Konferenca e Përgjithshme
Por Ne Nuk ua Vumë Veshin
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


12:59

Por Ne Nuk ua Vumë Veshin

(1 Nefi 8:33)

Besëlidhjet dhe ordinancat na drejtojnë drejt Zotit Jezu Krisht dhe na ndihmojnë që ta kujtojmë gjithmonë lidhjen tonë me Të, teksa përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

Bashkëshortja ime, Suzana, tre djemtë tanë dhe bashkëshortet e tyre, të gjithë nipërit e mbesat tona, dhe Plaku Kuentin L. Kuk, shoku që ulet pranë meje në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve prej gati 15 vjetësh, që të gjithë do të dëshmonin me gatishmëri për faktin se unë nuk këndoj mirë. Por, pavarësisht se më mungon talenti i zërit, më pëlqen shumë të këndoj himnet për Rivendosjen. Ndërthurja e teksteve të frymëzuara dhe melodive madhështore më ndihmon të mësoj parimet thelbësore të ungjillit dhe ma gufon shpirtin.

Një himn që e ka bekuar jetën time në mënyra mbresëlënëse, është: “Punës Le t’i Vihemi”. Kohët e fundit kam përsiatur dhe mësuar për një frazë specifike në refrenin e atij himni. “Ne s’do t’dëgjojm’ çfar’ të ligjt’ mund të thon’; Por vetëm Zotin ton’ do t’dëgjojm’.”1

Ne s’do t’dëgjojm’.

Teksa këndoj “Punës Le t’i Vihemi”, shpesh mendoj për njerëzit në vegimin e Lehit që shkonin përpara në shtegun që të çonte te pema e jetës, të cilët nuk ishin thjesht “duke u mbajtur fort”2, por ishin “duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit, derisa arritën dhe ranë dhe hëngrën nga fruti i pemës”3. Lehi përshkroi turma njerëzish në ndërtesën e gjerë dhe të madhe që po e tregonin “me gisht, [atë] dhe … të tjerë që po hanin nga fruti”4. Përgjigjja e tij ndaj përqeshjeve dhe fyerjeve është madhështore dhe e paharrueshme: “Por ne nuk ua vumë veshin5.

Unë lutem që Fryma e Shenjtë do ta bekojë dhe do t’ia ndriçojë mendjen secilit prej nesh, teksa marrim së bashku në konsideratë mënyrën se si mund të forcohemi për të “mos ua vënë veshin” ndikimeve të liga dhe zërave tallës të botës bashkëkohore në të cilën jetojmë.

Mos ua Vini Veshin

Fjalët i vë veshin sugjerojnë të vëresh diçka ose t’i kushtosh vëmendje dikujt ose diçkaje. Pra, teksti i himnit “Punës Le t’i Vihemi” na këshillon që të marrim një vendim pohues për të mos i kushtuar vëmendje asaj “çfar’ të ligjt’ mund të thon’”. Lehi dhe njerëzit bashkë me të, të cilët po hanin frutën e pemës, japin një shembull të fortë të moskushtimit të vëmendjes ndaj talljeve dhe përqeshjeve që shumë shpesh vijnë nga ndërtesa e gjerë dhe e madhe.

Doktrina e Krishtit e shkruar “me Frymën e Perëndisë së gjallë … mbi rrasa të … zemr[ës sonë prej] mishi”6, e rrit aftësinë tonë për të “mos ua vënë veshin” shpërqendrimeve, shpotive dhe gjërave të shumta që na e tërheqin vëmendjen në botën tonë të rënë. Për shembull, besimi i përqendruar në dhe te Zoti Jezu Krisht na fortifikon me forcë shpirtërore. Besimi te Shëlbuesi është një parim veprimi dhe fuqie. Ndërsa veprojmë në përputhje me të vërtetat e ungjillit të Tij, bekohemi me aftësinë shpirtërore për të shkuar përpara përmes sfidave të vdekshmërisë, ndërkohë që përqendrohemi te gëzimet që na ofron Shpëtimtari. Vërtet, “në veprofshim drejt, s’ka pse frik’ të kemi, se Zotin, Ndihm’sin ton’, pran’ gjithmon’ do t’kemi”7.

