Konferenca e Përgjithshme
Të Patundur në Stuhi
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


15:44

Të Patundur në Stuhi

Kur vijnë stuhitë në jetë, ju mund të jeni të patundur sepse po qëndroni mbi shkëmbin e besimit tuaj te Jezu Krishti.

Të dashur vëllezër e motra të mia, jemi bekuar sot që dëgjuam shërbëtorë të frymëzuar të Perëndisë të japin këshilla dhe inkurajim. Çdonjëri prej nesh, kudo që të jetë, e di se ne jetojmë në kohë gjithnjë e më të vështira. Lutja ime është që të mund t’ju ndihmoj të qëndroni të patundur në stuhitë me të cilat përballemi, me një zemër plot paqe.1

Vendi nga t’ia nisim është të mbajmë mend se secili prej nesh është një fëmijë i dashur i Perëndisë dhe se Ai ka shërbëtorë të frymëzuar. Ata shërbëtorë të Perëndisë e kanë parashikuar kohën në të cilën ne jetojmë. Apostulli Pal i shkroi Timoteut: “Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira”2.

Çdokush që ka sy për t’i parë shenjat e kohës dhe veshë për t’i dëgjuar fjalët e profetëve, e di se kjo është e vërtetë. Kërcënimet për rrezik më të madh na vijnë nga forcat e ligësisë. Këto forca po shtohen. Kështu që do të bëhet më e vështirë, jo më e lehtë, t’i nderojmë besëlidhjet që duhet të bëjmë dhe mbajmë për të jetuar ungjillin e Jezu Krishtit.

Për ata prej nesh që janë të shqetësuar për veten dhe për ata që duan, ka shpresë në premtimin që Perëndia ka bërë një vend sigurie gjatë stuhive që na presin.

Ja ku është një tablo me fjalë e atij vendi. Ajo është përshkruar në mënyrë të përsëritur nga profetët e gjallë. Për shembull, siç shënohet në Librin e Mormonit, një atë i frymëzuar dhe i dashur u tregoi bijve të tij se si të forcoheshin për të qëndruar të patundur gjatë stuhive që i prisnin: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, … mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”3.

Mjerimi dhe vuajtja e pafund për të cilat foli ai, janë efektet e tmerrshme të mëkateve nëse nuk pendohemi plotësisht për to. Stuhitë gjithnjë e më të mëdha janë tundimet dhe sulmet e shtuara të Satanit. Nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani që të kuptojmë se si të ndërtojmë mbi atë themel të sigurt. Për mua, nuk ka vend më të mirë për të kërkuar sesa në predikimin e fundit të mbretit Beniamin, që shënohet gjithashtu në Librin e Mormonit.

Fjalët profetike të mbretit Beniamin janë të zbatueshme për ne në kohën tonë. Ai i njihte nga vetë përvoja e tij llahtaritë e luftës. E kishte mbrojtur popullin e tij në betejë, duke u mbështetur në fuqinë e Perëndisë. I pa qartë fuqitë e tmerrshme të Luciferit për t’i tunduar, në përpjekje për t’i pushtuar dhe për t’i shkurajuar fëmijët e Perëndisë.

Ai e ftoi popullin e tij dhe ne që të ndërtojmë mbi shkëmbin e vetëm të sigurt të sigurisë, i cili është Shpëtimtari. Ai e bëri të qartë se ne jemi të lirë të zgjedhim mes së drejtës dhe së gabuarës dhe se nuk mund t’i shmangim pasojat e zgjedhjeve tona. Ai foli haptas dhe ashpër sepse e dinte se çfarë pikëllimi do t’u vinte atyre që mund të mos i dëgjonin e t’ua vinin veshin paralajmërimeve të tij.

Ja tek është mënyra se si ai i përshkroi pasojat që vijnë nga zgjedhja jonë për të ndjekur nxitjen e Shpirtit ose për të ndjekur mesazhet e liga që vijnë nga Satani, qëllimi i të cilit është të na tundojë e shkatërrojë:

“Pasi vini re, ka një mallkim të shpallur mbi atë që zgjedh t’i bindet atij shpirti [të lig]; pasi nëse ai zgjedh t’i bindet atij dhe qëndron dhe vdes në mëkatet e tij, njësoj pi mallkimin e shpirtit të tij; pasi ai merr për pagesa të tij një ndëshkim të përjetshëm, pasi ka shkelur ligjin e Perëndisë në kundërshtim me njohurinë e tij. …

Prandaj, nëse ai njeri nuk pendohet dhe qëndron dhe vdes një armik ndaj Perëndisë, kërkesat e drejtësisë hyjnore zgjojnë shpirtin e tij të pavdekshëm në një ndjenjë të gjallë të fajit të tij, që e bën atë të tkurret nga prania e Zotit dhe ia mbush gjoksin e tij me faj dhe dhembje dhe vuajtje që është si një zjarr i pashuar, flaka e të cilit ngrihet lart gjithmonë e përgjithmonë.”

Mbreti Beniamin vazhdoi duke thënë: “O, të gjithë ju burra të vjetër dhe gjithashtu ju djem të rinj dhe ju fëmijë të vegjël që mund të kuptoni fjalët e mia, pasi unë ju kam folur qartë që ju të mund të kuptoni, unë lutem që ju do të zgjoheni në një kujtim të gjendjes së tmerrshme të atyre që kanë rënë në shkelje”4.

Për mua, fuqia e atij paralajmërimi për t’u penduar krijon në mendjen time një tablo të kohës kur me siguri ju dhe unë do të qëndrojmë përpara Shpëtimtarit pas kësaj jete. Ne duam me gjithë zemër që të mos mpakemi por përkundrazi të ngremë sytë duke e vështruar Atë, ta shohim të buzëqeshë dhe ta dëgjojmë të thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik: … hyr [brenda]”5.

