“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27: Besëlidhja Është Përtërirë”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“21–27 Shkurt. Zanafilla 24–27”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022
21–27 Shkurt
Zanafilla 24–27
Besëlidhja Përtërihet
Teksa lexoni te Zanafilla 24–27 dhe përgatiteni të jepni mësim, mendoni për fëmijët në klasën tuaj. Çfarë kanë nevojë të mësojnë ata? Cila nga këto veprimtari do të jetë kuptimplotë për ta? Bazuar te nevojat e tyre, ju mund ta përshtatni cilëndo nga veprimtaritë e përfshira këtu ose ato që gjenden tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nën secilën karrige të fëmijëve, vendosni një pyetje rreth një ngjarjeje ose parimi te Zanafilla 24–27. Lërini fëmijët t’u përgjigjen pyetjeve nëse munden ose ftojini të mbajnë vesh për përgjigjet gjatë mësimit.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund të jem dashamirës me të tjerët.
Shërbyesi i Abrahamit u habit nga mirësia e jashtëzakonshme që i tregoi Rebeka duke u dhënë ujë, jo vetëm atij, por edhe 10 deveve të tij gjithashtu. Shembulli i saj mund të jetë një kujtues për fëmijët që të jenë gjithnjë dashamirës me të tjerët.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni figurën e Rebekës në faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Vini në dukje hollësi te figura teksa e përmblidhni historinë te Zanafilla 24:10–21, në të cilën Rebeka tregoi dashamirësi ndaj shërbëtorit të Abrahamit. Vini në dukje se fjalët e saj dhe vepra dashamirëse ishin shenja se Rebeka ishte ajo që Perëndia donte që të martohej me të birin e Abrahamit, Isakun. Ftojini fëmijët të hiqen sikur janë shërbëtori që erdhi me devetë e tij ose Rebeka që u sjell atyre ujë. Jepuni fraza që t’i thonë përmendsh nga shkrimet e shenjta, të tilla si; “lermë të pi pak ujë”(vargu 17) dhe “do të mbush ujë edhe për devetë e tua” (vargu 19). Pse është e rëndësishme për ne që të jemi dashamirës ndaj të tjerëve?
-
Tregoni një histori se si Shpëtimtari i tregoi dashamirësi dikujt. Ftojini disa nga fëmijët që të tregojnë përvojat e tyre kur kanë treguar dashamirësi.
-
Sugjeroni disa skenarë në të cilët një fëmijë mund të tregojë dashamirësi, si për shembull, të luash me miqtë ose të takosh një person të ri në shkollë. Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë për të qenë dashamirës në këta skenarë.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth dashamirësisë, e tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” ose “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83, 40–41). Ftojini fëmijët të mbajnë vesh për fjalën “dashamirësi, [mirësi]” (ose një fjalë të ngjashme) dhe të ngrihen në këmbë kur ta dëgjojnë. Si mund të tregojmë dashamirësi ndaj të tjerëve? Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’ju ndihmojë për këtë diskutim.
Unë mund t’i zgjedh gjërat që janë më të rëndësishme.
Për shkak se Esau ishte fëmija më i madh në familjen e tij, ai supozohej të merrte përgjegjësi dhe privilegje të veçanta, që quhej parëbirni. Një ditë kur Esau ishte i uritur, ai e shkëmbeu parëbirninë e tij me të vëllanë, për pak ushqim. Kjo histori mund t’u mësojë fëmijëve se duhet të zgjedhim gjërat e qëndrueshme mbi kënaqësinë e përkohshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni në klasë disa sende që mund të ndihmojnë për ta treguar historinë e Esaut që shet parëbirninë e tij, të tilla si një tas dhe një figurë të një personi që po merr një bekim priftërie. Ftojini fëmijët t’i përdorin sendet teksa ju tregojnë atë që dinë rreth historisë. Kapitulli “Jakobi dhe Esau“, (në Histori të Dhjatës së Vjetër) mund t’ju ndihmojë. Lexoni së bashku te Zanafilla 25:34, dhe shpjegoni se cilido që e kishte parëbirninë do të kishte privilegje dhe përgjegjësi të veçanta për t’u kujdesur për pjesën tjetër të familjes.
