Sepse Perëndia na Deshi aq Shumë
Perëndia na deshi aq shumë sa Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur – jo që të na dënojë, por që të na shpëtojë.
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Herën e parë kur e vura re këtë varg, nuk isha në kishë apo në mbrëmjen familjare të shtëpisë. Po shikoja një ngjarje sportive në televizor. Pavarësisht se çfarë kanali shihja dhe pavarësisht se çfarë loje ishte, të paktën një person mbante lart një tabelë ku shkruhej “Gjoni 3:16”.
Kam arritur ta dua po njësoj edhe vargun 17: “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij”.
Perëndia e dërgoi Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëm në mish, për të dhënë jetën e Tij për gjithsecilin prej nesh. Këtë e bëri sepse Ai na do dhe ka hartuar një plan për secilin prej nesh që të kthehemi në shtëpi tek Ai.
Por ky nuk është një plan shabllon, i njëjtë për të gjithë apo që herë qëllon në shenjë e herë jo. Ai është vetjak, i parashtruar nga një Atë i dashur Qiellor, i cili i njeh zemrat tona, emrat tanë dhe çfarë Ai ka nevojë që ne të bëjmë. Përse e besojmë këtë? Sepse na jepet mësim në shkrimet e shenjta.
Moisiu e dëgjoi vazhdimisht Atin Qiellor të thoshte fjalët “Moisi, biri im” (shih Moisiu 1:6; shih edhe vargjet 7, 40). Abrahami mësoi se ishte një fëmijë i Perëndisë, i zgjedhur për misionin e tij madje para se të lindte (shih Abraham 3:12, 23). Me anë të dorës së Perëndisë, Esteri u vu në një pozitë ndikimi për të shpëtuar popullin e saj (shih Esterit 4). Dhe Perëndia i besoi një vajze të re, një shërbëtoreje, që të dëshmonte për një profet të gjallë që Naamani të mund të shërohej (shih 2 Mbretërve 5:1–15).
E dua veçanërisht atë burrin e mirë, të shkurtër, i cili u ngjit në një pemë për të parë Jezusin. Shpëtimtari e dinte që ai ishte aty, ndaloi, pa lart nëpër degë dhe foli këto fjalë: “Zake, zbrit … poshtë” (Lluka 19:5). Dhe nuk mund të harrojmë 14‑vjeçarin që vajti në një korije me pemë dhe mësoi se sa vetjak është me të vërtetë plani: “[Jozef,] ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17.)
Vëllezër dhe motra, ne jemi pika e përqendrimit të planit të Atit Qiellor dhe arsyeja për misionin e Shpëtimtarit tonë. Secili prej nesh, veçan, është puna e Tyre dhe lavdia e Tyre.
Për mua asnjë libër shkrimesh të shenjta nuk e ilustron këtë gjë më qartësisht sesa e ka bërë studimi im i Dhiatës së Vjetër. Kapitull pas kapitulli ne zbulojmë shembuj se si Ati Qiellor dhe Jehova janë të përfshirë ngushtësisht në jetën tonë.
Kohët e fundit ne kemi studiuar rreth Jozefit, birit të dashur të Jakobit. Qysh në moshë të re, Jozefi ishte shumë i favorizuar nga Zoti, megjithatë ai përjetoi sprova të mëdha nga duart e vëllezërve të tij. Dy javë më parë, shumë prej nesh u prekën nga mënyra se si Jozefi i fali vëllezërit e tij. Në manualin Eja, Më Ndiq, lexojmë: “Në shumë mënyra, jeta e Jozefit ngjan me atë të Jezu Krishtit. Ndonëse mëkatet tona i shkaktuan Atij vuajtje të mëdha, Shpëtimtari ofron falje, duke na çliruar të gjithëve nga një fat shumë më i keq sesa zia e bukës. Qoftë nëse na nevojitet të marrim falje apo ta japim atë – në një pikë të caktuar të gjithëve na nevojitet t’i bëjmë të dyja – shembulli i Jozefit na drejton te Shpëtimtari, burimi i vërtetë i shërimit dhe pajtimit.”1
Një mësim që më pëlqen shumë në atë ndodhi, vjen nga Juda, vëllai i Jozefit, i cili luajti një rol në planin vetjak të Perëndisë për Jozefin. Kur Jozefi u tradhtua nga vëllezërit e tij, Juda i bindi ata që të mos ia merrnin jetën Jozefit, por ta shisnin atë në skllavëri (shih Zanafilla 37:26–27).
