Dhiata e Vjetër 2022
28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33: “Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend”


“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33: ‘Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Tempulli i Tihuanës, Meksikë

28 Shkurt – 6 Mars

Zanafilla 28–33

“Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend”

Teksa lexoni te Zanafilla 28–33, përsiatni për mënyrën se si historitë dhe parimet në këta kapituj mund t’i bekojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët që t’i hedhin një top njëri-tjetrit ose ta rrokullisin drejt njëri-tjetrit. Kur fëmijët ta kapin topin, kërkojuni të tregojnë diçka që po e mësojnë nga Dhiata e Vjetër, qoftë në shtëpi ose në Fillore.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zanafilla 28:10–22

Besëlidhjet më ndihmojnë që të kthehem tek Ati Qiellor.

Në një ëndërr, Jakobi pa një shkallë që të çonte drejt qiellit. Shkallaret mund të përfaqësojnë besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë, sepse këto besëlidhje na ndihmojnë të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Zanafilla 28:12–13. Shpjegoni se shkallaret mund të përfaqësojnë besëlidhjet që na ndihmojnë të kthehemi tek Ati Qiellor. Ftojini fëmijët të hiqen sikur po ngjitin një shkallë sa herë që flisni për rastet kur premtojmë që t’i bindemi Perëndisë, si në rastet kur pagëzohemi, marrim sakramentin ose shkojmë në tempull. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të përgatiten për të bërë besëlidhje kur pagëzohen.

  • Lexojuni fëmijëve te Zanafilla 28:15, duke theksuar fjalët: “Unë jam me ty” dhe “nuk do të të braktis”. Shpjegoni se Perëndia ka premtuar që të jetë gjithmonë me ne teksa përpiqemi të zgjedhim të drejtën. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjërat që mund të bëjnë për t’u ndier më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Zanafilla 29:16–28

Unë duhet t’i mbaj gjithmonë premtimet e mia.

Jakobi ra dakord që të punonte për Labanin për shtatë vjet, që ai të mund të martohej me të bijën e Labanit, Rakelën. Jakobi e respektoi këtë marrëveshje, por Labani jo. Merrni parasysh ta përdorni këtë histori për t’u dhënë mësim fëmijëve rreth rëndësisë së mbajtjes së premtimeve tona.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga Zanafilla 29:18, 20 dhe shpjegoni se Jakobi e mbajti premtimin e tij që të punonte shtatë vite për Labanin, që ai të mund të martohej me Rakelën, edhe pse ishte një kohë e gjatë për të punuar (shih edhe “Jakobi dhe Familja e Tij”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Ndihmojini fëmijët që të mendojnë për premtimet që mund t’u bëjnë njerëzve të tjerë. Përse është e rëndësishme që t’i mbajmë premtimet tona? Ndihmojini ata të kuptojnë se një besëlidhje është një premtim i shenjtë ndërmjet Perëndisë dhe secilit prej nesh. Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i mbajnë gjithmonë premtimet e Tyre.

  • Këndoni dhe diskutoni së bashku për një këngë rreth ndershmërisë, e tillë si “Guxo, Ji i Drejt’” ose “Mbro Drejtësin’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 80, 81).

Zanafilla 33:1–4

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojnë që ta dua familjen time.

Shumica e fëmijëve e dinë se si është të jesh i zemëruar me një motër apo vëlla. Historia se si Jakobi dhe Esau e mposhtën zemërimin e tyre ndaj njëri-tjetrit, mund të jetë frymëzuese për ta.

Jakobi dhe Esau duke u përqafuar

Ilustrim i Jakobit dhe Esaut duke u përqafuar, nga Robert T. Barrett

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të kujtojnë se përse u zemërua Esau me Jakobin (shih Zanafilla 27:41 ose “Jakobi dhe Esau”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se si duket një fytyrë e zemëruar. Shpjegoni se pas shumë vitesh, Jakobi kishte frikë ta takonte Esaun. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se si duket një fytyrë e frikësuar. Çfarë duhet të bëjmë kur jemi të frikësuar? Ftojini fëmijët të hiqen sikur po luten ndërkohë që ju lexoni se çfarë tha Jakobi në lutjen e tij (shih Zanafilla 32:11). Më pas lexoni te Zanafilla 33:4 rreth asaj që ndodhi kur Esau pa Jakobin. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se si mund të jenë dukur fytyrat e Jakobit dhe të Esaut kur e panë sërish njëri-tjetrin.

