Predikimi i Ungjillit të Paqes
Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë për t’u treguar për fuqinë dhe paqen e Jezu Krishtit të gjithë atyre që do të dëgjojnë.
Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, mirë se erdhët në konferencën e përgjithshme! E kam pritur me padurim të madh këtë ditë. Lutem për ju çdo ditë. Jam lutur gjithashtu që kjo konferencë të jetë një kohë përtëritjeje shpirtërore për secilin prej jush.
Që nga konferenca e fundit, vështirësitë në botë kanë vazhduar. Pandemia botërore ende ndikon në jetën tonë. Tani bota është tronditur nga një konflikt që po derdh terror mbi miliona burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm.
Profetët e kanë parashikuar kohën tonë, kur do të ketë luftëra dhe ushtima luftërash dhe kur e gjithë toka do të jetë në rrëmujë.1 Si ndjekës të Jezu Krishtit, ne u lutemi udhëheqësve të kombeve të gjejnë zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet e tyre. Ne u bëjmë thirrje njerëzve kudo të luten për njerëzit në nevojë, të bëjnë gjithçka munden për të ndihmuar të dëshpëruarit dhe të kërkojnë ndihmën e Zotit për t’i dhënë fund çdo konflikti madhor.
Vëllezër dhe motra, ungjilli i Jezu Krishtit nuk është dashur kurrë më shumë sesa sot. Grindja shkel gjithçka që përfaqësoi dhe dha mësim Shpëtimtari. Unë e dua Zotin Jezu Krisht dhe dëshmoj se ungjilli i Tij është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për paqe. Ungjilli i Tij është ungjill paqeje.2
Ungjilli i Tij është e vetmja përgjigje kur shumë njerëz në botë janë shtangur nga frika.3 Kjo nënvizon nevojën urgjente që ne të ndjekim udhëzimin e Zotit ndaj dishepujve të Tij që të “d[alin] në mbarë botën dhe [t’ia] prediko[jnë] ungjillin çdo krijese”4. Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë për t’u treguar për fuqinë dhe paqen e Jezu Krishtit të gjithë atyre që do të dëgjojnë dhe atyre që do ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.
Çdo person që ka bërë besëlidhje me Perëndinë, ka premtuar që do të kujdeset për të tjerët dhe do t’u shërbejë njerëzve në nevojë. Ne mund ta demonstrojmë besimin te Perëndia dhe të jemi gjithmonë gati për t’iu përgjigjur atyre që pyesin për “shpresën që është në [ne]”5. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur në mbledhjen e Izraelit.
Sot e ripohoj fuqishëm se Zoti i ka kërkuar çdo të riu të denjë dhe të aftë të përgatitet dhe të shërbejë në një mision. Për të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, shërbimi misionar është një përgjegjësi priftërie. Ju të rinj jeni ruajtur për këtë kohë kur po ndodh mbledhja e premtuar e Izraelit. Ndërsa shërbeni në misione, ju luani një rol vendimtar në këtë ngjarje të pashembullt!
Për motrat e reja dhe të afta, misioni është gjithashtu një mundësi e fuqishme, por me dëshirë. Ne i duam motrat misionare dhe i mirëpresim me gjithë zemër. Ajo që ju jepni në këtë punë, është madhështore. Lutuni për të ditur a do të donte Zoti që të shërbeni në një mision dhe Fryma e Shenjtë do të përgjigjet në zemrën dhe mendjen tuaj.
Të dashur miq të rinj në moshë, secili prej jush është jetik për Zotin. Ai ju ka ruajtur deri më tani që të ndihmoni për të mbledhur Izraelin. Vendimi juaj për të shërbyer në një mision, qoftë një mision predikimi apo shërbimi, do t’ju bekojë ju dhe shumë të tjerë. Ne gjithashtu i mirëpresim çiftet në moshë që të shërbejnë kur ua lejojnë rrethanat e tyre. Përpjekjet e tyre janë thjesht të pazëvendësueshme.
Të gjithë misionarët japin mësim dhe dëshmojnë për Shpëtimtarin. Errësira shpirtërore në botë bën që drita e Jezu Krishtit të nevojitet më shumë se kurrë. Të gjithë e meritojnë mundësinë që të dinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo njeri meriton të dijë se ku mund ta gjejë shpresën dhe paqen që “ia tejkalon çdo zgjuarësie”6.
Qoftë kjo konferencë një kohë paqeje dhe gostie shpirtërore për ju! Kërkofshi dhe marrshi zbulesë vetjake gjatë këtyre sesioneve, lutem në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.