Të Mahnitur nga Krishti dhe Ungjilli i Tij
Kujtimi i asaj që sytë tanë kanë parë dhe që zemra jonë ka ndier, e shtoftë magjepsjen tonë për flijimin shlyes të Shpëtimtarit!
Kam një mik të dashur, i cili është një profesor universiteti mendjendritur që ka dalë në pension, autor produktiv dhe, mbi të gjitha, një dishepull i zotuar i Jezu Krishtit. Ai e ka vizituar Tokën e Shenjtë dhjetëra herë për të marrë pjesë në konferenca, për të kryer kërkime akademike dhe për të udhëhequr grupe turistike. Sipas tij, sa herë që e viziton vendin ku eci Jezusi, ai mrekullohet sepse padyshim mëson diçka të re, mahnitëse dhe magjepsëse për Shpëtimtarin, shërbesën e Tij në vdekshmëri dhe atdheun e Tij të dashur. Mahnitja që tregon miku im kur flet për gjithçka që mëson në Tokën e Shenjtë, është ngjitëse dhe kjo magjepsje ka qenë thelbësore në arritjet e tij të mëdha dhe veprimtaritë akademike në jetën e vet.
Teksa i kam dëgjuar përvojat e tij dhe e kam ndier entuziazmin e tij, kam reflektuar se sa më tepër çudi shpirtërore, si të thuash, mund dhe duhet të ndiejmë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe ndryshimin që mund të sjellë ai në dishepullimin tonë dhe në udhëtimin tonë drejt jetës së përjetshme. Çudia së cilës i referohem, është ndjesia e emocionit, e mahnitjes ose magjepsjes, e zakonshme për të gjithë ata që e përqendrojnë me gjithë zemër jetën e vet te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij dhe që e dallojnë me përulësi praninë e Tij në jetën e tyre. Një ndjenjë e tillë çudie, e frymëzuar nga ndikimi i Frymës së Shenjtë, nxit entuziazmin për ta jetuar me gëzim doktrinën e Krishtit.1
Shkrimet e shenjta përmbajnë disa shembuj të mënyrës se si shfaqet kjo ndjesi. Profeti Isaia, për shembull, e shprehu thellësinë e mirënjohjes së tij për Zotin duke u gëzuar në Të.2 Ata që e dëgjuan Jezusin të predikonte në sinagogën në Kapernaum, u mahnitën nga doktrina e Tij dhe forca me të cilën Ai dha mësim.3 Ishte e njëjta ndjenjë që depërtoi në çdo qelizë të zemrës së të riut Jozef Smith ndërsa lexoi nga Bibla kapitullin e parë të Jakobit, që e shtyu të kërkonte urtësinë e Perëndisë.4
Vëllezërit dhe motrat e mia, kur jemi vërtet të mahnitur nga Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij, jemi më të lumtur, kemi më shumë entuziazëm për veprën e Perëndisë dhe e dallojmë dorën e Zotit në të gjitha gjërat. Për më tepër, studimi i fjalëve të Perëndisë nga ana jonë është më kuptimplotë; lutjet tona, më të qëllimshme; adhurimi ynë, më nderues; shërbimi ynë në mbretërinë e Perëndisë, më i zellshëm. Të gjitha këto veprime kontribuojnë që ndikimi i Shpirtit të Shenjtë të jetë më i shpeshtë në jetën tonë.5 Pra, dëshmia jonë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij do të forcohen, ne do ta mbajmë Krishtin të gjallë brenda nesh6 dhe ne do ta jetojmë jetën tonë “duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim, … duke mbushulluar në të me falënderim”7. Kur jetojmë në këtë mënyrë, ne bëhemi më të qëndrueshëm shpirtërisht dhe të mbrojtur nga zënia në kurthin e plogështisë shpirtërore.
