Shërbesa e Pajtimit
Unë dëshmoj për qetësinë e shpirtit që do të sjellë pajtimi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, nëse jemi të butë dhe të guximshëm aq sa ta kërkojmë atë.
Prillin e shkuar, kur Presidenti Rasëll M. Nelson paraqiti konceptin e dhënies së shërbesës, ai theksoi se ekzistonte një mënyrë për t’i zbatuar urdhërimet e mëdha që ta duam Perëndinë dhe ta duam njëri-tjetrin. Ne, si drejtues të Kishës, haptazi ju lavdërojmë dhe përgëzojmë për reagimin e jashtëzakonshëm që keni filluar në këtë drejtim. Ju falënderojmë që e ndiqni profetin tonë të dashur në këtë përpjekje të mrekullueshme dhe sugjerojmë që të mos prisni për më shumë udhëzime të tjera. Thjesht hidhuni në pishinë dhe notoni. Drejtohuni te njerëzit nevojtarë. Mos u bllokoni duke e pyetur veten a duhet të notoni në shpinë ose të bëni not qeni. Nëse i ndjekim parimet bazë që na janë mësuar, qëndrojmë në një linjë me çelësat e priftërisë dhe kërkojmë Shpirtin e Shenjtë që të na udhërrëfejë, ne nuk mund të dështojmë.
Këtë mëngjes dëshiroj të flas për një aspekt akoma më shumë vetjak të dhënies së shërbesës që nuk është nëpërmjet caktimit, nuk përfshin një intervistë kalendarike dhe nuk ka linjë raportimi përveçse në qiell. Më lejoni të tregoj vetëm një shembull të thjeshtë të asaj lloj dhënie shërbese.
Grent Morell Boueni ishte një bashkëshort punëtor, i përkushtuar dhe një baba i cili, si shumë që e sigurojnë jetesën nga bujqësia, pësoi një rrënim ekonomik kur prodhimi i patates në atë rajon ishte i dobët. Ai dhe bashkëshortja e tij, Norma, gjetën punë të tjera, përfundimisht u shpërngulën në një qytet tjetër dhe filluan të kishin mjaftueshëm para për stabilitet ekonomik. Megjithatë, në një incident tmerrësisht të pafat, vëllai Bouen u lëndua thellë kur, në një intervistë për rekomandim tempulli, peshkopi ishte pak dyshues lidhur me deklaratën e Morellit se ishte pagues i së dhjetës së plotë.
Nuk e di se cili nga këta burra kishte faktet më të sakta atë ditë, por vërtet e di që motra Bouen doli nga ajo intervistë me rekomandimin të ri tempulli, ndërsa vëllai Bouen doli me një zemërim që do ta largonte nga Kisha për 15 vjet.
Pavarësisht se kush kishte të drejtë për të dhjetën, me sa duket edhe Morelli, edhe peshkopi harruan porosinë e Shpëtimtarit që të “bë[nin] një marrëveshje miqësore me kundërshtarin [e tyre]” dhe këshillën e Palit për të “mos mëkat[uar]; [që] dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj”. E vërteta është se ata nuk bënë një marrëveshje dhe dielli vërtet perëndoi mbi inatin e vëllait Bouen për ditë, pastaj javë, më pas vite, duke vërtetuar argumentin e bërë nga njëri prej njerëzve më të urtë të romakëve të lashtë, i cili tha: “Zemërimi, nëse nuk kufizohet, shpesh është më [shkatërrues] sesa keqbërja që e provokon atë”. Por mrekullia e pajtimit është përherë në dispozicion për ne dhe për shkak të dashurisë për familjen e tij dhe Kishës që e dinte se ishte e vërtetë, Morell Boueni u aktivizua sërish plotësisht në Kishë. Më lejoni t’iu tregoj shkurtimisht se si ndodhi ajo.
Djali i vëllait Bouen, Bredi, është një mik i mirë i yni dhe një i Shtatëdhjetë Zonal i përkushtuar që po shërben në Ajdahon jugore. Bredi ishte 11 vjeç në kohën e këtij incidenti dhe për 15 vite ai vëzhgoi që po pakësohej përkushtimi fetar i babait të tij, një dëshmitar i frytit të tmerrshëm që po korrej atje ku ishin mbjellë zemërimi dhe keqkuptimi. Duhej bërë diçka. Ndaj teksa pushimet e festës së Falënderimeve afroheshin në vitin 1977, Bredi, një student 26-vjeçar në Universitetin “Brigam Jang”; bashkëshortja e tij, Valeria; dhe i sapolinduri, Miçi, ngarkuan makinën e tyre të thjeshtë si ajo e një studenti dhe pavarësisht nga moti i keq, e nganë atë për në Billingz të Montanës. Madje as përplasja me një pirg dëbore afër Jelloustounit Perëndimor nuk do ta pengonte këtë treshe nga vënia në kontakt me vëllanë Bouen Plakun për t’i dhënë shërbesë.
