Kthimi në Besim te Vullneti i Perëndisë
Kthimi ynë vetjak në besim përfshin përgjegjësinë për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit në botë.
Jam mirënjohës për thirrjen e fuqishme profetike të Presidentit Rasëll M. Nelson për shërbimin misionar dhe mesazhet frymëzuese për misionarët nga Presidenti M. Rasëll Ballard dhe Plaku Markos A. Aidukaitis sot.
Një detyrë misionare në Britaninë e Madhe nga fundi i vitit të kaluar më lejoi të reflektoj mbi ngjarjet e çmuara shpirtërore që ishin themelore në vendimin tim për të shërbyer si misionar.1 Kur isha 15 vjeç, vëllai im më i madh dhe i dashur, Xhoi, ishte 20 vjeç – mosha kur në atë kohë kualifikoheshe për të shërbyer në mision. Në Shtetet e Bashkuara, për shkak të konfliktit në Kore, shumë pak veta lejoheshin të shërbenin në mision. Vetëm një misionar mund të thirrej nga çdo lagje në një vit.2 Ishte befasi kur peshkopi ynë i kërkoi Xhoit që ta shqyrtonte këtë mundësi me babanë tonë. Xhoi ishte duke përgatitur kërkesat për shkollën e mjekësisë. Babai ynë, i cili nuk ishte aktiv në Kishë, kishte bërë përgatitje financiare për ta ndihmuar dhe nuk e përkrahte shkuarjen e Xhoit në mision. Babi sugjeroi që Xhoi mund të bënte të mirë më të madhe duke shkuar në shkollën e mjekësisë. Ky ishte një problem shumë i madh në familjen tonë.
Në një diskutim mbresëlënës me vëllanë tim më të madh, të mençur dhe shembullor, ne arritëm në përfundimin se vendimi i tij që të shërbente ose jo në mision dhe ta linte për më vonë arsimimin e tij varej nga tri pyetje: 1) A është Jezu Krishti hyjnor? 2) A është Libri i Mormonit fjala e Perëndisë dhe 3) A është Jozef Smithi Profeti i Rivendosjes? Nëse përgjigjja për këto pyetje ishte “po”, ishte e qartë se Xhoi mund të bënte të mirë më të madhe duke i çuar botës ungjillin e Jezu Krishtit sesa të bëhej mjek në një kohë më të hershme.3
Atë natë unë u luta me zjarr dhe me qëllim të vërtetë. Shpirti, në një mënyrë të fuqishme që nuk mund të mohohet, më pohoi se përgjigjja për të tria këto pyetje ishte “po”. Kjo qe një ngjarje vendimtare për mua. E kuptova se çdo vendim që do të merrja për gjithë pjesën tjetër të jetës sime, do të ndikohej nga këto të vërteta. Gjithashtu e dija se do të shërbeja në mision nëse më jepej mundësia. Gjatë një jete të tërë shërbimi dhe përvojash shpirtërore, unë kam arritur të kuptoj se kthimi i vërtetë në besim është rezultati i pranimit të ndërgjegjshëm të vullnetit të Perëndisë dhe se ne mund të udhëhiqemi në veprimet tona nga Fryma e Shenjtë.
Tashmë kisha dëshmi për hyjninë e Jezu Krishtit si Shpëtimtari i botës. Atë natë mora një dëshmi shpirtërore për Librin e Mormonit4 dhe Profetin Jozef Smith.
Jozef Smithi Ishte një Mjet në Duart e Zotit
Dëshmia juaj do të forcohet kur ta dini në zemrën tuaj nëpërmjet lutjeve tuaja se Profeti Jozef Smith ishte një mjet në duart e Zotit. Gjatë tetë viteve të fundit, një nga detyrat e mia te Dymbëdhjetë Apostujt ishte të shqyrtoja e të lexoja të gjitha shkresat dhe dokumentet mbresëlënëse të Jozef Smithit dhe kërkimin shkencor që çoi në botimin e vëllimeve Shenjtorët5. Dëshmia dhe admirimi im për Profetin Jozef Smith është forcuar dhe thelluar shumë pas leximit të hollësive frymëzuese të jetës dhe shërbesës së tij të parashuguruar profetike.
