Konferenca e Përgjithshme
Ndjekja e Jezusit: Të Qenit Paqebërës
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


13:36

Ndjekja e Jezusit: Të Qenit Paqebërës

Paqebërësit nuk janë pasivë; ata janë bindës sipas mënyrës së Shpëtimtarit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, teksa përjetojmë ditë serioze trazirash, grindjesh dhe, për shumë njerëz, vuajtjesh të thella, zemra jonë mbushet me mirënjohje të madhe për Shpëtimtarin tonë dhe bekimet e përjetshme të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ne e duam Atë dhe i mirëbesojmë Atij dhe lutemi që do ta ndjekim Atë përgjithmonë.

Sfida e Mjeteve Shoqërore të Komunikimit

Ndikimi i fuqishëm i internetit është një bekim dhe një sfidë, që i përkasin veç kohës sonë.

Në një botë me mjete shoqërore të komunikimit dhe superstrada informacioni, zëri i një personi mund të shumëfishohet në mënyrë të ndjeshme. Ky zë, qoftë i vërtetë apo i rremë, qoftë i drejtë apo paragjykues, qoftë dashamirës apo mizor, shkon sakaq anembanë botës.

Publikimet e mendimeve të matura dhe mirëdashëse në mjetet shoqërore të komunikimit shpesh kalojnë pa u vënë re, ndërsa fjalët e përbuzjes dhe zemërimit shpesh na gjëmojnë në vesh, qoftë me filozofi politike, njerëz në lajme, apo opinione mbi pandeminë. Askush dhe asnjë temë, përfshirë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij të rivendosur, nuk ka imunitet nga kjo dukuri shoqërore e zërave përçarës.

Të Bëhesh Paqebërës

Predikimi në Mal është një mesazh për të gjithë, por ai iu dha në mënyrë specifike dishepujve të Shpëtimtarit, atyre që kishin zgjedhur ta ndiqnin Atë.

Zoti dha mësim se si të jetojmë, atëherë dhe tani, në një botë plot përbuzje. “Lum ata që përpiqen për paqen”, – shpalli Ai, “sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.”1

Me anë të mburojës së besimit tonë te Jezu Krishti, ne bëhemi paqebërës, duke i shuar – që do të thotë t’i venitësh, t’i ftohësh ose t’i fikësh – të gjitha shigjetat e zjarrta të kundërshtarit.2

Ndërsa bëjmë pjesën tonë, premtimi i Tij është që ne do të quhemi “bij të Perëndisë”. Çdo person në tokë është “pasardhës”3 i Perëndisë, por që të quhemi “bij të Perëndisë” do të thotë shumë, shumë më tepër. Ndërsa vijmë te Jezu Krishti dhe bëjmë besëlidhje me Të, ne bëhemi “fara e tij” dhe “trashëgimtarët e mbretërisë”4, “fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij”5.

Si mund t’i venitë dhe t’i ftohë shigjetat e zjarrta një paqebërës? Sigurisht, jo duke ngurruar përpara atyre që na diskreditojnë. Përkundrazi, ne qëndrojmë të sigurt në besimin tonë, duke i shprehur bindjet tona me siguri të plotë, por gjithnjë pa zemërim apo dashakeqësi.6

Kohët e fundit, pas një opinioni të shprehur me fjalë të forta, i cili ishte kritik ndaj Kishës, Kleriku Amos C. Braun, një udhëheqës kombëtar i të drejtave civile dhe pastor i Kishës së Tretë Baptiste në San-Françisko, u përgjigj:

“E respektoj përjetimin dhe këndvështrimin e individit që i shkroi ato fjalë. Kuptohet, unë nuk shoh atë që sheh ai.

E konsideroj si një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime, që i njoh këta udhëheqës [të Kishës], përfshirë Presidentin Rasëll M. Nelson. Ata janë, sipas vlerësimit tim, mishërimi i udhëheqjes më të mirë që mund të ofrojë vendi ynë.”

