Konferenca e Përgjithshme
Mësime te Pusi
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


11:29

Mësime te Pusi

Ne mund të drejtohemi te Shpëtimtari për forcë e shërim, të cilat do të na aftësojnë për të bërë gjithçka që u dërguam këtu të bënim.

Ç’gëzim është të mblidhem me secilën prej jush në këtë sesion të grave të konferencës së përgjithshme!

Unë u rrita në Nju‑Jorkun perëndimor dhe frekuentova një degë të vogël të Kishës rreth 32 kilometra larg shtëpisë sonë. Kur ulesha në klasën e Shkollës të së Dielës në bodrumin e godinës sonë kishtare të vjetër, të marrë me qira, vetëm me shoqen time, Pati Xhon, unë kurrë nuk mund ta kisha përfytyruar se do të isha pjesë e një motërie të përbotshme të miliona grave.

Pesë vjet më parë, bashkëshorti im, Brusi, u sëmur rëndë ndërkohë që po u shërbenim shenjtorëve të përkushtuar në Zonën e Europës Lindore. U kthyem në shtëpi dhe ai ndërroi jetë vetëm pak javë më vonë. Jeta ime ndryshoi brenda natës. Isha e pikëlluar dhe u ndjeva e dobët dhe e brishtë. Iu përgjërova Zotit që të më drejtonte në shtegun tim: “Çfarë do Ti që unë të bëj?”

Pak javë më vonë po kontrolloja postën kur më zuri syri një figurë të vogël në një katalog. Kur e pashë më me kujdes, e kuptova se ishte një paraqitje nga një artist e gruas samaritane me Jezusin te pusi. Në atë çast Shpirti më foli qartë: “Ajo është gjëja që supozohet të bësh”. Një Atë i dashur Qiellor po më ftonte të vija te Shpëtimtari dhe të mësoja.

Do të doja t’ju tregoja për tre mësime që po i mësoj teksa vazhdoj të pi nga pusi i Tij me “ujë të gjallë”1.

I Pari: Rrethanat Tona të së Shkuarës dhe të së Tashmes Nuk e Përcaktojnë të Ardhmen Tonë

Motra, e di se shumë prej jush ndiheni siç u ndjeva unë, të pasigurta se si të përballeni me sfida të vështira dhe humbje – humbje ngaqë jeta juaj nuk po shpaloset në mënyrën se si kishit shpresuar, ishit lutur dhe kishit planifikuar.

Pavarësisht nga rrethanat tona, jeta jonë është e shenjtë dhe ka kuptim e qëllim. Secila prej nesh është një bijë e dashur e Perëndisë, e lindur me hyjnueshmëri në shpirt.

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, na e bëri të mundur që të pastroheshim dhe shëroheshim, duke na aftësuar për ta përmbushur qëllimin tonë në tokë pavarësisht nga vendimet e pjesëtarëve të familjes, gjendja jonë martesore, shëndeti ynë fizik ose mendor, apo ndonjë situatë tjetër.

Merreni parasysh gruan te pusi. Si ishte jeta e saj? Jezusi vuri në dukje se ajo kishte pasur pesë bashkëshortë dhe aktualisht nuk ishte e martuar me burrin me të cilin jetonte. Dhe prapëseprapë, pavarësisht nga vështirësitë e jetës së saj, Shpëtimtari i bëri asaj një nga shpalljet e para publike se Ai ishte Mesia. Ai tha: “Unë jam, ai që po të flet”2.

Ajo u bë dëshmitare e fuqishme, duke u shpallur njerëzve në qytetin e saj se Jezusi ishte Krishti. “Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas.”3

Rrethanat e saj të së shkuarës dhe të së tashmes nuk e përcaktuan të ardhmen e saj. Si ajo, ne mund të zgjedhim sot për t’u drejtuar te Shpëtimtari për forcë e shërim, të cilat do të na aftësojnë për të përmbushur gjithçka që u dërguam këtu të bënim.

I Dyti: Është në Ne Fuqia

Në një varg mjaft të njohur te Doktrina e Besëlidhje, Zoti i nxit gratë dhe burrat që të “përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi; sepse është në ta fuqia4.

Motra, brenda nesh është fuqia që të bëjmë të ndodhë shumë drejtësi!

Presidenti Rasëll M. Nelson dëshmoi: “Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë”5.

Kam arritur të di se kur përpiqemi fort që t’i nderojmë besëlidhjet e shenjta që bëmë në pagëzim dhe në tempujt e shenjtë, Zoti do të na bekojë me “fuqinë e Tij shëruese, forcuese” dhe me “ide dhe zgjime shpirtërore që nuk i ke[m]i pasur kurrë më parë”6.

I Treti: “Nga Gjëra të Vogla Vjen Ajo që Është e Madhe”7

Në Predikimin në Mal, Jezusi u mësoi dishepujve të Tij: “Ju jeni kripa e tokës”8 dhe “Ju jeni drita e botës”9. Më pas Ai e krahasoi rritjen e mbretërisë së qiellit me majanë, “që e m[ori] një grua dhe z[uri] brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhe[j] plotësisht”10.

