“Jakobi dhe Esau”, Tregime nga Dhiata e Vjetër (2022)
“Jakobi dhe Esau”, Tregime nga Dhiata e Vjetër
Zanafilla 25–27
Jakobi dhe Esau
Dy vëllezër dhe një parëbirni
Isaku dhe Rebeka patën dy djem binjakë, Jakobin dhe Esaun. Esau ishte gjahtar i aftë. Jakobi bënte një jetë të thjeshtë dhe ndiqte Zotin.
Esau lindi i pari. I parëlinduri zakonisht merrte bekimin e parëbirnisë nga babai i vet. Parëbirnia do të thoshte se ai do të udhëhiqte familjen dhe do të kishte më shumë tokë dhe kafshë që të ndihmonte për t’u kujdesur për familjen. Por Esau u kujdes më shumë për veten sesa për familjen e tij dhe ai nuk iu bind prindërve dhe Zotit.
Një ditë Esau u kthye nga gjuetia. Ai ishte shumë i uritur dhe iu lut Jakobit ta ushqente. Zoti donte që Jakobi të kishte bekimin e parëbirnisë sepse Esau nuk ishte i denjë për të. Jakobi i kërkoi Esaut t’i shiste parëbirninë për pak ushqim. Esau pranoi dhe ia shiti parëbirninë e tij Jakobit.
Zanafilla 25:23, 29–34; Hebrenjve 11:20
Rebeka dhe Isaku donin më të mirën për fëmijët e tyre. Ata ishin të dëshpëruar që Esau vazhdonte të bënte ato që donte ai dhe jo ato që donte Zoti.
Isaku u plak dhe u verbua. Para se të vdiste, ai i kërkoi Esaut të gjuante e gatuante një kafshë për të që të hante e gëzohej.
Rebeka e dinte se ishte koha që Isaku të jepte bekimin e parëbirnisë.
Rebeka i kërkoi Jakobit të merrte dy kafshë që ajo të mund ta gatuante ushqimin para se të kthehej Esau. Pastaj Jakobi do të merrte bekimin.
Jakobi u vesh si Esau dhe ia solli ushqimin babait. Isaku ia dha Jakobit bekimin e parëbirnisë. Kur u kthye Esau, ai ishte shumë i zemëruar me Jakobin. Por parëbirnia kaloi te Jakobi sepse ai i zbatoi urdhërimet e Zotit dhe Esau jo.