Bëni Atë që Ka më Shumë Rëndësi
Ndërsa e përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti, ne do të bekohemi me forcë shpirtërore, kënaqësi dhe gëzim.
Jo shumë kohë më parë, një mike e dashur pati një mbresë që të vizitonte një grua në lagjen e saj. Ajo e largoi nga mendja nxitjen, sepse e njihte atë shumë pak – thjesht nxitja nuk kishte kuptim. Por duke qenë se mendimi vazhdonte t’i vinte, ajo vendosi të vepronte sipas nxitjes. Për shkak se tashmë nuk ndihej rehat për vizitën që duhej bërë, ajo vendosi se po t’i çonte diçka motrës do ta ndihmonte për t’ia lehtësuar ankthin. Sigurisht ajo nuk mund të shkonte me duart bosh! Kështu që bleu një kuti me akullore dhe shkoi për të filluar atë për të cilën shqetësohej se mund të ishte një vizitë e sikletshme.
Trokiti në derën e gruas dhe pas pak motra u përgjigj. Mikja ime ia dha akulloren në një qese letre me ngjyrë kafe dhe bashkëbisedimi filloi. Nuk u desh shumë që mikja ime të kuptonte pse ishte e nevojshme vizita. Ndërsa u ulën së bashku në verandën përpara shtëpisë, gruaja shpalosi një mori sfidash me të cilat po përballej. Pas një ore bisede në motin e ngrohtë të verës, mikja ime vuri re se akullorja po shkrihej në qesen prej letre ngjyrë kafe.
Ajo bërtiti: “Më vjen shumë keq që akullorja juaj u shkri!”
Gruaja u përgjigj me ëmbëlsi: “S’ka problem! Kam intolerancë ndaj laktozës!”
Në një ëndërr, Zoti i tha profetit Lehi: “Bekuar je ti Lehi, për shkak të gjërave që ke bërë”1.
Të jesh dishepulle e Jezu Krishtit përfshin më shumë sesa thjesht të shpresosh ose të besosh. Kërkon përpjekje, lëvizje dhe zotim. Kërkon që ne të bëjmë diçka, duke qenë “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”2.
Në rastin e akullores së shkrirë, çfarë kishte më shumë rëndësi? Akullorja? Apo se mikja ime thjesht bëri diçka?
Unë pata një përvojë të bukur me një të re të këndshme, e cila më bëri një pyetje shumë të çiltër: “Motra Krejvën, nga e dini që çfarëdo gjëje në lidhje Kishën është e vërtetë? Sepse unë nuk ndiej asgjë.”
Përpara se t’i jepja përgjigje me nxitim, fillimisht i bëra disa pyetje. “Më trego për studimin tënd vetjak të shkrimeve të shenjta.”
Ajo u përgjigj: “Unë nuk i lexoj shkrimet e shenjta”.
E pyeta: “Po me familjen tënde? A e studioni së bashku manualin Eja, Më Ndiq?”
Ajo tha: “Jo”.
E pyeta për lutjet e saj: “Çfarë ndien kur lutesh?”
Përgjigjja e saj: “Unë nuk lutem”.
Përgjigjja ime ndaj saj ishte e thjeshtë: “Nëse dëshiron të dish ndonjë gjë, do të duhet të bësh diçka”.
A nuk është e vërtetë kjo me çdo gjë që duam të mësojmë apo dimë? E ftova mikeshën time të re që të fillojë të bëjë gjërat e ungjillit të Jezu Krishtit: lutjen, studimin, shërbimin ndaj të tjerëve dhe mirëbesimin te Zoti. Kthimi në besim nuk do të vijë duke mos bërë gjë. Ai vjen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë ndërsa me qëllim bëjmë përpjekje për të ditur nëpërmjet të pyeturit, kërkimit dhe trokitjes. Ai vjen nëpërmjet të bërit.3
Te Doktrina e Besëlidhje, Zoti herë pas here thotë: “Nuk ka rëndësi”4. Më bën të përsiat që nëse disa gjëra nuk kanë rëndësi, ose kanë rëndësi më të vogël, duhet të ketë gjëra që kanë më shumë rëndësi. Në përpjekjet tona për të bërë diçka ose për të bërë ndonjë gjë, ne mund ta pyesim veten: “Çfarë gjëje ka më shumë rëndësi?”
