Marrëdhënia Jonë me Perëndinë
Pavarësisht nga ajo që mund të na shkaktojë përvoja jonë në vdekshmëri, ne mund t’i mirëbesojmë Perëndisë dhe të gjejmë gëzim tek Ai.
Ashtu si Jobi në Dhiatën e Vjetër, në një kohë vuajtjeje disa mund të ndihen që Perëndia i ka braktisur. Ngaqë e dimë se Perëndia ka fuqi për ta parandaluar ose hequr çdo pikëllim, ne mund të tundohemi për t’u ankuar nëse Ai nuk e bën këtë, mbase duke bërë pyetjen: “Nëse Perëndia nuk e jep ndihmën për të cilën lutem, si mund të kem besim tek Ai?” Në një pikë të sprovave të tij të rënda, Jobi i drejtë tha:
“Mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetën e tij.
Ndonëse bërtas: ‘Më është bërë padrejtësi!’ Nuk kam asnjë përgjigje; ndonëse bërtas për ndihmë, drejtësi nuk ka!”1
Në përgjigjen që i ktheu Jobit, Perëndia e pyet: “Të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?”2 Ose me fjalë të tjera: “Do të më quash edhe mua të padrejtë? Do të më dënosh mua që të mund të shfajësosh veten?”3 Jehova ia kujton me forcë Jobit gjithëfuqinë dhe gjithëditurinë e Tij dhe Jobi me përulësinë më të thellë e pranon se ai nuk zotëron asgjë që madje as tʼi afrohet njohurisë, fuqisë dhe drejtësisë së Perëndisë dhe nuk mund ta gjykojë të Plotfuqishmin:
“E pranoj që mund të bësh gjithçka”, – tha ai, “dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.
… Thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja. …
Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.”4
Në fund, Jobi pati privilegjin ta shihte Zotin dhe “Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para”5.
Është vërtet marrëzi për ne që me miopinë tonë tokësore, të supozojmë që ta gjykojmë Perëndinë, të mendojmë, për shembull: “Nuk jam i lumtur, ndaj Perëndia duhet të ketë bërë diçka gabim”. Për ne, fëmijët e Tij të vdekshëm në një botë të rënë, që dimë kaq pak për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, Ai shpall: “Të gjitha gjërat janë të pranishme në mua, sepse unë i di të gjitha ato”6. Jakobi paralajmëron me mençuri: “Mos kërkoni të këshilloni Zotin, por merrni këshilla nga dora e tij. Pasi, vini re, ju vetë e dini se ai këshillon në urtësi dhe në drejtësi dhe në mëshirë të madhe mbi të gjitha veprat e tij.”7
Disa i keqkuptojnë premtimet e Perëndisë, sikur ato nënkuptojnë se bindja ndaj Tij jep rezultate specifike sipas një programi të caktuar. Ata mund të mendojnë: “Nëse shërbej me zell në një mision me kohë të plotë, Perëndia do të më bekojë me një martesë të lumtur dhe me fëmijë”, ose “Nëse nuk i bëj detyrat e shkollës ditën e Shabatit, Perëndia do të më bekojë me nota të mira”, ose “Nëse paguaj të dhjetën, Perëndia do të më bekojë me atë punë që kam dëshiruar”. Nëse jeta nuk rezulton pikërisht kështu apo sipas një afati kohor të pritshëm, ata mund të ndihen të tradhtuar nga Perëndia. Por gjërat nuk janë kaq mekanike në ekonominë hyjnore. Ne nuk duhet ta mendojmë planin e Perëndisë si një makinë shitëse kozmike ku ne 1) përzgjedhim një bekim të dëshiruar, 2) futim shumën e kërkuar të veprave të mira dhe 3) porosia dorëzohet menjëherë.8
Perëndia njëmend do t’i nderojë besëlidhjet dhe premtimet e Tij ndaj secilit prej nesh. Nuk kemi përse shqetësohemi për këtë.9 Fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit – i cili zbriti nën gjithçka dhe u ngjit sërish lart10 dhe i cili zotëron të gjithë fuqinë në qiell dhe në tokë11 – siguron se Perëndia mundet dhe do t’i përmbushë premtimet e Tij. Është thelbësore që ne t’i nderojmë dhe t’u bindemi ligjeve të Tij, por jo çdo bekim që bazohet te bindja ndaj ligjit12, formësohet, projektohet dhe i përcaktohet një kohë sipas pritshmërive tona. Ne bëjmë më të mirën tonë, por duhet t’ia lëmë Atij administrimin e bekimeve, si materiale edhe shpirtërore.
