Dhiata e Vjetër 2022
7–13 Mars. Zanafilla 37–41: “Zoti Qe me Jozefin”


“7–13 Mars. Zanafilla 37–41: ‘Zoti Qe me Jozefin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“7–13 Mars. Zanafilla 37–41”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Jozefi i Egjiptit në burg

Ilustrim i Jozefit të Egjiptit në burg, nga Jeff Ward

7–13 Mars

Zanafilla 37–41

“Zoti Qe me Jozefin”

Çfarë të vërtetash nga Zanafilla 37–41 kanë nevojë të kuptojnë më mirë fëmijët në orën tuaj mësimore? Kushtojuni vëmendje nxitjeve që ju vijnë teksa përgatiteni të jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Jepuni fëmijëve disa minuta për të vizatuar diçka që e kanë mësuar rreth ungjillit në shtëpi ose në kishë. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë dhe të flasin rreth vizatimeve të tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zanafilla 37

Unë mund të jem dashamirës me familjen time.

Vëllezërit e Jozefit e kishin zili dhe e trajtonin ashpër atë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta kuptojnë rëndësinë e të qenit dashamirës me të tjerët, veçanërisht me pjesëtarët e familjes?

Veprimtari të Mundshme

  • Për të treguar historinë e Jozefit dhe të vëllezërve të tij nga Zanafilla 37, ju mund të përdorni figurat tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose te kapitulli “Jozefi në Egjipt” (te Histori të Dhjatës së Vjetër). Lërini fëmijët të ndihmojnë duke treguar hollësitë që dinë rreth historisë. Bëjuni pyetje të tilla si: “Si u treguan të ashpër vëllezërit e Jozefit me të?” Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund të kishin bërë vëllezërit e tij për t’i treguar dashuri Jozefit. Çfarë duhet të bëjmë kur ndihemi të zemëruar me pjesëtarët e familjes sonë?

  • Tregoni figurën e një familjeje (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 112) ose ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të familjeve të tyre. Kërkojuni që të tregojnë mënyra se si mund të jenë dashamirës ndaj pjesëtarëve të familjes së tyre.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë për familjet tona, e tillë si “Familje e Lumtur”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 104). Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë familjet tona të jenë të lumtura?

  • Lërini fëmijët ta ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe te hapësira e dhënë bëni një vizatim të pjesëtarëve të familjes duke treguar dashamirësi.

Zanafilla 37:18–28; 39:20–23

Perëndia mund të më ndihmojë kur ndodhin gjëra të këqija.

Shumë gjëra të këqija i ndodhën Jozefit, por ai zgjodhi t’i zbatonte urdhërimet dhe Zoti qe me të. Fëmijët e vegjël mund të mësojnë nga kjo se Perëndia dëshiron që t’i ndihmojë ata gjatë kohëve të vështira në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Përshkruani disa nga gjërat e vështira që i ndodhën Jozefit (shih Zanafilla 37:23–28; 39:20; ose “Jozefi në Egjipt”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Pasi t’u tregoni fëmijëve rreth çdo vështirësie që hasi Jozefi, ftojini të përsëritin fjalinë: “Zoti qe me Jozefin” (Zanafilla 39:2).

  • Tregoni disa figura të Shpëtimtarit duke ndihmuar njerëz të cilët po hasnin sfida (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 40–43). Ftojini fëmijët të tregojnë se si Shpëtimtari po i ndihmonte njerëzit. Jepni dëshminë tuaj se Zoti mund të na ndihmojë kur na ndodhin gjëra të këqija.

  • Këndoni një këngë rreth kujdesit plot dashuri të Shpëtimtarit për ne, e tillë si “Jezusi Ësht’ Miku Yn’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 37). Tregoni një përvojë kur e keni ndier dashurinë e Perëndisë gjatë një kohe sfiduese. Tregoni një figurë të Jezusit dhe ftojini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth Tij.

Zanafilla 41:15–36, 47–57

Perëndia mund të më paralajmërojë për rrezikun.

Perëndia e ndihmoi Jozefin të kuptonte se ëndrrat e faraonit ishin një paralajmërim për t’u përgatitur për kohë të vështira që do të vinin në të ardhmen. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Perëndia mund t’i paralajmërojë ata për rrezikun, përfshirë rrezikun shpirtëror.

Jozefi në burg duke interpretuar ëndrrat

Jozefi duke Interpretuar Ëndrrat e Kupëmbajtësit dhe Bukëpjekësit, nga François Gérard

Veprimtari të Mundshme

  • Shpërndani figura të ushqimeve përreth dhomës dhe ftojini fëmijët t’i mbledhin dhe t’i “ruajnë” ato në një kuti. Përdoreni këtë veprimtari që t’u tregoni fëmijëve për mënyrën se si Perëndia e paralajmëroi faraonin që të përgatitej për një kohë kur nuk do të kishte ushqim (shih Zanafilla 41:15–36, 47–57). Lërini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave për të cilat ëndërroi faraoni dhe pastaj t’i përdorin vizatimet e veta për t’u dhënë mësim familjeve të tyre në shtëpi.