Shumë vjet më vonë, Judës dhe vëllezërve të tij iu desh ta çonin vëllanë e tyre më të vogël, Beniamin, në Egjipt. Fillimisht ati i tyre nuk pranoi. Por Juda i bëri një premtim Jakobit, ai do ta kthente Beniaminin në shtëpi.
Në Egjipt, premtimi i Judës u vu në provë. I riu Beniamin u akuzua pa të drejtë për një krim. Juda, besnik ndaj premtimit të tij, ofroi të burgosej në vend të Beniaminit. “Sepse”, – tha ai, “si mund të rikthehem tek ati im, në qoftë se fëmija nuk është me mua?” (Shih Zanafilla 44:33–34.) Juda ishte i vendosur ta mbante premtimin e tij dhe ta kthente Beniaminin shëndoshë e mirë. A ndiheni ndonjëherë për të tjerët ashtu si u ndje Juda për Beniaminin?
A nuk është kjo ajo që ndiejnë prindërit për fëmijët e tyre? Çfarë ndiejnë misionarët për njerëzit të cilëve u shërbejnë? Çfarë ndiejnë udhëheqësit e Fillores dhe të rinisë për ata të cilëve u japin mësim dhe i duan?
Pavarësisht se kush jeni apo rrethanave tuaja të tanishme, dikush ndien pikërisht këtë për ju. Dikush dëshiron të kthehet tek Ati Qiellor me ju.
Jam mirënjohës për ata që asnjëherë nuk heqin dorë nga ne, që vazhdojnë të derdhin shpirtrat e tyre në lutje për ne dhe që vazhdojnë të na mësojnë e na ndihmojnë të kualifikohemi për t’u kthyer në shtëpi tek Ati ynë në Qiell.
Kohët e fundit, një mik i dashur kaloi 233 ditë në spital me COVID-19. Gjatë asaj kohe, atë e vizitoi ati i tij i ndjerë, i cili i kërkoi që një mesazh t’u jepej nipërve dhe mbesave të tij. Edhe nga ana tjetër e velit, ky gjysh i mirë dëshironte t’i ndihmonte nipërit dhe mbesat e tij të ktheheshin në shtëpinë e tyre qiellore.
Gjithmonë e më shumë, dishepujt e Krishtit po kujtojnë “Beniaminët” në jetën e tyre. Anembanë botës ata e kanë dëgjuar thirrjen e qartë të profetit të gjallë të Perëndisë, Presidentit Rasëll M. Nelson. Të rinjtë dhe të rejat janë përfshirë në batalionin e rinisë së Zotit. Individë dhe familje po vijnë në ndihmë me një frymë shërbestare: duke dhënë dashuri, duke treguar dhe duke i ftuar miqtë dhe fqinjët të vijnë te Krishti. Të rinj e të reja dhe persona në moshë madhore po i kujtojnë dhe po përpiqen fort t’i mbajnë besëlidhjet e tyre: duke i mbushur tempujt e Perëndisë, duke gjetur emra të pjesëtarëve të vdekur të familjes dhe duke i marrë ordinancat në emër të tyre.
Përse plani i personalizuar i Atit Qiellor për ne përfshin ndihmën ndaj të tjerëve që të kthehen tek Ai? Sepse kjo është mënyra se si ne bëhemi si Jezu Krishti. Përfundimisht, tregimi i Judës dhe Beniaminit na mëson rreth flijimit të Shpëtimtarit për ne. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai dha jetën e Tij për të na sjellë në shtëpi. Fjalët e Judës shprehin dashurinë e Shpëtimtarit: “Si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se [ti] nuk [je] me mua?” Si mbledhës të Izraelit, ato mund të jenë fjalët tona gjithashtu.
