2010–2019
Të Bëhesh Bari
Tetor 2018


2:3

Të Bëhesh Bari

Shpresoj që ata të cilëve u jepni shërbesë, do t’ju shohin si shok dhe të kuptojnë se, te ju, ata shohin një kampion dhe një njeri të besuar.

Një vit më parë, një fëmijë i Fillores që e takova në Kili më bëri të buzëqesh. “Përshëndetje”, tha ai, “Jam Davidi. A do të flasësh për mua në konferencën e përgjithshme?”

Në çaste qetësie, kam përsiatur për përshëndetjen e papritur të Davidit. Të gjithë duam që të na njohin. Duam që të jemi të rëndësishëm, të na mbajnë mend dhe ta ndiejmë se të tjerët na duan.

Motra e vëllezër, secili prej jush është i rëndësishëm. Edhe nëse nuk flitet për ju në konferencën e përgjithshme, Shpëtimtari ju njeh dhe ju do. Në qoftë se doni të dini a është e vërtetë kjo, ju nevojitet vetëm të mendoni se Ai ju ka “gdhendur në pëllëmbët e duarve të [Tij]”.

Duke e ditur se Shpëtimtari na do, atëherë ne mund ta pyetim veten: “Si mund ta tregojmë më mirë dashurinë tonë për Të?”

Shpëtimtari e pyeti Pjetrin: “A më do ti mua … ?”

Pjetri u përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Ai i tha atij: “Kulloti qengjat e mi!”

Kur kjo pyetje: “A më do ti mua?”, iu bë për herë të dytë dhe të tretë, Pjetri u trishtua, por prapëseprapë e pohoi dashurinë e tij: “Zot, ti di çdo gjë, ti [e] di se unë të dua. Jezusi i tha: Kulloti delet e mia.

A nuk e kishte vërtetuar veten Pjetri tashmë si një pasues i dashur i Krishtit? Që nga takimi i tyre i parë në breg të detit, ai i la “menjëherë” rrjetat e peshkimit për ta ndjekur Shpëtimtarin. Pjetri u bë një peshkatar i vërtetë njerëzish. Ai e shoqëroi Shpëtimtarin gjatë shërbesës së Tij vetjake dhe ndihmoi për t’ua mësuar të tjerëve ungjillin e Jezu Krishtit.

Por tani Zoti i ringjallur e dinte se nuk do të ishte më në krah të Pjetrit, për t’i treguar atij se si duhej të shërbente dhe kur duhej të shërbente. Në mungesë të Shpëtimtarit, Pjetrit do t’i nevojitej të kërkonte udhërrëfim nga Shpirti, të merrte zbulesë vetë dhe më pas të kishte guximin dhe besimin për të vepruar. Duke u përqendruar te delet e Tij, Shpëtimtari dëshironte që Pjetri të bënte atë që Ai do të bënte po të ishte i pranishëm. Ai i kërkoi Pjetrit të bëhej bari.

Prillin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson na bëri një ftesë të ngjashme që t’i kullotim delet e Atit tonë në një mënyrë më të shenjtë dhe ta bëjmë këtë nëpërmjet dhënies së shërbesës.

Për ta pranuar me efektshmëri këtë ftesë, ne duhet të zhvillojmë një zemër si të bariut dhe t’i kuptojmë nevojat e deleve të Zotit. Si bëhemi barinjtë që Zoti ka nevojë që ne të bëhemi?

Si me të gjitha pyetjet, ne mund të shohim te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti – Bariu i Mirë. Delet njiheshin dhe numëroheshin nga Shpëtimtari; për ato u tregua kujdes; ato u mblodhën në grigjën e Perëndisë.

T’i Njohim dhe t’i Numërojmë

Ndërsa përpiqemi fort për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, ne duhet, së pari, t’i njohim dhe t’i numërojmë delet e Tij. Neve na janë caktuar individë dhe familje të veçanta për t’u përkujdesur, kështu që jemi të sigurt se mbahet përgjegjësi për të gjithë tufën e Zotit dhe as edhe një nuk është harruar. Sidoqoftë, numërimi nuk ka të bëjë vërtet me numrat; ka të bëjë me faktin që të sigurohemi se çdo njeri e ndien dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet dikujt që shërben për Të. Në këtë mënyrë, të gjithë mund ta dallojnë se një Atë i dashur në Qiell i njeh ata.

