Një Ndryshim të Madh të Zemrës:
“Nuk Kam Çfarë të të Jap Më Shumë”
Ky ndryshim i zemrës nuk është një ngjarje; kërkon besim, pendim dhe punë të vazhdueshme shpirtërore që të ndodhë.
Hyrja
Të premten, më 28 tetor 1588, pasi humbi timonin dhe po drejtohej vetëm me rrema, anija La Hirona, që i përkiste Armatës së madhe spanjolle, u përplas me shkëmbinjtë e Lakada Point‑it në Irlandën e Veriut.
Anija u përmbys. Njëri nga njerëzit që ishte hedhur në det, i cili po luftonte për të mbijetuar, mbante një unazë floriri që ia kishte dhënë disa muaj më parë bashkëshortja e tij me mbishkrimin: “Nuk kam çfarë të të jap më shumë”2.
“Nuk kam çfarë të të jap më shumë”, një frazë dhe një unazë me gdhendjen e një dore që mban një zemër, shprehje e dashurisë nga një bashkëshorte për bashkëshortin e saj.
Lidhja me Shkrimet e Shenjta
Kur e lexova këtë histori, ajo më la mbresë të thellë dhe mendova për kërkesën e bërë nga Shpëtimtari: “Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”3.
Unë gjithashtu mendova për reagimin e njerëzve ndaj fjalëve të mbretit Beniamin: “Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; … [të] cil[at] ka[në] bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”4.
Lidhja Vetjake
Më lini t’ju tregoj një përvojë që e pata kur isha 12 vjeç, efekti i së cilës zgjat deri më sot.
Nëna ime tha: “Eduardo, nxito. Jemi vonë për mbledhjet e kishës.”
“Mami, do të rri me babin sot”, – u përgjigja unë.
“Je i sigurt? Duhet të frekuentosh mbledhjen e kuorumit të priftërisë”, – tha ajo.
U përgjigja: “I gjori baba! Do të ngelet vetëm. Do të rri me atë sot.”
Babi nuk ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Nëna dhe motrat e mia shkuan në mbledhjet e së dielës. Pra, shkova të takoj babin në punishten e tij, ku i pëlqente të ishte të dielave, dhe siç i kisha thënë nënës, shpenzova pak kohë, domethënë, disa minuta me të, dhe më pas pyeta: “Babi, çdo gjë në rregull?”
Ai vazhdoi hobin e tij të riparimit të radiove dhe orëve, dhe thjesht më buzëqeshi.
Pastaj i thashë: “Po shkoj të luaj me shokët”.
Babi, pa i ngritur sytë, më tha: “Sot është e diel. A nuk duhej të shkoje në kishë?”
“Po, por sot i thashë mamit se nuk do të shkoja”, – iu përgjigja. Babi vazhdoi të bënte punën e vet dhe për mua, kjo nënkuptonte se kisha lejen për të ikur.
Atë mëngjes kishte një ndeshje të rëndësishme futbolli dhe shokët e mi më kishin thënë se nuk mund të mungoja ngaqë ne duhej ta fitonim atë ndeshje.
Sfida ime ishte se më duhej të kaloja para godinës së kishës për të shkuar te fusha e futbollit.
I vendosur, u turra drejt fushës së futbollit dhe ndalova përpara pengesës së madhe, godinës së kishës. Vrapova drejt trotuarit në anën tjetër të rrugës ku kishte disa pemë të mëdha dhe vendosa të vrapoja mes tyre që të mos më shihte njeri pasi ishte koha kur anëtarët vinin në mbledhje.
Arrita pikërisht në kohën kur po fillonte loja. Munda të luaja dhe të shkoja në shtëpi përpara se nëna ime të kthehej.
Gjithçka kishte shkuar mirë; ekipi ynë kishte fituar dhe unë isha i emocionuar. Por ai vrapim i ekzekutuar mirë drejt fushës nuk kaloi pa u vënë re nga këshilltari i kuorumit të dhjakëve.
Vëllai Feliks Espinoza më kishte parë duke vrapuar me të shpejtë nga pema në pemë, duke u përpjekur që të mos zbulohesha.
Në fillim të javës, vëllai Espinoza erdhi në shtëpinë time dhe kërkoi të fliste me mua. Nuk tha asgjë për atë që kishte parë të dielën, as nuk më pyeti pse nuk kisha shkuar në mbledhje.
Thjesht më zgjati një manual dhe më tha: “Do të doja që të japësh mësim në orën e priftërisë të dielën. E kam shënuar mësimin për ty. Nuk është aq i vështirë. Dua që ta lexosh dhe do të vij pas dy ditësh për të të ndihmuar me përgatitjen e mësimit.” Pasi e tha këtë, ai më dha manualin dhe u largua.
Nuk doja të jepja mësimin, por nuk munda t’i thosha ‘jo’. Kisha planifikuar që atë të diel të rrija sërish me babanë, që do të thotë, se kishte një ndeshje tjetër të rëndësishme futbolli.
Vëllai Espinoza ishte një njeri që të rinjtë e të rejat e admironin.5 Ai e kishte gjetur ungjillin e rivendosur dhe e kishte ndryshuar jetën e tij ose, me fjalë të tjera, zemrën e tij.
