2010–2019
Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve
Tetor 2018


2:3

Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve

Unë dëshmoj se vegimi që mori Presidenti Jozef F. Smith, është i vërtetë. Unë jap dëshmi se çdo person mund të arrijë ta kuptojë se është i vërtetë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, biseda ime ishte përgatitur kohë përpara largimit nga jeta të bashkëshortes sime të dashur Barbara. Familja ime dhe unë ju falënderojmë për dashurinë dhe dhënien e mirësisë suaj. I lutem Zotit që të më bekojë ndërsa ju flas këtë mëngjes.

Në tetor 1918, 100 vjet më parë, Presidenti Jozef F. Smith mori një vegim të lavdishëm. Thuajse pas 65 vjetësh shërbimi të përkushtuar ndaj Zotit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe vetëm disa javë përpara se të ndërronte jetë më 19 nëntor 1918, ai u ul në dhomën e vet duke përsiatur për flijimin shlyes të Krishtit dhe duke lexuar përshkrimin e Apostullit Pjetër për shërbesën e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave pas Kryqëzimit të Tij.

Ai shkroi: “Ndërsa lexoja, më lanë shumë mbresë. … Ndërsa përsiatja për këto gjëra … , sytë e të kuptuarit tim u hapën dhe Shpirti i Zotit pushoi në mua e unë pashë ushtritë e të vdekurve.” Teksti i plotë i vegimit është shënuar te Doktrina e Besëlidhjet, seksioni 138.

Më lejoni të tregoj pak nga sfondi historik në mënyrë që të mund ta vlerësojmë më plotësisht përgatitjen e Jozef F.‑së një jetë të tërë, për t’a marrë këtë zbulesë mbresëlënëse.

Jozef dhe Hajrëm Smithi mbi kalë

Kur ishte President i Kishës, ai vizitoi Navunë në vitin 1906 dhe reflektoi për një kujtim që kishte pasur kur ishte vetëm pesë vjeç. Ai tha: “Pikërisht ky është vendi ku qëndrova kur [Jozefi, xhaxhai im dhe babai im, Hajrëmi], erdhën duke kalëruar teksa kishin marrë rrugën për në Karthixh. Pa zbritur nga kali i tij, babai që nga shala u përkul drejt meje dhe më ngriti nga toka. Ai më përshëndeti me puthje e më uli sërish dhe e pashë të largohej duke kalëruar.”

Herën tjetër që Jozef F.‑ja i pa ata, ishte kur nëna e tij, Meri Filding Smithi, e ngriti lart për të parë martirët të shtrirë krah për krah pasi i kishin vrarë mizorisht në burgun e Karthixhit më 27 qershor 1844.

Dy vjet më vonë, Jozef F.‑ja, bashkë me familjen e tij dhe nënën besnike, Meri Filding Smithin, e lanë pas shtëpinë në Navu për të shkuar në Lagjet Dimërore. Edhe pse nuk kishte mbushur ende tetë vjeç, Jozef F.‑së, iu kërkua ta drejtonte njërin nga pendët e qeve nga Montrouzi në Ajoua për në Lagjet Dimërore dhe më pas për në Luginën e Solt‑Lejkut, ku mbërriti kur ishte pothuajse 10 vjeç. Unë shpresoj që ju djem dhe të rinj po më dëgjoni dhe t’i kuptoni përgjegjësinë dhe pritshmërinë që iu vu mbi shpatulla Jozef F., gjatë djalërisë së tij.

Vetëm katër vjet më vonë, në vitin 1852, kur ishte 13 vjeç, nëna e tij e dashur ndërroi jetë – duke i lënë Jozefin dhe vëllezërit e motrat e tij jetimë.

Jozef F. u thirr për të shërbyer në një mision në ishujt Havai në vitin 1854 kur ishte 15 vjeç. Ky mision, i cili zgjati më shumë se tre vjet, ishte fillimi i një jete shërbimi në Kishë.

Me t’u kthyer në Juta, Jozef F., u martua në vitin 1859. Gjatë disa viteve në vijim, jeta e tij ishte e mbushur me punë, detyrime familjare dhe dy misione të tjera. Më 1 korrik 1866, në moshën 27‑vjeçare, jeta e Jozef F.‑së, ndryshoi përgjithmonë kur ai u shugurua si Apostull nga Brigam Jangu. Në tetor të vitit vijues, ai plotësoi një vend të mbetur bosh në Këshillin e Të Dymbëdhjetëve. Ai shërbeu si këshilltar i Brigam Jangut, Xhon Tejlorit, Uillford Udrafit dhe Lorenco Snout, përpara se të bëhej vetë President në vitin 1901.

