2010–2019
Ngrijeni Kokën dhe Gëzohuni
Tetor 2018


2:3

Ngrijeni Kokën dhe Gëzohuni

Ndërsa i përballojmë gjërat e vështira sipas mënyrës së Zotit, i ngritshim kokat dhe u gëzofshim!

Në vitin 1981, unë, babai im dhe dy miq të ngushtë shkuam për një aventurë në Alaskë. Duhej të uleshim me aeroplan në një liqen të largët dhe të ngjiteshim në një vend të lartë e të bukur. Për ta zvogëluar ngarkesën që do të duhej të mbanim personalisht, i ambalazhuam furnizimet tona në kuti, i mbuluam me polisterol, iu ngjitëm shirita të mëdhenj me ngjyra dhe i hodhëm nga dritarja e aeroplanit tonë të vogël në vendmbërritjen e synuar.

Pasi mbërritëm, kërkuam e kërkuam, por për tmerrin tonë, nuk mundëm të gjenim asnjë nga kutitë. Përfundimisht gjetëm një. Ajo përmbante një stufë të vogël gazi, një mushama, disa ëmbëlsira dhe disa kuti Hamburger Helper [makarona] – por jo hamburger. Nuk kishim asnjë mënyrë për të komunikuar me botën e jashtme dhe qe planifikuar që të na merrnin mbas një jave.

Mora dy mësime të vlefshme nga kjo përvojë: I pari, mos e hidhni ushqimin nga dritarja. I dyti, ndonjëherë duhet të përballemi me gjëra të vështira.

Shpesh reagimi ynë i parë ndaj gjërave të vështira është pyetja: “Përse mua?” Megjithatë, bërja e pyetjes “Përse?”, nuk i largon asnjëherë gjërat e vështira. Zoti kërkon që ne t’i mposhtim sfidat dhe Ai ka treguar “se gjithë këto gjëra do të [na] japin përvojë dhe do të jenë për të mirën [tonë]”.

Ndonjëherë Zoti kërkon nga ne që të bëjmë një gjë të vështirë dhe nganjëherë sfidat tona krijohen nga vetë përdorimi i lirisë sonë të zgjedhjes ose asaj të të tjerëve. Nefi i provoi të dyja këto situata. Kur Lehi i ftoi djemtë e tij që të ktheheshin për të marrë fletët nga Labani, ai tha: “Vër re, vëllezërit e tu mërmërisin, duke thënë se është një gjë e vështirë ajo që u kam kërkuar; por shiko, atë nuk ua kam kërkuar unë, por është një urdhërim i Zotit”. Në një rast tjetër, vëllezërit e Nefit e përdorën lirinë e tyre të zgjedhjes për të kufizuar lirinë e tij: “Më kapën, pasi, vini re, ata ishin jashtëzakonisht të zemëruar dhe më lidhën me litarë, sepse ata kërkuan të merrnin jetën time”.

Jozef Smithi u përball me një gjë të vështirë në burgun e Libertisë. Pa kurrfarë lehtësimi të pritshëm dhe i dëshpëruar, Jozefi thirri me zë të lartë: “O PERËNDI, ku je ti?” Pa dyshim që disa prej nesh janë ndier siç u ndje Jozefi.

Çdokush përballet me gjëra të vështira: vdekjen e një të dashuri, divorcin, një fëmijë të pabindur, sëmundje, sprovat e besimit, humbjen e punës ose ndonjë vështirësi tjetër.

Unë ndryshova përgjithmonë kur dëgjova këto fjalë nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, të thëna në mes të luftës së tij me leukeminë. Ai tha: “Po përsiatja thellë dhe këto 15 fjalë udhëzuese dhe siguruese më erdhën në mendje: ‘Të kam dhënë leukeminë që ti të mund t’i mësosh njerëzit e mi me vërtetësi’.” Ai pastaj vijoi të shprehte se si kjo përvojë e kishte bekuar me “këndvështrim për të vërtetat e mëdha të përjetësisë. … Vështrime të tilla mbi përjetësinë mund të na ndihmojnë ta bëjmë edhe 100 metërshin tjetër, që mund të jetë shumë i vështirë.”

