“Debora, Profetesha”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Debora, Profetesha”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Debora, Profetesha
Një udhëheqëse që e ndihmoi Izraelin t’i mirëbesonte Zotit
Debora ishte një profeteshë, një udhëheqëse izraelite besnike e cila u frymëzua nga Zoti. Njerëzit e saj kishin ndaluar së zbatuari urdhërimet e Zotit dhe kananejtë sundonin mbi ta. Pas njëzet vjetësh, izraelitët filluan të luteshin për ndihmën e Zotit.
Zoti i dëgjoi lutjet e tyre. Ai i tha Deborës që të mblidhte një ushtri të izraelitëve për të luftuar kundër kananejve.
Ushtria kananite kishte shumë ushtarë dhe qerre. Kjo e frikësoi ushtrinë izraelite, por jo Deborën. Ajo e dinte se Zoti do t’i ndihmonte.
Baraku ishte udhëheqësi i ushtrisë izraelite. Ai nuk donte të luftonte. Por mendoi që, nëse Debora shkonte me ushtrinë, Zoti do t’i mbronte. Debora ra dakord të shkonte. Ajo profetizoi se një grua do ta mundte Siserën, udhëheqësin e ushtrisë kananite.
Ushtria izraelite u mblodh në një mal dhe kananejtë u mblodhën në luginë. Debora i tha Barakut të zbriste nga mali. Ajo premtoi se Zoti do të ishte me ta.
Zoti dërgoi shi dhe qerret e kananejve u rrëmbyen nga uji. Shumë kananej u mbytën në lumë, por Sisera u arratis.
Gjyqtarët 4:15, 17; 5:4–5, 19–22
Një grua e quajtur Jaela jetonte në një çadër aty pranë. Ajo e pa Siserën duke vrapuar dhe i tha të fshihej në çadrën e saj. Jaela e dinte që ai ishte udhëheqës i ushtrisë kananite dhe e vrau që ai të mos lëndonte më shumë njerëz.
Profecia e Deborës u vërtetua. Sisera u mund nga një grua heroike. Debora këndoi një këngë për t’i ndihmuar izraelitët që të kujtonin se si Zoti i shpëtoi ata. Izraelitët i zbatuan urdhërimet dhe jetuan në paqe për 40 vjet.