“21–27 Mars. Eksodi 1–6: ‘M’u Kujtua Besëlidhja Ime’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“21–27 Mars. Eksodi 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
21–27 Mars
Eksodi 1–6
“M’u Kujtua Besëlidhja Ime”
Fillojeni përgatitjen tuaj për të dhënë mësim duke lexuar nga Eksodi 1–6. Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj dhe ky përvijim mund t’ju japë ide për mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregoni disa sende që lidhen me rrëfimet në këta kapituj – për shembull, një kanistër të madhe ose një kukull foshnjë. Ftojini fëmijët që t’i përdorin këto sende për të treguar pjesët e tyre të parapëlqyera nga historia e Moisiut.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Perëndia mund të punojë nëpërmjet meje për t’i përmbushur qëllimet e Tij.
Moisiu kishte një rol madhor për çlirimin e Izraelit nga robëria. Por ai nuk do të kishte qenë në gjendje ta përmbushte këtë nëse nëna e tij, motra e tij, bija e faraonit dhe gra të tjera besnike nuk do ta kishin mbrojtur dhe nuk do të ishin kujdesur për të.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe kapitullin “Fëmija Moisi” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) për t’u treguar fëmijëve se si Jokebedi (nëna e Moisiut), Miriami (motra e tij) dhe bija e faraonit u kujdesën për Moisiun. Theksoni se për shkak të këtyre grave dhe të tjerave besnike si ato, Moisiu u mbrojt dhe një ditë do t’i udhëhiqte fëmijët e Izraelit drejt sigurisë. Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të njerëzve që kujdesen për ta.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth shërbimit, e tillë si “‘Jep’, Tha o Rrëkeza” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116). Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra të thjeshta që mund të bëjnë për t’i ndihmuar të tjerët në shtëpi, në kishë dhe në shkollë.
Jezusi do të më ndihmojë të bëj gjëra të mira.
Moisiu u shqetësua për faktin se a do të mundej t’i çlironte izraelitët nga Egjipti. Por Zoti premtoi se Ai do ta ndihmonte Moisiun. Ndihmojini fëmijët të fitojnë besim se Shpëtimtari do t’i ndihmojë edhe ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve për mënyrën se si Zoti i dha Moisiut një punë të rëndësishme për të bërë. Lexojini vargjet e përzgjedhura nga Eksodi 3 ose lexojeni kapitullin “Profeti Moisi” (te Histori të Dhjatës së Vjetër). Tregoni se si u ndie Moisiu (shih Eksodi 3:6, 11) dhe se çfarë i tha Zoti atij (shih vargjet 12 dhe 14). Ftojini fëmijët të përsëritin me ju frazën: “Unë do të jem me ty” dhe tregoni një rast kur Zoti qe me ju kur kishit diçka të rëndësishme për të bërë për Të.
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për situata kur mund t’u kërkohet të bëjnë diçka që duket e vështirë. Shpjegoni që ashtu si Jezusi e ndihmoi Moisiun, Jezusi do t’i ndihmojë edhe ata. Këndoni një këngë rreth mënyrës se si na ndihmon Jezusi, e tillë si “Më Trego, Zot” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 75). Dëshmoni se Shpëtimtari do të na ndihmojë kur jemi të shqetësuar apo të frikësuar.
-
Pritini letrat në formë zemre dhe shkruani në to mënyrat se si Zoti i ndihmon fëmijët. Vendosini zemrat përmbys mbi dysheme. Ftojini fëmijët që me radhë të zgjedhin zemra dhe ndihmojini të lexojnë atë që është shkruar në to.
Unë mund të jem nderues në vende të shenjta.
Përdoreni historinë e Moisiut dhe të ferrishtes që digjej për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se përse i trajtojmë gjërat e shenjta me nderim.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni tek Eksodi 3:1–5 dhe shpjegoni se Moisiu tregoi nderim duke i hequr këpucët e tij. Çfarë bëjmë ne për të treguar nderim në kishë? Këndoni një këngë rreth nderimit, e tillë si “Nderimi Ësht’ Dashuri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 12). Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë fjalë te kënga që na japin mësim për mënyrën se si tregojmë nderim. Përse Zoti dëshiron që ne të jemi nderues?
