“Jozefi në Egjipt”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Jozefi në Egjipt”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Jozefi në Egjipt
Një skllav bëhet udhëheqës
Jozefi u shit si skllav te një burrë i quajtur Potifar. Potifari punonte për Faraonin, sundimtarin e Egjiptit. Potifari mund ta vinte re se Zoti e ndihmonte Jozefin. Ai i mirëbesonte Jozefit dhe e vuri në ngarkim të shtëpisë së tij dhe gjithçkaje që zotëronte.
Bashkëshortja e Potifarit e kishte qejf Jozefin. Ajo donte që Jozefi t’i shkelte urdhërimet e Zotit me të. Jozefi i tha jo.
Gruaja e Potifarit nuk donte të dëgjonte, kështu që Jozefi iku me vrap. Ajo u zemërua me Jozefin.
Ajo i tregoi Potifarit një copë të rrobës së Jozefit. Ajo e gënjeu Potifarin lidhur me Jozefin. Potifari e futi Jozefin në burg.
Jozefi ishte shkëputur nga familja e tij. Ishte bërë skllav dhe tani ishte një i burgosur. Por Zoti prapë e ndihmoi Jozefin. Jozefi nuk hoqi dorë. Zoti e bekoi rojën e burgut që të shihte mirësinë e Jozefit. Roja filloi të kishte besim tek ai, kështu që e vuri Jozefin në krye të të burgosurve të tjerë.
Jozefi u takua me dy të burgosur, një bukëpjekës dhe një kupëmbajtës, të cilët kishin punuar për Faraonin. Ata që të dy panë ëndrra të çuditshme. Nëpërmjet fuqisë së Zotit, Jozefi shpjegoi se çfarë domethënie kishin ëndrrat e tyre. Ëndrra e kupëmbajtësit donte të thoshte se kupëmbajtësi do të lirohej. Tri ditë më vonë, ai u lirua dhe punoi përsëri për Faraonin.
Një ditë Faraoni u mërzit prej ëndrrave të tij. Askush nuk mund t’i tregonte se çfarë domethënie kishin ëndrrat e tij.
Atëherë kupëmbajtësit iu kujtua se Jozefi mund të shpjegonte ëndrrat.
Jozefi u nxor nga burgu që të shpjegonte ëndrrat e Faraonit. Jozefi tha se ëndrrat donin të thoshin që Egjipti do të kishte shtatë vjet me shumë ushqime, të pasuar nga shtatë vjet zije buke me shumë pak ushqime. Jozefi i tha Faraonit se Egjipti duhej të ruante ushqime rezervë gjatë viteve të mira.
Faraoni e dinte se ishte e vërtetë ajo që tha Jozefi rreth ëndrrave të tij. Ai e liroi Jozefin nga burgu dhe e bëri një udhëheqës të madh në Egjipt. Për shtatë vjet, Jozefi e ndihmoi Egjiptin që të ruante ushqime rezervë.
Më pas erdhi zia e bukës. Gjatë kësaj kohe, askush nuk mund të prodhonte ushqim. Njerëzit udhëtuan drejt Egjiptit për të blerë ushqimet që Jozefi i kishte mbajtur rezervë. Për shkak të Jozefit, egjiptianët ruajtën mjaft ushqime për të ndihmuar veten dhe të tjerët që t’i mbijetonin zisë së bukës.