2010–2019
Për Të
Tetor 2018


2:3

Për Të

Në shërbimin ndaj të tjerëve, dijenia se kujt dhe përse shërbejmë, na ndihmon të kuptojmë se shfaqja më kulmore e dashurisë është përkushtimi ndaj Perëndisë.

Në këtë mbrëmje historike, shpreh dashurinë dhe vlerësimin tim për secilën prej jush, motra të mia të dashura. Cilado qofshin mosha, vendndodhja apo rrethanat tona, ne mblidhemi sonte në unitet, në forcë, në qëllim dhe në dëshminë se ne kemi dashurinë dhe udhërrëfimin e Atit tonë Qiellor, të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe të profetit tonë të gjallë, Presidentit Rasëll M. Nelson.

Kur ishim çift i ri, unë dhe bashkëshorti im u thirrëm nga peshkopi ynë për ta vizituar dhe për t’i dhënë shërbesë një familjeje që nuk kishte qenë në Kishë për shumë vite. Me gatishmëri e pranuam detyrën dhe shkuam në shtëpinë e tyre disa ditë më vonë. Ishte menjëherë e qartë për ne se ata nuk donin vizitorë nga Kisha.

Prandaj, në vizitën tonë të ardhshme, iu afruam atyre me një pjatë biskotash, të bindur se ëmbëlsirat me copa çokollate do t’ua shkrinin zemrat. Kjo nuk ndodhi. Çifti na foli nëpërmjet derës me rrjetë, duke e bërë edhe më të qartë se ne nuk ishim të mirëpritur. Por, kur po shkonim me makinë për në shtëpi, ne ishim mjaft të sigurt se mund të kishim pasur sukses sikur në vend të ëmbëlsirave me çokollatë t’u kishim ofruar ëmbëlsira me oriz që të kërcisnin në gojë.

Mungesa e largpamësisë shpirtërore nga ana jonë i bëri acaruese përpjekjet e tjera të dështuara. Refuzimi nuk është kurrë i lehtë. Me kalimin e kohës filluam t’i bënim vetes pyetjet: “Përse po e bëjmë këtë? Cili është qëllimi ynë?”

Plaku Karl B. Kuk bëri këtë vëzhgim: “Shërbimi në Kishë mund të jetë sfidues nëse na kërkohet të bëjmë diçka që na frikëson, nëse fillojmë të lodhemi nga shërbimi, apo nëse thirremi të bëjmë diçka që fillimisht nuk na duket tërheqëse”. Ne po përjetonim të vërtetën e fjalëve të Plakut Kuk kur vendosëm se duhej të kërkonim drejtim nga Dikush me një këndvështrim më të gjerë sesa i joni.

Ndaj, pas shumë lutjesh dhe një studimi të sinqertë, ne e morën përgjigjen e përsesë së shërbimit tonë. Ne përjetuam një ndryshim të të kuptuarit tonë, një ndryshim zemre, në fakt një përvojë që sjell zbulesë. Teksa kërkuam udhërrëfim nga shkrimet e shenjta, Zoti na mësoi se si ta bënim procesin e shërbesës ndaj të tjerëve më të lehtë e më kuptimplotë. Ja ku është vargu që lexuam, i cili ndryshoi si zemrat tona, edhe qasjen tonë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij. Ndonëse ky varg ishte aq i njohur, dukej sikur na foli në një mënyrë të re dhe të rëndësishme.

Ne kuptuam se po përpiqeshim me çiltërsi për t’i shërbyer kësaj familjeje dhe për t’i shërbyer peshkopit tonë, por na u desh ta pyetnim veten nëse po shërbenim me të vërtetë nga dashuria për Zotin. Mbreti Beniamin e bëri të qartë këtë dallim kur shpalli: “Vini re, unë ju them se pasi ju thashë se kisha kaluar ditët e mia në shërbimin tuaj, unë nuk dua të mburrem, pasi kam qenë vetëm në shërbimin e Perëndisë.

Pra, kujt po i shërbente në të vërtetë mbreti Beniamin? Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit. Në shërbimin ndaj të tjerëve, dijenia se kujt dhe përse shërbejmë, na ndihmon të kuptojmë se shfaqja më kulmore e dashurisë është përkushtimi ndaj Perëndisë.

