“Pashka”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Pashka”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Pashka
Të mbrojtur nga Zoti
Faraoni nuk i lejonte izraelitët të shkonin të lirë, prandaj Zoti i tha Moisiut se Ai do të dërgonte një plagë të fundit. Fëmija i parëlindur i çdo familjeje në tokën e Egjiptit do të vdiste, madje edhe të parëlindurit e kafshëve të tyre.
Zoti premtoi që, nëse izraelitët do t’i ndiqnin udhëzimet e Tij, plaga do të kalonte mbi ta dhe nuk do t’i lëndonte.
Zoti i tha çdo familjeje izraelite që të flijonte një qengj të përsosur mashkull dhe ta lyente me gjakun e qengjit kornizën e dyerve të shtëpive të tyre.
Zoti u tha izraelitëve që ta gatuanin dhe ta hanin me të shpejtë qengjin. Ndërkohë që hanin, ata duhej të ishin të veshur dhe të ishin gati për t’u larguar nga shtëpitë e tyre. Zoti tha që nëse izraelitët i bënin këto gjëra, të parëlindurit e tyre do të ishin të sigurt nga plaga.
Siç paralajmëroi Zoti, plaga erdhi. Të gjithë të parëlindurit në Egjipt vdiqën, përfshirë djalin më të madh të Faraonit. Por plaga kaloi mbi secilën shtëpi që e kishte gjakun e qengjit në kornizën e derës. Të parëlindurit e izraelitëve u shpëtuan ngaqë iu bindën Zotit.
Kur Faraoni pa se vetë biri i tij kishte vdekur për shkak të kësaj plage, ai u tha Moisiut dhe Aaronit që të merrnin të gjithë izraelitët dhe të largoheshin nga Egjipti.
Izraelitët u larguan, por Faraoni ishte i zemëruar. Ai mblodhi ushtrinë dhe qerret e tij dhe i ndoqi izraelitët.
Izraelitët e ngritën kampin buzë Detit të Kuq. Shpejt Faraoni dhe ushtria e tij iu afruan atyre. Kur izraelitët panë se egjiptianët po afroheshin, ata u frikësuan. Por Moisiu u tha izraelitëve se Zoti do t’i mbronte.
Teksa egjiptianët po afroheshin, Zoti i tha Moisiut që ta ngrinte lart bastunin e tij. Moisiu e ngriti dhe Zoti e ndau detin. Izraelitët e kaluan detin në tokë të thatë. Ata u larguan nga Faraoni dhe ushtria e tij.
Ushtria egjiptiane i ndoqi izraelitët. Kur të gjithë izraelitët ishin të sigurt në anën tjetër të detit, Zoti e la ujin të zbriste. Ushtria egjiptiane u mbyt në det.
Izraelitët më në fund ishin të lirë. Ata kënduan këngë, vallëzuan dhe e falënderuan Zotin. Ata e kujtuan gjithmonë Pashkën si kohën kur Zoti ua shpëtoi jetën dhe i nxori nga Egjipti.