Mbreti Beniamin e bën të qartë se si mund të marrim shpresën për t’i dëgjuar ato fjalë nëse gjejmë mënyrën në këtë jetë për ta ndryshuar natyrën tonë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ajo është e vetmja mënyrë në të cilën mund të ndërtojmë mbi themelin e sigurt dhe kështu të qëndrojmë të palëkundur gjatë stuhive të tundimeve dhe sprovave që na presin. Mbreti Beniamin e përshkruan atë ndryshim të natyrës sonë me një metaforë të bukur që ma ka prekur gjithmonë zemrën. Ajo u përdor nga profetët për mijëvjeçarë dhe nga Zoti Vetë. Ajo është kështu: ne duhet të bëhemi si fëmijë – si një fëmijë i vogël.

Për disa, ajo nuk do të jetë e lehtë të pranohet. Shumica prej nesh dëshirojnë të jenë të fortë. Ne madje mund ta shohim të qenit si fëmijë si të qenit i dobët. Shumica e prindërve presin ditën kur fëmijët e tyre të kenë sjellje më pak fëmijërore. Por mbreti Beniamin, i cili e kuptonte aq mirë sa çdo njeri i vdekshëm se çfarë do të thoshte të ishe një njeri i fortë dhe me guxim, e bën të qartë se të jesh si fëmijë nuk do të thotë të jesh i papjekur. Të jesh si fëmijë është të jesh si Shpëtimtari, i cili iu lut Atit të Tij për forcë që të ishte në gjendje të bënte vullnetin e Atit dhe të shlyente për mëkatet e të gjithë fëmijëve të Atit të Tij dhe më pas e bëri atë. Natyra jonë duhet të ndryshojë që të bëhemi si një fëmijë për të fituar forcën që duhet të kemi për të qëndruar të patundur dhe në paqe në kohë rreziku.

Këtu është përshkrimi therës i mbretit Beniamin i mënyrës se si vjen ai ndryshim: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”6.

Ai ndryshim na vjen ndërsa bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe i përtërijmë ato. Ai sjell fuqinë e Shlyerjes së Krishtit që të lejojë një shndërrim të zemrës sonë. Ne mund ta ndiejmë atë sa herë që marrim sakramentin, kryejmë një ordinancë tempulli për një paraardhës të ndjerë, dëshmojmë si një dëshmitar i Shpëtimtarit ose kujdesemi për dikë në nevojë si dishepull i Krishtit.

Nga ato përvoja, ne bëhemi me kalimin e kohës si një fëmijë në aftësinë tonë për të dashur e për t’u bindur. Arrijmë të qëndrojmë mbi themelin e sigurt. Besimi ynë te Jezu Krishti na sjell drejt pendimit dhe drejt zbatimit të urdhërimeve të Tij. Ne bindemi dhe marrim fuqinë për t’i bërë ballë tundimit dhe fitojmë shoqërimin e premtuar të Frymës së Shenjtë.

Natyra jonë ndryshon që të bëhemi si një fëmijë i vogël, të bindur ndaj Perëndisë dhe më të dashur. Ai ndryshim do të na kualifikojë për të gëzuar dhuratat që vijnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Pasja e shoqërimit të Shpirtit do të na ngushëllojë, udhërrëfejë dhe forcojë.

Kam arritur t’i kuptoj disa nga ato që nënkuptoi mbreti Beniamin kur tha se ne mund të bëheshim si një fëmijë i vogël përpara Perëndisë. Kam mësuar nga shumë përvoja se Fryma e Shenjtë flet më shpesh me një zë të qetë, që dëgjohet më lehtë kur zemra e njeriut është e butë dhe e nënshtruar, si ajo e një fëmije. Në fakt, lutja që funksionon, është: “Unë dëshiroj vetëm atë që Ti do. Vetëm më thuaj se çfarë është ajo. Unë do ta bëj.”

Kur vijnë stuhitë në jetë, ju mund të jeni të patundur sepse po qëndroni mbi shkëmbin e besimit tuaj te Jezu Krishti. Ai besim do t’ju udhëheqë drejt pendimit të përditshëm dhe mbajtjes së vazhdueshme të besëlidhjeve. Atëherë ju do ta kujtoni gjithmonë Atë. Dhe gjatë stuhive të urrejtjes dhe ligësisë, do të ndiheni të patundur dhe plot shpresë.

Për më tepër, do ta gjeni veten duke u zgjatur për të ngritur të tjerët në siguri, mbi shkëmb, bashkë me ju. Besimi te Jezu Krishti na udhëheq gjithnjë drejt shpresës më të madhe dhe ndjenjave të dashurisë hyjnore kundrejt të tjerëve, e cila është dashuria e vërtetë e Krishtit.

Ju jap dëshminë time solemne që Zoti Jezu Krisht jua ka bërë ftesën: “Ejani tek unë”7. Ai ju fton, nga dashuria që ka për ju dhe për ata që ju i doni, që të vini tek Ai për paqe në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë. Ai i di përsosurisht stuhitë me të cilat do të përballeni në provën tuaj si pjesë e planit të lumturisë.

Ju lutem që ta pranoni ftesën e Shpëtimtarit. Si një fëmijë i butë e i dashur, pranojeni ndihmën e Tij. Bëjini dhe mbajini besëlidhjet që Ai ofron në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ato do t’ju forcojnë. Shpëtimtari i di stuhitë dhe vendet e sigurisë që janë udhës së kthimit për në shtëpi tek Ai dhe tek Ati ynë Qiellor. Ai e di udhën. Ai është Udha. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.