Teksa qendra e vëmendjes sonë gradualisht ndryshoi, kështu ndryshuan edhe lutjet tona. Filluam që t’i pritnim me padurim vizitat tona te kjo familje e dashur për shkak të dashurisë sonë për Zotin. Ne po e bënim këtë për Të. Ai bëri që vështirësia të mos ishte më një vështirësi. Pasi qëndruam për shumë muaj te pragu i derës, familja filloi të na linte të hynim brenda. Përfundimisht, ne bëmë së bashku lutje të rregullta dhe diskutime me ndjenjë mbi ungjillin. U krijua një miqësi afatgjatë. Ne po e adhuronim dhe po e donim Atë duke i dashur fëmijët e Tij.

A mund të mendoni për një rast në të kaluarën kur ju me dashuri e shtritë dorën e ndihmës në një përpjekje të sinqertë për ta ndihmuar dikë në nevojë dhe ndiet se përpjekjet tuaja shkuan pa u vënë re apo ndoshta nuk u vlerësuan ose edhe ishin të padëshiruara? Në atë çast, a e vutë në pikëpyetje vlerën e shërbimit tuaj? Nëse është kështu, fjalët e mbretit Beniamin e zëvendësofshin dyshimin tuaj dhe madje lëndimin tuaj: “Ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”.

Në vend që të krijojmë pakënaqësi, ne mund të ndërtojmë, nëpërmjet shërbimit, një marrëdhënie më të përsosur me Atin tonë Qiellor. Dashuria dhe përkushtimi ynë për Të e zëvendëson nevojën për famë apo vlerësim dhe e lejon dashurinë e Tij të vërshojë te ne dhe nëpërmjet nesh.

Ndonjëherë, ne mund të shërbejmë fillimisht nga një ndjesi detyre ose detyrimi, por edhe ai lloj shërbimi mund të na bëjë që të mbështetemi te diçka më e lartë brenda nesh, duke na drejtuar që të shërbejmë sipas një “udh[e] shumë më të lartë” – si në ftesën e Presidentit Nelson drejt “një qasje[je] më të re, më të shenjtë ndaj përkujdesjes e dhënies së shërbesës për të tjerët”.

Kur përqendrohemi te gjithçka që ka bërë Perëndia për ne, shërbimi ynë buron nga një zemër mirënjohëse. Ndërsa shqetësohemi më pak rreth lartësimit që do të marrim nga shërbimi ynë, ne e kuptojmë se në vend të kësaj qendra e shërbimit tonë do të jetë që ta vëmë Perëndinë të parin.

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Vetëm kur [e] duam Perëndinë dhe Krishtin me gjithë zemrat, shpirtrat dhe mendjet tona, ne jemi të aftë ta ndajmë këtë dashuri me fqinjët tanë nëpërmjet veprave të mirësisë dhe shërbimit”.

Dhjetë Urdhërimet e para e përsëritin këtë urtësi hyjnore: “Unë jam Zoti, Perëndia yt. … Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.” Dhënia e këtij urdhërimi na ndihmon të kuptojmë që, nëse e vendosim Atë si përparësinë tonë kryesore, çdo gjë tjetër përfundimisht do të zërë vendin e vet – madje edhe shërbimi ynë ndaj të tjerëve. Kur Ai zë vendin më të rëndësishëm në jetën tonë nëpërmjet zgjedhjes së ndërgjegjshme, atëherë Ai është në gjendje t’i bekojë veprimet tona për të mirën tonë dhe për të mirën e të tjerëve.

Zoti këshilloi: “Shihni tek unë në çdo mendim”. Dhe çdo javë ne besëlidhim të bëjmë pikërisht këtë – që “gjithmonë [ta] kujtoj[m]ë atë”. A mund të gjejë zbatim një përqendrim i tillë hyjnor në gjithçka që bëjmë? A mundet që kryerja madje e një detyre të përditshme të kthehet në një mundësi për të treguar dashurinë dhe përkushtimin tonë ndaj Tij? Unë besoj se është e mundur dhe me siguri që po.