Shpëtimtari me një qengj

Kohët e fundit takova një të re së cilës i është caktuar që t’i japë shërbesë një motre pothuaj pesë herë më të madhe në moshë se ajo. Së bashku, ato kanë zbuluar një dashuri të përbashkët për muzikën. Kur kjo e re e viziton, ato këndojnë së bashku dhe i tregojnë njëra‑tjetrës muzikën e tyre të parapëlqyer. Ato po krijojnë një miqësi që ua bekon jetën të dyjave.

Shpresoj që ata të cilëve u jepni shërbesë, do t’ju shohin si shok dhe të kuptojnë se, te ju, ata shohin një kampion dhe një njeri të besuar – si dikush që është në dijeni për rrethanat e tyre dhe i mbështet ata në shpresat e aspiratat e tyre.

Kohët e fundit, u caktova për t’i dhënë shërbesë një motre që as unë, as shoqja ime nuk e njihnim mirë. Teksa u këshillova me Xhesin, shoqen time 16-vjeçare për dhënien e shërbesës, ajo me urtësi sugjeroi: “Duhet ta njohim atë”.

Motra Kordon dhe shoqja e saj për dhënien e shërbesës

Ne, menjëherë vendosëm se një fotografi e vetvetes dhe një mesazh për t’u njohur ishin të përshtatshme. Unë mbajta telefonin dhe Xhesi shtypi butonin për të bërë fotografinë. Mundësia jonë e parë për të dhënë shërbesë ishte një përpjekje si dyshe.

Në vizitën tonë të parë, e pyetëm motrën tonë a kishte ndonjë gjë që mund ta përfshinim në lutjet tona në emër të saj. Ajo na tregoi për një sfidë delikate vetjake dhe tha se i mirëpriste lutjet tona. Ndershmëria dhe siguria e saj krijuan menjëherë një lidhje [plot] dashuri. Çfarë privilegji i veçantë është që ta kujtoj atë në lutjet e mia të përditshme!

Teksa luteni, ju do ta ndieni dashurinë e Jezu Krishtit për ata të cilëve u jepni shërbesë. Tregojuani atë dashuri atyre. A ka ndonjë mënyrë më të mirë për t’i ushqyer delet e Tij se sa t’i ndihmoni ata që ta ndiejnë dashurinë e Tij – nëpërmjet jush?

Të Tregojmë Kujdes

Një mënyrë e dytë për të zhvilluar zemrën e një bariu është të kujdesemi për delet e Tij. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne mund të lëvizim, të rregullojmë, të riparojmë dhe të rindërtojmë pothuajse çdo gjë. Jemi të shpejtë për të plotësuar një nevojë duke u zgjatur dorën apo duke u dhënë një pjatë me biskota. Por a ka më shumë për të bërë?

A e dinë delet tona se po kujdesemi për to me dashuri dhe se do të ndërmarrim veprime për t’i ndihmuar?

Te Mateu 25, lexojmë:

“‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju … .

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët’, …

Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm?’”

Vëllezër e motra, fjala kyç është pamë. Të drejtët i panë njerëzit në nevojë ngaqë po vëzhgonin dhe po vërenin. Edhe ne mund të jemi syçelë për të shkuar në ndihmë e për të ngushëlluar, për të festuar e madje ëndërruar. Dhe ndërsa veprojmë, ne mund të jemi të sigurt për premtimin te Mateu: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre … më të vegjël[ve], këtë ma bëtë mua”.

Shpëtimtari duke u kujdesur për një dele

Një mik – ne do ta quajmë atë Xhoni – tregoi se çfarë mund të ndodhë kur shohim nevojën më pak të dukshme të një njeriu tjetër: “Një motër në lagjen time u orvat të vetëvritej. Pas dy muajsh, zbulova se askush në kuorumin tim nuk i ishte afruar bashkëshortit të saj për të folur për këtë përvojë tronditëse. Mjerisht, as unë nuk kisha vepruar. Më në fund, i kërkova bashkëshortit të saj të dilnim për drekë. Ai ishte një burrë i turpshëm, shpesh i rezervuar. Dhe prapëseprapë, kur i thashë: ‘Bashkëshortja jote u orvat të vetëvritej. Kjo duhet të jetë dërrmuese për ty. A dëshiron të flasësh për këtë?’, ai qau haptazi. Ne patëm një bashkëbisedim të dhembshur dhe të thellë dhe zhvilluam një afërsi e mirëbesim të mrekullueshëm brenda disa minutash.”

Xhoni shtoi: “Mendoj se prirja jonë është që thjesht të sjellim kek me çokollatë në vend që të kuptojmë se si të përballemi me atë çast me ndershmëri e dashuri.”