Jozef F. dhe bashkëshortja e tij, Xhulina, mirëpritën në familje fëmijën e tyre të parë, Mersi Xhozefinën. Ajo ishte vetëm dy vjeç e gjysmë kur ndërroi jetë. Fill pas kësaj, Jozef F. shkroi: “Dje u mbush një muaj qëkurse … Xhozefina ime e dashur ndërroi jetë. Ah, sikur të mund ta shpëtoja që të rritej e të bëhej grua. Më merr malli për të çdo ditë dhe ndihem i vetmuar. … Perëndi, fale dobësinë time nëse është e gabuar t’i dua të vegjlit e mi ashtu siç i dua.”

Gjatë jetës së tij, Presidenti Smith humbi të atin, nënën e tij, një vëlla, dy motra, dy bashkëshorte dhe trembëdhjetë fëmijë. Ai e njihte mirë dhembjen dhe humbjen e njerëzve të dashur.

Kur i biri, Albert Xhesi, ndërroi jetë, Jozef F. i shkroi motrës së tij, Marta Anës, se i ishte përgjëruar Zotit që ta shpëtonte atë dhe e pyeti: “Përse ndodhi kështu? O, Perëndi përse duhej të ndodhte kjo?”

Pavarësisht lutjeve të tij në atë kohë, Jozef F.‑ja nuk mori përgjigje për këtë çështje. Ai i tha Marta Anës se “qiejt [dukeshin si] prej tunxhi mbi kokën tonë” për sa i përket temës së vdekjes dhe botës së shpirtrave. Megjithatë, besimi i tij te premtimet e përjetshme të Zotit ishte i vendosur dhe i paepur.

Në kohën e caktuar nga Zoti, përgjigjet shtesë, ngushëllimi dhe kuptimi që kërkoi Presidentit Smith rreth botës së shpirtrave, i erdhën atij nëpërmjet vegimit të mrekullueshëm që mori në tetor të vitit 1918.

Ai vit qe veçanërisht i dhembshëm për të. Ai u brengos për numrin e madh të të vdekurve në Luftën e Madhe Botërore që vazhdoi të rritej deri në 20 milionë njerëz të vrarë. Përveç asaj, një epidemi gripi po përhapej në mbarë botën duke marrë jetën e më shumë se 100 milionë njerëzve.

Plaku Hajrëm Mek Smith

Gjatë vitit, Presidenti Smith humbi gjithashtu tre pjesëtarë të tjerë të vyer të familjes. Plaku Hajrëm Mek Smithi, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, biri i tij i parëlindur dhe gjyshi im, vdiqën papritur nga plasja e apendicitit.

Presidenti Smith shkroi: “Kam mbetur pa fjalë – [i mpirë] nga pikëllimi! … Zemra më është thyer dhe më duket sikur nuk kam jetë! … Ah! Sa e desha atë! … Do ta dua përherë. Dhe kështu është dhe do të jetë me të gjithë bijtë dhe bijat e mia, por ai është biri im i parëlindur, i pari që më solli gëzimin dhe shpresën e një emri të përjetshëm, të nderuar mes njerëzve. … E falënderoj Perëndinë nga thellësia e shpirtit tim për të! Por … ah! Kisha shumë nevojë për të! Të gjithë kishim nevojë për të! Ai ishte shumë i dobishëm për Kishën. … Kurse tani, … Ah! Çfarë mund të bëj! … Ah! Perëndia më ndihmoftë!”

Muajin tjetër, dhëndri i Presidentit Smith, Alonco Kesler, ndërroi jetë në një aksident tragjik. Presidenti Smith shënoi në ditarin e tij: “Ky aksident vdekjeprurës, i tmerrshëm dhe tragjik, ka hedhur edhe njëherë një mbulesë trishtimi mbi gjithë familjen time”.

Shtatë muaj më vonë, në shtator të vitit 1918, nusja e djalit të Presidentit Smith [u largua nga jeta] dhe gjyshja ime, Ida Bouman Smithi, ndërroi jetë pasi lindi fëmijën e saj të pestë, xhaxhanë tim, Hajrëmin.

Dhe kështu ndodhi më 3 tetor 1918, pasi kishte përjetuar një dhembje kaq të madhe për miliona njerëz që kishin ndërruar jetë në botë prej luftës dhe sëmundjeve, si edhe për vdekjet e pjesëtarëve të tij të familjes, Presidenti Smith mori zbulesën qiellore të njohur si “vegimi i shëlbimit të të vdekurve”.

