“Mbretëresha Ester”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Mbretëresha Ester”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Esterit 2–5; 7–9
Mbretëresha Ester
E guximshme në kohë rreziku
Disa izraelitë quheshin judeas. Esteri ishte judease që jetonte në Persi. Prindërit e saj vdiqën, kështu që kushëriri i saj, Mardokeu, u kujdes për të. Atë e ftuan në pallatin e mbretit me të reja të tjera të mbretërisë. Mbreti donte një mbretëreshë të re dhe ai zgjodhi Esterin.
Mbreti pati një shërbëtor që quhej Haman i cili kishte fuqi të madhe. Hamani e ndihmoi mbretin të qeveriste vendin. Mbreti e bëri gjithkënd t’i përkulej Hamanit.
Por Mardokeu nuk do t’i përkulej Hamanit. Mardokeu do t’i përkulej vetëm Zotit. Kjo e zemëroi Hamanin. Ai dëshironte ta ndëshkonte Mardokeun dhe të gjithë judenjtë.
Hamani i tha mbretit se judenjtë nuk i zbatuan ligjet e mbretit. Kështu që mbreti e lejoi Hamanin të bënte një ligj të ri: në një ditë të caktuar, të gjithë judenjtë do të vriteshin.
Mardokeu i kërkoi Esterit të fliste me mbretin. Mbreti mund ta ndryshonte ligjin e Hamanit dhe të shpëtonte judenjtë. Por Esteri kishte frikë. Ndonjëherë mbreti i vriste njerëzit që shkonin për të folur me të pa ftesë.
Mardokeu i kërkoi Esterit të mendonte për judenjtë që do të vriteshin. Mardokeu tha se Zoti madje mund ta kishte vendosur Esterin në pallatin e mbretit për të shpëtuar judenjtë.
Esteri e dinte që duhej të fliste me mbretin, madje edhe nëse kjo do të thoshte që ajo mund të vritej. Esteri u kërkoi të gjithë judenjve dhe shërbëtorëve të saj të agjëronin bashkë me të.
Pas agjërimit për tri ditë, Esteri u përgatit dhe shkoi të takonte mbretin.
Kur ajo iu afrua mbretit, ai zgjati skeptrin e tij. Kjo do të thoshte se ai ishte i lumtur që e shihte dhe nuk do ta dënonte me vdekje. Ai e pyeti se çfarë dëshironte. Esteri i tregoi mbretit se populli i saj ishte në rrezik. Për shkak të ligjit të Hamanit, ajo dhe të gjithë judenjtë në mbretëri do të vriteshin.
Mbreti u zemërua me Hamanin dhe e dënoi me vdekje. Mbreti bëri një ligj të ri që i mbronte judenjtë. Tani ata lejoheshin të vetëmbroheshin nëse ndokush përpiqej t’i dëmtonte.
Besimi i Esterit në Zot dhe kuraja e saj për të folur me mbretin shpëtoi popullin e saj. Në vend të vdekjes dhe pikëllimit, pati festë. Judenjtë festuan.