“14–20 Mars. Zanafilla 42–50: ‘Perëndia Ka Dashur që t’i Shërbejë së Mirës’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“14–20 Mars. Zanafilla 42–50”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022
14–20 Mars
Zanafilla 42–50
“Perëndia Ka Dashur që t’i Shërbejë së Mirës”
Leximi i shkrimeve të shenjta e fton Shpirtin. Dëgjojini nxitjet e Tij ndërsa lexoni edhe nëse ato nuk duken të lidhura drejtpërdrejt me ato që po lexoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Kishin kaluar rreth 22 vjet që kur vëllezërit e tij e shitën Jozefin në Egjipt. Ai kishte kaluar shumë sprova, përfshirë akuzimin dhe burgosjen në mënyrë të gabuar. Kur më në fund ai i pa sërish vëllezërit e tij, Jozefi ishte guvernatori i gjithë Egjiptit, i dyti pas faraonit. Ai mund të ishte hakmarrë lehtë ndaj tyre dhe duke marrë parasysh ato që ata i kishin bërë Jozefit, kjo mund të dukej e kuptueshme. E megjithatë, Jozefi i fali vëllezërit e tij. Jo vetëm kaq, por i ndihmoi që ata të shihnin qëllimin hyjnor në vuajtjen e tij. “Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 50:20), u tha ai atyre, sepse e vendosi në një pozicion për ta shpëtuar “tërë familjen e të atit” (Zanafilla 47:12) nga zia e bukës.
Në shumë mënyra, jeta e Jozefit ngjan me atë të Jezu Krishtit. Edhe pse mëkatet tona i shkaktuan Atij vuajtje të mëdha, Shpëtimtari ofron falje, duke na çliruar të gjithëve nga një fat shumë më i keq sesa zia e bukës. Qoftë nëse na nevojitet të marrim falje apo ta japim atë – në një pikë të caktuar të gjithëve na nevojiten t’i bëjmë të dyja – shembulli i Jozefit na drejton te Shpëtimtari, burimi i vërtetë i shërimit dhe pajtimit.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Perëndia më ka dërguar para jush …për tʼju shpëtuar jetën.”
Ndërsa keni lexuar për Jozefin, a keni vërejtur ndonjë ngjashmëri midis historisë së tij dhe misionit shlyes të Jezu Krishtit? Ju mund të përsiatni se si është i ngjashëm roli i Jozefit në familjen e tij me rolin e Shpëtimtarit në familjen e Perëndisë. Çfarë paralelesh shikoni midis përvojave të Jozefit dhe misionit të Shpëtimtarit, i cili u dërgua “për t[ë na e] shpëtuar jetën me një çlirim të madh”? (Zanafilla 45:7.)
Falja sjell shërim.
Leximi rreth Jozefit që i fal vëllezërit e tij për gjërat e tmerrshme që i bënë atij, mund t’ju nxitë të mendoni për dikë të cilin aktualisht keni vështirësi ta falni. Ose ndoshta një provë e vështirë për të falur shtrihet përpara jush në të ardhmen. Sido që të jetë, mund të jetë e dobishme të përsiatni se pse Jozefi ishte në gjendje të falte. Çfarë të dhënash gjeni për karakterin dhe qëndrimin e Jozefit te Zanafilla 45; 50:15–21? Si mund të kenë ndikuar tek ai përvojat e tij që të ishte më falës? Çfarë sugjeron shembulli i Jozefit rreth mënyrës se si mund të bëheni më falës me ndihmën e Shpëtimtarit?
Vini re gjithashtu bekimet që i erdhën familjes së Jozefit për shkak të faljes që u dha ai. Çfarë bekimesh keni parë për shkak të faljes? A ndiheni të frymëzuar t’ia zgjatni dorën e ndihmës dikujt që ju ka bërë padrejtësi?
Shih edhe Zanafilla 33:1–4; Doktrina e Besëlidhje 64:9–11; Leri J. Eko Houk, “Sikundër Krishti ju Fal, ashtu Bëni edhe Ju”, Liahona, maj 2018, f. 15–16.
Çfarë nënkupton simbolizmi në bekimet e Jakobit?