Kur erdhi pasditja e së shtunës, mendova: “Epo ndoshta nesër do të zgjohem i sëmurë dhe nuk do të më duhet të shkoj në kishë”. Nuk ishte më ndeshja e futbollit që më shqetësonte; ishte ora ku duhej të jepja mësim, veçanërisht një mësim për ditën e Shabatit.
E diela erdhi dhe u zgjova më i shëndetshëm se kurrë. Nuk kisha asnjë justifikim, asnjë shpëtim.
Ishte hera e parë që do të jepja mësim, por vëllai Espinoza ishte aty pranë meje dhe ajo ishte dita e një ndryshimi të madh të zemrës për mua.
Nga ai çast e tutje, fillova ta mbaj të shenjtë ditën e Shabatit, dhe me kalimin e kohës, thënë me fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson, dita e Shabatit është bërë një kënaqësi.6
“Zot, të jap Ty çdo gjë; nuk kam çfarë të të jap më shumë Ty.”
Arritja e Ndryshimit
Si e arrijmë atë ndryshim të madh të zemrës? Ai fillon dhe më së fundi ndodh
-
kur i studiojmë shkrimet e shenjta për të marrë njohurinë që do ta forcojë besimin tonë te Jezu Krishti, e cila do të krijojë një dëshirë për të ndryshuar7;
-
kur e kultivojmë atë dëshirë nëpërmjet lutjes dhe agjërimit8;
-
kur veprojmë, sipas fjalëve që kemi studiuar ose marrë, dhe bëjmë një besëlidhje për t’ia dhënë zemrën tonë Atij, ashtu si me popullin e mbretit Beniamin9.
Dallimi dhe Besëlidhja
Si e dimë se zemra jonë po ndryshon?10
-
Kur duam ta kënaqim Perëndinë në të gjitha gjërat.11
-
Kur i trajtojmë të tjerët me dashuri, respekt dhe vlerësim.12
-
Kur shohim që cilësitë e Krishtit po bëhen pjesë e karakterit tonë.13
-
Kur ndiejmë udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë në mënyrë më të vazhdueshme.14
-
Kur zbatojmë një urdhërim që ka qenë i vështirë për ne që t’i bindemi dhe më pas vazhdojmë ta jetojmë atë.15
Kur i dëgjojmë me kujdes këshillat e udhëheqësve tanë dhe vendosim me gëzim që t’i ndjekim ato, a nuk kemi përjetuar një ndryshim të madh të zemrës?
“Zot, të jap Ty çdo gjë; nuk kam çfarë të të jap më shumë Ty.”
Ruajtja dhe Përfitimet
Si e ruajmë ndryshimin e madh?
-
Kur e marrim sakramentin çdo javë dhe e përtërijmë besëlidhjen për të marrë mbi vete emrin e Krishtit, për ta kujtuar Atë gjithmonë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.16
-
Kur e kthejmë jetën tonë drejt tempullit.17 Frekuentimi i rregullt i tempullit do të na ndihmojë të ruajmë një zemër të re dhe të ripërtërirë kur marrim pjesë në ordinanca.
-
Kur i duam dhe u shërbejmë të afërmve tanë me anë të dhënies së shërbesës dhe punës misionare.18
Më pas, për gëzimin tonë të madh, ai ndryshim i brendshëm forcohet dhe përhapet derisa gëlon në vepra të mira.19
Ky ndryshim i madh i zemrës na sjell një ndjenjë lirie, mirëbesimi dhe paqeje.20
Ky ndryshim i zemrës nuk është një ngjarje; kërkon besim, pendim dhe punë të vazhdueshme shpirtërore që të ndodhë. Ai fillon kur ne dëshirojmë që t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë Zotit dhe konkretizohet kur ne hyjmë në besëlidhje me Të dhe i mbajmë ato.
Ai veprim individual ka një ndikim pozitiv si te ne ashtu edhe te njerëzit përreth nesh.
Duke e thënë me fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson: “Përfytyroni se sa shpejt do të zgjidheshin konfliktet shkatërrimtare anembanë botës – dhe ato në jetën tonë individuale – nëse të gjithë do të zgjidhnim të ndiqnim Jezu Krishtin dhe t’ua vinim veshin mësimeve të Tij”21. Ky veprim i ndjekjes së mësimeve të Shpëtimtarit çon në një ndryshim të madh të zemrës.
Të dashur vëllezër e motra, të rinj e të reja dhe fëmijë, ndërsa marrim pjesë në konferencë këtë fundjavë, u futshin fjalët e profetëve tanë, të cilat do të vijnë nga Zoti, në zemrat tona për të përjetuar një ndryshim të madh.
Ata që nuk janë bashkuar ende me Kishën e rivendosur të Zotit, i ftoj t’i dëgjojnë misionarët me një dëshirë të çiltër për të ditur se çfarë pret Perëndia nga ju dhe ta përjetoni atë shndërrim të brendshëm.22
Sot është dita të vendosim të ndjekim Zotin Jezu Krisht. “Zot, të jap Ty zemrën time; nuk kam çfarë të të jap më shumë Ty.”
Ashtu siç u gjet unaza nga ajo anije e mbytur, kur ia japim zemrat tona Perëndisë, ne shpëtojmë nga detet plot tallaze të kësaj jete dhe gjatë atij procesi, ne përmirësohemi dhe pastrohemi nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit dhe bëhemi “fëmijët e Krishtit” duke qenë shpirtërisht të “lindur prej [T]ij”23. Për këtë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.