se si të duam në një nivel më të thellë, në një nivel të perëndishëm.6
Le ta zgjerojmë këndvështrimin që t’i shohim marrëdhëniet familjare si një mjet të fuqishëm për të na dhënë ato mësime për të cilat erdhëm këtu që t’i mësojmë, teksa drejtohemi te Shpëtimtari!
Le ta pranojmë, në një botë të rënë nuk ka asnjë mënyrë se si të jemi një bashkëshort ose bashkëshorte, prind, bir apo bijë, nip apo mbesë, këshillues, ose një mik i përsosur – por ka një milion mënyra për të qenë një njeri i tillë i mirë!7 Le të qëndrojmë te pema, të marrim nga dashuria e Perëndisë dhe ta shpërndajmë atë! Duke i lartësuar njerëzit përreth nesh, ne shkojmë lart së bashku.
Për fat të keq, kujtimi i ngrënies së frutës nuk mjafton; na nevojitet ta marrim sërish e sërish në mënyra që ia ndryshojnë pozicionin thjerrëzës sonë dhe na lidhin me panoramën qiellore, duke hapur shkrimet e shenjta, që janë të mbushura me dritë, për ta përzënë errësirën, duke ndenjur në gjunjë derisa lutja jonë rastësore të bëhet e fuqishme. Ky është çasti kur zemrat zbuten dhe ne fillojmë të shohim ashtu siç sheh Perëndia.
Në këto ditë të fundit, ndoshta puna më e madhërishme që bëjmë, do të jetë me njerëzit tanë të dashur, njerëz të mirë që jetojnë në një botë të ligë. Shpresa jonë e ndryshon mënyrën se si ata e shohin veten e tyre dhe se cilët janë vërtet. Dhe nëpërmjet kësaj thjerrëze dashurie, ata do të shohin se cilët do të bëhen.
Por kundërshtari nuk dëshiron që ne ose njerëzit tanë të dashur të kthehemi në shtëpi së bashku. Dhe ngaqë jetojmë në një planet që është i kufizuar nga koha dhe nga një numër i fundmë vitesh8, ai përpiqet të mbajë gjallë një ndjesi shumë të vërtetë paniku te ne. Është e vështirë ta shohësh, kur e ngushtojmë këndvështrimin, se drejtimi ynë ka më shumë rëndësi sesa shpejtësia jonë.
Mbani mend: “Nëse doni të shkoni shpejt, shkoni vetëm. Nëse doni të shkoni larg, shkoni së bashku.”9 Fatmirësisht, Perëndia që adhurojmë, nuk është i kufizuar nga koha. Ai e sheh se cilët janë vërtet njerëzit tanë të dashur dhe cilët jemi ne vërtet.10 Kështu që Ai ka durim me ne, duke shpresuar se ne do të kemi durim me njëri‑tjetrin.
Do ta pohoj se ka çaste kur toka, shtëpia jonë e përkohshme, duket si një ishull plot pikëllim, çaste kur unë kam një sy besimi dhe syri tjetër po vajton.11 A e njihni këtë ndjenjë?
E përjetova të martën.
A mund të zgjedhim në vend të kësaj qëndrimin besnik të profetit tonë kur ai premton mrekulli në familjet tona? Nëse e bëjmë këtë, gëzimi ynë do të rritet edhe nëse shtohet trazira. Ai po premton se një efekt panoramik mund të përjetohet tani, pavarësisht nga rrethanat tona.12
Të pasurit e këtij syri besimi tani është një kapje sërish ose një jehonë e besimit që patëm përpara se të vinim në këtë planet. Ai sy sheh përtej pasigurisë së një çasti, duke na lejuar të “bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe [pastaj të] qëndro[jmë] të patundur”13.
A ka diçka të vështirë në jetën tuaj pikërisht tani, diçka për të cilën shqetësoheni se nuk mund të zgjidhet? Pa syrin e besimit, mund të duket sikur Perëndia e ka humbur vëmendjen për gjërat. Dhe a është e vërtetë kjo?
Ose ndoshta frika juaj më e madhe është se ju do ta kaloni krejt vetëm këtë kohë të vështirë, por kjo do të thoshte se Perëndia ju ka braktisur. Dhe a është e vërtetë kjo?