  • Tregojuani figurën e Jakobit dhe të Esaut që gjendet në këtë përvijim mësimi. Lërini fëmijët ta përshkruajnë atë që shohin në figurë. Thuajuni atyre se kishte pasur hatërmbetje midis këtyre dy vëllezërve, por ata zgjodhën ta falnin njëri-tjetrin. Ndihmojini fëmijët të mendojnë se si mund t’i tregojnë më shumë dashuri dikujt në familjen e tyre, ashtu siç Jakobi dhe Esau i treguan dashuri njëri-tjetrit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zanafilla 28:10–22

Besëlidhjet më ndihmojnë që të kthehem tek Ati Qiellor.

Ju mund ta përdorni ëndrrën e Jakobit të një shkalle që ngjitej drejt qiellit, për t’u dhënë mësim fëmijëve se mbajtja e besëlidhjeve tona na përgatit që të hyjmë në praninë e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Zanafilla 28:10–15 dhe më pas bëni një vizatim të ëndrrës së Jakobit. Kërkojuni që t’i tregojnë vizatimet e tyre. Shpjegoni se shkalla përfaqësonte një mënyrë që Jakobi të kthehej te Perëndia. Çfarë na ka dhënë Perëndia për të na ndihmuar që të kthehemi tek Ai? (Shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave.) Kujtojuani fëmijëve besëlidhjen e tyre të pagëzimit. Si na sjell më pranë Perëndisë të jetuarit sipas kësaj besëlidhjeje?

  • Tregoni një figurë të një tempulli dhe shkruani në tabelë fraza kyç nga Zanafilla 28:15–17, të tilla si: “Unë jam me ty”, “Zoti është në këtë vend”, “Shtëpia e Perëndisë” ose “Porta e qiellit”. Ftojini fëmijët t’i gjejnë këto fraza. Tregojuni fëmijëve se si ju ndihmojnë tempulli dhe besëlidhjet e tempullit që të ndiheni afër Zotit.

Zanafilla 29:16–30

Unë besoj në të qenit të ndershëm.

Jakobi e mbajti premtimin e tij për t’i shërbyer Labanit për shtatë vjet, por Labani e mashtroi. Si mund ta përdorni këtë histori për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë rëndësinë e të qenit të ndershëm kur të tjerët janë të pandershëm?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te Zanafilla 29:16–30 dhe ndihmojini fëmijët të përmbledhin ngjarjet në këto vargje. Si reagoi Jakobi ndaj mashtrimit? Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim?

  • Në tabelë shkruani Çfarë ndodh kur jemi të pandershëm? dhe Çfarë ndodh kur jemi të ndershëm? Ftojini fëmijët të gjejnë përgjigje duke lexuar pjesën “Ndershmëria dhe Integriteti Moral” (te broshura Për Forcën e Rinisë [2011], f. 19).

Zanafilla 32:6–11; 33:1–4

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të më ndihmojnë që ta dua familjen time.

Esau ishte i inatosur me Jakobin dhe Jakobi kishte frikë të takohej përsëri me Esaun, madje edhe pas 20 vjetësh larg njëri-tjetrit. Por, Jakobi u lut për ndihmë dhe Esau qe në gjendje që ta mposhtte zemërimin e tij. Si mund ta përdorni këtë histori për t’u dhënë mësim fëmijëve mbi rëndësinë e dashurisë ndaj familjeve tona?

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se çfarë u kujtohet nga marrëdhënia midis Jakobit dhe Esaut (shih Zanafilla 27:41 ose “Jakobi dhe Esau”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Shpjegoni se pasi kishin qenë larg njëri-tjetrit për gati 20 vjet, Jakobi po shkonte të takohej përsëri me Esaun. Lexoni së bashku te Zanafilla 32:6–11. Si u ndie Jakobi? Çfarë bëri ai për të marrë ndihmë? Dëshmoni se ne mund t’i kërkojmë Atit Qiellor për ndihmë kur marrëdhëniet tona familjare janë të vështira. Lexoni së bashku te Zanafilla 33:1–4 për të zbuluar se si iu përgjigj Zoti lutjes së Jakobit.

  • Tregoni një përvojë vetjake ose një histori nga një revistë e Kishës rreth mënyrës se si të tregojmë dashuri më të madhe në familjet tona. Ftojini fëmijët të tregojnë përvojat e tyre gjithashtu. Çfarë mund të bëjmë kur një pjesëtar i familjes është i zemëruar me ne? Për të mësuar se çfarë na ka dhënë mësim Shpëtimtari që të bëjmë, shihni te Mateu 5:43–45.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’ua tregojnë familjeve të tyre faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar që të mësojnë prej saj e ta mbajnë mend ëndrrën e Jakobit.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini figurat për t’i ndihmuar fëmijët që të kuptojnë historitë e shkrimeve të shenjta. Fëmijët shpesh mësojnë më mirë kur ata mund të shohin figura nga historitë e shkrimeve të shenjta ose mësimet. Për shembull, ju mund t’u tregoni një figurë nga përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.