Presidenti Brigam Jang shpjegoi se besimi i tij nuk u ndërtua mbi disa rezultate ose bekime të caktuara, por mbi dëshminë e tij për Jezu Krishtin dhe marrëdhënien e tij me Të. Ai tha: “Nuk e kam vënë besimin tim te veprat e Zotit mbi ishujt e detit, ngaqë i solli njerëzit këtu, … as te bekimet që derdh mbi këtë popull apo mbi atë popull, as te fakti a jemi të bekuar apo nuk jemi të bekuar, por besimin tim e kam vënë te Zoti Jezu Krisht dhe njohuria ime që kam marrë prej Tij”13.
Pendimi dhe bindja jonë, shërbimi dhe sakrificat kanë vërtet rëndësi. Ne dëshirojmë të jemi midis atyre njerëzve që u përshkruan nga Ethëri si “gjithmonë plot me vepra të mira”14. Por kjo nuk ka të bëjë aq shumë me disa numra të mbajtur në librat çelestialë të llogarive. Këto gjëra kanë rëndësi sepse ato na përfshijnë në veprën e Perëndisë dhe janë mjeti nëpërmjet të cilit bashkëpunojmë me Të për shndërrimin tonë, nga njeri i natyrshëm në shenjtor.15 Ajo që Ati ynë Qiellor na ofron, është Vetvetja dhe Biri i Tij, një marrëdhënie e ngushtë dhe e qëndrueshme me Ta nëpërmjet hirit dhe ndërmjetësimit të Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë.
Ne jemi fëmijët e Perëndisë, të veçuar për pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Fati ynë është të jemi trashëgimtarët e Tij, “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”16. Ati ynë është i gatshëm ta udhërrëfejë secilin prej nesh përgjatë shtegut të Tij të besëlidhjeve me hapa të projektuara sipas nevojës sonë individuale dhe të përshtatura sipas planit të Tij për lumturinë tonë përfundimtare me Të. Ne mund të presim një mirëbesim dhe besim në rritje ndaj Atit dhe Birit, një ndjesi të shtuar për dashurinë e Tyre dhe ngushëllimin e udhërrëfimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë.
Edhe kësisoj, ky shteg nuk mund të jetë i lehtë për gjithsecilin prej nesh. Nevojitet shumë dëlirësim që ai të jetë i lehtë. Jezusi tha:
“Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.
Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, [Ati] e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.”17
Procesi i vullnetit dëlirës dhe pastrues nën drejtimin e Perëndisë, ngaqë nevojitet, mund të jetë tronditës dhe i dhimbshëm ndonjëherë. Nëse kujtojmë shprehjen e Palit, ne jemi “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit; nëse vuajmë m[e] të dhe lavdohemi me të”18.
Prandaj, në mes të këtij zjarri të rafinuesit, në vend që të zemëroheni me Perëndinë, afrohuni me Perëndinë. Thirrini Atit në emrin e Birit. Ecni me Ta në Shpirt, ditë pas dite. Lejojini Ata që ndërsa koha kalon, të shpërfaqin besnikërinë e Tyre ndaj jush. Njihini Ata realisht dhe njiheni veten realisht.19 Lejojeni Perëndinë të triumfojë.20 Shpëtimtari na siguron:
“Dëgjoni atë që është avokati juaj me Atin, i cili po e mbron çështjen tuaj para tij –
Duke thënë: ‘Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; vër re gjakun e Birit tënd që u derdh, gjakun e atij të cilin e dhe që ti vetë të mund të përlëvdoheshe;
Si rrjedhim, Atë, kurseji këta vëllezërit [dhe motrat] e mi[a] që besojnë në emrin tim, që ata të mund të vijnë tek unë dhe të kenë jetë të përhershme’”21.
Merrni parasysh disa shembuj të burrave e grave besnike, të cilët i mirëbesuan Perëndisë, të sigurt se bekimet e Tij të premtuara do t’u vinin qoftë në jetë apo në vdekje. Besimi i tyre nuk u bazua tek ajo që bëri apo nuk bëri Perëndia në një rrethanë apo moment të veçantë të kohës, por te fakti që ata e njihnin Atë si Atin e tyre mirëdashës dhe Jezu Krishtin si Shëlbuesin e tyre besnik.
Kur Abrahami pothuajse po flijohej nga prifti egjiptian i Elkenahut, ai i thirri Perëndisë për ta shpëtuar dhe Perëndia e shpëtoi.22 Abrahami jetoi duke u bërë ati i besnikëve, nëpërmjet farës së të cilit do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës.23 Më përpara, në po atë altar, i njëjti prift i Elkenahut kishte ofruar tri virgjëresha, të cilat “për shkak të virtytit të tyre … nuk do të përkuleshin për të adhuruar perëndi prej druri ose prej guri”24. Ato vdiqën atje si martire.
