Dhiata e Vjetër 2022
14–20 Mars. Zanafilla 42–50: “Perëndia Ka Dashur që t’i Shërbejë së Mirës”


“14–20 Mars. Zanafilla 42–50: ‘Perëndia Ka Dashur që t’i Shërbejë së Mirës’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“14–20 Mars. Zanafilla 42–50”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Jozefi i Egjiptit

Ilustrim i Jozefit të Egjiptit, nga Robert T. Barrett

14–20 Mars

Zanafilla 42–50

“Perëndia Ka Dashur që t’i Shërbejë së Mirës”

Është e rëndësishme t’i dini shkrimet e shenjta që po i jepni mësim, por është gjithashtu e rëndësishme t’i njihni fëmijët që po u jepni mësim. Gjeni kohë për të përsiatur dhe lutur për të dyja këto.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për shkak se historia te Zanafilla 42–50 është një vazhdim i historisë në mësimin e javës së kaluar, nga Zanafilla 37–41, gjeni kohë në fillim të orës mësimore që t’i lini fëmijët të tregojnë atë që mbajnë mend rreth Jozefit, përfshirë atë që mësuan në Fillore dhe në shtëpi.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zanafilla 45:4–15

Unë mund t’i tregoj dashuri familjes sime.

Për fëmijët e vegjël, ju mund të doni të theksoni pjesët e kësaj historie në të cilën Jozefi tregoi dashuri për familjen e tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Duke përdorur kapitullin “Vëllezërit e Jozefit në Egjipt” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) ose figurat tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, tregojuni fëmijëve rreth bashkimit të Jozefit me vëllezërit e tij. Theksoni se si tregoi Jozefi dashuri për të vëllezërit.

  • Lexoni fraza nga Zanafilla 45:4–15 të cilat përshkruajnë gjërat që bëri Jozefi për të treguar se ai e donte familjen e tij. Ftojini fëmijët të hiqen sikur po bëjnë atë që përshkruajnë vargjet. Për shembull, ata mund të hiqen sikur po i kërkojnë një pjesëtari të familjes të “afroh[et]” (vargu 4) ose po i japin ushqim një pjesëtari të familjes (shih vargu 11).

  • Këndoni një këngë rreth dashurisë, e tillë si “Doni Njëri-Tjetrin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74). Ndihmojini fëmijët të vizatojnë skicën e duarve të tyre dhe të shkruajnë brenda asaj skice diçka që mund të bëjnë për t’i treguar dashuri familjes së tyre.

Zanafilla 48:8–9

Bekimet e priftërisë më ndihmojnë.

Jakobi i bekoi bijtë dhe nipërit e mbesat e tij (shih Zanafilla 48–49). Sot ne mund të marrim bekime të priftërisë që na japin ngushëllim, shërim, udhërrëfim dhe forcë shpirtërore.

djalë duke marrë bekim

Ne mund të marrim bekime nga ata që e mbajnë priftërinë.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një figurë të Jakobit duke bekuar bijtë e tij ose figura të tjera të bekimeve të priftërisë (shih figurat në këtë përvijim; shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 12). Lërini fëmijët të përshkruajnë atë që po ndodh te figurat.

  • Lexojuni fëmijëve nga Zanafilla 48:8–9. Shpjegoni se Izraeli, gjithashtu i quajtur Jakob, ishte babai i Jozefit dhe se ai donte t’u jepte fëmijëve të Jozefit një bekim priftërie. Nëse ndonjë prej fëmijëve ka marrë një bekim priftërie, ftojini të tregojnë rreth përvojës së tyre. Ose tregoni një përvojë tuajën.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për arsyet se përse ata mund të kërkojnë një bekim priftërie. Gjithashtu ndihmojini të përmendin mbajtës të priftërisë të cilëve mund t’ua kërkonin bekimin, të tillë si babanë, gjyshin ose vëllanë shërbestar.

Zanafilla 50:15–21

Unë mund të fal.

Çfarë mund të mësojnë fëmijët për faljen nga shembulli i Jozefit që i fal vëllezërit e tij?

Veprimtari të Mundshme

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të kujtojnë se si vëllezërit e Jozefit kishin qenë të ashpër me të. Lexojuni fëmijëve vargun te Zanafilla 50:17, duke theksuar se vëllezërve u erdhi keq për atë që bënë dhe dëshironin që Jozefi t’i falte ata. Lexojeni vargun 21 për të treguar se Jozefi i fali vëllezërit e tij – ai nuk qe më i zemëruar me ata.

  • Këndoni së bashku “Ndihmom’, At’ i Dashur” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 52). Kur të këndoni për faljen, ftojini fëmijët ta tregojnë me gisht Jozefin në faqen e veprimtarisë. Kur të këndoni për pendimin, ftojini të tregojnë me gisht vëllezërit e tij.

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata në të cilat atyre mund t’u duhet ta falin dikë. Ftojini fëmijët të ushtrojnë atë që mund t’i thoshin apo bënin për t’i treguar faljen atij personi.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zanafilla 42–44; 45:1–15

Falja sjell paqe.