Presidenti Jozef F. Smith

Ai e përmendi zbulesën ditën vijuese në sesionin e hapjes së konferencës së përgjithshme të tetorit. Shëndeti i Presidentit Smith nuk ishte i mirë, e prapëseprapë ai foli shkurtimisht: “Unë nuk do të përpiqem, nuk guxoj të përpiqem t’i trajtoj shumë gjëra që janë në mendjen time këtë mëngjes, dhe do ta shtyj për një kohë të ardhshme, dashtë Zoti, përpjekjen time për t’ju thënë disa nga gjërat që i kam në mendje dhe në zemër. Unë nuk kam jetuar i vetëm këto pesë muajt [e fundit]. Kam jetuar me shpirtin e lutjes, përgjërimit, besimit dhe vendosmërisë dhe kam pasur komunikimin tim me Shpirtin e Zotit vazhdimisht.”

Zbulesa që mori më 3 tetor, ia ngushëlloi zemrën dhe iu dha përgjigje shumë prej pyetjeve të tij. Edhe ne mund të ngushëllohemi dhe të mësojmë më shumë rreth vetë së ardhmes sonë kur ne dhe njerëzit tanë të dashur të ndërrojmë jetë dhe të shkojmë në botën e shpirtrave, duke e studiuar këtë zbulesë dhe duke e përsiatur domethënien e saj në mënyrën se si e jetojmë jetën çdo ditë.

Ndër shumë gjëra që Presidenti Smith pa, ishte vizita e Shpëtimtarit te njerëzit besnikë në botën e shpirtrave pas vetë vdekjes së Tij në kryq. Nga ky vegim unë citoj:

“Por vini re, mes të drejtëve, ai organizoi forcat e tij dhe caktoi lajmëtarë, të veshur me fuqi e autoritet, dhe i urdhëroi ata të shkonin dhe ta çonin dritën e ungjillit tek ata që ishin në errësirë, madje të gjithë shpirtrave të njerëzve; dhe kështu iu predikua ungjilli të vdekurve. …

Këtyre iu mësua besim në Perëndinë, pendim nga mëkati, pagëzimi mëkëmbës për heqjen e mëkateve, dhurata e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve,

Dhe të gjitha parimet e tjera të ungjillit të cilat ishin të nevojshme për ta për t’i ditur, me qëllim që të cilësoheshin se mund të gjykoheshin sipas njerëzve në mish, por të jetonin sipas Perëndisë në shpirt. …

Sepse të vdekurit e kishin parë mungesën e gjatë të shpirtrave të tyre nga trupat e tyre si një robëri.

Këta Zoti i mësoi dhe u dha fuqi për të ardhur, pas ringjalljes së tij së vdekuri, për të hyrë në mbretërinë e Atit të tij, atje për t’u kurorëzuar me pavdekësi dhe jetë të përjetshme.

Dhe për të vazhduar që nga ajo kohë punën e tyre, sikurse ishte premtuar nga Zoti, dhe për të qenë pjesëmarrës të të gjitha bekimeve që ishin mbajtur në ruajtje për ata që e duan atë.”

statujat e Jozef dhe Hajrëm Smithit

Në vegim, Presidenti Smith pa të atin, Hajrëmin, dhe Profetin Jozef Smith. Kishin kaluar 74 vjet qëkurse ai i kishte parë ata për herë të fundit kur ishte ende djalë i vogël në Navu. Ne vetëm sa mund ta përfytyrojmë gëzimin e tij kur ka parë babanë dhe xhaxhanë e tij të dashur. Ai duhet të ketë qenë i frymëzuar dhe i ngushëlluar për njohurinë se të gjithë shpirtrat e mbajnë pamjen e trupit të tyre tokësor dhe se ata presin me padurim ditën e ringjalljes së tyre që iu është premtuar. Vegimi zbuloi më plotësisht hollësitë e planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij dhe dashurinë shëlbuese të Krishtit dhe fuqinë e pashoqe të Shlyerjes së Tij.

Në këtë përvjetor të veçantë të 100‑të, unë ju ftoj ta lexoni tërësisht dhe mendueshëm këtë zbulesë. Teksa bëni kështu, Zoti ju bekoftë që ta kuptoni dhe ta vlerësoni më plotësisht dashurinë e Perëndisë dhe planin e Tij të shpëtimit dhe lumturisë për fëmijët e Tij.

Unë dëshmoj se vegimi që mori Presidenti Jozef F. Smith, është i vërtetë. Unë jap dëshmi se çdo person mund ta lexojë atë dhe të arrijë ta kuptojë se është i vërtetë. Ata që nuk e marrin këtë njohuri në këtë jetë, me siguri do të arrijnë ta kuptojnë vërtetësinë e saj kur çdokush të shkojë në botën e shpirtrave. Atje, të gjithë do t’i duan dhe do t’i përlëvdojnë Perëndinë dhe Zotin Jezu Krisht për planin e madh të shpëtimit dhe bekimin e Ringjalljes së premtuar kur trupi dhe shpirti do të ribashkohen edhe njëherë për të mos u ndarë më kurrë.

