Dhiata e Vjetër 2022
28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33: “Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend”


“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33: ‘Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“28 Shkurt – 6 Mars. Zanafilla 28–33”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Tempulli i Tihuanës, Meksikë

28 Shkurt – 6 Mars

Zanafilla 28–33

“Me Siguri Zoti Është në Këtë Vend”

Ndërsa i lexoni kapitujt te Zanafilla 28–33, përsiatni për atë që mësoni nga shembujt e Jakobit dhe të familjes së tij. Shkruajeni ndonjë mbresë që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kapitujt 28 dhe 32 të Zanafillës tregojnë për dy përvoja shpirtërore që pati profeti Jakob. Të dyja ndodhën në vendin e shkretë, por në rrethana shumë të ndryshme. Në përvojën e parë, Jakobi po udhëtonte për në atdheun e nënës së tij për të gjetur një bashkëshorte dhe, gjatë rrugës, e kaloi natën duke përdorur gurë si jastëkë. Ai ndoshta nuk e priste ta gjente Zotin në një vend kaq të shkretuar, por Perëndia ia zbuloi Veten e Tij Jakobit në një ëndërr që i ndryshoi jetën, dhe Jakobi shpalli: “Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija” (Zanafilla 28:16). Vite më vonë, Jakobi u gjend përsëri në vendin e shkretë. Këtë herë, ai ishte duke u kthyer në Kanaan, ku e priste një takim potencialisht vdekjeprurës me vëllanë e tij të zemëruar, Esaun. Por Jakobi e dinte se kur i nevojitej një bekim, ai mund ta kërkonte Zotin, edhe në vendin e shkretë (shih Zanafilla 32).

Ju mund ta gjeni veten në vetë vendin tuaj të shkretë duke kërkuar një bekim nga Perëndia. Ndoshta vendi juaj i shkretë është një marrëdhënie e vështirë familjare, ashtu siç e kishte Jakobi. Ndoshta ju ndiheni të larguar nga Perëndia ose ndieni se ju nevojitet një bekim. Ndonjëherë bekimi vjen papritur; herë të tjera paraprihet nga një përleshje. Cilado qoftë nevoja juaj, ju mund të zbuloni se edhe në vendin tuaj të shkretë, “Zoti është në këtë vend”.

Learn More image
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Zanafilla 28; 29:1–18

Mua më premtohen në tempull bekimet e Abrahamit.

Rrugës për në Haran për të gjetur një bashkëshorte, Jakobi pa në ëndërr një shkallë që shtrihej nga toka për në qiell, ku Perëndia qëndronte në majë të saj. Në ëndërr, Perëndia përtëriu me Jakobin të njëjtat besëlidhje që kishte bërë me Abrahamin dhe Isakun (shih Zanafilla 28:10–17; shih edhe Zanafilla 12:2–3; 26:1–4). Presidenti Marion G. Romni shprehu këtë mendim rreth asaj që mund të përfaqësonte shkalla: “Jakobi e kuptoi se besëlidhjet që bëri me Zotin atje, ishin shkelëzat e shkallës që ai vetë duhej t’i ngjiste që të mund të merrte bekimet e premtuara – bekime që do t’i jepnin atij të drejtën për të hyrë në qiell dhe për t’u shoqëruar me Zotin. … Tempujt janë për të gjithë ne ajo çfarë ishte Betheli për Jakobin” (“Temples –The Gates to Heaven”, Ensign, mars 1971, f. 16).

Cilat fjalë dhe fraza të tjera te Zanafilla 28:10–22 ju sugjerojnë një lidhje midis përvojës së Jakobit dhe bekimeve të tempullit? Ndërsa i lexoni këto vargje, mendoni për besëlidhjet që keni bërë; çfarë mbresash ju vijnë?

Ndërsa lexoni te Zanafilla 29:1–18, përsiatni se si martesa e Jakobit me Rakelën ishte e rëndësishme për besëlidhjen që Perëndia përtëriu me Jakobin në Bethel (“shtëpia e Perëndisë”; shih Zanafilla 28:10–19). Mbajeni në mendje këtë përvojë teksa vazhdoni të lexoni për jetën e Jakobit te Zanafilla 29–33. Si ju ka sjellë shtëpia e Zotit më pranë me Perëndinë?

Shihni edhe Jun Huan Çoi, “Mos Shiko Përreth, Shiko Lart!Liahona, maj 2017, f. 90–92.

Zanafilla 29:31–35; 30:1–24

Zoti më kujton në sprovat e mia.