Është dëshmia ime se Shpëtimtari e ka aftësinë, për shkak të Shlyerjes së Tij, që ta shndërrojë çdo makth që po kaloni, në një bekim. Ai na ka dhënë një premtim “me një besëlidhje të patundshme” se teksa përpiqemi fort ta duam dhe ta ndjekim Atë, “të gjitha gjërat me të cilat je[m]i munduar, do të veprojnë së bashku për të mirën t[onë]”14. Të gjitha gjërat.
Dhe për shkak se jemi fëmijët e besëlidhjes, ne mund ta kërkojmë këtë ndjenjë plot shpresë tani!
Ndërkohë që familjet tona nuk janë të përsosura, ne mund ta përsosim dashurinë tonë për të tjerët derisa të bëhet një lloj dashurie e qëndrueshme, e pandryshueshme, pa asnjë rezervë, lloji i dashurisë që e përkrah ndryshimin dhe lë vend për rritje dhe kthim.
Është puna e Shpëtimtarit që t’i kthejë sërish njerëzit tanë të dashur. Është puna e Tij dhe koha e Tij. Është puna jonë të sigurojmë shpresën dhe një zemër ku ata mund të kthehen si në shtëpi. “Ne nuk kemi as autoritetin [e Perëndisë] për të dënuar, as fuqinë e Tij për të shëlbyer, por na është dhënë autorizimi për ta ushtruar dashurinë e Tij.”15 Presidenti Nelson gjithashtu ka dhënë mësim se të tjerët kanë nevojë më shumë për dashurinë tonë sesa për gjykimin tonë. “Atyre iu nevojitet të përjetojnë dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit të pasqyruar në fjalët dhe veprimet t[ona].”16
Dashuria është gjëja që i ndryshon zemrat. Është më e dëlira nga të gjitha shtysat dhe të tjerët mund ta ndiejnë atë. Le të mbahemi fort te këto fjalë profetike që u dhanë 50 vjet më parë: “Asnjë shtëpi nuk është e dështuar, po të mos heqë dorë nga përpjekja”17. Sigurisht, ata që japin dashuri më shumë dhe për një kohë më të gjatë, fitojnë!
Në familjet tokësore, ne thjesht po bëjmë atë që Perëndia ka bërë me ne, duke treguar udhën dhe duke shpresuar se njerëzit tanë të dashur do të shkojnë në atë drejtim, duke e ditur se shtegun ku udhëtojnë, iu takon atyre ta zgjedhin.
Dhe kur kalojnë në anën tjetër të velit dhe tërhiqen pranë asaj “qendre rëndese” të dashur të shtëpisë së tyre qiellore18, besoj se do t’u duket e njohur për shkak të mënyrës se si i kanë dashur këtu.
Le ta përdorim atë thjerrëz panoramike dhe t’i shohim njerëzit që i duam dhe me të cilët jetojmë, si shoqërues me të cilët jetojmë bashkë në këtë planet të bukur.
Ju dhe unë? Ne mund ta bëjmë këtë! Ne mund të vazhdojmë dhe të shpresojmë! Ne mund të qëndrojmë te pema dhe ta marrim frutën me një buzëqeshje në fytyrën tonë, duke e lënë Dritën e Krishtit në sytë tanë të bëhet diçka ku të tjerët mund të mbështeten në orët e tyre më të errëta. Teksa shohin dritë të shfaqet në shprehjen e fytyrave tona, ata do të tërhiqen drejt saj. Atëherë, ne mund të ndihmojmë për ta ripërqendruar vëmendjen e tyre te burimi fillestar i dashurisë dhe dritës, “ylli i ndritshëm i mëngjesit”19, Jezu Krishti.
Unë jap dëshminë time se kjo, e gjitha kjo, do të zgjidhet shumë më mirë sesa ne mund ta përfytyrojmë ndonjë herë. Me syrin e besimit te Jezu Krishti, e shikofshim se gjithçka do të jetë në rregull në fund dhe e ndiefshim se do të jetë në rregull tani! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.