Për të na ndihmuar të udhëtojmë dhe triumfojmë në kohët tona të vështira me vështrime të tilla mbi përjetësinë, më lejoni të sugjeroj dy gjëra. Ne mund t’i përballojmë gjërat e vështira, së pari, duke i falur të tjerët dhe së dyti, duke ia nënshtruar vullnetin tonë vullnetit të Atit Qiellor.

T’i falësh ata të cilët mund të na i kenë shkaktuar gjërat e vështira dhe të pajtohesh “me vullnetin e Perëndisë” mund të jetë shumë e vështirë. Mund të të lëndojë më shumë kur gjëja e vështirë për ne shkaktohet nga një pjesëtar familjeje, një mik i ngushtë ose madje vetja jonë.

Kur isha peshkop i ri në moshë, mësova për faljen kur presidenti im i kunjit, Brus M. Kuku, tregoi historinë në vijim. Ai shpjegoi:

“Gjatë fundit të viteve 1970, unë dhe disa kolegë nisëm një biznes. Ndonëse nuk bëmë asgjë të paligjshme, disa vendime të ngathëta, të ndërthurura me kohët sfiduese të ekonomisë, çuan në mossuksesin tonë.

Disa investitorë bënë një padi për t’i rimarrë humbjet e tyre. Avokati i tyre rastisi të ishte një këshilltar në peshkopatën e familjes sime. Ishte shumë e vështirë të mbështetje njeriun që dukej se po kërkonte të më shkatërronte. Pata antipati të vërtetë për të dhe e konsiderova armikun tim. Pas pesë vitesh lufte ligjore, e humbëm gjithçka që zotëronim, përfshirë shtëpinë.

Në vitin 2002, unë dhe bashkëshortja ime morëm vesh se po riorganizohej presidenca e kunjit në të cilën shërbeja si këshilltar. Ndërsa bëmë një udhëtim të shkurtër përpara lirimit nga thirrja, ajo më pyeti se cilët do të zgjidhja si këshilltarët e mi po të thirresha si president i ri i kunjit. Nuk doja të flisja rreth kësaj, por ajo këmbënguli. Më në fund, më erdhi në mendje një emër. Ajo më pas përmendi emrin e avokatit që ne e konsideruam se kishte qenë arsyeja kryesore e vështirësive tona 20 vite më parë. Ndërsa ajo foli, Shpirti më pohoi se ai duhej të ishte këshilltari tjetër. A mund ta falja atë burrë?

Kur Plaku Dejvid E. Sorensen më dha thirrjen për të shërbyer si president kunji, ai më dha një orë kohë për të përzgjedhur këshilltarët. Përmes lotëve unë tregova se Zoti ma kishte dhënë tashmë atë zbulesë. Ndërsa thashë emrin e njeriut që e kisha konsideruar armikun tim, zemërimi, antipatia dhe urrejtja që kisha ushqyer, u zhdukën. Në atë çast, mësova për paqen që vjen me faljen nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit.”

E thënë ndryshe, presidenti im i kunjit e “fal[i] çiltërisht” atë, sikurse Nefi i lashtësisë. I njihja Presidentin Kuk dhe këshilltarin e tij si dy udhëheqës të drejtë priftërie që e donin njëri–tjetrin. Vendosa të jem si ata.

Vite më parë, gjatë aksidentit tonë në Alaskë, shpejt mësova se fajësimi i të tjerëve për rrethanat tona – piloti që e hodhi ushqimin jashtë në dritën e venitur – nuk ishte zgjidhje. Megjithatë, ndërsa përjetuam drobitje fizike, mungesë ushqimi, sëmundje dhe fjetje në tokë gjatë një stuhie të madhe vetëm me një mushama për t’u mbuluar, mësova se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”.

Të rinj, Perëndia kërkon gjëra të vështira nga ju. Një e re 14-vjeçare mori pjesë në basketboll konkurrues. Ajo ëndërronte që të luante basketboll në shkollën e mesme si motra e saj më e madhe. Më pas, ajo mori vesh se prindërit e saj ishin thirrur për të kryesuar në një mision në Guatemalë.

Pasi mbërritën, ajo zbuloi se disa nga orët e saj mësimore do të ishin në spanjisht, një gjuhë që ende nuk e fliste. Në shkollën e saj nuk kishte as edhe një ekip të vetëm sportiv për vajzat. Ajo jetonte në katin e 14-të të një ndërtese me nivel të lartë sigurie. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ajo nuk mund të dilte vetëm jashtë për arsye sigurie.

