Dhiata e Vjetër 2022
31 Janar – 6 Shkurt. Zanafilla 6–11; Moisiu 8: “Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit”


“31 Janar – 6 Shkurt. Zanafilla 6–11; Moisiu 8: ‘Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“31 Janar – 6 Shkurt. Zanafilla 6–11; Moisiu 8”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2022

Noeu, familja e tij, kafshët, arka dhe një ylber

Ilustrim i Noeut duke u larguar nga arka, nga Sam Lawlor

31 Janar – 6 Shkurt

Zanafilla 6–11; Moisiu 8

“Noeu Gjeti Hir në Sytë e Zotit”

Të mësuarit mbi kafshët në arkën e Noeut dhe kullën e lartë të Babelit mund të jetë argëtuese për fëmijët. Por mbani mend se këto histori kanë për synim që të na mësojnë të vërteta të përjetshme. Merrini parasysh plot lutje të vërtetat që Perëndia dëshiron që fëmijët të mësojnë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Përpara se të filloni t’ua jepni mësim fëmijëve historitë te Zanafilla 6–11 dhe Moisiu 8, jepuni mundësi që t’ia mësojnë njëri-tjetrit atë që dinë për Noeun dhe arkën ose për kullën e Babelit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Zanafilla 6:14–22; 7–8; Moisiu 8:16–30

Ndjekja e profetit do të më bekojë mua dhe familjen time.

Teksa fëmijët mësojnë ta ndjekin profetin, ata do të bekohen dhe do të jenë të sigurt shpirtërisht, ashtu siç u mbajt e sigurt familja e Noeut nga Përmbytja.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojeni historinë e Noeut dhe të arkës me fjalët tuaja (shih “Noeu”, te Histori të Dhjatës së Vjetër; shih edhe “Ndiqe Profetin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve f. 58–59, vargu 3). Ndihmojini fëmijët që të interpretojnë me role pjesë të historisë – për shembull, të hiqen sikur po përdorin një mjet për të ndërtuar arkën ose të lëvizin si kafshët që hynë në arkë.

  • Lexojuni fëmijëve nga Moisiu 8:19–20, duke theksuar atë që Zoti e urdhëroi Noeun të bënte. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Noeu ishte një profet dhe se familja e tij u shpëtua nga Përmbytja për shkak se ata e ndoqën atë. Pyetini fëmijët nëse e dinë se cili është profeti ynë sot. Tregojuni një fotografi të tij dhe ndihmojini fëmijët që ta përsëritin emrin e tij.

  • Sillni në klasë figura ose sende që përfaqësojnë mësime të profetit të tanishëm, të tilla si shkrimet e shenjta apo një figurë të një tempulli. Lërini fëmijët të përzgjedhin me radhë një send dhe të tregojnë atë që dinë rreth tij. Shpjegojuni atyre atë që përfaqëson sendi. Nxitini që të bëjnë një vizatim të vetes duke iu bindur asaj që ka dhënë mësim profeti. Jepeni dëshminë tuaj për bekimet që vijnë nga ndjekja e profetit.

Zanafilla 9:15–16

Perëndia do t’i mbajë premtimet e Tij ndaj nesh.

Është e rëndësishme që fëmijët të dinë se Perëndia i mban premtimet e Tij, veçanërisht teksa përgatiten për të bërë besëlidhje me Të kur pagëzohen.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që të bëjnë vizatime të ylbereve. Lexojuni atyre nga Zanafilla 9:15–16 dhe kërkojuni që të mbajnë vesh për fjalën kujtohem. Ftojini që t’i ngrenë lart vizatimet e ylbereve kur ta dëgjojnë fjalën. Shpjegoni se ylberet janë një kujtues i premtimeve që na ka bërë Perëndia.

  • Flisni me fëmijët rreth disa prej premtimeve të Perëndisë – për shembull, që ne mund të kthehemi tek Ati Qiellor nëse e ndjekim Jezu Krishtin ose që Perëndia do të na dërgojë Frymën e Shenjtë që të na ngushëllojë. Jepni dëshminë tuaj se Perëndia i mban gjithmonë premtimet e Tij.

  • Përdorni figura për t’u treguar fëmijëve rreth besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë, të tilla si figura të një fëmije duke u pagëzuar, të sakramentit dhe të një tempulli (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104108120).

Zanafilla 11:1–9

E vetmja mënyrë për ta arritur qiellin është duke ndjekur Jezu Krishtin.