Bekimet e Jakobit për pasardhësit e tij përmbajnë figura letrare të gjalla, por disa lexues mund ta kenë gjithashtu të vështirë për t’i kuptuar. Fatmirësisht, ungjilli i rivendosur na jep një kuptim shtesë. Kur lexoni bekimin që iu dha Jozefit te Zanafilla 49:22–26, lexoni edhe vargjet vijuese dhe shihni idetë që japin: 1 Nefi 15:12; 2 Nefi 3:4–5; Jakobi [LiM] 2:25; Doktrina e Besëlidhje 50:44.
Ndërsa lexoni rreth bekimit të Judës te Zanafilla 49:8–12, mbani mend se si mbreti David ashtu edhe Jezu Krishti janë pasardhës të Judës. Cilat fjalë e fraza në këto vargje jua kujtojnë Shpëtimtarin? Kur studioni bekimin e Judës, mund të jetë e dobishme që të lexoni gjithashtu kapitujt te Zbulesa 5:5–6, 9; 1 Nefi 15:14–15; Doktrina e Besëlidhje 45:59; 133:46–50.
Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth bijve të Jakobit dhe fiseve të Izraelit që kanë rrjedhur prej tyre, ka një pjesë për secilin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Zanafilla 50:24–25; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:24–38 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)
“Një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im.”
Nëpërmjet ëndrrave të Jozefit (shih Zanafilla 37:5–11) dhe interpretimeve të tij për ëndrrat e të tjerëve (shih Zanafilla 40–41), Zoti zbuloi gjëra që do të ndodhnin ditë ose vite në të ardhmen. Por Zoti i zbuloi gjithashtu Jozefit atë që do të ndodhte në shekujt e ardhshëm. Në mënyrë të veçantë, ai mësoi për misionet profetike të Moisiut dhe Jozef Smithit. Ndërsa lexoni fjalët e Jozefit te Zanafilla 50:24–25 dhe te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 50:24–38 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta), pyeteni veten tuaj se si mund t’i ketë bekuar njohuria për këto gjëra Jozefin dhe fëmijët e Izraelit. Pse mendoni që ishte e rëndësishme për Zotin që ta rivendoste këtë profeci nëpërmjet Jozef Smithit? (Shih edhe 2 Nefi 3.)
Si i ka përmbushur Jozef Smithi profecitë te Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 50:27–28, 30–33? (Shih Doktrina e Besëlidhje 1:17–23; 20:7–12; 39:11; 135:3.)
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Zanafilla 42–46.Familjes suaj mund t’i pëlqejë që ta interpretojë me role historinë e Jozefit kur ribashkohet me vëllezërit e tij. (“Vëllezërit e Jozefit në Egjipt”, te Histori të Dhjatës së Vjetër, mund të ndihmojë.) Argëtohuni – përdorni kostume dhe objekte skene nëse dëshironi. Inkurajojini pjesëtarët e familjes që të përpiqen të kuptojnë emocionet dhe këndvështrimet e personazheve. Ju mund të përqendroheni veçanërisht te ndjenjat e Jozefit ndaj vëllezërve të tij dhe te mënyra se si mund të jenë ndier kur i fali ata. Kjo mund të çojë në një diskutim rreth mënyrës se si mund ta bekojë falja familjen tuaj.
Kur Jozefi i takoi sërish vëllezërit e tij pas shumë vitesh, si e treguan ata se kishin ndryshuar që prej herës së fundit që ai i kishte parë ata? Çfarë mund të mësojmë për pendimin nga përvojat e tyre?
-
Zanafilla 45:3–11; 50:19–21.Jozefi e kuptoi që megjithëse përvoja e tij në Egjipt kishte qenë e vështirë, “Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 50:20). A ka përjetuar familja juaj ndonjë sprovë që Perëndia e ktheu në bekim?
Një himn rreth mirësisë së Perëndisë gjatë kohëve të sprovës (të tillë si “Sa i Fort’ një Themel” [Himne, nr. 41]) mund ta përmirësojë këtë diskutim. Çfarë hollësish nga përvojat e Jozefit e ilustrojnë atë që na mëson himni?
-
Zanafilla 49:9–11, 24–25.Çfarë zbulojmë në këto vargje që na mëson rreth roleve dhe misionit të Jezu Krishtit? (Për të ndihmuar në kuptimin e frazave në këto vargje, shihni materialin rreth kapitullit te Zanafilla 49 në pjesën “Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.