Një plogështi e tillë karakterizohet nga humbja graduale e gjallërisë sonë për t’u përfshirë plotësisht në ungjillin e Zotit. Në përgjithësi ajo fillon kur jemi duke ndier se i kemi marrë tashmë të gjitha njohuritë dhe bekimet e nevojshme për lumturinë tonë në këtë jetë. Kjo vetëkënaqësi, si të thuash, na bën që t’i marrim të mirëqena dhuratat e ungjillit dhe, që këtej e tutje, ne rrezikojmë të lëmë pas dore zhytjen tonë të rregullt në gjërat thelbësore të ungjillit të Jezu Krishtit8 dhe besëlidhjet që kemi bërë. Për pasojë, ne gradualisht e largojmë veten tonë nga Zoti, duke e dobësuar aftësinë tonë për ta “dëgj[uar] Atë”9, duke u bërë mospërfillës dhe të pandjeshëm ndaj madhështisë së veprës së Tij. Dyshime lidhur me të vërtetat që kemi marrë tashmë, mund të hyjnë në mendjen dhe zemrën tonë, duke na bërë të cenueshëm ndaj tundimeve të armikut.10
Pastori Aiden Uilson Tozer, një shkrimtar i njohur dhe i krishterë i guximshëm, shkroi: “Vetëkënaqësia është një armik vdekjeprurës i të gjithë rritjes shpirtërore”11. A nuk ishte pikërisht kjo ajo që ndodhi me popullin e Nefit pak pas lindjes së Krishtit? Ata “filluan të jenë gjithnjë e më pak të çuditur nga ndonjë shenjë ose çudi nga qielli, … [duke] mos [i] bes[uar] të gjitha ato që kishin dëgjuar dhe parë”. Kështu Satani “u[a] verboi sytë dhe i bëri të besojnë se doktrina e Krishtit ishte një gjë e marrë dhe e kotë”12.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në dashurinë e Tij të përsosur e të pafundme dhe duke e njohur natyrën tonë njerëzore13, Shpëtimtari ka caktuar mënyrën se si ne ta shmangim zënien në kurthin e plogështisë shpirtërore. Ftesa e Shpëtimtarit na jep një këndvështrim më të gjerë, veçanërisht duke marrë parasysh botën e ndërlikuar në të cilën jetojmë: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”14. Teksa e pranojmë ftesën nga Shpëtimtari, ne tregojmë përulësinë tonë, dëshirën tonë për të marrë mësim dhe shpresën tonë për t’u bërë më shumë si Ai.15 Kjo ftesë përfshin gjithashtu t’i shërbejmë Atij dhe t’u japim shërbesë fëmijëve të Perëndisë “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”16. Në thelb të përpjekjes sonë në këtë rrugëtim janë, sigurisht, dy urdhërimet e mëdha: të duam Zotin, Perëndinë tonë, dhe të duam të afërmin tonë si vetveten.17
Kjo lloj sjelljeje është pjesë e karakterit hyjnor të Jezusit dhe ishte e dukshme në çdo gjë që Ai bëri gjatë shërbesës së Tij tokësore.18 Si rrjedhim, kur përkushtohemi me qëllim dhe me të vërtetë për të parë drejt Tij dhe për të mësuar prej shembullit të Tij të përsosur19, ne arrijmë ta njohim Atë më mirë. Na shtohet entuziazmi dhe dëshira për ta përfshirë në jetën tonë standardin më të mirë të mënyrës se si duhet të jetojmë, shembullin që duhet të japim dhe urdhërimet që duhet të ndjekim. Ne gjithashtu fitojmë kuptueshmëri, urtësi, karakter hyjnor dhe hir shtesë ndaj Perëndisë dhe të afërmve tanë.20 Unë mund t’ju siguroj se aftësia jonë për ta ndier ndikimin dhe dashurinë e Shpëtimtarit do të intensifikohet në jetën tonë, duke e lartësuar besimin tonë, dëshirën tonë për të vepruar me drejtësi dhe shtysën për t’i shërbyer Atij dhe të tjerëve.21 Përveç kësaj, mirënjohja jonë për bekimet dhe sfidat që përjetojmë në vdekshmëri, do të forcohet dhe do të bëhet pjesë e adhurimit tonë të vërtetë.22
Miqtë e mi të dashur, të gjitha këto gjëra e forcojnë çudinë tonë shpirtërore në lidhje me ungjillin dhe na shtyjnë t’i mbajmë me gëzim besëlidhjet që bëjmë me Zotin – madje edhe mes sprovave dhe sfidave që përjetojmë. Natyrisht, që këto rezultate të vijnë, ne kemi nevojë të zhytemi me besim dhe qëllim të vërtetë në mësimet e Shpëtimtarit23, duke u përpjekur fort që t’i përfshijmë cilësitë e Tij në mënyrën tonë të të qenit24. Përveç kësaj, ne kemi nevojë të afrohemi më pranë Tij nëpërmjet pendimit tonë25, duke kërkuar faljen e Tij dhe fuqinë e Tij shëlbuese në jetën tonë dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij. Vetë Zoti premtoi se Ai do t’i drejtonte shtigjet tona nëse do t’i mirëbesonim Atij me gjithë zemrën tonë, duke e pranuar Atë në të gjitha udhët tona dhe duke mos u mbështetur në gjykimin tonë.26