Njerëzit në Babel mendonin se mund ta arrinin qiellin duke ndërtuar një kullë në vend që ta jetonin ungjillin e Jezu Krishtit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se ndjekja e Shpëtimtarit është e vetmja mënyrë për t’u kthyer sërish tek Ati ynë Qiellor?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojeni historinë e kullës së Babelit me fjalët tuaja ose lexoni historinë që gjendet te kapitulli “Kulla e Babelit” (te Histori të Dhjatës së Vjetër). Nxitini fëmijët t’ju ndihmojë duke treguar atë që dinë rreth historisë.

    ilustrim i kullës së Babelit

    Ilustrim i kullës së Babelit, nga David Green

  • Lërini fëmijët të ndërtojnë një kullë me blloqe ose sende të tjera. Pastaj tregojuni fëmijëve një figurë të Shpëtimtarit dhe pyetini se cila është mënyra për t’u kthyer tek Ati Qiellor – duke ndërtuar një kullë apo duke ndjekur Jezu Krishtin? Ftojini fëmijët të flasin rreth gjërave që mund të bëjnë për ta ndjekur Shpëtimtarin.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Zanafilla 6:14–22; 7–8; Moisiu 8:16–30

Ndjekja e profetit do të më bekojë mua dhe familjen time.

Fëmijët po rriten në një botë të ligë, të ngjashme në disa mënyra me botën gjatë kohës së Noeut. Përvoja e Noeut mund t’u japë atyre vetëbesim se mund të gjejnë siguri shpirtërore kur e ndjekin profetin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të zgjedhin vargje nga Zanafilla 6:14–22; 7–8 që mund t’i paraqesin në vizatim. Përdorini vizatimet e tyre për t’ua mësuar historinë e Noeut. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësojnë nga historia.

  • Tregoni një figurë të Noeut (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7–8) dhe të profetit të tanishëm. Ndihmojini fëmijët të kërkojnë te Moisiu 8:16, 19–20, 23–24 për të gjetur gjërat që Noeu i dha mësim, të cilat udhëheqësit tanë të Kishës i japin ende mësim sot. Si bekohemi ne kur u bindemi këtyre mësimeve?

  • Tregoni diçka që profeti ynë i tanishëm ka dhënë mësim kohët e fundit. Kërkojuni fëmijëve të shkruajnë në shirita letre diçka që e ka dhënë mësim profeti, dhe ndihmojini t’i gatisin fletët në formën e një arke [ose anije]. Në ç’mënyrë këto mësime janë të ngjashme me arkën që ndërtoi Noeu?

Zanafilla 9:15–17

Ne kemi nevojë t’i kujtojmë besëlidhjet tona.

Kur pagëzohemi, ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë që t’u bindemi urdhërimeve të Tij. Te Zanafilla 9:15–17, ylberi përcaktohet si një kujtues i besëlidhjes së Perëndisë. Këto vargje mund t’i frymëzojnë fëmijët të kërkojnë mënyra që t’ua kujtojnë besëlidhjet e tyre me Perëndinë.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve diçka që e keni ju, e cila ju kujton diçka të rëndësishme në jetën tuaj, e tillë si një unazë martese, një fotografi ose një ditar. Lërini fëmijët të tregojnë shembujt e tyre vetjakë. Lexoni së bashku nga Zanafilla 9:15–17 (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 9:21–25 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]). Çfarë dëshiron Ati Qiellor që ne të mendojmë kur shohim një ylber?

  • Kujtojuni fëmijëve besëlidhjet që kanë bërë kur u pagëzuan dhe se ata i përtërijnë ato sa herë që e marrin sakramentin (shih Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Lërini fëmijët të vizatojnë ose të krijojnë diçka që u kujton atyre besëlidhjet e tyre.

Zanafilla 11:1–9

E vetmja mënyrë për ta arritur qiellin është duke ndjekur Jezu Krishtin.

Ndonëse sot njerëzit nuk përpiqen që të ndërtojnë kulla me qëllim që ta arrijnë qiellin, shumë prej tyre përpiqen që të gjejnë paqe dhe lumturi duke ndjekur shtigje të tjera nga shtegu që ka krijuar Jezu Krishti. Si mund ta përdorni historinë e Kullës së Babelit për ta dhënë mësim këtë parim?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth historisë së kullës së Babelit (shih Zanafilla 11:1–9). Sipas vargut te Helamani 6:28, përse njerëzit në Babel e ndërtuan kullën? Përse ndërtimi i kësaj kulle ishte mënyra e gabuar për ta arritur qiellin? Çfarë këshille do t’u jepnit njerëzve në Babel?

  • Ftojini fëmijët të kërkojnë te 2 Nefi 31:20–21 dhe Helamani 3:28 për të gjetur mënyrën e duhur se si ta arrijnë qiellin. Jepni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin Jezu Krisht.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si do t’ua mësojnë familjeve të tyre historitë që kanë mësuar në Fillore. Për shembull, ju mund të përdorni vizatimet që bënë ata ose faqen e veprimtarisë së kësaj jave.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përpiquni t’i kuptoni fëmijët të cilëve u jepni mësim. Teksa u jepni mësim fëmijëve, kushtojuni vëmendje të veçantë pyetjeve të tyre, komenteve të tyre dhe historive ose parimeve që atyre u duken veçanërisht kuptimplota. Të diturit e këtyre gjërave do t’ju ndihmojë të përqendroheni te nevojat e tyre.