Pas mbërritjes, Bredi dhe motra e tij, Pami, kërkuan një çast vetëm për vetëm me babanë e tyre. “Ke qenë një baba i mrekullueshëm”, ia nisi Bredi me pak emocion, “dhe e kemi ditur gjithnjë se sa shumë na ke dashur. Por diçka nuk shkon dhe kjo ka qenë për një kohë të gjatë. Për shkak se ti u lëndove një herë, e tërë kjo familje është lënduar për vite. Ne jemi të copëtuar dhe ti je i vetmi që mund të na bashkosh. Të lutem, të lutem, pas gjithë kësaj kohe, a mund të jesh në gjendje ta lësh mënjanë atë incident të pafat me atë peshkop dhe ta drejtosh sërish këtë familje tek ungjilli siç bëre dikur?”
Pati heshtje të plotë. Pastaj vëllai Bouen ngriti sytë drejt këtyre të dyve, fëmijëve të tij, kockës së kockave të tij dhe mishit të mishit të tij dhe tha shumë qetësisht: “Po. Po, do ta bëj.”
Të emocionuar por të shtangur nga përgjigjja e papritur, Bred Boueni dhe familja e tij e panë bashkëshortin dhe babanë e tyre të shkonte te peshkopi i tij i tanishëm me një frymë pajtimi për t’i rregulluar gjërat në jetën e tij. Si një përgjigje e përsosur ndaj kësaj vizite të guximshme por tërësisht të papritur, peshkopi, i cili i kishte bërë ftesa të përsëritura vëllait Bouen për t’u rikthyer, i hodhi krahët në qafë Morellit dhe thjesht e mbajti atë – e mbajti të përqafuar për një kohë shumë të gjatë.
Në vetëm pak javë – nuk zgjati shumë – vëllai Bouen u përfshi plotësisht në aktivizimin në Kishë dhe u bë i denjë për t’u rikthyer në tempull. Shumë shpejt ai pranoi thirrjen për të kryesuar në një degë të vogël prej 25 anëtarësh që po haste vështirësi, dhe e rriti atë në një bashkësi të suksesshme prej mbi 100 anëtarësh. E gjitha kjo ndodhi thuajse gjysmë shekulli më parë, por pasoja e përgjërimit të një biri dhe një bije për t’i dhënë shërbesë vetë babait të tyre dhe gatishmëria e atij babai për të falur dhe shkuar përpara pavarësisht nga papërsosuritë e të tjerëve, kanë sjellë bekime që ende po vijnë – dhe do të vijnë përgjithmonë – në familjen Bouen.
Vëllezër dhe motra, Jezusi ka kërkuar që ne të “jeto[jmë] së bashku në dashuri” pa “grindje mes [nesh]”. “Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi”, i paralajmëroi Ai nefitët. Njëmend, në një masë të madhe, marrëdhënia jonë me Krishtin do të përcaktohet – ose të paktën do të ndikohet – nga marrëdhënia jonë me njëri-tjetrin.
“Në qoftë se … dëshiron të vish tek unë”, tha Ai, “dhe mban mend se yt vëlla ka diçka kundër teje —
Shko së pari tek yt vëlla dhe pajtohu me [të], dhe pastaj eja tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do të të pranoj.”
Sigurisht që secili prej nesh mund të përmendë një numër të pafundmë lëndimesh e brengash të vjetra dhe kujtimesh të dhembshme që pikërisht në këtë çast ende e prishin paqen në zemrën e dikujt ose në familje apo lagje. Qoftë nëse e kemi shkaktuar ne atë dhembje ose jemi të prekurit prej dhembjes, ato plagë nevojitet të shërohen kështu që jeta të mund të jetë aq shpërblyese sa Perëndia synoi që ajo të ishte. Ashtu si ushqimi në frigoriferin tuaj që nipërit dhe mbesat e kontrollojnë me kujdes për ju, atyre fyerjeve të vjetra ka kohë që u ka kaluar data e përdorimit. Ju lutem, mos u lini më vend të çmuar atyre në shpirtin tuaj. Ashtu si Prospero i tha Alonsos së penduar te vepra Furtuna: “Le të mos e ngarkojmë kujtesën tonë me një rëndesë që nuk është më”.