Ne mund të bëjmë që çdo pikë në listën tonë të detyrave që duhen kryer, të bëhet një mënyrë për ta përlëvduar Atë. Ne mund ta shohim secilën detyrë si një privilegj dhe mundësi për t’i shërbyer Atij, edhe kur jemi në mes të afateve, detyrave apo pelenave të pista.

Ashtu siç tha Amoni: “Po, unë e di se nuk jam asgjë; pasi nga fuqia ime jam i dobët; prandaj nuk do të mburrem për veten time, por do të krenohem për Perëndinë tim, pasi në fuqinë e tij unë mund të bëj të gjitha gjërat”.

Kur shërbimi ndaj Perëndisë tonë bëhet përparësia jonë kryesore në jetë, ne e humbasim veten dhe, me kohë, e gjejmë veten.

Shpëtimtari e dha mësim këtë parim në mënyrë kaq të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë: “Prandaj, le të shkëlqejë drita juaj para këtyre njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”.

Më lejoni t’ju tregoj disa fjalë të urta që u gjetën në murin e një jetimoreje në Kalkutë të Indisë: “Nëse je i sjellshëm, njerëzit mund të të akuzojnë për shtysa egoiste dhe të fshehta. Jini dashamirës gjithsesi. Atë që ju harxhoni me vite për ta ndërtuar, dikush mund ta shkatërrojë brenda natës. Ndërtojeni gjithsesi. Të mirën që bëni sot, njerëzit shpesh do ta harrojnë nesër. Bëni mirë gjithsesi. Jepini botës më të mirën që keni, dhe mund të mos jetë kurrë e mjaftueshme. Jepjani botës më të mirën që keni gjithsesi. Pra siç e shihni, në analizën përfundimtare, [gjithçka] është mes jush dhe Perëndisë tuaj … gjithsesi.”

Motra, është gjithmonë midis nesh dhe Zotit. Siç tha Presidenti Xhejms E. Faust: “‘Cila është nevoja më e madhe në botë?’ … ‘A nuk është nevoja më e madhe në të gjithë botën për çdo njeri që të ketë një marrëdhënie vetjake, të vazhdueshme, të përditshme, në vijueshmëri me Shpëtimtarin?’ Të pasurit e një marrëdhënieje të tillë mund të nxjerrë në pah karakterin hyjnor brenda nesh dhe asgjë tjetër nuk mund të sjellë një ndryshim më të madh në jetën tonë sesa kur arrijmë ta njohim dhe ta kuptojmë marrëdhënien tonë hyjnore me Perëndinë.”

Në mënyrë të ngjashme, Alma i shpjegoi birit të tij: “Po, le të jenë të gjitha veprimet e tua në Zotin dhe kudo që të shkosh, le të jetë në Zotin; po, le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti; po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti”.

Dhe Presidenti Rasëll M. Nelson na ka mësuar po ashtu: “Kur e kuptojmë Shlyerjen e Tij të vullnetshme, çdo ndjenjë e sakrificës nga ana jonë zbehet plotësisht nga një ndjenjë e thellë mirënjohjeje për privilegjin që kemi për t’i shërbyer Atij”.

Motra, unë dëshmoj se kur Jezu Krishti, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, vepron te ne dhe ne, Ai fillon të veprojë nëpërmjet nesh për t’i bekuar të tjerët. Ne u shërbejmë atyre, por e bëjmë këtë duke e dashur dhe duke i shërbyer Atij. Ne bëhemi çka përshkruan shkrimi i shenjtë: “Cilido [e cilado] duke kërkuar interesin e të afërmit të tij [e të saj] dhe duke bërë gjithçka me syrin drejtuar te lavdia e Perëndisë”.

Ndoshta peshkopi ynë e dinte se ai ishte mësimi që unë dhe bashkëshorti im do të mësonim nga ato përpjekje të hershme dhe me qëllim të mirë, sado të papërsosura, për t’u shërbyer bijve dhe bijave të dashura të Perëndisë. Unë jap dëshminë time vetjake dhe të sigurt për mirësinë dhe dashurinë që Ai na tregon ne, madje edhe teksa përpiqemi të shërbejmë për Të. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.