Edhe pse Rakela dhe Lea jetuan në një kohë e kulturë të ndryshme nga e jona, ne të gjithë mund t’i kuptojmë disa nga ndjenjat që kishin ato. Ndërsa lexoni kapitujt te Zanafilla 29:31–35 dhe 30:1–24, kërkoni fjalë dhe fraza që përshkruajnë mëshirën e Perëndisë ndaj Rakelës dhe Leas. Përsiatni se si Perëndia e ka “pa[rë] trishtimin t[uaj]” dhe ju ka “kujtua[r]” (Zanafilla 29:32; 30:22).

Është gjithashtu e rëndësishme të kujtoni që edhe pse Perëndia na dëgjon, në urtësinë e Tij, Ai jo gjithmonë na jep saktësisht atë që kërkojmë. Merreni parasysh të studioni mesazhin e Plakut Bruk P. Hejls “Përgjigjet për Lutjen” (Liahona, maj 2019, f. 11–14) për të mësuar rreth mënyrave të ndryshme se si na përgjigjet Ati Qiellor.

Për më shumë informacion rreth sfondit kulturor të kësaj historie, shih Old Testament Student Manual: Genesis–2 Samuel, (2003) [manual i Sistemit Arsimor të Kishës], f. 86–88.

Jakobi dhe Esau duke u përqafuar

Ilustrim i Jakobit dhe Esaut duke u përqafuar, nga Robert T. Barrett

Zanafilla 32–33

Shpëtimtari mund të na ndihmojë që t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet në familjet tona.

Kur Jakobi u kthye në Kanaan, atë e zuri “një frikë e madhe dhe një ankth” rreth asaj se si do ta priste Esau (Zanafilla 32:7). Ndërsa lexoni te Zanafilla 32–33 për takimin e Jakobit me Esaun dhe ndjenjat e tij përpara saj, ju mund të përsiatni për vetë marrëdhëniet tuaja familjare – ndoshta një marrëdhënie që ka nevojë për shërim. Ndoshta kjo histori mund t’ju frymëzojë që t’i afroheni dikujt. Pyetje si këto mund të ndihmojnë për ta udhërrëfyer leximin tuaj:

  • Si u përgatit Jakobi që të takohej me Esaun?

  • Çfarë ju bën përshtypje nga lutja e Jakobit që gjendet te Zanafilla 32:9–12?

  • Çfarë mësoni rreth faljes nga shembulli i Esaut?

  • Si mund të na ndihmojë Shpëtimtari që t’i shërojmë marrëdhëniet familjare?

Shih edhe Lluka 15:11–32; Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 77–79.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

Zanafilla 28–33.Përdoreni pjesën “Jakobi dhe Familja e Tij” (te Histori të Dhjatës së Vjetër) për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë ngjarje nga këta kapituj. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të ndalen në secilën figurë dhe të identifikojnë atë që po jepet mësim, të tilla si rëndësia e martesës, besëlidhjeve, punës dhe faljes.

Zanafilla 28:10–22.Ju mund të përdorni një shkallë (ose një figurë të një shkalle) për të folur rreth mënyrës se si besëlidhjet tona janë si një shkallë. Çfarë besëlidhjesh kemi bërë dhe si na sjellin ato më pranë Perëndisë? Pjesëtarët e familjes mund të kënaqen duke bërë një vizatim të ëndrrës së Jakobit, të përshkruar te Zanafilla 28:10–22.

Himni “Më Pran’, Per’ndi, tek Ti” (Himne, f. 52) u frymëzua nga ëndrra e Jakobit. Familja juaj mund ta këndojë këtë këngë dhe të diskutojë atë që na mëson secili rresht.

Zanafilla 32:24–32.Ju mund të keni pjesëtarë të familjes të cilëve u pëlqen të përleshen. Përse “përleshj[a]” është një mënyrë e mirë për ta përshkruar kërkimin e bekimeve nga Zoti? Çfarë na sugjerojnë Enosi 1:1–5; Alma 8:9–10 rreth domethënies së “përleshje[s] … para Perëndisë”?

Zanafilla 33:1–12.Pas shumë vitesh me ndjenja jo të mira, Jakobi dhe Esau u ribashkuan. Nëse Jakobi dhe Esau do të mund të na flisnin sot, çfarë mund të thonë për të na ndihmuar kur ka grindje në familjen tonë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti”, Himne, nr. 49.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojeni Jezu Krishtin. Dhiata e Vjetër dëshmon për Jezu Krishtin nëpërmjet historive dhe simboleve të saj. Mbajeni parasysh t’i shënoni ose t’i shenjoni vargjet që na drejtojnë për te Shpëtimtari dhe janë veçanërisht domethënëse për ju.

Jakobi duke parë në ëndërr engjëj në shkallë

Ëndrra e Jakobit në Bethel, nga J. Ken Spencer