Presidenti Nelson me Klerikun Braun

Më pas ai shtoi: “Ne mund të ankohemi për mënyrën se si ishin gjërat. Mund të refuzojmë t’i pranojmë të gjitha të mirat që po ndodhin tani … Por këto qasje nuk do t’i shërojnë ndasitë tona kombëtare. … Siç dha mësim Jezusi, ne nuk e çrrënjosim të ligën me më shumë ligësi. Ne japim dashuri bujarisht dhe jetojmë duke pasur mëshirë, madje edhe kundrejt atyre që mendojmë se janë armiqtë tanë.”7

Kleriku Braun është një paqebërës. Ai i fiku qetësisht dhe me respekt shigjetat e zjarrta. Paqebërësit nuk janë pasivë; ata janë bindës sipas mënyrës së Shpëtimtarit.8

Çfarë na e jep forcën e brendshme për t’i ftohur, venitur dhe shuar shigjetat e zjarrta që synojnë drejt të vërtetave që i duam? Forca vjen nga besimi ynë te Jezu Krishti dhe besimi ynë te fjalët e Tij.

“Lum ju kur do t’ju shajnë dhe … do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

… Sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”9

Rëndësia e Lirisë së Zgjedhjes

Dy parime të rëndësishme e prijnë dëshirën tonë për të qenë paqebërës.

Së pari, Ati ynë Qiellor i ka dhënë secilit individ lirinë e tij apo të saj morale të zgjedhjes, me aftësinë për të zgjedhur shtegun e tij/saj vetjak.10 Kjo liri e zgjedhjes është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë.

Së dyti, me këtë liri zgjedhjeje, Ati ynë Qiellor lejoi “kundërshtim në të gjitha gjërat”11. Ne “provoj[m]ë hidhësinë, që të mund të di[m]ë ta çmojnë të mirën”12. Kundërshtimi nuk duhet të na befasojë. Ne mësojmë të dallojmë të mirën nga e liga.

Gëzohemi nga bekimi i lirisë së zgjedhjes, duke kuptuar se do të jenë të shumtë ata që nuk e besojnë atë që besojmë ne. Në fakt, pak njerëz në ditët e mëvonshme do të zgjedhin që ta bëjnë besimin e tyre te Jezu Krishti qendror në gjithçka që mendojnë dhe bëjnë.13

Për shkak të platformave të mjeteve shoqërore të komunikimit, një zë mosbesimi mund të duket se është një tufë zërash negativë14, por edhe sikur të jetë një tufë zërash, ne zgjedhim shtegun e paqebërësve.

Udhëheqësit e Zotit

Disa e shohin Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve sikur kanë shtysa si të botës, si ato të udhëheqësve politikë, të sipërmarrjeve dhe të kulturës.

Megjithatë, ne vihemi në një mënyrë shumë të ndryshme përpara përgjegjësive tona. Ne nuk zgjidhemi apo përzgjidhemi nga kërkesat për pozicione. Pa një përgatitje specifike profesionale, ne thirremi dhe shugurohemi për të dhënë dëshmi për emrin e Jezu Krishtit në mbarë botën deri në frymën tonë të fundit. Ne përpiqemi që të bekojmë të sëmurët, të vetmuarit, të shkurajuarit e të varfrit dhe të forcojmë mbretërinë e Perëndisë. Synojmë ta dimë vullnetin e Zotit dhe ta shpallim atë, sidomos ndaj atyre që synojnë jetën e përjetshme.15

Ndonëse dëshira jonë e përulur është që mësimet e Shpëtimtarit të nderohen nga të gjithë, fjalët e Zotit nëpërmjet profetëve të Tij shpesh bien ndesh me mendimet dhe prirjet e botës. Kështu ka qenë gjithmonë.16

Shpëtimtari u tha Apostujve të Tij:

“Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. …

… Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë … sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.”17

Përkujdesja për Të Gjithë

Ne i duam dhe kujdesemi çiltërsisht për të gjithë fqinjët tanë, qoftë nëse ata besojnë apo jo ashtu siç besojmë ne. Jezusi na mësoi shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, se njerëzit me bindje të ndryshme fetare duhet t’i vijnë në ndihmë kujtdo që ka nevojë me sinqeritet, duke qenë paqebërës, duke rendur pas së mirës dhe kauzave fisnike.