Një burrë që e takova kohët e fundit, emri i të cilit është Ues, dhe që po e ndjek sot konferencën, e pranoi ftesën e Krishtit për të mësuar për Të dhe për ungjillin e Tij dhe filloi të përjetonte mahnitjen e dashurisë së Tij pas 27 vjetësh largimi nga shtegu i besëlidhjeve. Ai më tha se një ditë një misionar u vu në kontakt me të nëpërmjet Facebook‑ut, Plaku Xhons, i cili u caktua përkohësisht në zonën e Uesit përpara se të shkonte në misionin që i ishte caktuar fillimisht në Panama. Kur Plaku Xhons hasi profilin e Uesit, madje duke mos e ditur paraprakisht se ai ishte tashmë një anëtar i Kishës, ndjeu udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë dhe e dinte se duhej të vihej në kontakt menjëherë me Uesin. Ai veproi shpejt sipas kësaj mbrese. Uesi u habit nga ky kontakt i papritur dhe filloi të kuptonte se Zoti ishte në dijeni për të pavarësisht nga largësia e tij nga shtegu i besëlidhjeve.
Që nga ajo kohë, Uesi dhe misionarët filluan të komunikojnë shpesh. Plaku Xhons dhe shoku i tij bënë akte shërbimi javore dhe dhanë mesazhe shpirtërore, të cilat e ndihmuan Uesin të rifitonte mahnitjen e tij ndaj Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij. Ajo ringjalli flakën e dëshmisë së tij për të vërtetën dhe të dashurisë së Shpëtimtarit për të. Uesi ndjeu paqen që vjen nga Ngushëlluesi, dhe fitoi forcën që i nevojitej për t’u kthyer në vathë. Ai më tha se kjo përvojë e ktheu në jetë shpirtërisht dhe emocionalisht dhe e ndihmoi të largonte ndjenjat e hidhërimit të grumbulluara ndër vite për shkak të përvojave të vështira që kishte kaluar.
Siç ka vërejtur miku im i matur profesor, të cilin e përmenda më lart, ka gjithmonë diçka të mrekullueshme dhe magjepsëse për të mësuar rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij.27 Zoti ka bërë premtime të mrekullueshme që u jepen të gjithë atyre, përfshirë neve, që përpiqen të mësojnë për Të dhe t’i përfshijnë fjalët e Tij në jetën e tyre. Enokut Ai i tha: “Vër re, Shpirti im [do të jetë] mbi ty, si rrjedhim të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; dhe malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të banosh në mua dhe unë në ty”28. Nëpërmjet shërbëtorit të Tij, mbretit Beniamin, Ai shpalli: “Ju do të quheni fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij; pasi vini re, në këtë ditë ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij dhe jeni bërë bijtë e tij dhe bijat e tij”29.
Si rrjedhim, ndërsa vërtet dhe vazhdimisht përpiqemi fort të mësojmë për Shpëtimtarin dhe ta ndjekim shembullin e Tij, unë ju premtoj, në emër të Tij, se cilësitë e Tij hyjnore do të shkruhen në mendjet dhe zemrat tona30, se ne do të bëhemi më shumë si Ai dhe se ne do të ecim me Të.31
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, lutem që ne do të qëndrojmë përherë të mahnitur prej Jezu Krishtit dhe dashurisë së Tij të plotë, të pafundme dhe të përsosur. Kujtimi i asaj që sytë tanë kanë parë dhe që zemra jonë ka ndier, e shtoftë magjepsjen tonë për flijimin shlyes të Shpëtimtarit, i cili mund të na shërojë nga plagët tona shpirtërore dhe emocionale dhe të na ndihmojë që t’i afrohemi më shumë Atij! U mrekullofshim nga premtimet e mëdha që Ati ka në duart e Tij dhe që Ai i ka përgatitur për ata të cilët janë besnikë:
“Mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat.
Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm.”32
Jezusi është Shëlbuesi i botës dhe kjo është Kisha e Tij. Dëshmoj për këto të vërteta në emrin e shenjtë, sublim dhe i cili frymëzon mahnitje, të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.