Vëllezërit e Jozefit i kishin bërë atij gjëra të tmerrshme. Prapëseprapë, Jozefi i fali ata dhe i solli paqe familjes së tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të interpretojnë me role episode nga Zanafilla 42–44. Ndërsa interpretojnë, pyetini se si mendojnë ata që mund të jetë ndier Jozefi kur i pa vëllezërit e tij përsëri ose si mund të jenë ndier vëllezërit kur më në fund e njohën Jozefin.

  • Pyetini fëmijët se çfarë do të thotë të falësh dikë. Ndihmojini të kuptojnë se ta falësh dikë përfshin ta trajtosh atë me dashuri si të Krishtit. Pyetini fëmijët se çfarë dinë rreth historisë së Jozefit që i fali vëllezërit e tij ose u lexoni fëmijëve vargje nga Zanafilla 45:1–15. Çfarë bëri apo tha Jozefi që i la vëllezërit të kuptonin se ai i fali? Çfarë mund të themi apo bëjmë kur të tjerët na kërkojnë që t’i falim ata?

  • Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për një rast kur ata e falën dikë ose kur dikush i fali ata. Që t’u jepni atyre kohë për të menduar, tregoni një përvojë nga vetja juaj dhe dëshmoni për bekimet që erdhën nga falja. Ftojini fëmijët të tregojnë përvojat e tyre, në qoftë se do të dëshironin. Si u ndien ata? Çfarë mësojmë rreth faljes nga shembulli i Shpëtimtarit? (Shih Lluka 23:33–34.)

Zanafilla 45:5–11

Ati Qiellor e dërgoi Jezu Krishtin që të më shpëtojë.

Historia e Jozefit që e shpëtoi familjen e tij nga zia e bukës mund të na mësojë rreth Jezu Krishtit, i cili na shpëton nga mëkati dhe vdekja.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë Jozefi dhe Jezu Krishti. Ndihmojini fëmijët të kërkojnë çiftet vijuese të shkrimeve të shenjta dhe shkruani në tabelë gjërat që Jozefi dhe Jezusi kanë të përbashkët: Zanafilla 37:3 dhe Mateu 3:17; Zanafilla 37:26–28 dhe Mateu 26:14–16; Zanafilla 45:5–7 dhe Lluka 4:18; dhe Zanafilla 47:12 dhe Gjoni 6:35.

  • Pyetini fëmijët se ç’do të thotë ta shpëtosh dikë apo t’i vish në ndihmë dikujt. Nëse ndonjëri prej tyre ka pasur një përvojë ku është mbrojtur apo shpëtuar nga rreziku, ftojini që ta tregojnë. Si i shpëtoi Jozefi vëllezërit e tij? (Shih Zanafilla 42:1–3; 45:5–7.) Tregoni një figurë të Shpëtimtarit. Në ç’mënyrë na shpëtoi ne Jezusi?

Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:27–33 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta)

Ati Qiellor e përgatiti Jozef Smithin që të ishte një profet në kohën tonë.

Mijëra vjet përpara, Jozefi i Egjiptit pa se Zoti do ta thërriste Jozef Smithin për të bërë një punë të madhërishme në ditët e mëvonshme. Jepuni mësim fëmijëve për mënyrën se si na ka bekuar Zoti nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Veprimtari të Mundshme

  • Jepuni fëmijëve të dhëna me shkrim rreth Jozef Smithit dhe ftojini që të gjejnë se cilin po përshkruani. Përfshini të dhëna nga Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:27–33 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta), të tilla si “ai na dha mësim për urdhërimet” (shih vargun 28), “ai na dha fjalën e Zotit” (shih vargun 30) dhe “atij i vunë emrin e të atit” (shih vargun 33). Pasi fëmijët të kenë dhënë përgjigjen e saktë, ftojini që t’i gjejnë këto të dhëna te vargjet. Çfarë tjetër mësojmë rreth Jozef Smithit nga profecia e Jozefit në Egjipt?

  • Tregojuni fëmijëve figura që përfaqësojnë gjëra të rëndësishme që Jozef Smithi bëri ose dha mësim (shih për shembull, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 89–95, 97, 98, 117, 118). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për bekimet që kemi për shkak të Jozef Smithit. Për shembull, si na ka ndihmuar puna e tij që të afrohemi më shumë me Jezu Krishtin?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’ua tregojnë faqen e veprimtarisë së kësaj jave familjeve të tyre në shtëpi. Ata mund ta përdorin atë për ta rishikuar historinë e Jozefit dhe të vëllezërve të tij dhe të diskutojnë mbi rëndësinë e dashurisë dhe të faljes në familjet tona.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëshmoni për Jezu Krishtin. Edhe pse Dhiata e Vjetër nuk e përmend emrin e Jezu Krishtit, ajo i referohet Atij me emra të tjerë dhe dëshmon për Të nëpërmjet simboleve dhe historive. Ndihmojini fëmijët të mësojnë që të kërkojnë për të vërteta rreth Shpëtimtarit sa herë që i lexojnë shkrimet e shenjta.