Jozefi i lashtësisë, i shitur si skllav kur ishte i ri nga vetë vëllezërit e tij, në pikëllimin e tij iu drejtua Perëndisë. Dalëngadalë, ai u ngrit në pozitë në shtëpinë e zotërisë së tij në Egjipt, mirëpo më pas i gjithë ky përparim iu zhvat për shkak të akuzave të rreme të gruas së Potifarit. Jozefi mund të kishte menduar: “Ja pra, burgu qenka shpërblimi që mbajta ligjin e dëlirësisë!” Përkundrazi ai vazhdoi t’i drejtohej Perëndisë dhe u begatua madje edhe në burg. Jozefi hoqi edhe një zhgënjim tjetër dërrmues kur i burgosuri me të cilin ishte miqësuar, pavarësisht nga premtimi i tij për ta ndihmuar Jozefin, e harroi fare atë pasi u rivendos në pozitën e tij në oborrin e Faraonit. Në kohën e duhur, siç e dini, Zoti ndërhyri për ta vënë Jozefin në pozitën më të lartë të mirëbesimit dhe pushtetit përkrah Faraonit, duke i dhënë mundësi Jozefit të shpëtonte shtëpinë e Izraelit. Sigurisht që Jozefi do të mund të pohonte “se të gjitha gjëra[t] bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”25.
Abinadi ishte i vendosur ta përmbushte urdhrin e tij hyjnor. “Unë mbaroj mesazhin tim”, – tha ai, “dhe pastaj nuk ka rëndësi se [çfarë më ndodh], në qoftë se unë jam i shpëtuar.”26 Atij nuk ia kursyen vdekjen prej martiri, por me siguri ai u shpëtua në mbretërinë e Perëndisë dhe i vetmi i kthyer i tij i vyer në besim, Alma, e ndryshoi rrjedhën e historisë së nefitëve, gjë që i parapriu ardhjes së Krishtit.
Si përgjigje ndaj lutjeve të tyre, Alma dhe Amuleku, u çliruan nga burgu në Amoniha dhe përndjekësit e tyre u vranë.27 Megjithatë, më herët, po këta përndjekës i kishin hedhur gratë besimtare dhe fëmijët e tyre në një zjarr të furishëm. Alma, ndërsa shihte skenën e tmerrshme në agoni, u detyrua nga Shpirti që të mos ta ushtronte fuqinë e Perëndisë për t’i “shpët[uar] nga flakët”28, që ata të mund të pranoheshin te Perëndia në lavdi29.
Profeti Jozef Smith u brengos në burgun e Libertisë, Misuri, i pafuqishëm për t’i ndihmuar shenjtorët, ndërsa i plaçkitnin dhe i dëbonin nga shtëpitë e tyre në të ftohtin e hidhur të dimrit. “O Perëndi, ku je ti?” – thirri Jozefi. “Për sa kohë do të frenohet dora jote?”30 Si përgjigje, Zoti i premtoi: “Fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart. … Ti nuk je ende si Jobi.”31
Në fund, Jozefi mund të shpallte me Jobin: “Ja, [Perëndia] do të më vrasë, […] sidoqoftë, [prapë do t’i mirëbesoj Atij]”32.
Plaku Bruk P. Hejls, rrëfeu historinë e motrës Patrisha Parkinson, e cila kishte lindur me shikim normal, por në moshën 11‑vjeçare qe verbuar.
Plaku Hejls, tregoi: “E kam njohur Patin prej shumë vjetësh dhe kohët e fundit i thashë se e admiroja faktin që ajo është gjithmonë pozitive dhe e gëzuar. Ajo u përgjigj: ‘Epo, nuk keni qenë në shtëpi me mua, apo jo? Kam çastet e mia. Kam pasur raste mjaft të rënda depresioni dhe kam qarë shumë.’ Gjithsesi, ajo shtoi: ‘Që nga koha kur fillova ta humbas shikimin, ishte e çuditshme, por e dija se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ishin me familjen time dhe me mua. … Atyre që më pyetin a jam e inatosur ngaqë jam e verbër, u përgjigjem: “Me kë të jem e inatosur? Ati Qiellor është në këtë gjë me mua; nuk jam vetëm. Ai është me mua gjatë gjithë kohës.”’”33
Në fund, është bekimi i një marrëdhënieje të ngushtë e të qëndrueshme me Atin dhe Birin ajo që kërkojmë. Ky fakt sjell gjithë ndryshimin dhe ia vlen përjetësisht mundimi. Ne do të dëshmojmë me Palin se “vuajtjet e kohës së tanishme [në vdekshmëri] nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne”34. Jap dëshmi se, pavarësisht nga ajo që mund të na shkaktojë përvoja jonë në vdekshmëri, ne mund t’i mirëbesojmë Perëndisë dhe të gjejmë gëzim tek Ai.
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”35
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.