Dhiata e Vjetër 2022
14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23: “A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”


“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23: ‘A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“14–20 Shkurt. Zanafilla 18–23”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Sara duke mbajtur Isakun foshnjë

Sara dhe Isaku, nga Scott Snow

14–20 Shkurt

Zanafilla 18–23

“A Ka Vallë Diçka që Është Shumë e Vështirë për Zotin?”

Teksa kërkoni të plotësoni nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim, merrni parasysh idetë si për fëmijët më të mëdhenj edhe ata më të vegjël në këtë përvijim mësimi.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i ndihmuar fëmijët të tregojnë atë që tashmë e dinë nga Zanafilla 18–23, paraqitni figura të një ose më shumë ngjarjeve nga këta kapituj dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë ndonjë gjë që mbajnë mend rreth historisë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zanafilla 18:9–14; 21:1–7

Unë mund të mirëbesoj se Perëndia i mban premtimet e Tij.

Edhe pse Perëndia kishte premtuar se Sara dhe Abrahami do të kishin një djalë, me kalimin e moshës nuk dukej sikur kishte gjasa që premtimi të përmbushej. Si mund ta përdorni këtë histori për t’i ndihmuar fëmijët që të kenë besim se Perëndia do t’i mbajë gjithnjë premtimet e Tij?

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidheni premtimin e Perëndisë ndaj Abrahamit dhe Sarës se do të kishin një fëmijë dhe përmbushjen e këtij premtimi (shih Zanafilla 17:15–19; 18:9–14; 21:1–7). Ose ftojeni një çift në lagje që të vishen si Abrahami dhe Sara dhe të tregojnë historinë e tyre. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Abrahami dhe Sara ishin tepër të moshuar për të pasur fëmijë. Bëjuni pyetjen nga Zanafilla 18:14: “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?” Dëshmoni se Zoti mund t’i përmbushë premtimet e Tij, edhe nëse duken të pamundura.

  • Bëjuni një premtim fëmijëve të cilin ju do ta përmbushni në fund të orës mësimore (për shembull, se ju do t’i lejoni ata që të ngjyrosin një figurë). Gjatë orës mësimore, kujtojuani premtimin tuaj dhe më pas përmbusheni atë. Shpjegoni se Zoti i mban gjithnjë premtimet e Tij.

  • Kërkojuni fëmijëve të tregojnë një rast kur iu desh të prisnin për diçka që e dëshironin vërtet. Me fëmijët, këndoni një himn që dëshmon për premtimet e Perëndisë, i tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Himne, nr. 198). Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë gjëra që Perëndia na i ka premtuar, nëse jemi besnikë.

  • Tregoni një figurë të një pagëzimi ose të sakramentit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103, 104, 107108). Ndihmojini fëmijët të mësojnë për premtimet që i bëjmë me Perëndinë dhe se çfarë Perëndia na premton në këmbim, kur pagëzohemi dhe e marrim sakramentin. (Shih Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 106–110.)

Zanafilla 22:1–14

Abrahami iu bind Zotit.

Ishte shumë e vështirë për Abrahamin që ta zbatonte urdhërimin për ta bërë fli të birin. Përsiatni se si mund ta përdorni siç duhet këtë histori për t’i nxitur fëmijët që t’i binden Perëndisë edhe kur është e vështirë apo kur nuk i dinë plotësisht arsyet për urdhërimet e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni një figurë të Abrahamit dhe të Isakut (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe përdoreni për të treguar historinë e Abrahamit dhe të Isakut (shih edhe “Abrahami dhe Sakrifikimi i Isakut”, te Histori të Dhjatës së Vjetër). Tregoni një figurë të Jezu Krishtit dhe flitni me fëmijët për mënyrën se si historia e Abrahamit dhe e Isakut mund të na kujtojnë për sakrificën që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti bënë për ne.

  • Luani një lojë të thjeshtë ku nga fëmijët kërkohet që të ndjekin udhëzime. Për shembull, udhëzimet mund të çojnë te një figurë e Shpëtimtarit, e fshehur në klasë. Cilat janë disa nga gjërat që Ati Qiellor na ka kërkuar të bëjmë? Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se zbatimi i urdhërimeve të Tij do të na ndihmojë që të kthehemi për të jetuar sërish me Të dhe Jezu Krishtin.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zanafilla 18:9–14; 21:1–7

Zoti i përmbush premtimet e Tij, edhe kur ato duken të pamundura.