Përkthimi nga Jozefi i Librit të Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë ishte themelor për Rivendosjen.6 Libri i Mormonit është i qëndrueshëm në përmbajtje, i shkruar bukur dhe përmban përgjigjet për pyetjet e mëdha të jetës. Është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Ju dëshmoj se Jozef Smithi ishte i drejtë, plot besim dhe një mjet në duart e Zotit për të nxjerrë në dritë Librin e Mormonit.
Zbulesat dhe ngjarjet e shënuara te Doktrina e Besëlidhje japin çelësat, ordinancat dhe besëlidhjet e nevojshme për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ato parashtruan jo vetëm gjërat e domosdoshme që kërkoheshin për të themeluar Kishën, por gjithashtu siguruan doktrinën e thellë që na lejon të kuptojmë qëllimin e jetës dhe na jep një këndvështrim të përjetshëm.
Njëri nga shembujt e shumtë të rolit profetik të Jozef Smithit gjendet në seksionin 76 te Doktrina e Besëlidhje. Ai është një anal i hollësishëm i vegimit për qiellin, përfshirë mbretëritë e lavdisë, të cilin Profeti Jozef dhe Sidni Rigdoni u bekuan ta merrnin më 16 shkurt 1832. Në atë kohë pjesa dërrmuese e kishave jepnin mësim se Shlyerja e Shpëtimtarit nuk do të siguronte shpëtim për shumicën e njerëzve. Besohej se pak njerëz do të shpëtoheshin dhe shumica dërrmuese do të dënohej në ferr dhe mallkim, përfshirë torturat e pafundme “me intensitetin më të tmerrshëm dhe më të papërshkrueshëm”7.
Zbulesa që përmbahet në seksionin 76 jep një vegim të lavdishëm të shkallëve të lavdisë ku pjesa dërrmuese e fëmijëve të Atit Qiellor të cilët ishin të guximshëm në gjendjen e tyre para vdekshmërisë, bekohen thellësisht pas gjykimit përfundimtar.8 Vegimi i tri shkallëve të lavdisë, më e ulëta e të cilave e “tejkalon çdo zgjuarsi”9, është përgënjeshtrim i drejtpërdrejtë i doktrinës së shumëpërhapur në atë kohë por të gabuar se shumica e njerëzve do të dënoheshin në ferr dhe mallkim.
Kur e kuptoni se Jozef Smithi ishte vetëm 26 vjeç, kishte një arsimim të kufizuar dhe njohuri të paktë ose aspak njohuri për gjuhët klasike nga të cilat u përkthye Bibla, ai ishte vërtet një mjet në duart e Zotit. Në vargun 17 të seksionit 76, ai u frymëzua të përdorte fjalën të padrejtëve në vend të mallkimit që përdorej në Ungjillin sipas Gjonit.10
Është interesante që 45 vjet më vonë një udhëheqës i kishës anglikane dhe një studiues klasik, i kualifikuar nga ana akademike11, Frederik W. Farrari, i cili shkroi librin The Life of Christ [Jeta e Krishtit]12, shpalli se përkufizimi i mallkimit në Variantin e Mbretit Xhejms të Biblës ishte si rrjedhojë e gabimeve të përkthimit nga hebraishtja dhe greqishtja në anglisht13.
Në kohën tonë shumë njerëz e kanë përvetësuar konceptin se nuk duhet të ketë asnjë pasojë për mëkatin. Ata përkrahin faljen e pakushtëzuar të mëkatit pa pendim. Doktrina jonë e marrë nëpërmjet zbulesës, jo vetëm që e përgënjeshtron idenë se shumica e njerëzve do të dënohen përjetësisht në ferr dhe mallkim, por gjithashtu përcakton se pendimi vetjak është një kusht i urdhëruar paraprak që të marrim Shlyerjen e Shpëtimtari dhe që të trashëgojmë mbretërinë çelestiale.14 Unë dëshmoj se Jozef Smithi ishte vërtet një mjet në duart e Zotit për të bërë të ndodhte Rivendosja e ungjillit të Tij.
Për shkak të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, ne kuptojmë rëndësinë si të pendimit ashtu edhe të “vepra[ve të] drejtësisë”15. Ne e kuptojmë domethënien mbizotëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe të ordinancave e besëlidhjeve të Tij shpëtuese, përfshirë ato që kryhen në tempull.
“Veprat e drejtësisë” burojnë nga kthimi në besim dhe janë frytet e tij. Kthimi i vërtetë në besim arrihet nëpërmjet pranimit dhe zotimit të ndërgjegjshëm për ta ndjekur vullnetin e Perëndisë.16 Moria e pasojave dhe bekimeve që rrjedhin nga kthimi në besim, janë paqja e vërtetë dhe e përhershme dhe siguria vetjake e lumturisë përfundimtare17 – pavarësisht nga stuhitë e kësaj jete.