Motra Barbara Ballard

Sa mirënjohës jam që e di se ku është Barbara ime e vyer dhe se do të jemi bashkë sërish me familjen tonë për gjithë përjetësinë! Na mbështettë paqja e Zotit tani dhe përgjithmonë është lutja ime e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 138:6, 11.

  2. Joseph F. Smith, në Preston Nibley, The Presidents of the Church (1959), f. 228.

  3. Shih Joseph Fielding Smith, Life of Joseph F. Smith (1938), f. 13.

  4. Ai u martua me Levira Klarkun në vitin 1859, Xhulina Lambsonin në vitin 1866, Sara Riçardsin në vitin 1868, Edna Lambsonin në vitin 1871, Elis Kimballin në vitin 1883 dhe Meri Shvarcin në vitin 1884.

  5. Jozef F. Smithi u thirr si këshilltar shtesë në Presidencën e Parë (Brigam Jang, Hibër C. Kimball dhe Daniel H. Uells). Ai shërbeu gjithashtu si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë me tre Presidentë të Kishës: Presidentët Xhon Tejlor, Uillford Udraf dhe Lorenco Snou.

  6. Jozef F. Smithi shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë gjatë administrimit të Brigam Jangut dhe shërbeu si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë gjatë administrimeve të Xhon Tejlorit, Uillford Udrafit dhe Lorenco Snout. Ai ishte Presidenti i parë i Kishës që kishte shërbyer në Presidencën e Parë përpara se të thirrej si President.

  7. Mersi Xhozefina, fëmija e parëlindur e Jozef Fildingut, lindi më 14 gusht 1867 dhe ndërroi jetë më 6 qershor 1870.

  8. Ditari i Joseph F. Smith-it, 7 korrik 1870, Biblioteka e Historisë së Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve, Solt‑Lejk‑Siti, Juta.

  9. Joseph F. Smith-i drejtuar Marta Ann Smith Harris-it, 26 gusht 1883, Biblioteka e Historisë së Kishës; shih Richard Neitzel Holzapfel dhe David M. Whitchurch, My Dear Sister: The Letters between Joseph F. Smith and His Sister Martha Ann (2018), f. 290–291.

  10. Në shumë raste, Zoti e drejtoi Jozef F. Smithin në jetën e tij vetjake dhe në shërbesën e tij si një Apostull dhe President i Kishës nëpërmjet ëndrrave, zbulesave dhe vegimeve të frymëzuara. Shpesh këto dhurata të çmuara nga Zoti u shënuan në ditarët, predikimet, kujtimet e tij dhe në dokumentet zyrtare të Kishës.

  11. Ditari i Joseph F. Smith-it, 23 janar 1918, Biblioteka e Historisë së Kishës, shqiptimi dhe përdorimi i germave të mëdha i modernizuar; shih Joseph Fielding Smith, Life of Joseph F. Smith, f. 473–474.

  12. Shih “A. [P.] Kesler Is Killed in Fall from a Building”, Ogden Standard, 5 shkurt 1918, f. 5.

  13. Ditari i Joseph F. Smith-it, 4 shkurt 1918, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  14. Shih “Ida Bowman Smith”, Salt Lake Herald-Republican, 26 shtator 1918, f. 4.

  15. Joseph F. Smith, në Conference Report, tetor 1918, f. 2.

  16. Shih referencën për “Nëna jonë e lavdishme Eva” dhe “bija[t e] saj besnike të cilat … [e] adhurua[n] Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë” (Doktrina e Besëlidhje 138:39).

  17. Doktrina e Besëlidhje 138:30, 33–34, 50–52.

  18. Teksti i vegimit u paraqit fillimisht më 30 nëntor 1918, botim i Deseret News, 11 ditë pas largimit nga jeta të Presidentit Smith më 19 nëntor. Ai u shtyp në dhjetor në revistën Improvement Era dhe në botimet e janarit 1919 të Relief Society Magazine, Utah Genealogical and Historical Magazine, Young Women’s Journal dhe Millennial Star.

  19. Edhe pse bijtë e humbjes do të ringjallen, ata nuk do të mund t’i japin dashuri dhe përlëvdime Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ashtu si ata që e marrin një mbretëri lavdie. Shih Alma 11:41; Doktrina e Besëlidhje 88:32–35.