Konferenca e Përgjithshme
Ne Jemi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


10:0

Ne Jemi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kisha është më shumë sesa godina dhe struktura kishtare; Kisha jemi ne, anëtarët, me Krishtin në krye dhe profetin si zëdhënësin e Tij.

Pas marrjes së ftesës për të “[ardhur] e shi[kuar]”1, unë e frekuentova Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për herë të parë në moshën 26‑vjeçare. Para pak kohësh isha ndarë nga bashkëshorti im i parë. Kisha një djalë 3 vjeç. Ndihesha e pafuqishme nga frika. Kur u futa në godinë, u mbusha me ngrohtësi teksa ndjeva besimin dhe gëzimin e njerëzve që më rrethonin. Ishte me të vërtetë “një strehë kundër stuhisë”2. Tri javë më vonë, bëra besëlidhjen e pagëzimit me Atin Qiellor dhe fillova rrugëtimin tim si një dishepulle e Krishtit, edhe pse jeta ime nuk ka qenë e përsosur gjatë atij rrugëtimi.

Në mënyrë që unë të merrja ato bekime të përjetshme, shumë elemente fizike dhe shpirtërore duhej të ishin në vendin e tyre. Ungjilli i Jezu Krishtit ishte rivendosur dhe predikuar; ajo shtëpi mbledhjesh ishte ndërtuar dhe mirëmbajtur; kishte një strukturë kishtare, nga profeti deri tek udhëheqësit vendorë; dhe një degë e mbushur me anëtarë besëlidhës ishte gati për të më përqafuar mua dhe birin tim ndërsa na sollën te Shpëtimtari, “të ushq[yer] nga fjala e mirë e Perëndisë”3, dhe na u dhanë mundësi për të shërbyer.4

Prej fillimit, Perëndia ka kërkuar t’i mbledhë dhe organizojë fëmijët e Tij5 që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta [jonë] e përjetshme”6. Me atë qëllim në mendje, Ai na ka udhëzuar të ndërtojmë vende adhurimi7, ku ne marrim njohuri dhe ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit; bëjmë dhe mbajmë besëlidhje që na lidhin me Jezu Krishtin8; na dhurohet “fuqia e perëndishmërisë”9 dhe mblidhemi shpesh së bashku për të kujtuar Jezusin dhe për ta forcuar njëri‑tjetrin në Të.10 Organizimi i Kishës dhe godinat e saj ekzistojnë për dobinë tonë shpirtërore. “Kisha … është struktura mbështetëse me të cilën ndërtojmë familje të përjetshme.”11

Ndërkohë që po flisja me një mik i cili po kalonte një periudhë të vështirë, e pyeta se si po mbijetonte financiarisht. Me lot, m’u përgjigj se peshkopi i tij po e ndihmonte duke përdorur fondet e ofertave të agjërimit. Ai shtoi: “Nuk e di ku do të ishim unë dhe familja ime nëse nuk do të ishte për Kishën”. U përgjigja: “Kisha është anëtarët. Ata janë personat që me gatishmëri e gëzim japin oferta agjërimi për të ndihmuar ata prej nesh që janë në nevojë. Ti po merr frytet e besimit dhe të vendosmërisë së tyre për të ndjekur Jezu Krishtin.”

Bashkëdishepujt e mi të Krishtit, le të mos i nënvlerësojmë veprat e mrekullueshme që Zoti po bën nëpërmjet nesh, Kishës së Tij, pavarësisht nga të metat tona. Nganjëherë jemi dhënës dhe nganjëherë jemi marrës, por jemi të gjithë një familje në Krisht. Kisha e Tij është struktura që Ai na ka dhënë për të na udhërrëfyer dhe bekuar teksa e adhurojmë Atë dhe i shërbejmë njëri‑tjetrit.

Disa motra më kanë kërkuar falje, duke menduar se nuk janë anëtare aktive të Shoqatës së Ndihmës ngaqë po shërbejnë në Fillore apo tek Të Rejat. Ato motra janë mes anëtareve më aktive të Shoqatës së Ndihmës ngaqë ato po i ndihmojnë fëmijët dhe rininë tonë të çmuar ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Shoqata e Ndihmës nuk kufizohet te një dhomë në një godinë, një mësim i së dielës, një veprimtari apo një presidencë në nivel vendor apo të përgjithshëm. Shoqata e Ndihmës janë gratë besëlidhëse të Kishës; jemi nesecila prej nesh dhe të gjitha ne. Është “komuniteti ynë botëror i dhembshurisë dhe shërbimit”12. Ngado dhe kudo që shkojmë, ne jemi gjithmonë pjesë e Shoqatës së Ndihmës ndërsa përpiqemi fort të përmbushim qëllimin e saj hyjnor, i cili është që gratë të përmbushin veprën e Perëndisë si në mënyra individuale ashtu edhe kolektive13 duke siguruar lehtësim, “lehtësim nga varfëria, lehtësim nga sëmundja; lehtësim nga dyshimi, lehtësim nga padija – lehtësim nga gjithçka që e pengon … gëzimin dhe përparimin”14.