Prindërit e saj e dëgjuan atë të qante e vetme para se të flinte çdo natë për muaj të tërë. Kjo ua theu zemrën! Më në fund ata vendosën që do ta dërgonin në shtëpi te gjyshja e saj për shkollën e mesme.

Kur gruaja ime hyri në dhomën e vajzës sonë për t’i treguar vendimin tonë, ajo e pa vajzën tonë të gjunjëzuar në lutje me Librin e Mormonit të hapur mbi shtrat. Shpirti i pëshpëriti gruas sime: “Ajo do të jetë në rregull”, dhe gruaja ime u largua nga dhoma pa zhurmë.

Ne kurrë nuk e dëgjuam më të qante para se të flinte. Me vendosmëri dhe me ndihmën e Zotit, ajo i përballoi ato tre vite me guxim.

Gjatë përfundimit të misionit tonë, e pyeta vajzën time nëse do të shërbente në një mision kohëplotë. Përgjigjja e saj ishte: “Jo, Babi, kam shërbyer tashmë”.

U mjaftova me përgjigjen e saj! Por rreth gjashtë muaj më vonë, Shpirti më zgjoi natën nga gjumi me këtë mendim: “E kam thirrur vajzën tënde që të shërbejë në një mision”.

Reagimi im ishte: “Atë Qiellor, ajo ka dhënë aq shumë”. Shpejt Shpirti më korrigjoi dhe arrita të kuptoj se shërbimi i saj misionar kërkohej nga Zoti.

Pa vonuar e mora vajzën time për drekë. Nga ana tjetër e tavolinës thashë: “Ganzi, a e di përse jemi këtu?”

Ajo tha: “Po, Babi. Ti e di që unë duhet të shërbej në një mision. Nuk dua të shkoj, por do të shkoj.”

Për shkak se ajo iu nënshtrua vullnetit të Atit Qiellor, ajo i shërbeu Atij me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e saj. Ajo i ka mësuar babit të saj se si ta bëjë një gjë të vështirë.

Në takimin shpirtëror mbarëbotëror të Presidentit Rasëll M. Nelson për rininë, ai i kërkoi rinisë disa gjëra të vështira. Presidenti Nelson tha: “Ftesa ime e pestë është që të dalloheni; të jeni të ndryshëm nga bota. … Zoti ka nevojë që ju të dukeni, të tingëlloni, të veproni e të visheni si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.” Kjo mund të jetë një gjë e vështirë, sidoqoftë e di se ju mund ta bëni atë – me gëzim.

Kujtoni se “njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”. Pavarësisht nga gjithçka me të cilat u përball Lehi, ai përsëri gjeti gëzim. A e kujtoni kur Alma ishte “i rënduar me dhembje” për shkak të popullit të Amonihës? Engjëlli i tha atij: “Qofsh i bekuar, ti, Alma; prandaj, ngrije kokën dhe gëzohu … pasi ti ke qenë besnik në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë”. Alma mësoi një të vërtetë të mrekullueshme: Ne mund të gëzohemi përherë kur i zbatojmë urdhërimet. Kujtoni se gjatë luftërave dhe sfidave të hasura gjatë kohës së kapiten Moronit, “nuk pati kurrë një kohë më të lumtur mes popullit të Nefit”. Ne mund dhe duhet të gjejmë gëzim kur përballemi me gjëra të vështira.

Shpëtimtari u përball me gjëra të vështira: “Bota … do ta gjykojë atë të jetë një gjë pa vlerë; prandaj ata e fshikullojnë atë dhe ai e duron atë, dhe ata e godasin atë dhe ai e duron atë. Po, ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë, për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve.”

Për shkak të asaj dashurie të përzemërt, Jezu Krishti vuajti Shlyerjen. Si rrjedhojë, Ai i thotë çdonjërit prej nesh: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. Për shkak të Krishtit, edhe ne mund ta mundim botën.

Ndërsa i përballojmë gjërat e vështira sipas mënyrës së Zotit, i ngritshim kokat dhe u gëzofshim! Në këtë mundësi të shenjtë për t’i dëshmuar botës, unë shpall se Shpëtimtari ynë jeton dhe e udhërrëfen Kishën e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.