Një Lidhje Vetjake nëpërmjet Besëlidhjeve

Hyrja në besëlidhjet e shenjta dhe marrja me denjësi e ordinancave të priftërisë na vë në zgjedhë dhe na lidh me Zotin Jezu Krisht dhe Atin Qiellor.8 Kjo nënkupton thjesht se ne i mirëbesojmë Shpëtimtarit, si Avokati9 dhe Ndërmjetësi ynë10 dhe mbështetemi te meritat, mëshira dhe hiri i Tij11 gjatë rrugëtimit të jetës. Kur jemi të palëkundur për ardhjen te Krishti dhe jemi në një zgjedhë me Të, ne marrim bekimet pastruese, shëruese dhe forcuese të Shlyerjes së Tij të pafundme dhe të përjetshme.12

Të jetuarit e zotimeve të besëlidhjeve dhe dashuria ndaj tyre krijon një lidhje me Zotin që është thellësisht vetjake dhe e fuqishme shpirtërisht. Teksa i respektojmë kushtet e besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta, ne gradualisht dhe hap pas hapi vijmë më pranë Tij13 dhe përjetojmë ndikimin e hyjnisë së Tij dhe realitetin e gjallë të Tij në jetën tonë. Jezusi më pas bëhet shumë më tepër sesa personazhi qendror në historitë e shkrimeve të shenjta; shembulli dhe mësimet e Tij ndikojnë te çdo dëshirë, mendim dhe veprim i yni.

Sinqerisht, nuk e kam aftësinë ta përshkruaj siç duhet natyrën dhe fuqinë e saktë të lidhjes sonë nëpërmjet besëlidhjeve me Birin e ringjallur dhe të gjallë të Perëndisë. Por unë dëshmoj se lidhjet me Të dhe Atin Qiellor janë të vërteta dhe janë burimet themelore për sigurinë, paqen, gëzimin dhe forcën shpirtërore që na aftëson të mos kemi “frik’ kurr’ dhe [nëse armiku na tall]”14. Si dishepuj të Jezu Krishtit që bëjmë besëlidhje dhe i mbajmë besëlidhjet, ne mund të bekohemi për të marrë “guxim, sepse Zotin kemi pran’”15 dhe të mos u kushtojmë vëmendje ndikimeve të liga dhe talljeve nga bota laike.

Ndërsa vizitoj anëtarë të Kishës anembanë botës, shpesh u bëj këtë pyetje: “Çfarë të ndihmon që ‘të mos ua vësh veshin’ ndikimeve, talljes dhe përqeshjes së botës?” Përgjigjet e tyre janë më se udhëzuese.

Anëtarët e guximshëm shpesh theksojnë rëndësinë e të ftuarit të fuqisë së Frymës së Shenjtë në jetën e tyre nëpërmjet studimit kuptimplotë të shkrimeve të shenjta, lutjes me zjarr dhe përgatitjes së duhur për të marrë pjesë në ordinancën e sakramentit. Ato që përmenden shpesh, janë edhe mbështetja shpirtërore e pjesëtarëve besnikë të familjes dhe miqve të besuar, mësimet jetike të mësuara nëpërmjet dhënies së shërbesës dhe shërbimit në Kishën e rivendosur të Zotit dhe aftësia për të dalluar zbrazëtinë absolute të çfarëdo gjëje që është brenda ose që vjen prej ndërtesës së gjerë dhe të madhe.

Kam vënë re në përgjigjet e këtyre anëtarëve një model të veçantë që është veçanërisht domethënës. Pikë së pari, këta dishepuj kanë dëshmi të patundura për planin e Atit Qiellor për lumturinë dhe rolin e Jezu Krishtit si Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë. Dhe së dyti, njohuria dhe bindja e tyre shpirtërore janë individuale, vetjake dhe specifike; nuk janë të përgjithshme dhe abstrakte. Unë i dëgjoj këta shpirtra të përkushtuar të flasin për besëlidhjet që sigurojnë forcë për të mposhtur kundërshtimin, dhe për lidhjen e tyre me Zotin e gjallë që i përkrah ata në kohë si të mira, ashtu edhe të këqija. Për këta individë, Jezu Krishti është njëmend një Shpëtimtar vetjak.