-
Tregojuni fëmijëve dy figura: një të diçkaje me vlerë të madhe shpirtërore (si një tempull) dhe një të diçkaje që sjell vetëm lumturi të përkohshme (të tillë si një lojë, lodër ose gostitje). Kërkojuni atyre të zgjedhin se cila do të na ndihmojë më mirë për t’u kthyer tek Ati ynë Qiellor. Përsëriteni me figura të tjera.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth bërjes së zgjedhjeve të mira, e tillë si “Udh’n e Drejt’ Zgjidh” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 82–83). Dëshmoni se ne bekohemi dhe jemi të lumtur kur zgjedhim të drejtën.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë do të bekohem kur veproj me besim dhe u tregoj dashamirësi të tjerëve.
Shërbyesi i Abrahamit tregoi besim duke mirëbesuar tek udhërrëfimi i Perëndisë që të gjente një grua për Isakun. Rebeka tregoi dashamirësi nga mënyra se si ajo e trajtoi shërbëtorin e Abrahamit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’i ndjekin shembujt e shërbëtorit të Abrahamit dhe Rebekës?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Zanafilla 24:1–28 dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë shembuj të besimit dhe dashamirësisë (shih, për shembull, vargjet 12–14 dhe 17–20). Si u bekuan shërbëtori i Abrahamit dhe Rebeka ngaqë treguan besim dhe dashamirësi? Shkruani në tabelë Ne mund të tregojmë besim duke … dhe Ne mund të tregojmë dashamirësi duke …, dhe ftojini fëmijët të sugjerojnë mënyra për t’i plotësuar këto fjali.
-
Në shirita letre, shkruani gjërat që tha apo bëri shërbëtori i Abrahamit dhe gjërat që tha apo bëri Rebeka te Zanafilla 24:1–28. Ftojini fëmijët të përzgjedhin secili nga një shirit letre dhe të punojnë së bashku për të gjetur se kush i tha ose i bëri këto gjëra (ata mund t’u drejtohen shkrimeve të shenjta nëse kanë nevojë për ndihmë). Çfarë na mëson kjo histori rreth dashamirësisë? Çfarë na mëson ajo rreth besimit? Shembuj të tjerë të dashamirësisë dhe besimit gjenden te Zanafilla 24:29–33, 58–61.
-
Ftojini fëmijët të mendojnë për një vepër dashamirësie që kanë parë. Nxitini që ta shkruajnë atë dhe t’ia tregojnë klasës ose familjes së tyre në shtëpi. Si ndihemi kur dikush është dashamirës ndaj nesh?
Unë do të vlerësoj gjërat e përjetshme në vend të gjërave të përkohshme.
Esau zgjodhi të shkëmbente diçka me vlerë të madhe, parëbirninë e tij, për diçka me më pak vlerë, pak bukë dhe një tas supë. Ndërsa i lexoni këto vargje, përsiatni për mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i japin përparësi gjërave që janë me rëndësi të përjetshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni së bashku historinë e Jakobit dhe të Esaut te Zanafilla 25:21–34. Ndërsa lexoni, ftojeni secilin fëmijë të zgjedhë diçka për ta vizatuar nga historia. Pastaj ftojini t’i përdorin vizatimet e tyre për ta treguar historinë me fjalët e veta. Nëse kanë nevojë për ta kuptuar se çfarë është parëbirnia, nxitini të lexojnë temën “Parëbirni” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur Esau do ta kërkonte këshillën tonë për faktin a duhet ta shkëmbente parëbirninë e tij për supë; çfarë do t’i thoshim atij?
-
Tregoni një rast kur ju është dashur të sakrifikoni diçka të mirë për diçka tjetër me vlerë më të madhe. Ose shfaqni materialin filmik “Continue in Patience” [“Vazhdoni me Durim”] (ChurchofJesusChrist.org). Si lidhet historia juaj ose historia te materiali filmik me zgjedhjen që bëri Esau te Zanafilla 25:29–34? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për bekimet që Ati Qiellor dëshiron t’ua japë atyre (të tilla si një dëshmi e fortë, bekimet e tempullit ose jetë të përjetshme me Të). Nxitini të mendojnë për gjëra që do të ishin të gatshëm t’i sakrifikonin me qëllim që t’i merrnin këto bekime me vlerë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të mendojnë për një synim që mund ta vendosin për veten rreth një parimi që e kanë mësuar sot në Fillore. Për shembull, ata mund të vendosin një synim që të jenë dashamirës me të tjerët në shtëpi.