Në shkurt, një titull artikulli në gazetën “Arizona Republic” shkruante: “Projektligji dypartiak i përkrahur nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të mbrojë individët homoseksualë dhe ata transgjinorë të Arizonës”18.

Ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, kemi “kënaqësinë të jemi pjesë e një koalicioni me besimet fetare, biznesin, individët e LGBTQ-së dhe udhëheqësit e komunitetit, të cilët kanë punuar së bashku me një frymë mirëbesimi dhe respekti të ndërsjellë”19.

Një herë, Presidenti Rasëll M. Nelson, bëri një pyetje të menduar: “A nuk mund të ekzistojnë vija kufitare pa u kthyer në vija beteje?”20

Ne përpiqemi të jemi “pasues paqësorë të Krishtit”21.

Rastet Kur nuk Duhet të Përgjigjemi

Disa nga sulmet kundrejt Shpëtimtarit ishin aq dashakeqe, saqë Ai nuk tha asgjë. “Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët … e paditnin me furi … dhe e tall[nin]”, por Jezusi “nuk [i]u përgjigj fare”22. Ka raste kur të qenit paqebërës do të thotë që t’i bëjmë ballë impulsit për t’u përgjigjur, dhe në vend të kësaj, me dinjitet, të heshtim.23

Është e dhembshme për të gjithë ne kur thuhen ose publikohen fjalë të ashpra ose përçmuese për Shpëtimtarin, pasuesit e Tij dhe Kishën e Tij, nga ata që dikur kanë qëndruar mes nesh, kanë marrë sakramentin me ne, dhe kanë dëshmuar me ne për misionin hyjnor të Jezu Krishtit.24

Kjo ndodhi edhe gjatë shërbesës së Shpëtimtarit.

Disa nga dishepujt e Jezusit që ishin me Të gjatë mrekullive të Tij më madhështore, vendosën të mos “shk[onin] më me të”25. Mjerisht, jo të gjithë do të qëndrojnë të patundur në dashurinë e tyre për Shpëtimtarin dhe në vendosmërinë e tyre për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.26

Jezusi na mësoi që të largohemi nga rrethi i zemërimit dhe grindjes. Në një rast, pasi farisenjtë u përballën me Jezusin dhe u këshilluan se si mund ta shkatërronin Atë, shkrimet e shenjta thonë se Jezusi u largua nga ata27, dhe ndodhën mrekulli teksa “turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë”28.

Bekimi i Jetës së të Tjerëve

Ne mund të largohemi nga grindja dhe ta bekojmë jetën e të tjerëve gjithashtu29, ndërkohë që nuk e izolojmë veten në qoshen tonë.

Në Mbuji-Maji, në Republikën Demokratike të Kongos, fillimisht disa njerëz ishin kritikë ndaj Kishës, duke mos i kuptuar bindjet tona ose duke mos i njohur anëtarët tanë.

Disa kohë më parë, unë dhe Kethi morëm pjesë në një shërbim shumë të veçantë të Kishës në Mbuji‑Maji. Fëmijët kishin veshur rroba akull të pastra, atyre u ndritnin sytë dhe ishin buzagaz. Shpresoja t’u flisja për arsimimin por mësova se shumë veta nuk po e frekuentonin shkollën. Udhëheqësit tanë, me fonde humanitare shumë simbolike, gjetën një mënyrë për të ndihmuar.30 Tani, më shumë se 400 nxënës, vajza dhe djem, anëtarë, si dhe ata që nuk janë të besimit tonë, janë të mirëpritur dhe marrin mësime nga 16 mësues që janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit.

Kalanga Muja

14‑vjeçarja Kalanga Muja tha: “[Ngaqë kisha pak para] nuk e frekuentova shkollën për katër vjet. … Jam shumë mirënjohëse për atë që ka bërë Kisha. … Tani mund të lexoj, të shkruaj dhe të flas në frëngjisht.”31 Kur foli për këtë nismë, kryebashkiaku i Mbuji‑Majit tha: “Jam i frymëzuar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme sepse, ndërkohë që kishat [e tjera] janë të veçuara secila në qoshen e vet … [ju po punoni] me [të tjerë] për të ndihmuar komunitetin në nevojë”32.