  • Tregoni një fotografi të profetit të tanishëm. Tregojuni fëmijëve rreth mësimeve ose paralajmërimeve që na ka dhënë Perëndia nëpërmjet tij. Shpjegoni se ne do të bekohemi dhe mbrohemi teksa e ndjekim profetin. Ftojini fëmijët të interpretojnë me gjeste gjëra që mund të bëjnë për ta ndjekur këshillën e profetit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zanafilla 39:1–3, 20–23; 41:38

Nëse jam besnik, Perëndia do të më ndihmojë gjatë kohëve të vështira.

Ndonëse Jozefi kishte shumë sprova të vështira, ai qëndroi besnik dhe “Zoti qe me të” (Zanafilla 39:3). Përvojat e tij mund t’i ndihmojnë fëmijët të kenë besim se Perëndia do t’i ndihmojë gjatë sprovave.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve që të gjejnë fjalë ose fraza te Zanafilla 39:1–3, 20–23; 41:38 të cilat tregojnë se Perëndia qe me Jozefin gjatë kohëve të tij të vështira. Nëse është e mundur, ftojini fëmijët të vizatojnë një simbol të vogël që paraqet njërën nga frazat që gjetën. Nxitini t’i marrin me vete simbolet e tyre në shtëpi për t’u kujtuar atyre se Zoti do të jetë me ta gjatë sprovave të tyre.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë mendojnë që nënkupton fraza “Zoti qe me Jozefin” (Zanafilla 39:2). Ftojini ata që të tregojnë përvoja të rasteve kur e ndien se Zoti qe me ta ose me familjet e tyre gjatë një kohe të vështirë. Tregoni përvoja të ngjashme nga jeta juaj.

Zanafilla 37:3–28

Unë mund të jem i/e lumtur kur të tjerëve u ndodhin gjëra të mira.

Xhelozia i shtyu vëllezërit e Jozefit të bënin zgjedhje të tmerrshme. Zgjedhjet e tyre të gabuara e lënduan Jozefin dhe ia copëtuan zemrën atit të tyre. Kjo histori mund t’i ndihmojë fëmijët të zgjedhin që të jenë të lumtur kur të tjerët bekohen nga Zoti.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të shqyrtojnë vargjet te Zanafilla 37:3–11 dhe të bëjnë vizatime për rrobën e Jozefit dhe dy ëndrrat e tij. Si u ndien vëllezërit e Jozefit rreth Jozefit? Si mund të ishin përgjigjur ata ndryshe? Diskutoni se përse është e rëndësishme që të jemi të lumtur kur njerëzve të tjerë u ndodhin gjëra të mira.

  • Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë disa situata në të cilat një person mund të ndihet xheloz për dikë tjetër. Këndoni së bashku një këngë rreth të treguarit dashuri ndaj të tjerëve, e tillë si “Doni Njëri-Tjetrin”, (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74). Theksoni se Ati Qiellor mund të na ndihmojë që t’i zëvendësojmë ndjenjat e xhelozisë me ndjenjat e dashurisë.

Zanafilla 39:7–12

Me ndihmën e Zotit, unë mund t’i largohem shpejt tundimit.

Kur fëmijët që u jepni mësim përballen me tundime gjatë jetës së tyre, ata mund të marrin forcë nga shembulli i Jozefit që iu largua shpejt tundimit.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni një figurë të Jozefit dhe të gruas së Potifarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 11) dhe tregoni historinë te Zanafilla 39:7–12. Si i bëri ballë Jozefi tundimit? Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalë te Zanafilla 39:7–12 që i japin përgjigje kësaj pyetjeje – për shembull, Jozefi e dinte se lidhja me gruan e Potifarit do të ishte një “mëkat kundër Perëndisë” (vargu 9).

  • Ftojini fëmijët të mendojnë për situata në të cilat fëmijët e moshës së tyre mund të tundohen për të bërë zgjedhje të gabuara. Vërini të interpretojnë me role mënyrën se si ata mund ta ndjekin shembullin e Jozefit në këto situata – për shembull, cilat janë disa mënyra se si ne mund ta kujtojmë Perëndinë kur tundohemi?

  • Paraqitni dy magnete që përfaqësojnë Perëndinë dhe Satanin dhe një send të vogël metalik si një kapëse letrash që na përfaqëson ne. Përdorini magnetet për të ilustruar se sa më afër të jemi me Perëndinë, aq më i fortë do të jetë ndikimi i Tij tek ne, dhe e njëjta gjë është e vërtetë edhe po t’i afrohemi Satanit. Çfarë mund të bëjmë për t’iu afruar Perëndisë? Si mund të na ndihmojë Fryma e Shenjtë?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të tregojnë mënyra për ta plotësuar fjalinë vijuese: “Unë mund të jem si Jozefi duke .” Kërkojuni që t’u tregojnë familjeve të tyre se si e plotësuan fjalinë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojini të tregojnë. Teksa diskutoni për parimet e ungjillit, kërkojuni fëmijëve që të shprehin mendimet, ndjenjat dhe të tregojnë përvojat e tyre. Ju do të zbuloni se ata kanë shumë pikëpamje kuptimplota.