  • Kripa

  • Majaja

  • Drita

Edhe në sasi shumë të vogla secila prej tyre e ndikon gjithçka përreth saj. Shpëtimtari na fton ta përdorim fuqinë e Tij për të qenë si kripa, majaja dhe drita.

Kripa

Është e habitshme se sa shumë ndryshim i sjell një spërkatje me kripë shijes së asaj që hamë. Dhe prapëseprapë, kripa është një nga përbërësit më pak të kushtueshëm dhe më të thjeshtë.

Në librin e 2 Mbretërve, lexojmë për “një vajzë të vogël”11 që u kap robinë nga sirianët dhe u bë shërbëtore e bashkëshortes së Naamanit, kapitenit të ushtrisë siriane. Ajo ishte si kripa; ishte e re, pa rëndësi për botën dhe jeta e saj si skllave në një vend të huaj, në mënyrë të qartë nuk ishte ajo që kishte shpresuar.

Megjithatë, ajo tha një fjali me fuqinë e Perëndisë, duke i dëshmuar gruas të Naamanit: “Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra”12.

Fjalët e saj të besimit iu transmetuan Naamanit, i cili veproi sipas fjalëve të saj, gjë që e lejoi atë të shërohej si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht.

Ne shpesh përqendrohemi te shërbëtorët që e bindën Naamanin të lahej në lumin Jordan, siç e udhëzoi profeti Eliseu, por Naamani nuk do të kishte shkuar te porta e Eliseut po të mos ishte për atë “vajzë të vogël”.

Ju mund të jeni të reja ose të ndiheni sikur nuk keni rëndësi, por mund të jeni si kripa në familjen tuaj, në shkollë dhe në komunitetin tuaj.

Majaja

A keni ngrënë ndonjëherë bukë pa maja? Si do ta përshkruanit atë? Të ngjeshur? Të rëndë? Të fortë? Me vetëm një sasi të vogël majaje, buka vjen, duke u fryrë që të bëhet më e lehtë dhe më e butë.

Kur e ftojmë fuqinë e Perëndisë në jetën tonë, ne mund ta zëvendësojmë “frym[ën e] ligështuar”13 me perspektiva të frymëzuara që i lartësojnë të tjerët shpirtërisht dhe krijojnë hapësirën që zemrat të shërohen.

Kohët e fundit një mikesha ime qëndronte në shtrat në mëngjesin e Krishtlindjes, e pushtuar nga hidhërimi. Fëmijët e saj iu përgjëruan që të ngrihej; mirëpo ajo ishte e mbushur me dhembje në pritje të shkurorëzimit të saj. E shtrirë në shtrat duke qarë me dënesë, ia derdhi shpirtin në lutje Atit të saj Qiellor, duke i treguar Atij për dëshpërimin e vet.

Kur e mbaroi lutjen, Shpirti i pëshpëriti se Perëndia e dinte dhembjen e saj. Ajo u mbush me dhembshurinë e Tij për të. Kjo përvojë e shenjtë u dha vlerë emocioneve të saj dhe i dha shpresë se nuk po pikëllohej e vetmuar. U ngrit, doli jashtë dhe bëri një burrë prej bore me fëmijët e saj, duke e zëvendësuar peshën e rëndë të mëngjesit me të qeshura dhe gëzim.

Drita

Sa shumë dritë duhet për ta përshkuar errësirën në një dhomë? Një rreze e vogël. Dhe ajo rreze drite në një vend të errët mund të burojë nga fuqia e Perëndisë brenda jush.

Ndonëse mund të ndiheni e vetme teksa stuhitë e jetës egërsohen, ju mund të rrezatoni një dritë në errësirën e keqkuptimit, pështjellimit dhe mosbesimit. Drita juaj e besimit te Krishti mund të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt, duke i çuar njerëzit përreth jush drejt sigurisë dhe paqes.

Motra, zemra mund të ndryshojë dhe jeta mund të bekohet kur ofrojmë pakëz kripë, një lugë me maja dhe një rreze drite.

Unë dëshmoj se Shpëtimtari është kripa në jetën tonë që na fton ta shijojmë gëzimin dhe dashurinë e Tij.14 Është Ai që është majaja kur jeta jonë është e rënduar, duke na sjellë shpresë15 dhe duke na i ngritur barrët tona16 nëpërmjet fuqisë së Tij të pakrahasueshme dhe dashurisë së Tij shëlbuese17. Ai është drita jonë18, duke e ndriçuar shtegun tonë për t’u kthyer në shtëpi.

Lutem që të mund të vijmë te Shpëtimtari, si gruaja te pusi, dhe të pimë nga uji i Tij i gjallë. Me njerëzit e Samarisë, ne atëherë mund të shpallim: “[Ne] besojmë, … sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës”19. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.