Duajeni Njëri-Tjetrin

Sa herë që lexoj kapitullin 13 te Gjoni, më kujtohet shembulli i përsosur i Shpëtimtarit si paqebërës. Jezusi ua lau me dashuri këmbët Apostujve. Më pas, lexojmë se Ai “u trondit në frymë”33 kur mendoi për dikë që Ai e deshi, i cili po përgatitej për ta tradhtuar Atë. Jam përpjekur t’i përfytyroj mendimet dhe ndjenjat e Shpëtimtarit kur Juda u largua. Është interesante që, në një çast kthjellues, Jezusi nuk foli më për ndjenjat e Tij “trondit[ëse]” apo për tradhtinë. Përkundrazi, Ai u foli Apostujve të Tij për dashurinë, me fjalët e Tij që vërshojnë ndër shekuj:

“Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur. …

Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”34

Paçim dashuri për Të dhe për njëri‑tjetrin! Qofshim paqebërës, që të mund të quhemi “bij të Perëndisë”, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 5:9.

  2. Shih tek Efesianëve 6:16; Doktrina e Besëlidhje 3:8.

  3. Veprat e Apostujve 17:28.

  4. Mosia 15:11.

  5. Mosia 5:7.

  6. Presidenti Dallin H. Ouks tha: “Pasuesit e Krishtit duhet të jenë shembuj të mirësjelljes. Ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, të jemi dëgjues të mirë dhe të tregojmë shqetësim për bindjet e tyre të sinqerta. Megjithëse mund të mos pajtohemi, ne nuk duhet të jemi fyes. Qëndrimet dhe komunikimi ynë mbi tema të diskutueshme nuk duhet të shkaktojnë grindje” (“Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Liahona, nëntor 2014, f. 27).

  7. “Amos C. Brown: Follow the LDS Church’s Example to Heal Divisions and Move Forward”, Salt Lake Tribune, 20 janar 2022, sltrib.com.

  8. Plaku Dejll G. Renland tha: “Kur dashuria [e] Krishti[t] e mbështjell jetën tonë, ne u qasemi mosmarrëveshjeve me butësi, durim dhe dashamirësi” (“Paqja e Krishtit e Shuan Armiqësinë”, Liahona, nëntor 2021, f. 84).

  9. Mateu 5:11–12.

  10. Shih te 2 Nefi 10:23.

  11. 2 Nefi 2:11.

  12. Moisiu 6:55.

  13. Shih te 1 Nefi 14:12.

  14. Të dhënat e fundit tregojnë se deri në 3 nga 5 njerëz shpërndajnë titullin e një artikulli që as nuk e kanë lexuar (shih Caitlin Dewey, “6 in 10 of You Will Share This Link without Reading It, a New, Depressing Study Says”, Washington Post, 16 qershor 2015, washingtonpost.com; Maksym Gabielkov dhe të tjerë, “Social Clicks: What and Who Gets Read on Twitter?” [tezë e paraqitur në Konferencën Ndërkombëtare ACM Sigmetrics 2016 mbi Matjen dhe Modelimin e Shkencave Kompjuterike, 14 qershor 2016], dl.acm.org).

  15. Mos u befasoni nëse me raste pikëpamjet tuaja vetjake fillimisht nuk janë në harmoni me mësimet e profetit të Zotit. Këto janë çaste mësimi, përuljeje, kur ne gjunjëzohemi në lutje. Ne ecim përpara me besim, duke mirëbesuar te Perëndia, duke e ditur se me kohën, do të marrim më shumë qartësi shpirtërore nga Ati ynë Qiellor.

  16. Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:14–16.

  17. Gjoni 15:18, 21; theksimi i shtuar.

  18. “Bipartisan Bill Supported by Latter-day Saints Would Protect Gay and Transgender Arizonans”, Arizona Republic, 7 shkurt 2022, azcentral.com.

  19. Why the Church of Jesus Christ Supports a New Bipartisan Religious Freedom and Non-discrimination Bill in Arizona”, 7 shkurt 2022, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  20. Russell M. Nelson, “Teach Us Tolerance and Love”, Ensign, maj 1994, f. 69.