Reklamuesit shpesh përdorin slogane të tilla si “Thelbësore” ose “Duhet ta Keni” me shpresën se do të na joshin të besojmë se produkti që po shesin është i domosdoshëm për lumturinë ose mirëqenien tonë. Por a është vërtet thelbësore ajo që po shesin? A duhet ta kemi vërtet atë? A ka vërtet rëndësi?
Ja tek janë disa pyetje për t’u marrë parasysh. Çfarë ka më shumë rëndësi?
-
Sa “pëlqime” marrim në afishimet tona në rrjetet shoqërore? Apo sa shumë na do Ati ynë Qiellor dhe sa vlerësohemi prej Tij?
-
Të veshim stilin më të fundit të rrobave? Apo të tregojmë respekt për trupin tonë duke u veshur me thjeshtësi?
-
Të gjejmë përgjigje përmes një kërkimi në internet? Apo të marrim përgjigje nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë?
-
Të dëshirojmë më shumë? Apo të jemi të kënaqura me atë që na është dhënë?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Me Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj, mund të shihni përtej kulturës së bërjes VIP që e ka pushtuar shoqërinë tonë. Mund të jeni më të zgjuar nga ç’kanë qenë brezat paraardhës. …
Vendoseni standardin për pjesën tjetër të botës!”5
Kërkon përpjekje për ta përqendruar vëmendjen tek ajo që është vërtet thelbësore për gëzimin afatgjatë. Satani nuk do të donte asgjë më shumë sesa që ne t’i vendosnim në vendin e gabuar vlerat tona të përjetshme, duke na bërë që të humbasim kohë të çmuar, talente ose forcë shpirtërore për gjëra që janë pa rëndësi. Unë e ftoj secilën prej nesh që t’i shqyrtojë plot lutje ato gjëra që na shpërqendrojnë nga bërja e asaj që ka më shumë rëndësi.
Mësuesja e klasës së tretë të djalit tonë më të madh u mësoi fëmijëve të klasës së saj që t’i “japin urdhra trurit të tyre”. Ishte një kujtesë për nxënësit e saj të vegjël se ata kishin kontroll mbi mendimet e tyre dhe, si rrjedhim, mund ta kontrollonin atë që bënin. I kujtoj vetes që t’i “jap urdhra trurit tim” kur e gjej veten duke u endur drejt gjërave që kanë rëndësi më të vogël.
Një nxënëse e shkollës së mesme më tha kohët e fundit se është bërë e modës mes një pjese të rinisë së Kishës që t’i shpërfillin urdhërimet me një plan të llogaritur për t’u penduar më vonë. “Është një lloj distinktivi nderi”, – më thanë. Sigurisht, Zoti do të vazhdojë t’i falë ata që pendohen me përulësi, “me qëllim të vërtetë”6. Por Shlyerja e mëshirshme e Shpëtimtarit nuk duhet të përdoret kurrë në një mënyrë kaq tallëse. Ne e dimë shëmbëlltyrën e deles së humbur. Sigurisht, një bari do t’i lërë të 99 delet e tjera për të gjetur atë që ka humbur. Por a mund ta imagjinoni gëzimin që ata të cilët zgjedhin të jenë të 99‑at i sjellin Bariut të Mirë? Ata që qëndrojnë së bashku dhe e ndihmojnë njëri‑tjetrin për t’i jetuar besëlidhjet e tyre? A mund ta përfytyroni se si do të ishte bota, shkolla, puna ose shtëpia juaj, nëse të qenit i bindur do të ishte gjëja më në modë për të bërë? Nuk është për të bërë jetë të përsosur – është për gjetjen e gëzimit ndërkohë që bëjmë më të mirën tonë për t’i jetuar besëlidhjet që kemi bërë me Zotin.