Abrahamit dhe Sarës iu tha se ata do të kishin një djalë, por dukej e pamundur – Abrahami ishte 100 vjeç dhe Sara 90 vjeçe (shih Zanafilla 17:17). Perëndia e përmbushi premtimin e Tij dhe kjo histori mund t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim që ta forcojnë besimin e tyre te premtimet e Perëndisë për ta.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajeni secilën fjalë nga fjalia e parë te Zanafilla 18:14 në copa letre më vete dhe jepini nga një secilit fëmijë. Pastaj kërkojini klasës që t’i vendosë fjalët në rendin e duhur. Lexoni me fëmijët te Zanafilla 18:9–14; 21:1–7 për të gjetur një shembull nga jeta e Sarës dhe e Abrahamit kur Zoti bëri diçka që dukej e pamundur. Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Sarës dhe e Abrahamit që mund të na nxitë të mirëbesojmë te premtimet e Perëndisë?

  • Tregoni figura të historive nga shkrimet e shenjta në të cilat Perëndia bëri diçka që dukej e paarritshme ose e vështirë (për shembull, shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7, 8, 25, 26). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth ngjarjeve të paraqitura në këto figura dhe ndihmojini të shohin se si i përmbushi Zoti premtimet e Tij në secilin rast. Tregoni se si Zoti i ka mbajtur premtimet e Tij në jetën tuaj ose në jetën e njerëzve që i njihni (për disa shembuj të premtimeve të Zotit, shih Malakia 3:10; Gjoni 14:26–27; Doktrina e Besëlidhje 89:18–21). Lërini fëmijët të tregojnë shembuj të ngjashëm për të cilët kanë dijeni.

Zanafilla 19:15–26

Unë mund t’i largohem shpejt ligësisë.

Rrëfimi për Lotin dhe familjen e tij duke u larguar shpejt nga një qytet i lig mund t’i frymëzojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’u largohen shpejt ndikimeve të liga në jetën e tyre.

Ilustrimi i Lotit dhe i familjes së tij duke u larguar shpejt nga Sodoma dhe Gomora

Largimi i Shpejtë nga Sodoma dhe Gomora, nga Julius Schnorr von Carolsfeld

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidhini vargjet te Zanafilla 19:15–26 duke shpjeguar se familja e Lotit jetoi në një qytet shumë të lig dhe engjëjt i paralajmëruan që të largoheshin. Lexoni së bashku vargjet 15–17, 26 dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë se çfarë mund të nënkuptojë për ta sot që të “shpëto[jnë]” nga e liga dhe të “mos shiko[jnë] prapa” (vargu 17).

  • Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe kërkojuni fëmijëve të bëjnë një hap drejt tij teksa tregojnë një gjë që mund të bëjnë për t’iu larguar shpejt ligësisë dhe për të ardhur më afër Krishtit.

  • Diskutoni për situata kur një shok a shoqe mund t’i ftojë fëmijët të bëjnë diçka që e dinë se nuk është e drejtë. Si do t’i “largoheshim shpejt” këtyre situatave? Çfarë mund t’i thoshim shokut ose shoqes sonë?

Zanafilla 22:1–14

Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij, i cili e flijoi veten e Tij për ne.

Teksa jepni mësim rreth gatishmërisë së Abrahamit për ta flijuar Isakun, jini të ndjeshëm ndaj ndjenjave të fëmijëve. Përdoreni këtë histori për t’i ndihmuar fëmijët që ta forcojnë dashurinë dhe vlerësimin e tyre për flijimin e Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme

  • Për t’i ndihmuar fëmijët që të mësojnë historinë te Zanafilla 22:1–14, lexojuani atyre vargjet dhe ftojini që të bëjnë vizatime të asaj që po lexoni. Përse urdhërimi i Zotit për ta flijuar Isakun do të ketë qenë i vështirë për t’u zbatuar nga Abrahami? Çfarë mësojmë rreth Abrahamit nga kjo histori?

  • Përdorni figura të Abrahamit e Isakut dhe të Kryqëzimit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 957) për ta krahasuar historinë te Zanafilla 22 me flijimin e Shpëtimtarit (shih Mateu 27:26–37). Çfarë mund të mësojmë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga rrëfimet për Abrahamin e Isakun dhe për Kryqëzimin?

  • Shfaqeni materialin filmik: “For God So Loved the World”, [“Sepse Perëndia e Deshi Aq Botën”], (ChurchofJesusChrist.org) ose këndoni bashkë një këngë rreth flijimit të Shpëtimtarit, e tillë si “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21). Ftojini fëmijët të flasin rreth mënyrës se si flijimi i Jezusit tregon dashurinë e Atit Qiellor për ne.

learning icon

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët që t’u tregojnë familjeve të tyre një rast kur Perëndia i bekoi ata kur iu bindën njërit prej urdhërimeve të Tij.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni nderimin. Si të jetë nevoja gjatë orës mësimore, ju mund t’u kujtoni fëmijëve të jenë nderues. Mund ta bëni këtë duke kënduar qetë ose duke kënduar nën zë një këngë, apo duke paraqitur një figurë të Jezusit.