-
Tregoni disa figura të situatave kur ne duhet të jemi nderues dhe disa të tjera kur nuk është e nevojshme të jemi nderues, të tilla si një mbledhje sakramenti, një lutje, një park dhe një festë ditëlindjeje. Kërkojuni fëmijëve që t’i seleksionojnë figurat për të treguar se ku duhet të jemi nderues.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë veten e tyre dhe të tregojnë me gisht te vizatimet e veta ndërkohë që diskutoni për mënyrat se si mund të jenë nderues me pjesë të ndryshme të trupit të vet, si me sytë, veshët, gojën, duart dhe këmbët e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Perëndia punon nëpërmjet secilit prej nesh për të përmbushur qëllimet e Tij.
Shumë njerëz ndihmuan që t’i përmbushin qëllimet e Perëndisë duke e ruajtur jetën e të riut Moisi. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë rolin jetik që të gjithë ne luajmë në përmbushjen e vullnetit të Perëndisë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth Moisiut kur ishte foshnjë. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave dhe kapitujt tek Eksodi 1:22; 2:1–10 për të përmbledhur historinë e fëmijërisë së Moisiut. Lexojini referencat e shkrimeve të shenjta te faqja e veprimtarisë dhe pyetini fëmijët se çfarë bëri secila grua për ta ruajtur jetën e Moisiut.
-
Tregojuni fëmijëve për njerëzit që i admironi për shkak të besnikërisë së tyre në shërbimin ndaj Perëndisë dhe njerëzve përreth tyre, edhe kur ata shërbejnë në mënyra të vogla. Ftojini fëmijët të flasin rreth njerëzve që i njohin, të cilët u kanë shërbyer besnikërisht Perëndisë dhe të tjerëve. Cila është pjesa jonë në veprën e Perëndisë?
Zoti do të më ndihmojë ta përmbush vullnetin e Tij.
Moisiu u ndie i papërshtatshëm për thirrjen e tij, por Zoti i premtoi se do të ishte me Moisiun dhe do ta ndihmonte atë. Si mund t’i frymëzojë ky rrëfim fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Duke përdorur rrëfimin tek Eksodi 3; 4:1–17, lërini fëmijët të lexojnë me radhë duke u hequr sikur janë Moisiu. Nëse është e mundur, sillni objekte skenike që t’i përdorin, të tilla si një elektrik dore dhe një bimë për të përfaqësuar ferrishten që digjej.
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë tek Eksodi 3:11; 4:1, 10 dhe të zbulojnë se si u ndie Moisiu kur i kërkoi faraonit që t’i linte izraelitët të shkonin. Kur kanë pasur ata ndjenja të ngjashme? Çfarë këshille do t’i jepnin fëmijët Moisiut për ta ndihmuar? Ndihmojini të zbulojnë se si Zoti e inkurajoi Moisiun (shih Eksodi 3:12; 4:2–9, 11–12).
-
Tregoni një përvojë kur ju e ndiet se Perëndia po ju ndihmonte që ta përmbushnit një thirrje ose t’i shërbenit Atij në ndonjë mënyrë. Ftojini fëmijët të tregojnë një rast kur Zoti i ndihmoi ata.
Unë mund të jem nderues në vende të shenjta.
Zoti i kërkoi Moisiut që t’i hiqte këpucët para ferrishtes që digjej si një shenjë respekti dhe nderimi. Si mund ta përdorni këtë rrëfim për t’u dhënë mësim fëmijëve rreth nderimit?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni tek Eksodi 3:1–5 dhe kërkojuni fëmijëve që t’i përmbledhin këto vargje me fjalët e tyre. Çfarë mund të bëjmë ne që të tregojmë nderim në vende të shenjta, të tilla si në kishë ose në tempull? Ndihmojini fëmijët të krijojnë “kuti të vogla” që t’i marrin në shtëpi, të cilat përmbajnë shirita letre me ide se si të jenë nderues. Ftojini që t’ia tregojnë këto ide familjeve të tyre.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth nderimit, e tillë si “Nderimi Ësht’ Dashuri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 12) dhe kërkojini secilit fëmijë që të shkruajë dhe të thotë një përkufizim për nderimin bazuar tek teksti.
-
Përdoreni figurën e titulluar Jezusi Pastron Tempullin (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 51) për të treguar historinë te Mateu 21:12–13. Si ishte sjellja e Moisiut tek Eksodi 3:1–5 ndryshe nga sjellja e këmbyesve të parave? Përse Shpëtimtari dëshiron që t’i trajtojmë gjërat e shenjta me nderim?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Për t’i ndihmuar fëmijët që ta tregojnë atë që mësuan nga Eksodi 1–6, nxitini që të bëjnë një vizatim të njërit prej njerëzve rreth të cilit mësuan në klasë, që t’ia tregojnë familjes së tyre.