  21. Moroni 7:3. Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Ne jo vetëm që duhet të jemi tolerantë, por duhet të kultivojmë një frymë mirënjohjeje pranimi ndaj atyre që nuk i shohin gjërat plotësisht siç i shohim ne. Ne, në asnjë mënyrë nuk duhet ta kompromentojmë teologjinë tonë, bindjet tona, njohurinë tonë për të vërtetën e përjetshme siç është zbuluar nga Perëndia i Qiellit. Ne mund ta japim dëshminë tonë vetjake për të vërtetën, qetësisht, me çiltërsi, me ndershmëri, por asnjëherë në një mënyrë që do t’i fyejë të tjerët. … Duhet të mësojmë të japim vlerësim dhe respekt për të tjerët që janë po aq të çiltër për bindjet dhe praktikat e tyre sa edhe ne” (“Out of Your Experience Here” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 16 tetor 1990], f. 6, speeches.byu.edu).

  22. Shih te Lluka 23:9–11.

  23. Plaku Diter F. Uhtdorf tha: “Si pasues të Jezu Krishtit, ne ndjekim shembullin e [Tij]. Ne nuk i turpërojmë apo i sulmojmë të tjerët. Ne përpiqemi ta duam Perëndinë dhe t’u shërbejmë të afërmve tanë. Përpiqemi që t’i zbatojmë me gëzim urdhërimet e Perëndisë dhe të jetojmë sipas parimeve të ungjillit” (“Five Messages That All of God’s Children Need to Hear” [takim shpirtëror nga Java e Edukimit në Universitetin “Brigam Jang”, 17 gusht 2021], f. 5, speeches.byu.edu).

  24. Plaku Nil A. Maksuell tha: “Anëtarët e Kishës do të jetojnë në këtë situatë të ‘grurit dhe egjrës’ deri në Mijëvjeçar. Disa egjra të mirëfillta madje kamuflohen si grurë, duke përfshirë këtu disa individë të etur që na japin leksione ne të tjerëve për doktrinat e Kishës, tek të cilat nuk besojnë më. Ata kritikojnë përdorimin e burimeve të Kishës, ndaj të cilave nuk kontribuojnë më. Ata me arrogancë përpiqen t’i këshillojnë vëllezërit që nuk i mbështetin më. Me qëndrim kundërshtues, përveçse me vetveten, sigurisht, ata e lënë Kishën, por nuk e lënë Kishën të qetë” (“Becometh As a Child”, Ensign, maj 1996, f. 68).

  25. Gjoni 6:66.

  26. “Dëfrimet e mëkatit janë vetëm për njëfarë kohe” (shih Hebrenjve 11:24–26).

  27. Shih te Mateu 12:1–15.

  28. Mateu 12:15.

  29. Shih te 3 Nefi 11:29–30.

  30. Me ndihmën e Fondacionit Don Bosko, programi shkollor mori ekspertizë të çmuar në mësimdhënie dhe materiale.

  31. Muleka, një prind, tha: “Më pëlqen ky program sepse i ka siguruar vajzës sime … mundësinë për të … mësuar se si të lexojë e shkruajë dhe të shpresojë për një të ardhme më të mirë. Nuk mund ta çoja në shkollë sepse në treg shes vetëm miell misri duke fituar … aq para sa për ushqim. E falënderoj jashtë mase Kishën për këtë.” Motra Monika, një mësuese, tha: “Ky program erdhi si një bekim i madh për këta fëmijë. Në klasën time … shumica prej tyre janë jetimë. Atyre po u pëlqen shumë, marrin pjesë rregullisht në orët e mësimit dhe i bëjnë detyrat e shtëpisë” (komentet dhe fotografitë i morëm nga Plaku Xhozef W. Sitati, 24 shkurt 2022.)

  32. Kryebashkiaku Ntumba Luis D’or Tshipota, fjalim në një takim publik në lidhje me projektin e shkrimit dhe leximit në Mbuji‑Maji, me nismën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 10 tetor 2021.

  33. Gjoni 13:21.

  34. Gjoni 13:34–35.