Me botën që shpreh më shumë dyshime rreth Perëndisë, me pështjellimin dhe trysnitë në rritje, kjo është koha kur duhet t’i qëndrojmë më afër profetit. Meqë ai është zëdhënësi i Zotit, ne mund të kemi mirëbesim se çfarë ai nxit, këshillon dhe lutet që të bëjmë, janë gjërat që kanë më shumë rëndësi.
Ndonëse mund të mos jetë e lehtë, ekziston gjithmonë një mënyrë për të bërë gjënë e duhur. Ndërsa fliste me një grup shoqesh në shkollë, një të reje iu shtrëngua zemra kur bashkëbisedimi u kthye drejt kritikës ndaj standardeve të Kishës. Dhe ajo e kuptoi se nuk mund të qëndronte e heshtur – ajo duhej të bënte diçka. Me respekt, ajo foli për dashurinë e Atit Qiellor dhe se si urdhërimet që Ai vendosi, janë për t’i bekuar dhe mbrojtur fëmijët e Tij. Do të kishte qenë shumë më e lehtë për të që të mos bënte asgjë. Por çfarë kishte më shumë rëndësi? Përzierja me turmën? Apo të dallohej si dëshmitare e Perëndisë në “të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet”?7
Nëse Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit do të dalë nga errësira, ne duhet të dalim nga errësira. Si gra që i mbajnë besëlidhjet, ne duhet ta ndriçojmë dritën tonë të ungjillit mbi të gjithë botën duke dalë përpara dhe duke u dalluar. Ne e bëjmë këtë së bashku si bija të Perëndisë – një forcë prej 8,2 milionë grash nga mosha 11 vjeçe e lart, puna e të cilave është saktësisht njësoj. Ne po mbledhim Izraelin ndërsa marrim pjesë në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit: duke u përpjekur fort për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, duke u kujdesur për njerëzit nevojtarë, duke i ftuar të gjithë ta pranojnë ungjillin dhe duke i bashkuar familjet për përjetësinë.8 Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill veprimi dhe një ungjill gëzimi! Le të mos e nënvlerësojmë aftësinë tonë për të bërë ato gjëra që kanë më shumë rëndësi. Trashëgimia jonë hyjnore na jep kurajë dhe vetëbesim për të bërë dhe për të qenë gjithçka që Ati ynë i dashur Qiellor e di se ne mund të jemi.
Tema e rinisë për këtë vit është nga Fjalët e Urta 3:5–6:
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”.
Një element kyç i mirëbesimit te Zoti është të shkuarit përpara, duke besuar se Ai do të na udhërrëfejë edhe kur nuk i kemi të gjitha përgjigjet.
Motra, nuk bëhet fjalë për akulloren. Dhe nuk bëhet fjalë për të bërë më shumë. Bëhet fjalë për të bërë atë që ka rëndësi. Është zbatimi i doktrinës së Krishtit në jetën tonë ndërsa përpiqemi fort të bëhemi më shumë si Ai.
Sa më shumë të bëjmë për të qëndruar të vendosura në shtegun e besëlidhjeve, aq më shumë besimi ynë në Jezu Krishtin do të rritet. Sa më shumë rritet besimi ynë, aq më shumë do të dëshirojmë të pendohemi. Dhe sa më shumë të pendohemi, aq më shumë do ta forcojmë marrëdhënien tonë të besëlidhjes me Perëndinë. Ajo marrëdhënie besëlidhëse na tërheq drejt tempullit sepse mbajtja e besëlidhjeve të tempullit është mënyra se si durojmë deri në fund.
Ndërsa e përqendrojmë jetën tonë te Jezu Krishti, ne do të udhërrëfehemi për të bërë atë që ka më shumë rëndësi. Dhe ne do të bekohemi me forcë shpirtërore, kënaqësi dhe me gëzim! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.