Një busull

Besëlidhjet dhe ordinancat e ungjillit funksionojnë në jetën tonë shumë ngjashëm me një busull. Një busull është një pajisje që përdoret për të treguar drejtimet kryesore të horizontit, veriun, jugun, lindjen dhe perëndimin për qëllime lundrimi dhe orientimi gjeografik. Po ashtu, besëlidhjet dhe ordinancat tona na drejtojnë drejt Zotit Jezu Krisht dhe na ndihmojnë që ta kujtojmë gjithmonë lidhjen tonë me Të, teksa përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

Kristus-i

Drejtimi kryesor për të gjithë ne në vdekshmëri është që të vijmë te Krishti dhe të përsosemi në Të.16 Besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta na ndihmojnë ta mbajmë përqendrimin tonë te Shpëtimtari dhe të përpiqemi fort, me anë të hirit të Tij17, për t’u bërë më shumë si Ai. Me sigurinë më të madhe, “një fuqi [e padukshme] do t’na ndihmoj’ mua dhe [ju] në çështjen e s’vërtetës”18.

Të Mbahemi me Vendosmëri te Shufra e Hekurit

Lidhja jonë nëpërmjet besëlidhjeve me Perëndinë dhe Jezu Krishtin është kanali nëpërmjet të cilit ne mund të marrim aftësinë dhe forcën për të “mos ua vënë veshin”. Dhe kjo lidhje forcohet kur mbahemi vazhdimisht me vendosmëri në shufrën e hekurit. Sikurse pyetën vëllezërit e Nefit: “Ç’do të thotë shufra e hekurit që ati ynë pa … ?

Dhe [Nefi] u tha… atyre se ajo ishte fjala e Perëndisë; dhe të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i ço[nin] ata në shkatërrim.”19

Ju lutem, vini re se aftësia për t’u bërë ballë tundimeve dhe shigjetave të flakta të kundërshtarit u premtohet atyre individëve që “mba[hen] me vendosmëri” në vend që t’u premtohet thjesht atyre që “mba[hen] fort” te fjala e Perëndisë.

Interesante është që Apostulli Gjon e përshkroi Jezu Krishtin si Fjala.20

“Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. …

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. …

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.”21

Si rrjedhim, njëri nga emrat e Jezu Krishtit është “Fjala”22.

Dhe më tej, neni i tetë i besimit thotë: “Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi; ne gjithashtu e besojmë Librin e Mormonit të jetë fjala e Perëndisë23.

Pra, mësimet e Shpëtimtarit, siç shënohen në shkrimet e shenjta, janë gjithashtu “fjala”.

Më lini të sugjeroj se mbajtja me vendosmëri te fjala e Perëndisë përfshin 1) kujtimin, nderimin dhe forcimin e lidhjes vetjake që kemi me Shpëtimtarin dhe Atin e Tij, nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit të rivendosur dhe 2) përdorimin me lutje, me zell dhe në mënyrë të vazhdueshme të shkrimeve të shenjta dhe mësimeve të profetëve dhe apostujve të gjallë si burime të sigurta të së vërtetës së zbuluar. Kur lidhemi dhe “mbahemi me vendosmëri” te Zoti dhe shndërrohemi duke e jetuar doktrinën e Tij24, ju premtoj se ne do të bekohemi individualisht dhe kolektivisht që të “qëndroj[m]ë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvize[mi]”25. Nëse qëndrojmë në Krisht, atëherë Ai do të qëndrojë në ne dhe do të ecë me ne.26 Sigurisht, “në dit’ sprovash shenjtor’ve g’zim [do] t’u sjelli, para t’çoj’ të vërtetën”27.

Dëshmia

Shkoni përpara. Mbahuni me vendosmëri. Mos ua vini veshin.

Unë dëshmoj se besnikëria ndaj besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit të rivendosur të Shpëtimtarit na aftëson të shkojmë përpara në punën e Zotit, të mbahemi me vendosmëri tek Ai, si Fjala e Perëndisë, dhe të mos ua vëmë veshin joshjeve të kundërshtarit. Në luftën për të drejtën, nxjerrtë secili prej nesh një shpatë, madje “shpat’n e fort’ të s’vërtetës”28, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krishtit, amen.