Përkatësi e ngjashme ekziston në kuorumin e pleqve dhe organizatat e Kishës për të gjitha moshat, përfshirë fëmijët dhe rininë tonë. Kisha është më shumë sesa godina dhe struktura kishtare; Kisha jemi ne, anëtarët. Ne jemi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme me Krishtin në krye dhe profetin si zëdhënësin e Tij. Zoti ka thënë:

“Vër re, kjo është doktrina ime – kushdo që pendohet dhe vjen tek unë, ai është kisha ime. …

Dhe … kushdo që është i kishës sime dhe mbetet i kishës sime deri në fund, atë do ta ngre mbi shkëmbin tim.”15

Motra dhe vëllezër, le të kuptojmë se sa të privilegjuar jemi që i përkasim Kishës së Jezu Krishtit, ku mund të bashkojmë besimin, zemrat, forcat, mendjet dhe duart tona për Të për të kryer mrekullitë e Tij të fuqishme. “Sepse edhe trupi [i Kishës së Krishtit] nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.”16

Një djalë adoleshent i tha nënës së tij: “Kur isha i vogël, sa herë që jepja një dollar për të dhjetën, mendoja se me atë një dollar do të ndërtohej një shtëpi e tërë mbledhjesh. A nuk është marrëzi?”

E prekur, ajo u përgjigj: “Është e mrekullueshme! A i përfytyrove në mendjen tënde?”

“Po!” – thirri ai. “Ato ishin të bukura dhe kishte miliona të tilla!”17

Miqtë e mi të dashur, le të kemi besimin e një fëmije dhe le të gëzohemi në njohurinë që edhe përpjekjet tona më të vogla po sjellin një ndryshim domethënës në mbretërinë e Perëndisë!

Qëllimi ynë në mbretërinë e Tij duhet të jetë që të sjellim njëri‑tjetrin te Krishti. Siç lexojmë te shkrimet e shenjta, Shpëtimtari ua drejtoi këtë ftesë nefitëve:

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është … i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë.

… E shoh se besimi juaj është i mjaftueshëm që unë t’ju shëroj.”18

A nuk kemi të gjithë ne mundime që mund t’i sjellim te këmbët e Shpëtimtarit? Ndërsa disa prej nesh kanë sfida fizike, shumë më tepër njerëz luftojnë me grindjet emocionale, të tjerët luftojnë për të ushqyer lidhjet shoqërore dhe të gjithë ne kërkojmë pushim kur shpirtrat tanë sfidohen. Të gjithë ne jemi të prekur në njëfarë mënyre.

Ne lexojmë që “e gjithë turma, të gjithë së bashku, shkuan para me të sëmurët dhe … me të gjithë ata që ishin të prekur në ndonjë mënyrë; dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij.

Dhe të gjithë, qoftë ata që u shëruan dhe ata që ishin të shëndetshëm, u përulën te këmbët e tij dhe e adhuruan.”19

Nga një djalë i vogël që e paguan të dhjetën me besim, te një nënë beqare që ka nevojë për hirin fuqizues të Zotit, te një baba që lufton të sigurojë të ardhura për familjen e vet, te paraardhësit tanë që kanë nevojë për ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit, te secili prej nesh që i përtërin besëlidhjet me Perëndinë çdo javë, ne kemi nevojë për njëri‑tjetrin dhe mund ta sjellim njëri‑tjetrin te shërimi shëlbues i Shpëtimtarit.

Motrat dhe vëllezërit e mi të dashur, le ta ndjekim ftesën e Jezu Krishtit për ta sjellë veten dhe mundimet tona tek Ai. Kur vijmë tek Ai dhe i sjellim njerëzit që duam tek Ai, Ai e sheh besimin tonë. Ai do t’i shërojë ata dhe Ai do të na shërojë ne.

Si “pasues paqësorë të Krishtit”20, ne po përpiqemi fort të bëhemi “të një zemre dhe të një mendjeje”21 dhe të jemi të përulur, të nënshtruar, të butë, të lehtë për t’u mësuar, plot durim dhe këmbëngulje, të matur në të gjitha gjërat, të zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë në të gjitha kohët, plot besim, shpresë dhe dashuri hyjnore dhe bërës të veprave të mira.22 Ne po përpiqemi fort të bëhemi si Jezu Krishti.

Dëshmoj se, si Kisha e Krishtit, ne jemi mjetet nëpërmjet të cilave “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri”23, siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson.

Zoti ka thënë:

“Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë.

Dhe unë ju jap juve … një urdhërim që të mblidheni së bashku dhe të organizoheni, dhe të përgatiteni, dhe të shenjtëroheni; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart e këmbët tuaja përpara meje, që unë të mund t’ju bëj të pastër.”24

Iu përgjigjshim kësaj ftese hyjnore dhe me gëzim u mbledhshim, u organizofshim, u përgatitshim dhe e shenjtërofshim veten tonë, është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, amen.