Dhiata e Vjetër është e mbushur me mrekulli dhe mëshira të dhembshura të cilat janë tipari dallues i planit të Atit Qiellor. Te 2 Mbretërve 4, fraza “[ndodhi që] një ditë” përdoret tri herë për të më theksuar që ngjarje të rëndësishme ndodhin sipas kohës së Perëndisë dhe asnjë hollësi nuk është tepër e vogël për Të.
Miku im i ri, Pali, dëshmon për këtë të vërtetë. Pali u rrit në një familje që ishte ndonjëherë keqtrajtuese dhe gjithmonë jotolerante ndaj fesë. Gjatë kohës që po merrte pjesë në shkollë në një bazë ushtarake në Gjermani, ai vuri re dy motra që dukej se kishin dritë shpirtërore. Pyetja se përse ato ishin ndryshe solli përgjigjen që ato i përkisnin Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Shumë shpejt Pali filloi takimet me misionarët dhe u ftua në kishë. Të dielën tjetër, teksa zbriti nga autobusi, ai vuri re dy burra të veshur me këmisha të bardha dhe kollare. Ai i pyeti nëse ishin pleq të kishës. Ata iu përgjigjën “po”, ndaj Pali i ndoqi ata.
Gjatë shërbesës, një predikues iu drejtohej njerëzve në bashkësi dhe i ftonte ata të dëshmonin. Në fund të çdo dëshmie, një daulltar i jepte një përshëndetje me daulle dhe bashkësia thërriste “Amen”.
Kur predikuesi iu drejtua Palit, Pali u çua në këmbë dhe tha: “Unë e di se Jozef Smithi ishte një profet dhe që Libri i Mormonit është i vërtetë”. Nuk pati përshëndetje me daulle apo thënie amen. Përfundimisht Pali e kuptoi që kishte shkuar në kishën e gabuar. Shpejt Pali e gjeti rrugën e tij për në vendin e duhur dhe u pagëzua.
Në ditën e pagëzimit të Palit, një anëtar që ai nuk e njihte i tha atij: “Ti më shpëtove jetën”. Disa javë më parë, ky burrë kishte vendosur të kërkonte një kishë tjetër dhe kishte marrë pjesë në shërbesën me daulle dhe amen. Kur ky burrë dëgjoi Palin të jepte dëshminë e tij për Jozef Smithin dhe Librin e Mormonit, ai kuptoi që Zoti e njihte atë, i njihte vuajtjet e tij dhe kishte një plan për të. Si për Palin dhe për atë burrë, “[ndodhi] një ditë” me të vërtetë!
Ne gjithashtu e dimë që Ati Qiellor ka një plan vetjak lumturie për secilin prej nesh. Për shkak se Perëndia dërgoi Birin e Tij të Dashur për ne, mrekullitë që na nevojiten, do të “[ndodhin pikërisht në] ditën” e domosdoshme që plani i Tij të përmbushet.
Unë dëshmoj që këtë vit ne mund të mësojmë më shumë rreth planit të Perëndisë për ne në Dhiatën e Vjetër. Ai vëllim i shenjtë na mëson për rolin e profetëve në kohë të pasigurta dhe për dorën e Perëndisë në një botë që ishte e pështjelluar dhe shpesh plot grindje. Gjithashtu flet për besimtarë të përulur që me besnikëri e padurim e pritën ardhjen e Shpëtimtarit tonë, njësoj si ne e presim me padurim dhe përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Tij – kthimin e Tij të profetizuar prej kohësh dhe të lavdishëm.
Deri në atë ditë, ne mund të mos e shohim me sytë tanë natyrorë planin e Perëndisë për të gjitha aspektet e jetës sonë (shih Doktrina e Besëlidhje 58:3). Por mund ta kujtojmë përgjigjen e Nefit kur u përball me diçka që ai nuk e kuptonte: ndonëse ai nuk e dinte kuptimin e të gjitha gjërave, ai e dinte se Perëndia i do fëmijët e Tij (shih 1 Nefi 11:17).
Kjo është dëshmia ime në këtë mëngjes të bukur Shabati. E shkruajtshim këtë në zemrat tona dhe lejofshim të na i mbushë shpirtrat me paqe, shpresë dhe gëzim të përjetshëm: Perëndia na deshi aq shumë sa Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur – jo që të na dënojë, por që të na shpëtojë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.