Kthimi në besim te Shpëtimtari e ndryshon një njeri të natyrshëm në një person të shenjtëruar, të rilindur, të pastruar – në një krijesë të re në Jezu Krishtin.18
Shumë Njerëz Mbahen Larg nga e Vërteta Ngaqë Nuk Dinë se Ku ta Gjejnë Atë
Cilat janë detyrimet që rrjedhin nga kthimi në besim? Në burgun Liberti, Profeti Jozef vuri në dukje se shumë njerëz “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”19.
Te parathënia e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje, u parashtrua një shpallje largpamëse për qëllimin e Zotit për ne. Ai shpalli: “Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime”. Ai më tej dha udhëzim: “Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës”20. Kjo përfshin misionarët kohëplotë. Kjo përfshin secilin prej nesh. Kjo duhet të jetë një përqendrim mu në qendër të çdo njeriu që është bekuar me një kthim në besim te vullneti i Perëndisë. Shpëtimtari plot hir na fton të jemi zëri i Tij dhe duart e Tij.21 Dashuria e Shpëtimtarit do të jetë drita jonë udhërrëfyese. Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt”22. Dhe Jozef Smithit, Ai i shpalli: “Prediko[ja] ungjillin tim çdo krijese që nuk e ka marrë atë”23.
Një javë pas përkushtimit të tempullit të Kirtlandit më 3 prill 1836, që ishte e diela e Pashkës së krishterë dhe e Pashkës judease, Zoti iu shfaq në një vegim madhështor Jozefit dhe Oliver Kaudërit. Zoti e pranoi tempullin dhe shpalli: “Ky është fillimi i bekimit që do të derdhet mbi kokat e popullit tim”24.
Pasi u mbyll ky vegim, Moisiu u shfaq “dhe … dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës dhe të udhëheqjes së dhjetë fiseve nga toka e veriut”25.
Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti ynë i dashur sot, i cili mban po këta çelësa, dha mësim këtë mëngjes: “Ju të rinj jeni ruajtur për këtë kohë kur po ndodh mbledhja e premtuar e Izraelit. Ndërsa shërbeni në misione, ju luani një rol vendimtar në këtë ngjarje të pashembullt!”26
Që mandati i Shpëtimtarit për përhapjen e ungjillit të bëhet pjesë e personit që jemi, neve na nevojitet të bëhemi të kthyer në besim te vullneti i Perëndisë; na nevojitet t’i duam të afërmit tanë, ta shpërndajmë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe t’i ftojmë të gjithë të vijnë e të shohin. Si anëtarë të Kishës ne e çmojmë përgjigjen e Profetit Jozef drejtuar Xhon Uentuorthit, redaktorit të gazetës Chicago Democrat, në vitin 1842. Ai po kërkonte informacion rreth Kishës. Jozefi e përfundoi përgjigjen e vet duke përdorur “Standardin e së Vërtetës” si parathënie të trembëdhjetë Neneve të Besimit. Standardi përçon, në një mënyrë të përmbledhur, atë që duhet të arrihet:
“Asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekjet mund të tërbohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”27.
Kjo ka qenë thirrja trumbetuese për brezat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, veçanërisht për misionarët. Në frymën që gjendet te “Standardi i së Vërtetës”, ne jemi mirënjohës që në mes të një pandemie mbarëbotërore, misionarët/et besnikë/e e kanë shpërndarë ungjillin. Misionarë, ne ju duam! Zoti i kërkon secilit prej nesh që ta shpërndajë ungjillin e Tij me fjalë e me vepra. Kthimi ynë vetjak në besim përfshin përgjegjësinë për ta shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit në botë.
Bekimet e përhapjes së ungjillit përfshijnë rritjen e kthimit tonë në besim te vullneti i Perëndisë dhe të lejuarit e Perëndisë që të triumfojë në jetën tonë.28 Ne i bekojmë të tjerët që të përjetojnë një “ndryshim të madh në zem[ër]”29. Ndihma për të sjellë shpirtra te Krishti të jep vërtet gëzim të përjetshëm.30 Puna për kthimin në besim të vetvetes dhe të tjerëve është detyra fisnike.31 Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.