“Falni dhe do të jeni të falur”, dha mësim Krishti në kohën e Dhiatës së Re. Dhe në kohën tonë: “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit”. Megjithatë është e rëndësishme për disa prej jush që jetojnë në ankth të vërtetë, që të vëreni atë që Ai nuk tha. Ai nuk tha: “Nuk ju lejohet të ndieni dhembje të vërtetë ose brengë të vërtetë nga përvojat shkatërruese që i keni pasur për shkak të një personi tjetër”. Dhe as nuk tha: “Me qëllim që të falni plotësisht, ju duhet të hyni sërish në një marrëdhënie helmuese ose të ktheheni në një rrethanë keqtrajtuese dhe shkatërruese”. Por pavarësisht nga fyerjet më të tmerrshme që mund të na vijnë, ne mund të ngrihemi mbi dhembjen tonë vetëm kur i vendosim këmbët tona në shtegun e shërimit të vërtetë. Ai shteg është shtegu i faljes nëpër të cilin eci Jezusi i Nazaretit, që i bën thirrje secilit prej nesh: “Eja e më ndiq”.
Në një ftesë të tillë për të qenë dishepulli i Tij dhe për t’u përpjekur që të bëjmë siç bëri Ai, Jezusi po kërkon prej nesh që të jemi mjete të hirit të Tij – të jemi “lajmëtarë për Krishtin” në “shërbimin [e] pajtimit”, siç ua përshkroi Pali korintasve. Shëruesi i çdo plage, Ai i cili e ndreq çdo gabim, kërkon prej nesh që të punojmë me Të në detyrën e vështirë të paqebërësit në një botë që nuk do ta gjejë atë në ndonjë mënyrë tjetër.
Pra, ashtu siç shkroi Filip Bruksi: “Ju që po i lini keqkuptimet e mjerueshme të vazhdojnë nga viti në vit, duke nënkuptuar se do t’i sqaroni një ditë; ju që po i mbani gjallë grindjet përçmuese ngaqë nuk mund të vendosni se tani është dita për të sakrifikuar krenarinë tuaj dhe për t’i [zgjidhur] ato; ju që po kaloni të ngrysur pranë njerëzve në rrugë, duke mos u folur për shkak të ndonjë mërie pa vlerë …; ju që po e lini … zemrën [e dikujt] të dhembë për një fjalë vlerësimi ose dashamirësie, që synoni ta jepni … një ditë, … shkoni menjëherë dhe bëni gjënë që mund të mos keni kurrë rast tjetër për ta bërë”.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se falja dhe harrimi i fyerjeve, të vjetra ose të reja, është në qendër të madhështisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit. Unë dëshmoj se një ndreqje e tillë shpirtërore përfundimisht mund të vijë vetëm nga Shëlbuesi ynë hyjnor, Ai që vjen me ngutje për të na ndihmuar “me shërimin në krahët e tij”. Ne e falënderojmë Atë dhe Atin tonë Qiellor që e dërgoi Atë, që ripërtëritja dhe rilindja, një e ardhme e çliruar nga brengat e vjetra dhe gabimet e së shkuarës, jo vetëm që janë të mundura, por ato tashmë janë blerë, janë paguar me një çmim torturues që simbolizohet nga gjaku i Qengjit që e derdhi atë gjak.
Me autoritetin apostullor që më është dhënë nga Shpëtimtari i botës, unë dëshmoj për qetësinë e shpirtit që do të sjellë pajtimi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, nëse jemi të butë dhe të guximshëm aq sa ta kërkojmë atë. “Ndaleni zënien me njëri-tjetrin”, u lut Shpëtimtari. Nëse jeni në dijeni për ndonjë lëndim të vjetër, ndreqeni atë. Kujdesuni për njëri-tjetrin me dashuri.
Miqtë e mi të dashur, në shërbesën tonë të përbashkët të pajtimit, ju kërkoj të jeni paqebërës – ta doni paqen, ta kërkoni paqen, ta krijoni paqen dhe ta çmoni paqen. E bëj atë thirrje në emër të Princit të Paqes, i cili di gjithçka për të qenit të “plagosur në shtëpinë e miqve të [Tij]”, por që ende e gjeti forcën për të falur e harruar – dhe për të shëruar – dhe për të qenë i lumtur. Për atë lutem, për ju dhe për veten, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.