Delet tona mund të jenë të lënduara, të kenë humbur ose madje të kenë shkuar me dashje në udhë të gabuar; si bariu i tyre, ne mund të jemi nga të parët që e shohin nevojën e tyre. Ne mund të dëgjojmë e të duam pa gjykuar dhe të ofrojmë shpresë e ndihmë me udhërrëfimin shques të Frymës së Shenjtë.

Motra e vëllezër, bota është më e mbushur me shpresë e më gëzimplotë për shkak të veprimeve të frymëzuara dashamirëse që kryeni. Ndërkohë që kërkoni udhëzimin e Zotit mbi mënyrën se si ta përçoni dashurinë e Tij dhe t’i shihni nevojat e atyre që u jepni shërbesë, sytë do t’ju hapen. Detyra juaj e shenjtë për të dhënë shërbesë, ju jep të drejtën hyjnore për frymëzim. Ju mund ta kërkoni atë frymëzim me vetëbesim.

Të Mblidhemi në Grigjën e Perëndisë

Së treti, ne duam që delet tona të mblidhen në grigjën e Perëndisë. Për ta bërë këtë, ne duhet të shqyrtojmë se ku janë ata në shtegun e besëlidhjes dhe të jemi të gatshëm të ecim me ta në udhëtimin e tyre të besimit. I yni është një privilegj i shenjtë që të arrijmë t’i njohim zemrat e tyre dhe t’i drejtojmë për te Shpëtimtari.

Dele duke e ndjekur Bariun e Mirë

Motra Xhozefini në Fixhi e kishte të vështirë që ta shihte udhën e saj drejt shtegut të besëlidhjes – në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shoqja e saj pa që Xhozefini kishte vështirësi për t’i parë shkrimet e shenjta mjaftueshëm mirë sa për të lexuar. Ajo i bleu Xhozefinit syze të reja leximi dhe një laps të verdhë të shndritshëm për të nënvizuar sa herë që Jezu Krishti përmendej te Libri i Mormonit. Ajo që filloi si një dëshirë e thjeshtë për të dhënë shërbesë dhe për të ndihmuar me studimin e shkrimit të shenjtë, bëri që Xhozefini ta vizitonte tempullin për herë të parë 28 vjet pasi u pagëzua.

Motra Josivini
Motra Josivini në tempull

Nëse delet tona janë të forta apo të dobëta, duke u gëzuar ose në ankth, ne mund të sigurohemi që as edhe një nuk ecën vetëm. Ne mund t’i duam ato sido që të jenë shpirtërisht dhe të ofrojmë mbështetje dhe nxitje për hapin tjetër të radhës. Teksa lutemi dhe kërkojmë t’i kuptojmë zemrat e tyre, dëshmoj se Ati Qiellor do të na drejtojë dhe do ta kemi me vete Shpirtin e Tij. Ne kemi mundësinë të jemi “engjëj … përreth” tyre teksa Ai shkon përpara fytyrës së tyre.

Bariu i Mirë me delet e Tij

Zoti na fton t’i ushqejmë delet e Tij, të kujdesemi për tufat e Tij siç do të kujdesej Ai. Ai na fton të jemi barinj për çdo komb, për çdo vend. (Dhe po, Plaku Uhtdorf, ne i duam dhe kemi nevojë për barinjtë gjermanë.) Dhe Ai dëshiron që të rinjtë e Tij të bashkohen në këtë kauzë.

Të rinjtë tanë mund të jenë disa nga barinjtë më të fortë. Ata janë, ashtu siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson, “nga më të mirët që Zoti ka dërguar ndonjëherë në këtë botë”. Ata janë “shpirtra fisnikë”, “lojtarët [tanë] më të mirë”, të cilët e ndjekin Shpëtimtarin. A e përfytyroni dot fuqinë që mund të sjellin barinj të tillë teksa kujdesen për delet e Tij? Duke shërbyer krah për krah me këta të rinj, ne shohim mrekulli.

Të reja e të rinj, ne kemi nevojë për ju! Nëse nuk keni një detyrë për dhënie shërbese, bisedoni me presidenten tuaj të Shoqatës së Ndihmës ose me presidentin tuaj të kuorumit të pleqve. Ata do të gëzohen nga gatishmëria juaj për t’u siguruar që delet e Tij të njihen dhe numërohen; që për ato të tregohet kujdes dhe që të mblidhen në grigjën e Perëndisë.

Kur të vijë dita që do të gjunjëzohemi te këmbët e Shpëtimtarit tonë të dashur, pasi ta kemi ushqyer tufën e Tij, unë lutem që të mund të përgjigjemi ashtu siç bëri Pjetri: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Këto, delet e Tua, [ndiejnë se] i duan, janë të sigurta dhe janë në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.